back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Babai, gjermanishtja dhe sapuni me vaj ulliri Rrëfimi i së dielës – nga Zamir Gjurgji

Gazeta

Shefqet Gjurgji
Shefqet Gjurgji

Babai, gjermanishtja dhe sapuni me vaj ulliri

Rrëfimi i së dielës nga Zamir Gjurgji

“Nuk kam ç’të bëj. As si Fadil dhe as si Parti” – tha ai.
“Si ka mundësi? Ju e njihni Shekon shumë mirë. Keni qenë shokë të një klase në Gjimnazin e Shkodrës. Shefqeti kishte vetëm një vëlla, të cilin e pushkatuan. Ç’ne vëlla në Gjermani?” -i a ktheu ime më mjaft e habitur.
“I thuaj të mos merret më me gjermanishten dhe përkthimet prej saj. Dy nga shokët e tij të ngushtë të Gjimnazit, Zyhdiu dhe Fadili, janë prapa hekurave. S’kam ç’ti them Sofos. I thuaj të bëjë kujdes me gjermanishten, se do e akuzojnë për tentativë arratisjeje. Fati i Shekos që s’ka qenë në Shkodër, por kaloi nga Firencja në Tiranë… Ditën e mirë!” – e përmbylli përgjigjen e tij Fadil Paçrami.
Ime më i druhej tashmë edhe një fakti tjetër. Kish marrë këtë udhë e këshilluar edhe nga motrat dhe vëllai i saj. S’i kish thënë asgjë të shoqit, sepse ishte e bindur që ai s’do ta miratonte këtë nismë.
Nisur nga biografia “me njollë”, im atë e përdorte gjermanishten për të tretët, duke u mjaftuar vetëm me pagesën e reduktuar në vlerë, pa i dalë emri si përkthyes. Por, ja që dëshira e përkthimit ia kish zbehur në një rast kujdesin e bërë në kohë. “Ifigjenia në Tauridë”, e përkthyer në gegnisht, si dhe dashuria e madhe për pendën e Gëtes, e kish grishur ta nxirrte në dritë.
Kur e bisedoi më dajën tim (Astrit Kasimatin) që punonte korrektor letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, ai i sugjeroi që të shihej mundësia të përshtatej në gjuhë standarde, për të shmangur çdo lloj kundërshtie “teknike”. Im atë e pranoi edhe këtë “lëshim”. Kështu, fjalëve që tingëllonin në gegnisht dhe të shkruara me stilolaps, daja i mbivendosi korrekturën me laps në gjuhën standarde.
E megjithatë, Thanas Nano, drejtuesi i “Naim Frashërit”, nuk e dha miratimin. Kjo çështje u mbyll kështu edhe nga daja, edhe nga im atë…
Ç’të thonin më! Kujt, madje!
Fletorja shumëfletëshe në të cilën ishte shkruar përkthimi u arshivua në një cep sënduku, brenda faqeve të një broshure – po në gjermanisht – që kishte tematikë kiminë dhe zbatimin e saj në jetë.
Librat e tjerë përfunduan në kasonet e librave “të verdhë”, në bodrumin ku stivoheshin latat e drurit të familjes Kasimati, te Pallatet Moskat!
Tashmë, ai duhej ta harronte edhe gjermanishten, me qëllim që te mos i linte shteg edhe ndonjë oficeri të ministrise së brendshme që banonte me qira pranë banesës. Fatmirësisht, pas një farë kohe, oficeri u largua, dhe shtëpia me gjithë oborr u ble nga familja Dedja, me të cilën familja ime s’pati as edhe një problem të vetëm në rrafshin delikat. Përkundrazi, një harmoni njerëzore me një familje të thjeshtë, punëtore dhe të pafjalë.
Vitet fluturuan, dekadat bashkë me to. Trokiti pas ’90-ta. Im atë nuk bënte më kujdes për gjermanishten që e kish taposur ndër dekada, por me 70 e kusur mote mbi shpine, frymëmarrja prej astmës së rënduar ia kish mpakur fjalën. Edhe kur haste me miq që donin të këmbenin mendime dhe ide në gjermanisht, ai e niste bisedën, por kolla ia ndërpriste, pa e lënë të vazhdonte më gjatë. Ia vëreja në mimikë dhimbjen e dyfishtë, edhe pse nuk nxirrte ah.

Zamir Gjurgji
Zamir Gjurgji

***
“Lile! Më jep pak atë shishen e vajit të ullirit. Aq sa ka mbetur, nuk më duhet më shumë. Dua të prodhoj disa kallëpe sapuni, nisur nga receta që ofron boshura në gjermanisht. Sapuni 15-lekësh nuk bën shkumë fare. Po e provoj njëherë këtë recetën gjermane!” – iu drejtua sime mëje.
Ime më nuk ia bëri dysh fjalën, edhe pse vaji i ullirit ishte si uji i pakët. Ishte koha: “Ha ulli, shih Stefani!”.
Duke rrëmuar në depon e banesës, gjeti më në fund dy a tri kallëpe plastike në formën e mausit të sotëm, me të cilët unë luaja në rërën e bregdetit kur isha fëmijë. Nuk kaloi shumë dhe sapuni me vaj ulliri ishte hazër.
Ç’të shihje! Sapuni me vaj ulliri s’kish të sosur më shkumë. Im atë gëzontë si fëmijë. Në njërën dorë mbante broshurën në gjermanisht dhe në tjetrën sapunin “Made in Vatter”.
Ime më kish vënë pak buzën në gaz, si për të marrë pjesë në gëzimin e të shoqit. Por, tim atë nuk e mbante vendi. Mbathi këpucët, la sapunin në tryezën e korridorit, shtrëngoi fort broshurën e “sapunit” dhe u derdh jashtë.
“E sheh që gëzon si fëmijë. Më tepër se për sapunin, ai gëzon për gjermanishten që përdori për sapunin!”- m’u drejtua ime më fytyrë të qeshur. Nuk foli më. Sytë i vezullonin më një kaltërsi që këmbehej në çast në të gjelbër e ansjelltas. S’kish nevojë për më shumë fjalë, se edhe unë nuk isha më fëmijë që të mos kuptoja të pathënën. Kisha çerek shekulli mbi supe…

.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Këtij rrëfimi të Zamir Gjurgjit ia hodha nji sy dhe e veçova me e lexue me ngè n’orë ma të qeta, mbasi tehu i synit m’tha: Merre…! E lexova për rastësi, në ditën e lindjes së Çehovit dhe ma la nji si jehonë në mendje… Rrëfim emocionues sa nji vije paralele e hoqa, edhe gabim n’qofsha!! Përgëzime autorit Gjurgji… dhe uroj ta vazhdojë këtë frymë rrëfimi, që e lejon jehonën…
    jozef radi, 31 janar 2023

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.