back to top
33.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025

“Ave Cezar” ose ironia e thellë e një poezie me autor eruditin Lazër Radi – interpretim nga Robert Martiko

Gazeta

Robert Martiko
Robert Martiko
“Ave Cezar” ose ironia e thellë e një poezie
me autor eruditin Lazër Radi
interpretim nga Robert Martiko

Poezia “Ave Cezar!” me autor një nga penat më të forta të letërsisë shqipe, si Lazër Radi, ofron një reflektim të thellë dhe që hedh dritë në mënyrë kritike mbi natyrën e pushtetit, dhunën dhe moralin në kontekstin e një bote të ndarë midis jetës dhe vdekjes. Nën një këndvështrim filozofik, tema kryesore që dalin në pah, si më poshtë, janë këto.
Gladiatorët, figura qendrore të kësaj poezie, simbolizojnë individë që luftojnë për mbijetesë në një shoqëri që i shfrytëzon dhe i poshtëron. Në kontekstin e filozofisë së Friedrich Nietzsche, bie në sy një këndvështrim i fortë rreth konceptit të “vullnetit për pushtet”. Edhe pse të nënshtruar, gladiatorët tregojnë një dëshirë të fortë për të mbijetuar shpirtërisht përballë fatit të tyre të errët. Shprehja “namët e urrejtjes” tregon se urrejtja është një ndjenjë e thellë që shoqëron qëndrimin e tyre. Ndonëse të dënuar, ata përpiqen të mbajnë lart dinjitetin e tyre luftarak.
Paraprakisht mund të thuhet se fraza e përsëritur “Ave Cezar!” shpreh ironinë e situatës. Cezari, si simbol i autoritetit dhe pushtetit, përshkruhet si një figurë e tërbuar dhe e egër, që përfiton nga tragjedia e gladiatorëve. Kjo përshëndetje, që në thelb është një akt i përuljes dhe nënshtrimit, përkon me filozofinë ekzistenciale rreth absurditetit të jetës. Lazër Radi, një individ i pjekur e me kulturë perëndimore e di mjaft mirë se në një diktaturë të fortë, ku asgjë nuk mund të ndryshojë, përveçse nga vetë maja e piramidës, roli i gladiatorit romak nuk është edhe aq shumë për t’u lavdëruar. Ndërkohë, këtu pikërisht qëndron vlera e poezisë, në kohën kur u shkrua. Sepse në një botë perëndimore në kohën e Luftës së Ftohtë, në liri të plotë absolute, regjime të përgjakura dhe jashtë Kohës, jo vetëm në Shqipëri por në gjithë lindjen e Kuqe, vetëm me ironi apo me sarkazëm mund të trajtohen.
Poezia paraqet gjithashtu një kritikë të rëndësishme për shoqëritë nën diktaturë të cilat nënshkruajnë moralitetin e vdekjes në emër të spektaklit dhe të argëtimit masiv. Pikërisht këtë rol moralisht të errët kryente i famshmi “art” i realizmit socialist.
Përtëritja e dilemës në mes vdekjes dhe jetës ilustrohet përmes “gjaku” dhe “mbytjes” që përshkruajnë një realitet brutal. Një aspekt tjetër i lidhur me absurditetin e një gjendjeje është se gladiatorët, pavarësisht fatit të tyre tragjik, vazhdojnë të thërrasin “Ave Cezar”. Ky akt simbolizon një pranim të natyrës së ashpër të sistemit që i rrethon. Kjo sjell në mendje teoritë e Hegelit për konfliktin dhe zhvillimin e vetëdijes historike, ku lufta për njohje dhe njohuri është thelbësore për zhvillimin e individëve dhe shoqërive.
Poezia përfundon me një thirrje emocionale dhe tragjike. Gladiatorët, edhe në prag të vdekjes, me “sa frymë keni” shprehin një dëshpërim të thellë dhe një vendim për të vënë në dukje një liri të humbur, që përmbush natyrën njerëzore për t’u rebeluar përpara padrejtësive. Ky moment kulmor është një reflektim i fortë mbi trajtimin e individëve në shoqëri, si dhe një thirrje të vazhdueshme për reflektim dhe vetëdijesim.
Kushedi se sa herë në jetën e tij Lazër Radi e ka konstatuar atë cilësi të domosdoshme humane të lidhur me kulturën e mangët, që nuk lind në shekuj veçse skllevër. Shqipëria, njësoj si të gjitha vendet e tjera lindore apo ballkanase e thithën si me magnet komunizmin, apo vëllavrasjen. Është një e metë themelore me karakter antropologjik që vijon dhe sot. Dhe do të vijojë në shekuj pa u bërë përpjekje nga mendimi akademik shqiptar të futet në Kohë. Të vendosë në planin e parë të rendit të ditës atë element thelbësor, historikisht të panjohur në Shqipëri, të quajtur Rilindje Shpirtërore.
Në këtë mënyrë, “Ave Cezar!” është një poezi gjithnji aktuale, e cila na nxit të mendojmë për marrëdhënien tonë me pushtetin, moralitetin dhe vlerat që i tejkalojnë ato që na ofrohen nga shoqëria. Poezia na vendos përballë pyetjeve të thella për moralin, trajtimin e individëve dhe natyrën e të drejtave në një botë që sidomos sot, nga mungesa e kuptimit të gjërave, e kërcënon edhe pushteti i pakufishëm i makinerive dhe teknologjisë moderne.

***
Nga të gjitha llojet e modeleve të nënshtrimit të popujve të Lindjes së Kuqe, të vetmit që mund të kenë më shumë interes për t’u lavdëruar, gjithnjë krahasimisht me të tjerët, janë shoqëritë veriore, si ato të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Pra në këtë lloj ndërgjegje superiore e çoj edhe Lazër Radin. Sepse të gjithë njerëzit e mençur të asaj kohe, dhe njëkohësisht me guxim dhe të ndershëm, kishin kuptuar se ato lloj regjimesh me shtypje skajore, askush mund t’i lëvizte nga vendi. Në Kinë, në Tien an Men, tanksi kaloi mbi trupat e studentëve heroikë. Po të vësh re, sa herë pati ndryshim në të gjitha vendet e kuqe, ndryshimet nuk erdhën kurrë nga populli, (gladiatorët) por nga kulmi i piramidës: Imre Nagi, Dubçeku, Hrushovi dhe në fund Gorbaçovi. Lazër Radi, në këtë konteks të errët shoqëror, nuk është veçse ajo që thanë të gjithë njerëzit e paktë, shumë të rrallë të asaj kohe se në kohë jo normale kërkohet adaptim me kushtin themelor: “Të mos bëhemi spiunë!” Kjo thënie adaptimi pa iu dorëzuar të keqes buron nga vetë Shën Pavli, tek Veprat e Apostujve 5:29 (në bashkëbisedim me Pjetrin): “Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë se njerëzve.” (Πειθαρχείν δεῖ Θεῷ μᾶλλον ἢ ἀνθρώποις) Vendet e kulturuara bënë rezistencë të kësaj natyre.

Gladiatorët në Arenën e Coloseut
Gladiatorët në Arenën e Coloseut
Ave Cezar!poezi nga Lazër Radi

Gladiatorë,
namët e urrejtjes mbi ju i kam hjedhë,
jo për fatin e keq të skllavit,
as për mallkimin e hidhtë të ndëshkimit,
veç për njat qëndrim t’ultë
të nënshtruem e lajkatar
atje poshtë, n’fund të arenës:
Ave Cezar! Ave Cezar!

Ave Cezar!?
I përgjakuni gjakatarin përshndet,
n’’triumf të vdekjes!
Dhe ai gisht ogurzi, kthye poshtë,
në teh të shpatës
a në brì të demit,
mbytun n’gjak ju la…
Po ju prap
n’grahma të mbetuna të fundjetës,
me sa frymë keni, si t’marrë
ulërini,
atje poshtë, n’fund të arenës:
Ave Cesar! Ave Cesar!
Savër, 1984

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.