back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Atdheu jemi ne… – nga Ervina Toptani

Gazeta

Festa e Pavarsise - Prishtine 2016
Festa shqiptare

Atdheu jemi ne…

nga Ervina Toptani

Çfarë është Atdheu?
Menjëherë pasi bën këtë pyetje ndër mend të vjen shpjegimi etimologjik i fjalës Atdhe “terram patriam”, toka e etërve, të cilët jo domosdoshmërisht janë të pranishëm në vendin fizik të cilin e quajmë të tillë. Në këtë shkrim nuk do t’i referohem formës perendimore të mendimit, bazuar në institucionin e shtetit modern, e cila padyshim që shpreh qartë konceptin politik, territorial, nëse do të donim të shpjegonim kështu çfarë është Atdheu. (në të gjithë tekstin do ta gjeni me shkronjë të madhe këtë fjalë)
Në kontekstin social e kulturor, (pa përmendur këtu atë tradicional që duket se globalizmi dhe filozofia e tij mbështetëse (nëse e ka një të tillë) po e zhduk ngadalë duke dëshiruar që bota të duket e gjitha si një fshat i madh) Atdheu është bërthama e dashurisë dhe mirënjohjes ndaj rrënjëve të gjithsecilit, të shkrira në kuptimin biologjik, gjeografik e shpirtëror. 
Enciklopedia “Zingarelli” për shembull, e përkufizon Atdheun si “vendi me të përbashkëtat e shumë përbërësve që formojnë kombin, shtetasit e të cilit ndjejnë se janë të lidhur si individë e si shoqëri si prej lindjes së tyre në këtë territor të caktuar ashtu edhe prej motiveve të shumta psikologjike, historikë, kulturorë e tjerë si këto”.
Teoria është e bukur kur shtjellohet sipas shkollës së mendimit europian e kur i referohesh mendimit progresist të një ideje apo koncepti, i cili para së gjithash, si në rastin tim sot, është thellësisht shpirtëror e thellësisht i shpjeguar më së miri në mënyrën “më primitive” të mundshme: Atdheu është shpirti!
Atdheu për mua është toka ku kam mall të vij edhe kur jam aty, sepse unë nuk e kam jetuar dot dashurinë e tij në lirinë që kam dashur. Nuk e kam jetuar dot Atdheun siç jetojnë mijëra europianë të tjerë Atdheun e tyre. Atdheu im më mbështjell e më tërheq në tragjedinë e tij siçiliane e cila kërkon dëshpërimisht të më fundosë në honet e saj pa kthim. Unë nuk e jetova dot Atdheun tim siç do të doja.
Atdheu është nëna e babai im, janë varret e gjyshërve e stërgjyshërve të mi e përpara tyre edhe të shumë të tjerëve. Atdheu janë miqtë, kujtimet, vuajtjet, historia, legjendat, ne e ju të gjithë. Është konfiguracioni gjeografik i vizatuar nga duar të huaja që lanë jashtë hartës politike 60.000 kilometra katror Atdhe, që më dhembin edhe më shumë sesa këto 28.000 që ne nuk i duam sa duhet e nuk ia kuptojmë vlerën si duhet.
.
Ervina Toptani me miqtë e saj
Ervina Toptani me miqtë e saj
Atdheu është çdo burrë, çdo grua, fëmi, i moshuar, pemët, bimët, deti, lumenjtë, malet, fushat, kodrat e gjithçka që sheh syri e prek dora. Por është edhe shumë më tepër se kaq. Eshtë vuajtja, dhimbja, kompasioni, dëshira, edukimi e arsimimi i gjithsecilit prej nesh për t`i shërbyer atij e jo e kundërta, është mendimi më i bukur mbi lirinë, pronën, pasurinë, kënaqësinë, dashurinë, jetën. 
Atdheu është feja e gjakut, prej së cilës ne marrim formë, është “aparati” i njohjes dhe i të kuptuarit të vetvetes. Është bërthama gjithnjë në zhvillim e filozofisë së ekzistencës së shpirtit të trashëguar. Është pikërisht ky shpirt që është i sigurtë për vetveten, për ekzistencën e tij si një substancë që dallohet nga materia e madje nga i gjithë realiteti material së bashku. Atdheu është ajo pjesa më e thellë e shpirtit të padukshëm që ne marrim me vete kudo shkojmë e kudo jemi e në fund edhe në botën e përtejme.
Ah, ky Atdheu ynë! Ka mbetur jetim mes mijërash që e shkelin çdo ditë por që nuk u dhemb ku shkelin. E kemi lodhur ne Atdheun, e kemi plakur, e kemi vjedhur, e kemi vrarë, e kemi munduar sa s’ka më as lotë të qaj. Disa prej nesh kanë ikur, janë arratisur nga frika se bashkë me Atdheun, ato qindra tw babëzitur do të na shkelnin dhe ne. Shumë të tjerë i falën jetën Atdheun, duke kërkuar një copë bukë për të mbushur barkun e tharë, i vranë, i varrosën me ca lot që shteruan të nesërmen. Dhe historia fillon çdo ditë nga fillimi. Atdheu ynë përjeton veç dhimbje se ne nuk dimë të vdesim për të me mijëra, nuk dimë ta ujisim lirinë e tij me ëndrra të pastra, pa kocka fëmijësh e të rinjsh që janë bërë si kurban themelesh në çdo gropë që hapet rishtas për të ndërtuar kullat e një dorë të pasurish mbi varfërinë e mijërave. 
Të morëm më qafë Atdhe! Të braktisëm, të dhunuam, të nxorrëm bojën e ashtu të bojatisur nga gjaku i shoshoqit endemi rrugëve të botës në kërkim të një Atdheu tjetër, me shpresë se do të na dojë ai tjetri më shumë. Harrojmë ne se nënë e babë ka veç një në botë. Harrojmë ne se po nuk të qëndisëm vetë, me duart tona Atdhe, nuk do të vijë askush tjetër të të arrnojë gropat e hapura e të të pastrojë plagët. Të duam keq Atdhe, të duam me gjysëm shpirti se gjysmën tjetër ia kemi falur shejtanit.
Çfarë është Atdheu miku im? 
Atdheu je ti, jam unë, jemi ne. Jemi Atdheu më i bukur në botë, jemi ne, të gjithë bashkë. Ne e bëjmë Atdheun, ne e shpëtojmë dot Atdheun, ne e duam Shqipërinë si askush tjetër. Është e kotë që rrimë në pritje të “anglo-amerikanëve” që i presim që në ’45, që të vijnë e të na çlirojnë…. sot më shumë se dje, të na çlirojnë nga vetja e nga frika që kjo vetja ka kur shihet në pasqyrë. 
Atdhe, nëse mundesh na e bëj hallall! Të vramë, të vodhëm, të shqyem, të shitëm, të braktisëm, çfarë nuk të bëmë Atdhe, por mundemi e jemi ende në kohë të të shërojmë, të të duam me dashuri biri, të të zbukurojmë e të të pasurojmë si asnjëherë më parë se dreqi e mori një herë në jetë duhet të kemi nxjerrë një mësim nga historia e nëse nuk e kemi nxjerrë as pas 80 vitesh robëri prej antiatdhetarëve, ateherë nuk të meritojmë Atdhe! 
 
P.s. fotot e mëposhtme janë dëshmi dashurie vëllazërore që e mundëson vetëm Atdheu.
.
Marre nga muri i Fb i Ervina Toptanit, 1 gusht 2021
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.