back to top
17.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Atdhetar i mirë e meshtar i përkushtuem Dr. Lazër Radi

Gazeta

Dom Shtjefën Kurti
Dom Shtjefën Kurti (1897-1971)

Atdhetar i mirë e meshtar i përkushtuem…

Dr. Lazër Radi

Kushtue Dom Shtjefën Kurti,

luftëtar i paepun për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në tokat e pushtueme nga serbo-malazestë.

 Dekorata e Presidentit te Republikës së Shqipërisë

Me rastin e trevjetorit të shpalljes së Republikës së Kosovës,
Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha,
dekoroi dje me urdhërin e klasës së parë Dom Shtjefën Kurtin,
luftëtar i pushkës dhe i penës për çlirimin e Kosovës,
prej pushtuesve serbo-malazez.

Dom Shtjefen Kurti (1898-1971)
Dom Shtjefen Kurti (1898-1971)

Dom Shtjefën Kurti, iku nga terrori serbo-malazes pikërisht atëherë kur tërbimi i tyre po arrinte kulmin, kur në at 14 maj të vitit 1929, xhandarët serbë vranë poshtërsisht atdhetarin, dijetarin, etnologun dhe misionarin At Shtjefën Gjeçovi. Të paralajmëruem dhe të porositun posaçërisht nga At Gjeçovi – Dom Shtjefën Kurti, Dom Gjon Bizaku, Dom Luigj Gashi lanë vendlindjen e tyne, lanë misionin e tyne dhe u arratisën drejt Shqipnisë.
Posa e kaluen kufirin shtetnor, iu përveshën punës me të gjithë entuziazmin e tyne rinor me mbrojtë të drejtat e shkeluna të shqiptarëve nën Jugosllavi. Që nga Rumania, vendi i parë që i strehoi, ia nisën ofensivës antisllave në gazetën e njoftun “Kuvendi Kombëtar”.
Me ndërhymjen e Jugosllavisë i dëbuen nga Rumania. Po luftën e tyne ata s’e ndërprenë për asnji çast! Me të dalë në Gjenevë, filluen ta paraqesin çeshtjen e shqiptarëve të Kosovës në forumet ndërkombëtare. Si gja të parë formuluen nji memorandum të hollsishëm, ku, duke u mbështetë në vendimet e saj, për mbrojtjen e pakicave kombtare kudo në botë, dhe iu drejtuen Henrik Drummondit, Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve, më 5 maj 1930, ku ndër të tjera thuhet:
“Zoti Sekretar i Përgjithshëm, ne nuk jemi të dërguemit e parë të popullsisë shqiptare që jetojnë në Mbretninë e Jugosllavisë e që po paraqesin përpara Lidhjes së Kombeve gjendjen aq të trishtueme që i asht krijue kësaj popullsie nga thundra serbe. Ne, me siguri, nuk do të jemi as të fundit që po protestojmë përpara këtij forumi të naltë për të kërkue drejtësi ndërkombëtare, po qe se politika e pushtetarëve të Beogradit nuk do të ndryshojë rranjsisht në qëndrimet e tij kundrejt popullsisë shqiptare.
Kjo politikë, tashma e mbushun me eksese dhe veprime të kobshme, mund të përmblidhet në dy fjalë: ata synojnë me e shndërrue me çdo kusht karakterin etnik të viseve të banueme nga shqiptarët. Zbatimi i kësaj politike duhet të bahet duke përdorë çdo lloj persekutimi për me i detyrue shqiptarët të emigrojnë, çdo dhunë për nji shkombëzim të detyruem të popullsisë që asht në pamundësi me reague dhe me ba syrgjynosjen dhe asgjësimin e gjithë elementeve, që s’kanë ndër mend me e braktisë vendin as me iu nënshtrue vullnetarisht serbizimit të krahinës…” Duke vazhdue ekspozenë, ndër të tjera ai shkruen: “Dënue prej nji fati të zi dhe duke kalue nga njeni verdikt ne tjetrin, kjo pjesë e kombit shqiptar, jo ma e pakët në numër se sa ajo që përban Shtetin e Pavarun Shqiptar – asnjiherë, dhe për asnji çast, mbas kaq shekujsh, nuk e ka shijue mirësinë e lirisë. E drejta e vetvendosjes së popujve, e shpallun me aq solemnitet nga themeluesit e Lidhjes së Kombeve, apostuj të paqes ndërkombtare, mbetet për ne vetëm nji dëshirë e shenjtë. Lidhja e Kombeve që i ka vu vetes për detyrë kryesore zhdukjen e shkaqeve të konflikteve midis shteteve dhe popujve për me i dalë përpara çdo rreziku të tillë, shpalli “Traktatin e Minoriteteve”. Ky ka për detyrë me zhdukë arsyet e mosmarrëveshjeve midis shteteve dhe subjekteve të tyne që nuk janë të po asaj race, gjuhe apo feje.”
Në kët rrugë Dom Shtjefën Kurti vazhdoi krejt jetën e vet. Ishte nji irredentist race dhe si i tillë vdiq me shpirt të zhuritun, pse nuk e pa bashkimin mbarkombëtar. Fatkeqësia e tij ishte se, ndërkohë, që mundi me i shpëtue plumbit serbo-malazes në tokat e pushtueme, s’mundi me i shpëtue plumbit të sikanëve të tyne, në Atdheun Amë. Serbët, at çka s’mundën me e ba atje ne vendin e tyne, e banë këtu me mashat e tyne, pa i djegë fare duert.
Dom Shtjefën Kurti nuk qe veç nji atdhetar i mirë, por edhe nji meshtar i përkushtuem. Zef Margjinaj që e ka njoftë personalisht dhe ka pasë miqsi me të thotë: “Kush nuk e kujton Dom Shtjefën Kurtin, historia dhe martirizimi i të cilit disa vite ma parë u përhap në krejt botën katolike. Ai u dënue dhe u ekzekutue në Milot vetëm pse guxoi me pagëzue nji fëmijë. Përballë gjykatësit terrorist, prifti u përgjigj heroikisht “Unë jam meshtar. Asht detyrë e imja me zbatue pagëzimin e gjithë njerëzve që dëshirojnë atë. Unë preferoj me i bindë ma fort Zotit se sa njeriut!”.

Kleri Katolik në Gjyqet pafund
Kleri Katolik në Gjyqet pafund

***
Dom Shtjefën Kurti lindi në Ferizaj më 24 Dhjetor 1897, (ndonëse në memorandumin paraqitun Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, përmend Prizrenin si qytet të lindjes), dhe u vra në Milot në vitin 1971 në moshën 74 vjeçare. Asht mjaft e dyshimtë kohëzgjatja e dënimit me vdekje dhe ekzekutimit të dënimit. Disa vjet mbas vdekjes, kur Radio Vatikani njoftoi ekzekutimin e tij, pushtetarët e Tiranës të zemëruem njoftojnë zyrtarisht më 28 prill 1973, me nji titull ironik: “Nji Shenjt i ri për Vatikanin”, siç ishte zakon dhe në zanatin e poshtërsive të tyne të përdorin fjalorin e shamjeve ma të ndyta. Këtij njeriu, Dom Shtjefën Kurtit, që çështjen e Kombit dhe çeshtjen e fesë i kishte dy gjanat ma të shenjta të jetës së vet, tani i thonë “spiun”, “informator” dhe “agjent i Vatikanit”. Njikohsisht në dy artikuj të “Zërit të popullit” sulmohet Vatikani, gjoja për politikën e tij kundër pushtetit popullor. Poshtërsia e komunistëve të internacionales sllave nuk ndalet këtu; ata vazhdojnë: “Papa dëshiron me shenjtnue kët tradhtar, këtë spiun, kët hajdut, damtues dhe kriminel lufte. Ma mirë ban me dërgue nji njeri me mbledhë kockat e këtij “bariu” që përdori veladonin për me vra, sabotue, spiunue dhe shkatërrue kundra lirisë së popullit shqiptarë!”.
Kam pasë fatin ta njoh Dom Shtjefën Kurtin personalisht dhe të takohem e të rri me të! Së pari e njoha në Prizren, në vitet e fëminisë, kur në Katedralen e qytetit, me dyer të mbylluna, në vend që të na mësonte kangë kishtare, na mësonte hymnin “Porsi fleta e ejdhit të Zotit”, na tregonte Historinë e Skënderbeut, na i ndizte zemrat me atdhedashuni. Pastaj e kam pa trim-bajlozin Dom Shtjefën Kurti, Natën e Krishtlindjeve, të hynte në burgun e ri dhe atje të instalonte Elterin dhe të na thoshte meshën. Kjo ishte punë me rrezik: Dom Shtjefni e bani!
Mandej u takuam dhe ndejtëm së bashku për mjaft kohë në Burgun e Tiranës. Torturat e randa e kishin thye fizikisht, por nuk e kishin rrëzue moralisht.
Edhe pse kishin përdorë hekurin e skuqun dhe kamxhikun, shokun elektrik dhe shumë tortura të tjera çnjerëzore, Dom Shtjefni nuk donte me ia ditë fare: të 17 vjetët e burgut nuk e demoralizuen, as torturat e as mosha e madhe! Posa doli nga burgu, menjiherë ai filloi “meshat” dhe mësimet e shenjta të fesë e të Atdheut. Spiuni – metoda ma e dashtun e poshtërsive të diktaturës së kuqe, ndihmoi që Dom Shtjefni të kapej në “flagrancë”, duke pagëzue nji foshnje dhe kjo qe e mjaftueshme për dënimin e tij me vdekje. Kombi, me kët dekoratë të vonueme që i jep sot Dom Shtjefën Kurtit, po i shpreh deri diku mirënjohjen e vet, por, edhe Vatikani, nga ana e vet nuk duhet me e lanë në harresë kët figurë heroike: ai ka qenë vërtet nji misionar i shenjtë!
(Rilindja, e shtunë, 3 korrik 1993)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.