
Astrit Delvina (1920-1990) – 35 vjetori i largimit nga jeta
nga Lek Pervizi
Astrit Delvina u lind në Delvinë, i biri i Namik Delvinës.
Rreth rinisë së tij dihet pakçka. Dihet mirë se nga mesi i viteve ‘40 (1940-1943) studionte për mjekësi në Bolonja. U kthye në atdhe, pasi veriu i Italisë u bë fushëbetejë. U vendos në Tiranë, ku bashkëpunoi me revistën “Bleta” dhe botoi një sërë tregimesh, novelash, me pseudonimet: Lek Copa, Astor, Hallë Remja dhe Zoti Kaçija. Botoi edhe në të përkohshmet si: “Tomori”, “Kultura islame”, “Tomori i vogël”, “Bashkimi i Kombit”, te revista “Kritika” e Arshi Pipës botoi esenë “Shkenca dhe arti”, kurse te revista “Fryma” e Myzafer Pipës, studimin “Erotika dhe estetika” etj.
Mbas çlirimit, qe pjesë e redaksisë së gazetës “Bashkimi” derisa Petro Marko arrestohet, më pas e larguan dhe e çuan së pari në Shkodër e më pas në Ishëm, për të punuar si ndihmësmjek. Gjatë kësaj periudhe shkroi romanet “Sykuqi”, ku tipizohet një informator i Sigurimit të Shtetit që përndjek intelektualët; dhe romanin alegorik “Bijtë e Tantalit” më 1951 – vepra për të cilat u arrestua për të parën herë më 21 shkurt të 1951 dhe u dënua për “agjitacion e propagandë” dhe “tentativë arratisje”, me 5 vjet burg me punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave elektorale për një vit. Dorëshkrimet e dy romaneve si dhe të disa tregimeve dhe shumë poezive humbën nëpër birucat e hetuesisë.
Lirohet nga burgu i parë më 1956.
E caktuan punëtor krahu në ndërmarrjen Rruga-Ura Tiranë, ku punoi për dy vjet. Më 1958, e internojnë në Libofshë e Levan të Myzeqesë, ku punoi si ndihmësmjek, dhe fitoi simpatinë e banorëve të zonës, aq sa e zgjedhin edhe anëtar të këshillit popullor të fshatit. Më 1969, e arrestojnë sërish, duke i sekuestruar romanin: “Dhe në varreza nuk ka qetësi”. Në seancën gjyqësore, eksperti letrar kërkoi dënimin më të rëndë për autorin. Astriti iu drejtua trupit gjykues, duke e stigmatizuar politikën e ndjekur nga PPSH. U dënua për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, kësaj here me 10 vjet burg dhe humbjen e të drejtave elektorale për 5 vjet. Ekzekutimi i vendimit filloi më 12 korrik 1967 dhe vazhdoi deri më 1976.
Mbas burgut në Spaç, e internuan në kampin e interrnimit në Shtyllas të Fierit, ku punoi si punëtor krahu deri në fund.
Në maj të 1990 kthehet në Tiranë i lodhur dhe i sëmurë rëndë. Astrit Delvina ndërroi jetë më 18 korrik 1990.
***
Me Astrit Delvinën, ishim njohur në Tiranë, me 1946-1949, nëpërmjet Xhelal Koprenckës, familjarisht i afërt i tij. Astriti e kishte nën kujdes Xhelalin, asokohe16 vjeçar i mbetur jetim, mbasi babanë ia kishin pushkatuar dhe xhaxhai i qe arratisur. Pikërisht nga Xhelal Koprencka mora vesh qe Astrit Delvina, merrej me shkrime poezish, tregimesh dhe romanesh, fshehtas në shtëpi. Astriti ishte intelektual i kompletuar, mjek i zoti po edhe shkrimtar i talentuar, i lënë në hije, dhe i ndalua. Pastaj i humbëm lidhjet. Vonë e mora vesh se e kishin burgosur për librat dhe dorëshkrimet.
Kur u liruam më 1989, e takoj Astritin rastësisht në Tiranë, ku u përqafuam si miq të vjetër vuajtjesh. E pyes, për librat? Më tha që: Nuk e di a t’i botoj a jo. Ishte i sëmurë rëndë. Mbas disa muajsh vdiq. Ishte korrik 1990, ai sapo kishte mbushur 70 vjeç.
Vite ma vonë nga një kushëri i tij mora vesh se ia kishin botue nja katër-pesë libra dhe më erdhi shumë mirë.
E kujtojmë në këtë korrik, 35 vite pas vdekjes së tij, po edhe në 105 vjetorin e lindjes së shkrimtarit që nuk i pa kurrë librat e tij.

Librat që shkroi Astrit Delvina
-Dhe e bukura nuk u zgjua
-Endrra me ngjyra
-Globi në rrjetë
-Kalimi i Rubikonit
-Ndërgjegja
-Noela
-Pikëpjekje zemrash
-Shkretëtira kozmike
-Sytë e Luçies
-Zëri prapa murit
-Bijtë e Tantalit