back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Arshi Pipa… Fëmijëria dhe adoleshenca Uran Kalakulla

Gazeta

Arshi Pipa student
Arshi Pipa student

Arshi Pipa… Fëmijëria dhe adoleshenca

nga Uran Kalakulla

Arshi Pipa u lind në Shkodër në 28 korrik 1920. Kjo është datëlindja që njihte ai. Them kështu, sepse kam gjetur në regjistrin e gjendjes civile në Shkodër, në atë të vitit 1930 (nuk kishte regjistër me të vjetër), si datëlindje 13 shkurtin e po atij viti. Por kësi punësh në Shqipëri nuk janë fort të rralla…
Ai ishte djalë i vetëm në krye të katër motrave te po një barku. Vëllanë më të madh gjashtë vjet para tij, Muzaferin, i kishte të tillë nga babai. Kështu, ai ishte drita e syrit jo vetëm e prindërve, por edhe e motrave, të cilat gjithë jetën e kanë adhuruar. Por kjo nuk do të thotë aspak se në familjen Pipa, për Muzaferin nuk ishte po e njejta gjë. Aty nuk bëhej asnjë dallim ndër dy djemtë e shtëpisë, si nga prindërit, ashtu edhe nga motrat. Ishte një familje me lidhje afektive shumë të theksuara, të pashlyeshme kurrë. Dhe kjo i detyrohej kryesisht nënës së tyre, zonjës së mrekullueshme Hatixhe, shkodrane e përkryer në të gjitha drejtimet, nënës së fortë, të dhemshur aq edhe të drejtë deri në shkallën e një modeli klasik.
Fëmijë i mbarë, i shëndetshëm dhe i bukur, Arshiu ishte njëkohësisht edhe një “lojcak” i madh, si thonë në Shkodër, madjé edhe një “sherret”, domethënë që nuk linte dy gurë bashkë. Përveç lojrave tepër të guximshme me shokët e vet të lagjes, majat e pemëve të larta në oborrin e shtëpisë a në kopësht, pusi i thellë dhe kulmi i çatisë ishin vendet e preferuara të tij.
Zakonisht femijët dhe adoleshentët çamarokë nuk i nënshtrohen disiplinës dhe mësimeve të shkollës. Për pasojë, shpesh përparimi në mësime ecën çalë-çalë. Por tek Arshiu ky fare rregulli s’kishte fare vend. Përkundrazi! Tek ai natyra e gjallë dhe dinamizmi i moshës së re harmonizohej qysh në fëmijëni mrekullisht me zellin e madh për shkollën, për mësimin. Dhe faktet tregojnë se ai që në klasën e parë e deri në maturë dilte gjithnjë i pari i klasës!
Filloren e kreu tek shkolla e jezuitëve në Shkodër, e në mos gaboj edhe në vitet e para të gjimnazit. Them vitet e para, sepse gjimnazet atëhere ishin me tetë e nëntë klasë, deri më vonë madjé, në kohën e regjimit komunist. Vërtetë ishin të paktë këto gjimnaze para luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, por ishin të saktë, e jo vetëm gjimnazet si (ai i Shkodrës, Tiranës, Korçës etj.) por edhe shkollat e mesme profesionale, si Normalja e Elbasanit, Normalja e Tiranës (vetëm për vajza) dhe Shkolla Teknike Amerikane e Fullcit në Tiranë apo ajo e Kavàjës.

Arshi Pipa student në Itali
Arshi Pipa student në Itali

Tek jezuitët Arshiu mori bazat e kulturës klasike, me greqishten e vjetër e latinishten dhe për pasojë, kur shkoi të vazhdojë në Gjimnazin shtetnor të Shkodrës, që quhej atëhere Lice, si ai i Korçës dhe i Tiranës, ai kishte baza të forta për të dalë i pari edhe në dy gjuhët klasike që përmendëm më lart. Dhe këto dy gjuhe ai s’i ndau gjatë gjithë jetës. Përkthimet e bollshme, të lena në dorëshkrim e dëshmojnë më së miri këtë fakt.
Gjatë kohës së arsimimit në shkollën e jezuitëve, ku jepnin mësim klerikë të shquar, i ati, duket për një lloj “ekuilibrimi” kulturash e futi që të ndjekë njëkohësisht edhe mejtepin, për të mësuar format e moralit islamik. Kështu Arshiu, deri në moshën e thyer, mbante mend akoma dhe i recitonte për bukuri shumë nga syret e Kuranit arabisht, për çudinë dhe admirimin e miqve shkodranë të dhënë aq fort pas kësaj feje, por që arabishten nuk e dinin fare, as me shkrim e as me lexim!
Gjimnazi i Shkodrës, si thamë, ishte fort i dalluar ndër ata pak homologët e tij të atëhershëm në vendin tonë. Dhe kjo punë jo vetëm nga programi, por sidomos nga turpi i tij mësimor, që përbënte ajkën e inteligjencës shqiptare të asaj kohë, që të gjithë intelektualë të formuar më së miri, me prirje të theksuara perëndimore, por me shpirt terësisht kombtar. Figura të tilla si Hil Mosi, Mirash Ivanaj, Ndue Paluca, Gjergj Canco, Gjergj Kokoshi, Kolë Kamsi, Skënder Luarasi, Anton Deda e të tjerë si këta, e dëshmojnë qartë çfarë thashë pak më lart. Dhe kjo punë sigurisht ndodhte edhe në shkollat e tjera të mesme në Shqipëri të cilat jepnin dije të shëndosha dhe farkëtonin qytetarë të denjë e të zotë për vendin, farkëtonin shqiptarë të vërtetë e të denjë, plot humanizëm, drejtësi dhe dashuni, deri në adhurim për kombin dhe shqiptarizmin. Në atë kohë, deri në prak të ardhjes së pushtetit komunist në fuqi, shkolla shqiptare mund të krenohej me të drejtë se nuk kishte aspak pse t’ia kishte zili shkollave më të mira e prestigjtoze europiane dhe amerikane!

Mësuesit e Gjimnazit të Shkodrës
Mësuesit e Gjimnazit të Shkodrës

Por këtë dëshmojnë edhe plot reivsta arsimore a pedagogjike që botoheshin në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore si “Laboremus”, “Normalisti”, etj. Ashtu siç mund të dëshmojnë mësuesit e nxënësit e asaj kohe që ende janë gjallë sot, e që po bëhen gjithnjë e më të pakët…
Familjarët dhe shokët e tij të moshës së re, më kanë treguar se Arshiu, jo vetëm që ishte i pari në mësime, por edhe ndër më të dalluarit ndër lojra, në gjimnastikë e sport. Ndërsa i vëllai më i madh, Muzaferi, mbasi kishte lojtur futboll ne gjimnaz, kishte arritur të bëhej ndër asat e skuadrës “Vllaznia”, Arshiu ishte efektiv i skuadrës së gjimnazit, edhe pse nuk kishte talentin futbollistik të Muzaferit dhe nuk hyn në skuadrën e qytetit. Këto që them këtu janë të trajtuara me gjerë e më saktë te kujtimet e mjaft sportistëve shkodranë të asaj kohe si dhe të gazetarëve sportivë të kohëve të sotme.
Për guximin tek Arshiu do të sjell tre shembuj nga momente të ndryshme të jetëes së tij: Kur ishte adoleshent… më tregonte në Shkodër një shoku i tij i moshës, tek vinin në lum për t’u larë, Arshiu, si asnjë nga shokët etij, hidhej në pellgun e lumit nga një shkëmb i lartë pozicioni i të cilit ishte shumë i rrezikshëm për këtë punë… Në Burgun e Burrelit Arshiu hapte sportelin e birucave dhe u hidhte shokëve të dënuar atje duhan, ndopak sheqer a ç’të kishte mundur të mbledhi, me rrezik qe po ta shihnin rojet, e fusnin edhe atë në birucë, mes dimnit, në çimento, vetëm me mbathje e kanotjere në trup, për një muaj rresht, megjithëse ai ishte i sëmurë. Kurse rasti i tretë i takon momentit të arratisjes kur ai çan kufirin, bashkë me të motrën Fehimen, me kobure në dorë, i vendosur të mos bijnë në dorë i gjallë me tek rojet.
Me shokët Arshiu ishte, si më gjithë të tjerët i sjellur dhe shumë i dashur. Ai i ndihmonte ata vazhdimisht në mësime. Në albumin e familjes, mes të tjerave ka edhe një fotografi ku ai është bashkë me tre shokë të tij të klasës, para një tabele të zezë, në oborr, tek po mban anën e profesorit, në përgatitjen për provimet e maturës. Në tabelë, veç disa shprehjeve algjebrike, ka në një anë edhe një vjershë, me shkrimin e tij të njohur, vjershë që tregon bukur shpirtin e preokupuar të nxënësve para “torturës” së maturës:

Me studime/ e numra të shkreta.
kot na shkuen/ të rijtë e jeta…

Gjimnazi i kohës së tij si dhe i kohës sime ndahej, mbas semimaturës, në dy degë: reale e klasike. Realja ishte e prirur më fort ndaj shkencave të natyrës, me preferim matematikën e fizikën. Klasikja ishte e prirur ndaj dijeve humanitare të gjuhëve. E Arshiu zgjodhi me dëshirë këtë të fundit. Duket qe në moshë fare të re ai e kishte përcaktuar rrugën e tij në jetë. Dhe kjo punë duket edhe nga dy fakte të tjera. Gazeta “Cirka” e vitit 1936, kur Arshiu ishte dy vjet para maturës, kishte shpallur një konkurs poetik.

Gjimnazi i Shkodrës VI B - 1936
Gjimnazi i Shkodrës VI B – 1936 (Klasa e Arshiut)

Në të mori pjesë edhe studenti i klasës së gjashtë të Gjimnazit shkodran, i degës klasike, Arshi Pipa. Vjersha e tij me titull “Në Lamen e Luftës” fitoi çmimin e tretë. Ishte një vjershë e gjatë me plot 26 strofa, secila gjashtëvargshe, herë me rimë e herë pa rimë. Vjersha ka karakter epiko-lirik. Tema e saj është një lloj proteste e hapur kundra luftës si një veprim mizor, që sjell vetëm vdekje. Pra është tërthorazi një hymn për paqen, mirkuptimin, vllazërimin e njerëzve e popujve. Kështu humanizini i shpirtit të tij nis e nxjerr krye që në moshë fare të re, atë të një adoleshenti gjimnazist.
Prova e tij e dytë e botuar në shtypin e kohës, këtë herë në lëmin e prozës, shifet tek tregimi me titull “Liqeni”, një tregim lirik, botuar tek “Vatra Shqiptare’’, shtator-tetor 1941. Kjo prozë, sigunisht është shkruar në moshë fare të re, por u botua atëhere, siç tregon data, ndërkohë që autori i saj ishtë tashmë pedagog në gjimnazin e Tiranës dhe jepte filozofi. Nuk e dimë me saktësi se kur poeti Arshi Pipa ka nisur të shkruajë poezi, por një gjë është e sigurt që këtë punë ai e ka nisur që në bangat e gjimnazit të Shkodrës. Dhe këto poezi gjimnaziale në shumicën e tyre do të mbushin më vonë faqet e librit të tij të parë me titull “Lundërtarë” botuar në Tiranë më 1944.

Arshi Pipa (1920 - 1997)
Arshi Pipa (1920 – 1997)

Pjesë e marrë nga libri: “Arshi Pipa – njeriu dhe vepra”  e shkrimtarit Uran Kalakulla

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Të nderuar zotërinj.
    Me datën 27 korrik, e mesa duket xha Urani është mirë me shëndet që ka shkruar këtë artikull kaq interesant. Jam vajza e një ish-oficeri. Në Rreth-Greth banonim në një pallat me të internuarit. Ndër ta xha Urani me gruan e ti Nedretin (motra e Arshiut) Patin dhe Vasilikën. Ata nuk e dinë, por unë i mbaj në zemër mësimet e tyre!
    Një përqafim të ngrohtë, nga Anila çamarrokja, e vogla e tre vajzave të Xhelo Tozaj.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.