back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Arrati n’lirikat e dashnisë… 20 poetë, sjellë në shqip nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Rafdi- Nektaar nga lirika botnore - Kopertina
Jozef Radi- Nektaar nga lirika botnore – Kopertina

Arrati n’lirikat e dashnisë…

Dy fjalë lexuesve, nga Jozef Radi

Dashninë ndaj përkthimit e kam të hershme. Nis diku kah fillimi i viteve ’80, si nji shtysë e çmendun, pra gati dyzet vite të shkueme, kur pa dijtë ndonji gjuhë s’i duhet, vendosa me i hy përkthimit! E pse jo, mendoja me vedi; m’u arratisë njeriut n’ato kohna, i duhej me kalue kufijtë fizikë t’atdheut, me rreziku jetën e vet e tjerëve; unë mendoja se mundesha me i kalue kufijtë e atdheut përmes kulturës, e si andërr kisha gjetë përkthimin…
Pra besova, se dashninë ndaj përkthimit mundesha me e kthye në përkthim të dashnisë! Si sot e kam të gjallë të qeshunën, prej murgu të nji flokbardhi të lashtë, kur m’i lexoi t’parat “përkthime” të miat… që ma shumë se përkthime, ishin do përshtatje simbas qejfit, të do perlave poetike të panjoftuna ende sot, po që me mendjen time i besoja si përkthime…!!
Me kohë e me moshë marrdhania jeme me përkthimin erdh e u ba ma serioze, dhe kët arrati të shpirtit, vendosa me e kultivue pa asnji pretendim, aq sa guxova veç me vetëtue n’shesh të botimeve me ndonji libër a pjesë të përkthyeme, në trajtë legale. Kështu raportin me përkthimin, e kam pasë të pranishëm kaherë, mbasi krejt përkthimet e Radit Plak, i kam kalue ndër duer si redaktor i rreptë. Rreth viteve 2005-’06, bashkpunova me përkthime me revistën Ars… e ndoshta aty asht guximi i parë i shfaqjes sime publike, mandej erdhi përkthimi i nji poeteje italiane (Amoa Fatuiva), për llogari të sh. b. “Besa”.
Libri “Veç mundem me të dashtë, njashtu siç je” asht tjetër gja! Ai asht guximi i ndrymë i shumë viteve përkushtim, që tash po vjen si nji libër. Asht dashni e madhe… për librin, dhe vuejtje e madhe për mue… pra besoj do të jetë i vyem, për cilindo që e kalon ndër duer…
Punën me përkthimin e theksoj e kam pasë të hershme e të vazhdueshme. Sa herë ndeshi n’diçka të bukur, e gjej vedin të rrëmbyem me e përkthye… Kaq e shpeshtë m’asht ba nji gjà e tillë, sa kët libër e kam të gatitun tash nji vjetë, e s’ia gjeja fillin balonës me e kputë, e me e qitë n’qiell.
Ai asht nji shetitje e shtrime ndër kohna n’kopshtijet e luleve ma të shndritshme të lirikës, ku mjaft prej penavme namë të kësaj bote, (mes tyne ka edhe pena pa fort namë) që unë mbasi i gjej, (o m’i sugjerojnë) i lexoj, i gatuej e i le m’nji qoshe të vedit.E veçanta e kësaj antologjie asht jo vetëm përzgjedhja, po edhe trajtimi i poezisë së përkthyeme përmes gegnishtes: nji tjetër mund, nji tjetër rrugtim, për të cilën jam i bindun se përkthimi ka gjetë muzikalitet të dyfishtë: së pari prej përzgjedhjes së lirikave… së dyti prej trajtës së këtij vokali poetik…
Prandej do të kisha dashtë, që ky libër të dhurohesh, si nji “bibël dashnie” n’nji vend që po e mbyt urrejtja. Do të ishte nji mrekulli, sikur gjithkush t’ia dhuronte dikujt!! Jo pse e kam punue unë, po pse e kanë gdhendë tjerë, unë veç transportues modest jam për te ju. Por, e kam transportue dashninë me shumë dashni…!
Pse ky libër asht i gjithi dashni. Asht gjuha e përbotshme e ndjenjave që duhet dhurue, që duhet mësue, që duhet recitue… që duhet ba monument! Mbas leximit, keni m’u ba ma të bukur, ma të thellë, ma të vërtetë…
Besoj se, çfardo vlere t’ketë ky libër, s’ka me e la dot vlerën e mundit tem për të… Pse asht dashni e vërtetë, e si e tillë, s’ka monedhë (as n’ar), që mundet m’i ble krejt shpirtnat e kangës, që rrijnë ndry aty mbrendë… Mbetem i bindun se e kam tejkalue rininë e hershme, se e ia kam përshtatë mjaft reliket e shenjta të kësaj bote, ambëlsisë ma sublime të gjuhës shqipe. E jam arratisë sërish, edhe pse kufijtë tashma ishin të lshuem… Sepse njeriu ka me pasë nevojë gjithnji m’u arratisë diku… e nji strehë t’vocërr arratie, ua dhuroj me kët libër…
Lexofshi e m’urofshi!
Jozef Radi, 22 tetor 2018
Logo e Shtëpisë Botuese "Jozef"
Logo e Shtëpisë Botuese “Jozef”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.