back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Aqif Përmeti… me vizion atdhetar nga Eugen Shehu

Gazeta

Aqif Pashë Përmeti (1884-1945)
Aqif Pashë Përmeti (1884-1945)

Aqif Përmeti… me vizion atdhetar

nga Eugen Shehu

Jo rrallë historia e kombeve,
ka trokitur nëpër dyert e shtëpive të mëdha.
Prej këtyre shtëpive, gjak e eshtra të ngjizura në memorien e vetë kombit,
popujt kanë siguruar mbijetesën epokale të tyre.
Dera e Madhe Përmeti,
i bën nder jo vetëm qytetit me të njëjtin emër në jugun e shtetit amë,
por gjithë viseve tanë arbërore.
Në këtë derë të madhe, përkrah burrave e trimave
që kundërshtuan natën e gjatë osmane,
zë vendin e vet të nderuar edhe ushtaraku me vizionin atdhetar,
kalorësi i Shqipërisë Etnike: Aqif Përmeti.

Eugen Shehu
Eugen Shehu

Ai u lind në Përmet më 28 nëndor 1884. I ati i tij Ismaili, zotëronte pasuri të konsiderueshme, e megjithatë ai u përpoq të rrënjoste në shpirtin e butë të të birit idenë se pasuria nuk ka ndonjë vlerë të madhe, nëse jeton në robëri. Është e natyrshme që shqiptarët e shekullit të njëzetë, nuk mund të ngriheshin njëherazi për të luftuar perandorinë osmane,  e cila shtrihej në dy kontinente, por në mënyrë të veçantë, në ag të këtij shekulli, këta bënë çfarë ishte  e mundur për autonominë e viseve etnike të tyre. Në këtë lëvizje emblematike të shqiptarëve u përfshi edhe Ismail Përmeti, duke përcjellë në këtë mënyrë tek zemra e të birit, dëshirën e madhe të lirisë.
Në vitin 1890, Aqifi 6 vjeçar fillon mësimet në shkollën turke të qytetit. Ndërkaq fshehurazi, Ismaili do t’i mësonte të birit edhe shkrimin e gjuhës shqipe. Gjashtë-shtatë vjet më pas, Aqifi do të ndiqte mësimet në gjimnazet e Greqisë, aty ku patën mësuar edhe dhjetëra rilindës tanë.
Në vitet 1902-1906,  ai shkon në Stamboll ku “përfundon studimet e larta ushtarake me rezultate shumë të larta” (Arkivi Qendror i Shtetit-Tiranë. Fondi “Lista e përshkallëzimit të oficerëve të përhershëm” 1929, fq. 4).
Nën ndikimin, sigurisht, të familjes por edhe të atdhetarëve shqiptarë që jetonin asaj kohe në Stamboll, Aqif Përmeti në vitet 1906-1908, do të mbaronte me rezultate tejet të larta edhe Akademinë e Lartë Ushtarake. Pas këtyre shkallëve të ngjitura në hierarkinë e lartë të Stambollit,  Aqif Përmeti do të provonte disa detyra të rëndësishme në radhët e ushtrisë. Ajo çka do të ishte përfaqësuese në karakterin e tij, ka qenë pikërisht fryma e shqiptarizmës e cila blatuar në fisnikërinë e përhershme të pinjollëve të dyerve të mëdha, ka bashkëjetuar në çdo moment me burrin e Permetit. Ngase rrëfen guxim dhe talent të përsosur në artin e luftimit, Aqif Përmetit i ngarkohen detyra shumë të rëndësishme deri në periferitë më të rrezikshme të perandorisë. Këto detyra ai i kryen me atë karakterin e tij të vendosur, fjalëpak dhe plot intuitë ushtarake, me ç’rast në vitin 1911 merr edhe gradën e gjeneralit në ushtrinë osmane. Është e kuptueshme për këdo, se me një gradë të tillë, Aqif Përmeti, 27 vjeçar, do të ngjiste shkallë akoma edhe më të larta të karrierës ushtarake. Por në shpirtin e tij, ashtu sikundër në shpirtin e qindra atdhetarëve të tjerë në Stamboll e gjetiu, do të ngjizej ideja e autonomisë së vendit të tyre, Shqipërisë. Në takime të fshehta me atdhetarët e tjerë, Aqif Përmeti do t’i siguronte këto se në çastin e duhur, ai do të ishte jo më gjenerali i Stambollit plot grada e ndere, por luftëtari i thjeshtë i orëve të para për çështjen kombëtare shqiptare. Rasti i solli që fjala dhe vepra të bashkoheshin në një. Ngritja e flamurit në Vlorë, në 28 nëndorin e vitit 1912, ishte pos të tjerave, një apel për të gjithë atdhetarët shqiptarë. Ishin këta që do të zgjidhnin midis të ardhmes plot lavdi e dritë të Stambollit, apo përgjakjes me armiqtë e Shqipërisë, të cilët donin të zhduknin shtetin e parë shqiptar, këtë foshnjë në djep. Nuk mendoj se ka qenë rastësi, fakti që Ismail Qemali vuri në krye të ushtrisë shqiptare të asaj kohe, Mehmet Pashë Derallën dhe Shevqet Shkupin, të dy prej viseve të Maqedonisë shqiptare. Po të kemi parasysh edhe rëndësinë që ai i dha pjesmarjes së Isa Boletinit në shtetin e sapoformuar, ne bindemi për largpamësinë e burrit të Vlorës, i cili donte të përfaqsohej në këtë kabinet me burra nga të katër vilajetet shqiptare. Ndërkaq një varg dokumentash të qeverisë së përkohshme të Vlorës, na bëjnë me dije se krahu i djathtë për organizimin  e ushtrisë, pos Mehmet pashë Derallës dhe Shevqet Shkupit, ka qënë sigurisht Aqif Përmeti.
Dihet se ushtria greke në mënyrë të veçantë në pranverën e vitit 1913, kishte pushkatuar pothuaj krejt Jugun  e shtetit amë, duke dashur të bënin fakt të kryer coptimin e Shqipërisë prej Konferencës së Londrës. Pikërisht në ofensivën e madhe për largimin e këtyre ushtrive, Ismail Qemali dhe Mehmet Pashë Deralla caktuan disa prej dyerve të mëdha të Jugut të Shqipërisë, të cilët organizuan mijëra vullnetarë, nën komandën e Aqif Përmetit. Manovrat politike dhe diplomatike të Fuqive të Mëdha, bënë që territoret shqiptare të copëtoheshin. Pas kësaj dhe në mënyrë të veçantë pas ngjarjeve të trishtuara të vitit 1914, Aqif Përmeti emigron në Amerikë.  Edhe këtu, atdhetari i shquar përmetar nuk do të rreshtëte për asnjë çast përpjekjet e tij për ardhmërinë shqiptare. Në mënyrë të veçantë pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, në vitet 1918-1919, kur kufijtë shqiptarë po u kërcënoheshin rreziqe të reja, roli i Aqif Përmetit do të ishte i madh. Në kuadër të federatës gjithshqiptare “Vatra” në bashkëpunim me Fan Nolin, Kristo Dakon, Kostë Cerkezin, Bahri Omarin etj, Burri i Përmetit do të linte mënjanë çdo hall familjar duke iu përkushtuar i gjithi mbrojtjes së çështjes sonë kombëtare.

Vatranë vullnetarë 1920
Vatranë vullnetarë 1920 (mes tyre Aqif Permeti)

Kështu, në gushtin e vitit 1919, atëherë kur trupat franceze në Korçë po përgaditeshin t’ia dorëzonin këtë qytet, grekërve, “Vatranët” ndërmuarën një varg veprimesh energjike. Me anë të notave, memorandumeve, bisedave të shumta me autoritetet e larta të politikës amerikane, këta”vatranë” mundën të bindin Uashingtonin që pos të tjerave “të merrnin vendimin për emërimin e një konsulli amerikan në Korçë” (Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi Ministria e Punëve të Jashtme, viti 1919,  dosja 19,  fleta 38).
Në këto momente kaq delikate për çështjen shqiptare, Aqif Përmeti, ushtaraku i talentuar, do të shndrohej në një organizator të aftë të dhjetra tubimeve paqësore në SHBA, të cilat veç të tjerave u kthyen në tribuna të kërkesave për pavarsinë e Shqipërisë, bashkimin kombëtar me Kosovë e Çamëri si edhe pranimin e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris. Ka qenë pikërisht këmbëngulja e udhëheqësve kryesorë të “Vatrës” (midis të cilëve edhe Aqif Përmeti) që ndikoi në qëndrmin historik të presidentit amerikan Uillson, për moscoptimin e mëteshëm të Shqipërisë. Me të drejtë studiuesi amerikan S. Peters, ka theksuar se zhvleftësimi i kompromistit anglo-italian i 14 janarit 1920, nuk ka qenë i rastit. “Po të mos ishte këmbëngulja e panderprerë e “Vatrës” në përgjithësi dhe e shqiptarëve në veçanti, Shqipëria do të kishte qenë për presidentin Uilson, ndofta një shprehje gjeografike, siç kishte qenë ajo për Princ Otto Bismark në shkeullin e kaluar”. (Fjala e S. Peters botuar në “Seminarin Ndërkombëtar i Federatës Panshqiptare “Vatra” Nju Jork më 28-30 nëndor 1969).
Megjithatë këto nisma të “Vatrës” qarqet antishqiptare në SHBA dhe Evropë u përpoqën sërisht në janarin e vitit 1920, të sillnin në tryeza të kancelarive diplomatike, në mënyrë të veçantë çështjen  e “Vorio Epirit”. Të nxitur nga memorandumi që pak kohë më parë kryeministri grek Veneziellos i pati dërguar Presidentit të SHBA-ve, përfqsuesit e “Vatrës” me një tog memorandumesh argumentuan falsitetitn e pretendimeve të Athinës. Aqif Përmeti, ndonëse ishte i konfesionit mysliman duke patur reputacion ndër ortodoksët korçarë dhe përmetarë me banim në SHBA, së bashku me Kostë Çerkezin ndërmuarën nismën e hartimit  të një kundërmemorandumi, në të cilin pohohej se populli shqiptar në Jugun e tij dallohej sa për pastërtinë etnike aq edhe për shqiptarizmin  e tij. Më tej në këtë dokument shprehej në mënyrë të qartë se kombi shqiptar s’është as mysliman dhe as kristian por është vetëm shqiptar dhe kultura e lartë e tij nuk bënte dallime fetare sikur grekët. Por “vatranët” nuk u mjaftuan vetëm në përpjekjet e tyre diplomatike e propagandistike. Në janar të vitrit 1920, me qëllim që të vireshin në dispozicion të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës, udhëheqësit kryesorë të “Vatrës” menduan të dërgojnë në Shqipëri ndihma në të holla si edhe vullnetarë të cilët do të vireshin menjëherë në shërbim të kombit të tyre. Duke njohur aftësitë dhe reputacionin e Aqif Përmetit, shqiptarët në SHBA, njëzëri caktojnë atë në krye të vullnetarëve shqiptarë. Më 29 mars 1920 zbriti në Shqipëri një trup vullnetarësh rreth 300 vetë, nën komandën e major Aqif Përmetit dhe banda e saj e famshme nën drejtimin e Thoma Nasit. Midis shërbimeve të panumërta që i ka bërë çështjes kombëtare me ndihma politike e financiare kjo organizatë politiko-shoqërore, në atë kohë kritike mendoi të dorëzojë edhe një fuqi vullnetarësh, për t’i ardhur në ndihmë qeverisë me forca ushtarake”. (Sejfi Vllamasi “Ballafaqime historike në Shqipëri” Tiranë-2000, faqe 216).
Vullnetarët shqiptarë të ardhur nga SHBA, në të vërtetë u shndruan në barrikadat e para të mbrojtjes së kufijve jugorë të shtetit amë, prej ekspansionit grek. Meqenëse disa nga repartet e jugut të Shqipërisë, në qershor të vitit 1920 iu drejtuan Vlorës, ishin pikërisht, vullnetarët që nuk iu tremb syri. Në krye të këtij formacioni luftarak Aqif Përmeti vuri sërish në funksion, aftësitë e veta drejtuese duke bashkërenduar veprimet në mënyrë të veçantë me ish-ministrin  e brendshëm shqiptar Ahmet Zogun. Vullnetarët shqiptarë të ardhur nga SHBA-të, iu drejtuan edhe Vlorës, në ditët kur aty shkruhej epopeja e lavdishme e popullit tonë. Me largimin e ushtrive italiane prej Vlorës, vullnetarët e komanduar prej Aqif Përmetit, iu drejtuan përsëri viseve të jugut shqiptar. Ndonëse gjendja dukej disi e stabilizuar, këta vullnetarë plotsonin një vrag detyrash të ushtrisë kombëtare shqiptare, duke rritur ndjeshëm prestigjin e shtetit shqiptar të dalë prej kuvendit të Lushnjës. Sidoqoftë luftërat e parreshtura e kishin dobësuar së tepërmi ekonominë e rraskapitur shqiptare. Vendin po e pllakoste zia e bukës dhe ato ndihma të ardhura nga shqiptarët e Amerikës mbarun së shpejti. Në mënyrë katastrofike gjendja paraqitej sidomos në Vlorë. Ndonëse në liri, qyteti ndjente peshën e madhe të mjerimit. Në formë thirjeje, Aqif Përmeti, do të shkruante pos të tjerave në shtypin shqiptar të asaj kohe: “Vlora sot ndodhet në duar të ushtrive shqiptare. Por ky vend historik nuk u dorëzua me dashjen e italianëve por u muar me luftë duke derdhur gjak shqiptari për të shpëtuar Vlorën. Ata që ranë dëshmorë të këtij qëllimi, kanë lënë fëmijën, gratë dhe mëmat e tyre në duart tona. Ata dëshmorë sot prehen në gji të Perëndisë, por fëmijës së tyre mbasë i dridhet dora e buza për një kafshore buke. Prandaj që të mos liren fëmijët e dëshmorëve të vuajnë, duhet çdonjeri që mban emrin shqiptar, pa kursim të japë ndihmën  e tij…”. (Aqif Përmeti, Gazeta “Koha”, Korçë 7 gusht 1920).
Në vitet 1920-1924, në funksionin e komandantit të batalionit që shtrihej në gjithë kufirin e Shqipërisë me Greqinë, major Aqif Përmeti, falë aftësive ushtarake do të organizonte në mënyrë perfekte mbrojtjen e këtij rajoni. Kurdoherë fjalë pak por i vendosur në çdo veprim, ai do të përballej gjakëftohtësisht me çdo lloj situate, duke ndëshkuar rreptë çdo tentativë të Athinës për të shkelur në batalionin e vet, ashtu sikundër do të kujdesej me ngrohtësinë e prindit për çdo ushtar të kufirit. Duke qenë në korent me zhvillimet politike brenda vendit, Aqif Përmeti do të dinte gjithashtu të orientonte drejt duke patur kurdoherë si busull çështjen kombëtare. Kështu edhe grushtin e shtetit në Qershorin e vitit 1924, intuita e Burrit të Përmetit nuk u gabua. Megjithatë telegramet e njëpasnjëshme për t’iu afruar Tiranës, ai së bashku me oficerët e tjerë të karierës si Bilal Nivica dhe Sami Koka, pranuan të merrnin përgjegjësi mbi vete dhe nuk u largua asnjë ushtar nga pozicioni i tyre luftarak. Mbrojtja e kufijve prej rrezikut grek, tek e mbramja, ishte më i rëndësishëm nga çdo lëvizje qeverish në Tiranë. Koha provoi jo vetëm mençurinë, por edhe shqiptarizmin relevant të Aqif Përmetit.
Në vitet 1925-1930, Aqif Përmeti ngarkohet të kryejë riorganizimin e armës së xhandarmërisë shqiptare. Janë vite në punë plot tension, lidhje por edhe suksese. I ndihmuar në mënyrë të veçantë nga koloneli britanik, Persi, burri i Përmetit mundi të organizonte struktura moderne të xhandarmërisë shqiptare, të cilat në vetvete ende sot përbëjnë modele të mrekullueshëm që lidhen jo vetëm me rrjedhat e ngjarjeve të popullit tonë, por në mënyrë të veçantë me mentalitetin e tij, me atë frymë anarkie që ka sunduar shekuj me radhë në kontinuitetit e vet moral dhe shpirtëror. Gjatë këtyre viteve Aqif Përmeti ka drejtuar vetë edhe shkollën e xhandarmërisë në qytetin  e Shkodrës,  duke ndikuar në këtë mënyrë ndjeshëm në paisjen e gjeneratave të reja të xhandarmërisë shqiptare, me virtytet e vyera të nacionalizmit të kulluar shqiptar. Vitet që rodhën më pas, e gjejnë Aqif Përmetin në funksionet e rëndësishme të Prefektit në Prizren dhe Korçë, ku në personalitetin e tij, spikatin fuqishëm idetë e Shqipërisë Etnike. Kjo aspiratë mbarëkombëtare e popullit tonë,  në funksionet e larta të Aqif Përmetit, u parapa kurdoherë në rrafsh të verpimtarive konkrete, duke u ndeshur jo rrallë me tendencat dhe veprimet shoveniste greko-serbe.
Në tetor të vitit 1940, me fillimin e luftës italo-greke, Aqif Përmeti nuk pranon të viret në krye të trupave të batalioneve “Tomorri” dhe “Taraboshi” për të luftuar në krah të forcave italiane. Ai shkarkohet në këtë mënyrë nga çdo funksion ushtarak dhe atashohet pranë shoqatës atdhetare “Djelmnia Shqiptare”, duke u zgjedhur më pas kryetar i saj, pamvarsisht se veprimtaria e shoqatës ishte më tepër e karakterit sportive, kjo veprimtari fund  e krye atdhetare përcolli në gjeneratat shqiptare të kohës mesazhin e madh të luftës si për çlirimin kombëtar ashtu edhe ndaj komunizmit ortodoks rus. Më pas, në vitin 1943, atëherë kur për të parën herë qeveria shqiptare kishte përfaqsues nga të gjitha viset etnike shqiptare, “Aqif Përmeti, emërohet Komandant i Mbrojtjes Kombëtare, me gradën gjeneral-divizioni” (Arkivi Qëndror i Shtetit – Tiranë,  fondi 249, dosja 11-58, fleta 54).

Pamja e sallës së Gjyqit Special
Pamja e sallës së Gjyqit Special (Aqif Permeti ne qender)

Në funksionin e lartë të komnadantit të Mbrojtjes kombëtare, Aqif Përmeti, në bashkëpunim të ngushtë edhe me Fejzi Alizotin, Fuad Dibrën, Hysen Prishtinën, Iljaz Agushin,  do të ndërmerte nismën madhore për ruajtjen e kufijve etnike shqiptare, në mënyrë të veçantë në veri dhe lindje. Ai do të bashkëpunonte ngushtë me prijës ushtarkë të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare, duke dërguar në kufijtë etnike mjete dhe teknikë luftarake, për t’u rrëfyer sllavëve se vendi i arbërve kishte zot: Ka qenë sigurisht shkaku, që në nëndorin e vitit 1944, komunistët e Tiranës e arrestojnë atë, pikërisht në datën 18 nëndor, atëhere kur reprezalja e tyre ndaj figurave të shquara nacionaliste nuk do të njihte kufij. Të lidhur këmbë e krye me Beogradin, Hoxha dhe klika e tij nisën të lajnë hesapet me nacionalistët,  e para,  për ti bërë qejfin Mareshallit Tito dhe e dyta për të patur të çelur rrugën e instalimit të diktaturës komuniste, sipas modeleve bollshevike. Aqif Përmeti ishte në grupin e parë të nacionalistëve shqiptarë të cilët u dënuan nën akuza qesharake me pushkatim. Heroi i vullnetarëve shqiptarë i ardhur nga SHBA-të, vetëm e vetëm për të mbrojtur tërësinë territoriale të atdheut, komandanti i xhandarmërisë dhe kalorësi sypatrembur i viseve tona etnike, binte nga breshëritë e ndyra të gjykatores speciale ushtarake, duke thënë: “Nuk njoh asnjë akuzë tuajën. Unë kam luftuar vetëm për kombin dhe atdheun tim!”. Eshtrat e këtij ushtaraku të shquar me vizionin e përhershëm atdhetar ende nuk dihet se ç’përrua i kobshëm i ka fshirë…
Po kujtimin e tij, askurrë.
Bern-Zvicër
http://lajmpress.com/opinion/36373.html

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.