
Apostol Tanefi, jugosllavët dhe Enver Hoxha
nga Hasan Bello
Pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, në vitin 1948, Beogradi mbështeti disa banda të armatosura që të kalonin kufirin dhe të përpiqeshin për të “rrëzuar” regjimin komunist. Koha tregoi se kjo ishte një lojë, e cila pak a shumë ishte e ngjashme me diversantët shqiptarë që dërgoheshin nga Perëndimi si “mish për top”. Kjo për t’i treguar Bashkimit Sovjetik se po vijove të interferosh në luftën civile në Greqi, ne do të bëjmë të njëjtën gjë në Shqipëri.
Për të shtuar shantazhin dhe trysninë politike mbi regjimin e Enver Hoxhës, Tito me anën e UDB shfrytëzoi një pjesë të refugjatëve shqiptarë që ishin arratisur në Jugosllavi për të krijuar të ashtuquajturin Komiteti i Prizrenit.
Më 10 maj 1951, nën drejtimin e UDB-së, në Prizren, u mbajt një Kongres i emigrantëvë politikë, i cili krijoi organizatën “Bashkimi Politik i të Arratisurve Shqiptarë” me drejtues një ish mësues matematike nga Pogradeci, Apostol Tanefin. Sipas disa të dhënave, numri i përgjithshëm i anëtarëve të kësaj organizate shkonte në 1500 persona.
Në prapaskenë të këtyre zhvillimeve ishin edhe bisedimet sekrete të Titos me Çurçillin në Londër, i cili i kishte premtuar se do t’i linte dorë të lirë në Shqipëri nëse ai i bënte lëshime Perëndimit lidhur me Triesten.
Por, ajo që të bën përshtypje ishte kërkesa që Tito i kishte bërë britanikëve, që të hiqnin dorë nga mbështetja që i bënin emigracionit politik shqiptar në Perëndim dhe më konkretisht Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, për veprime të armatosura kundër Enver Hoxhës. Kjo tregon se jugosllavëve, nuk u interesonte më largimi i tij dhe rrëzimi i regjimit komunist në Shqipëri.
Komiteti i Prizrenit u përdor për të frikësuar Enver Hoxhën. Në vitin 1953, qeveria shqiptare filloi përpjekjet zyrtare për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë. Ndërsa de fakto, gjatë gjithë regjimit komunist, shteti me të cilin Shqipëria kishte numrin më të lartë të shkëmbimeve tregtare ishte dhe mbeti Jugosllavia.
Politikisht dhe ekonomikisht, gjithmonë kemi qenë zonë e influencës jugosllave. Marrë nga Marrë nga Muri i FB, Hasan Bello, 1 nëntor 2025