
(Anti)librat e atyre që dënonin libra dhe njerëz…
Në postdikaturë Sigurimi i Shtetit si (anti)kujtesë…
nga Visar Zhiti
Pjesa e parë
Pasi kujtesa u la e lirë
Që në Shqipërinë tonë në postdiktaturë apo në postenverizëm të dilnin libra për diktaturën dhe Enverin, s’do të ishte e papritur, por nga ata që drejtuan në diktaturë me Enverin në krye, që ushtruan dhunën si zeje të tyre, që dëmtuan rëndë vendin dhe jetët njerëzore dhe të mos e ndjejnë krimin dhe fajin, të mos e tregojnë si të tillë e të mos kenë pendim dhe as kërkesë faljeje, kjo jo vetëm që është befasi, por dhe turp dhe vazhdim i krimit, sipas meje.
Mbrojtja më e mirë është sulmi, mësonte Stalini i tyre.
Pas kolanës së veprave të Enver Hoxhës, kështu i quanin: “vepra” dhe s’kishin të mbaruar, fjalime e raporte të rëndomta, telegrame e urdhëra pa rëndësi, kundërurdhra, porosi, kundërporosi, dialogë të përmirësuar, grafomani, do të thosha, pa filozofi, madje mediokritet vrastar, dokumenta të cunguara a të falsifikuara, memoaristikë, ku lexuesi i vëmendshëm dhe i specializuar mund të gjente dhe stilin se cili shkrimtar i Realizmit Socialist do t’i kishte punuar ato, kujtimet e Enverit, ku habitshëm në çdo ribotim hiqeshin ata emra apo nxiheshin në fotografitë ilustruese ato fytyra që do të shpalleshin armiq dhe tradhtarë, mbi të cilët skuadrat e pushkatimit do të derdhnin breshëritë e plumbave dhe mediat bashkë me popullin breshëritë e sharjeve…
Do të vijohej me botime të zëvendësit të diktatorit, Ramiz Alia, “Enveri ynë” do të thoshte ai, natyrisht i tyre dhe sipas atij në diktaturë ishte tepruar disi me luftën e klasave dhe me pushkatimet me gjyqe e pa gjyqe, por Shqipëria kishte ecur para, ku, në varfëri? Duke mbrojtur Enverin, duke e vënë ata para si mur, Ramiz Alia mbronte veten si vazhdues.
Vejusha e diktatorit Nexhmije Hoxha do të shkruanin “Jetën me Enverin”, një romantizëm gjakatar dhe çudi për t’u çuditur, kur ajo thotë në një intervistë se kryeministri i atëhershëm vrau veten me qëllim që të mërziste Enverin, – material për psikoanalistë a psikiatrin, kur atë akt e gjykojnë si vrasje politike, por dhe si larje hesapesh mes banditëve.
Do të shkruanin dhe kryeroja i diktatorit, Sulo Gradeci, se sa i dashur ishte Enveri me ushtarët e gardës dhe me degët e pemëve, teksa pritej më shumë nga mjeku i tij, Isuf Kalo, ku ai nuk doli dot përtej Bllokut, ku shihte parajsën, po edhe ferrin aty, çudi, jo ku ferri ishte vërtet, aq sa memoauristikae tij m’u duk, – madje ia thashë, – si e shkruar për t’i pëlqyer vejushës së diktatorit.
Ka dhe të tjerë… Por a do të lejoheshin botime kësisoj në një vend normal? P.sh., në Gjermani a mund të shkruhej me nostalgji për Hitlerin? Apo në Rumani për Çausheskun? Vendet e Europës Lindore në ish perandorinë komuniste e kanë të ndaluar me ligj të bësh propapagandë për komunizmin.
Në Shqipëri jo.
Ka të vërteta të përbashkëta si diktatura dhe mbyllja, krimet dhe përmbytjet, tërmetet, dramat, Realizmi Socialist, kooperativat dhe rrënimet, burgjet, pushkatime poetësh, plotonet, ku, sipas meje, bënin pjesë në rreshtin më pas dhe ata shkrimtarë që hartonin ekspertizat e atyre që do të pushkatoheshin, edhe ikjet janë të vërteta, kufijtë që duken dhe s’duken, mashtrimet, demokracia, librat e ndaluar dhe librat e rinj, etj, etj, por persekutimet nuk pritet të dëshmohen më mirë nga persekutorët, e vërteta tregohet nga të vërtetët.
Të kesh ndër duar librin e atij që të vuri prangat ndër duar për librin…
Ndodh të na bien në dorë, – mua krejt rastësisht, por ka që i kërkojnë, – botime nga a për Sigurimin e Shtetit, jo si dikur, libra të shkrimtarëve të tyre, që bëheshin dhe filma, dhe përktheheshin, dhe pëlqeshehsin nga lloji i ndjekësve të tyre, bashkëpunëtorët potencialë, por tani po dalin botime nga ata që s’pritej gjithsesi se mund t’ia dilnin të shkruanin, nga hetues, prokurorë e gjykatës, komandantë e drejtorë burgjesh të diktaturës, etj.
Lanë pragat që i kishin për ne dhe morën kompjuterat. Të tyret apo tanët? Një konfiskim i pakuptuar… i pjesshëm, i padukshëm… Nejse, nga gishtat e tyre më duket se pikon ende gjaku i të tjerëve gjatë torturave në qelitë e nëndheshme.
Çudi si mbërrijnë dhe në SHBA këto lloj botimesh! – thashë, kur më dhanë të shikoja memoaristikën e një të Sigurimit të Shtetit të Enverit, me mbiemrin si ai, Hoxha, që kishte shërbyer si operativ fshatrave të Kukësit, ku dhe unë kisha qenë mësues, që sigurisht ai mblidhte denoncime të fshehta dhe nga mësues të tjerë dhe kundër meje, madje do të ishte ai që do t’më arrestonte. Më pas atë e shpërngulën në Ministrinë e Punëve të Brendshme, seç e bënë drejtor, unë isha në burg atëhere. Ai do të vazhdonte të ishte në ministri edhe kur po binte diktatura, ndërkohë unë do të punoja gazetar i opozitës në “RD”. Ai do të vazhdonte dhe më vonë, drejtor atje, etj, etj.
Jo se më ka interesuar, por i them këto për të treguar se i njoh ata si kundërshtar i tyre, si i dënuar i tyre, ua di aftësitë për keq, etj, etj. Dhe ata u morën me krijimtarinë time, më konfiskuan poezitë, ditarin, tregimet, – që i humba përgjithmonë (ndoshta ndonjë ditë dalin me emër tjetër, s’është çudi, ka ndodhur), prandaj po i jap të drejtën vetes t’ua kthej vëmendjen, jo për hakmarrje, janë botime për të gjithë, jo për punim të brendshëm, mund të gjykojë kushdo.
Sa të vërteta sjellin dhe si?
Ç’ka në botimin që kam ndër duar, të atij që më vuri prangat në këto duar? E ç’zbulon e ç’rrëfen?
E shfletoj, Shih, bëma të Sigurimit të Shtetit në mbrotje të popullit nga armiqtë, kur armiku i popullit ishin ata vetë, – thashë me vete, – se si kishin zbuluar dhe kapur agjentë jugosllavë, grekë, atentatorë nga ato male ku ai ishte operativ, etj, jo se s’ka patur të tillë, por Sigurimi Shqiptar, sipas disa vështrimeve të tjera të studiuesve apo specialistëve në këtë fushe të minuar, nuk ka qenë i aftë t’i zbulojë e gjejë ata që ishin vërtet të shërbimeve të huaja të
spiunazhit dhe në vend të tyre kanë kapur të tjerë, pa prova, me dyshimet se edhe mund të ishin, e pse të mos ishin? Dhe kështu realizonin planin e caktuar nga Partia për numrin e caktuar të armiqve, por dhe tmerronin popullin, etj, etj. Ndryshe pa terror si do të sundohej?
Unë kam njohur në burg të dënuar si agjentë apo atentatorë në tentativë
të udhëheqjes së lartë, të më lartit, fshatarë të gjorë nga Veriu e Jugu që dhe vetë habiteshin me akuzën dhe dënimin, kur s’kishin patur ndonjë qëllim të tillë, thoshin, dhe s’kishin patur asnjë lloj arme, veç kazmës…
Të shërbimeve sekrete të huaja, që punojnë në dëm të vendeve tona, të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, duket se ka, me ç’gjejmë ndonjëherë në media e rrjetet sociale, të infiltruar dhe në institucione të rëndësishme apo në shërbimet diplomatike, edhe në diasporë, në uzurpime të heshtura të shoqatave, kulturore e religjioze, të katedrave, etj.
Ndërkaq botime të tilla në përgjithësi, që rrjedhin dhe nga Sigurimi i Shtetit, nuk arrijnë të shtojnë shqetësimin dhe vëmendjen në drejtime të tilla me rëndësi kombëtare, përherë aktuale, por i shkapërcejnë pritshmëritë, më saktë nuk i arrijnë ato që do të duheshin të dëshmonin, krimet shtetërore, dënimin e së kaluarës diktatoriale, persekutimet, ndjesën e vonë, etj, por hidhen në çështje përtej tyre, jo vetëm të kompetencave, por dhe të aftësive dhe të pritshmërive duke shpjeguar ata kështu pluralizmin shqiptar, si nisi deri dhe psikoanalizën e protagonistëve të lëvizjeve për ndryshim dhe të lidershipit, që gjithmonë paskësh qenë nën kontrollin e tyre, pra, të Sigurimit të Shtetit.
Kthim në qelinë e kujtesës
Para se them se ç’thotë ai për lidershipin e demokracisë në postdiktaturë, madje dhe u bën biografitë si në dosje, po nxjerr dhe unë se ç’kam shkruar për atë në botimin tim memoaristik, burgologjinë “Rrugët e ferrit”, kam një pasazh, që po e sjell dhe këtu: “Kur pashë operativin e zonës, atë që zbatoi aksionin e arrestimit tim, njiheshim, na vinte në fshat, pinte me ne, flinte në dhomën tonë në shkollë, se ishte bashkëqytetar me dy kavajasit, më duket se i kishte futur në tavë ata, hiqte nga supi çantën e punës me rrip të gjatë, të kyçur me një dry të vogël sa një
prangë zogu (që do të zmadhohej dhe do të bëhej dryni i portës së qelisë sime) ah, ajo çantë lëkure (si e bërë me lëkurë të dënuarish), më e frikshme se revolveri, që e hiqte shkujdesshëm, por edhe me krenari të pafshehur dhe e linte në parvazin e gjerë të dritares, pranë shtratit të B. Katroshit, që do t’ia lironte e do të flinte me kavajsin tjetër, me “qesharakun” F. Fosa. Unë kisha fjetur dhe mbi dy tryeza të afruara, mbulohesha me hartat, atë të Shqipërisë dhe të botës, mbushesha me shtete, por ai, vërtet, po me atë revole më erdhi tani në qeli? U pamë sy më sy. Nuk e njoha menjëherë. Prej uniformës. Kapela e ngritur përpjetë mbi krye dhe çizmet e zeza bënin që të dukej edhe më i gjatë. Pse më arrestoi vetë? Operativët nuk e kanë këtë të drejtë a privilegj, përveç rasteve flagrante. E dija se e thoshte shpesh miku i tij, Katroshi. Dhe shtonte: tani që kam këtu Bujar Hoxhën, s’është pak, a, operativ zone, kaq i ri, a, nuk pyes për asnjërin, as për Veli Gjicin, që ka shkollë partie, jo më për drejtorin e shkollës. Edhe unë mund të
arrestoj kë t’më dojë kokrra e qejfit. Thirrej shpesh kohët e fundit në Kukës, s’e
dija se ku, por rroga nuk i pritej. Kur e shihja ashtu të zbehtë, kujtoja se e kishte nga rruga e gjatë, 5-6 orë më këmbë. Penel. Çfarë? Ke peeneeel? – iu mbajt goja më shumë dhe u gajas. Ç’pati? Dhe në gjumë po thoshte: pee-pee-nis, jo, penel.
A, duhej të ishte pseudonimi i tij. Ti je Mali, po i thoshte një ditë atij tjetrit, por, kur hyra unë, pushuan. Asnjëherë operativi nuk më dha një sinjal a paralajmërim, natyrisht brenda detyrës së vet e rregullave, kështu ia donte puna, as kur pinte në darkat që shtronim në dhomën tonë në shkollë. Asnjë institucion ose zyrtar nuk e bëri këtë, përveç shtëpisë botuese që më kërcënonte: do ta pësosh keq kështu, se ka më, edhe më keq, por unë e merrja si të folur ordinere redaktorësh. Nëse unë nuk e kisha kuptuar, ky ishte faji im. Doje dhe të shpërnguleshe ti, të shkoje afër familjes? Ja, të afruam, në burg… Ti kujton se e ka në dorë seksioni i arsimit, po të gjitha i ka në dorë Sigurimi i Shtetit. Ne jemi Partia dhe Partia është ne.
-Ke ndonjë gjë? – nëpërdhëmbi duke ndenjur larg, fare larg, te dera. Aq meritoja. Po sikur kapa një kërshëri idioti tek ai, se ç’ndieja unë këtu dhe sikur donte të më pyeste: hë, si të dukem? Pallosh shteti. Si? Dhe u shtrembërua vërtet.
-Neveri, – thashë.
-Çfarë?
-Më pyete nëse kam ndonjë gjë, neveri kam.
S’dinte ç’të thoshte. Dhe e kuptova ç’i kishte munguar kokës së tij dikur, më qe dukur e mangët, kapela me yllin e kuq. Me të ikur si gjithë të tjerët, pa përshëndetur, siç erdhi, pashë se i kishte rënë ylli mbi dysheme. Dhe më tej prapë ylli. Sërish… Sa herë i paska rënë?! Ishin njolla gjaku, se ku e kisha çarë këmbën…
Edhe pse nuk punojnë më në Sigurimin e Shtetit, se ky institucion famëkeq s’është më, por u kalua nën emërtim tjetër, SHIK, dhe ata vetë nga operativë e hetues, prokurorë, gjyqtarë e drejtorë burgjesh, komisarë partie, kryetarë degësh e sekretarë të parë, etj, janë kthyer në biznesmenë, kanë ikur dhe janë bërë qytetarë të Europës dhe Amerikës, janë shndërruar në avokatë të demokracisë dhe do të duhej ta fillonin duke mbrojtur klientët e tyre të dikurshëm, ata që i arrestonin dhe i torturonin qelive dhe i dënonin mizorisht me burgim të gjatë, por përkundrazi bëjnë avokatin e diktaturës, që atëhere ajo s’e lejonte profesionin e avokatit, mbrojnë me fanatizëm institucionen e tyre famëkeqe, Sigurimin e Shtetit, Partinë e Punës, megjithëse të shndërruara.
Psikologët e traumës si Judith Herman ose Bessel van der Kolk thonë se rastet kësisoj janë një formë e re e riviktimizimit: kur shoqëria u jep zë të barabartë xhelatëve, ajo hesht viktimën dhe thërmon shërimin.
Jo barazi midis atyre që vuajtën ferrin dhe atyre që e krijuan ferrin, jo barazi mes të vërtetës dhe mashtrimit. S’ka barazi morale mes kujtimeve të të persekutuarit dhe manipulimeve të persekutorit. S’ka rrëfim të sinqertë nga ata që kurrë nuk kanë kërkuar ndjesë. S’ka pajtim pa drejtësi. Dhe mbi të gjitha: botime të tilla të Sigurimit të Shtetit janë krimi i radhës.
Tani sigurisht që shfrytëzojnë dosjet, që i përgatisnin vetë me denoncimet e bashkëpunëtorëve të tyre a të spiunëve, u duhen prap sidomos nga ata që u vjen ndoresh dhe shkrimësia, përdorin punimet e të tjerëve specialistë, etj, etj.
Pse ky ngulmim? Ç’duan të përhapin?
Sociologë si Aleida Assmann (ekspertë të kujtesës kolektive) paralajmërojnë: “Nëse viktimat nuk e fitojnë të drejtën për të shkruar historinë, atëherë historia do të shkruhet nga ata që bënë padrejtësinë.”

Pjesa e dytë
Trekëndëshi i plu(hu)ralizmit politik
Botimi që kisha ndër duar, pa prangat e tyre tani, shoh se qenkësh i vonë dhe në kopertinën e pasme, ndër të tjera lexoj:
“…Gjithashtu, do të jepen me ngjyra sa më realiste dhe protagonistët e këtyre ndryshimeve, edhe politikanë që qenë aktorë të këtyre ndryshimeve politike, ekuilibrin, hutimin apo hipokrizinë e Ramiz Alisë si dhe për dy liderët e politikës pluraliste shqiptare Sali Berisha dhe Fatos Nano e të tjerë që i shaluan pas”
Çështje akademike, do të thosha, politologësh dhe historianësh. Por hutimi dhe hipokrizia e Ramizit që përmenden aty, janë psikologji, etikë, letërsi… ndërsa kur përmend emrat Sali Berisha e Fatos Nano dhe vazhdohet: “dhe të tjerë që i shaluan nga pas” – kjo duket jo vetëm punë kuajsh e xhambazësh, por dhe ka misterin e shalimit, se cili i shalon?
Teksti i mësipërm është vënë brenda një trekëndësh apo piramide me kokë poshtë, ndërsa në kopertinën e parë titulli i botimit është brenda një piramide me kulmin lart dhe në bazë të piramidës/ trekëndëshit janë fjalët “Sigurimi i Shtetit” dhe një sy misterioz përsipër.
Po mendoja se trekëndëshi është dhe sinonim i shoqërive sekrete, i kontrollit botëror ose i elitave të fshehta. Edhe kjo kopertinë duhet ta ketë një simbolikë të asisojshme.
Sipas kërkimit të specializuar, trekëndëshi i zi simbolizon rrezikun ose kontrollin e fshehtë, vetë strukturën e Sigurimit të Shtetit, si një fuqi që vëzhgon dhe mban gjithçka nën mbikëqyrje. Syri në qendër është simboli klasik i vëzhgimit, ndoshta “syri i madh” i shtetit totalitar që vazhdon edhe në kohë pluraliste. Ngjyrat e ylberit që shpërthejnë nga pas trekëndëshit, përfaqësojnë pluralizmin politik, shpresën, larminë, por edhe shpërthimin e kontrolluar nga e kaluara. Ato tentojnë të dalin jashtë kufirit të errët të trekëndëshit, por janë ende të mbikëqyrura.
Fjalët “Pluralizmi shqiptar” në brinjët e trekëndëshit në shirita të verdhë duken si ato shiritat e paralajmërimit të policisë apo të krimit, që rrethojnë një vend, pra sikur thonë që pluralizmi e kemi të zaptuar apo nën hetim.
Personazhe në syrin e “Vëllait të Madh”
Po vazhdoja shfletimin, një si lexim shpejt e shpejt, stalinist, siç thuhet. Ndala te lidershipi i mbramë i tyre: Ramiz Alia – një udhëheqës i hutuar dhe servil ndaj strukturave të Sigurimit… – Si ka mundësi të shkruhet kështu nga ata, a nuk ishte Partia mbi Sigurimin apo e kundërta? – i mbushur me hipokrizi, duke fajësuar (ai, Ramizi, Sekretari i Parë, Presidenti) informatorët e vet. Alia i përdori institucionet e Sigurimit për të stabilizuar pushtetin e tij, shpesh për ta mbrojtur vetveten ndaj kritikëve, i përdorte dosjet për frikësim dhe mbrojtje personale, etj. – E ndala leximin. Ja, pra, nga ardhka kjo përvojë! Duket hapur simpatia e mbetur dhe e pandryshueshme e Sigurimet të Shtetit për Enverin.
Ndryshimet që po ndodhnin në Shqipëri, kur në krye ishte pasardhësi i diktatorit, Ramiz Alia, janë ndjerë si lëkundje jo të mira për Sigurimin e Shtetit.
Lexoj më tej: Partia Demokratike anonte në veprimet e dhunshme njëkohëshëm dhe vatër e ngrohtë e personave me prirje kriminale të të gjitha llojeve. Në këtë linjë ishte dhe Shoqata e të Përndjekurve Politikë, një organizatë me prirje të dhunshme psikologjike dhe hakmarrëse. Partia socialiste ishte dukshëm më paqësore, por e trembur…
Ja, pra, e pse duhen komentet e mia? Optika strabike e Sigurimit të Shtetit, syzet e tyre të errëta, që të mos kuptohet nga shohin. Vazhdoj shfletimin: Sali Berisha & Fatos Nano – Përcaktohen si liderët kryesorë të pluralizmit duke vënë në dukje “ekuilibrin, pasiguritë dhe paqartësitë e tyre.
Berisha & Nano – shoh që i kanë parë si hunj të pushtetit që u mbajtën nën sigurinë e mekanizmit të vjetër. Paqartësia e tyre, – mendoj, – është paqartësi e Sigurimit të Shtetit ndaj tyre.
Azem Hajdari – Shihet në kontekst të studentëve dhe intelektualëve të rinj, por në diskursin e Sigurimit ai karakterizohet më shumë si produkt i intrigave të kohës, ndërhyrjeve nga Sigurimi dhe manipulimeve politike në prag të pluralizmit.
Shkronjat Ogurzeza “IK”
Kështu titullohet kreu për shkrimtarin Ismail Kadare, më i gjati se i personazheve të tjerë dhe jo vetëm.
Ata s’kanë se si ta shkëpusin nga politika për ta parë vetëm si shkrimtar, ndjehen të lidhur. Nuk është mendimi im, por sipas tyre I. K. është i shënjestruar dhe i monitoruar, por jo i kriminalizuar në mitizimin e frikës, – lexoj. Sipas këtij botimi, “I. Kadare u shqetësua për pozitën e tij personale, megjithese kishte të gjitha përparësitë mbrojtëse…” Dhe krijohet misteri i “miqësisë Ramiz Alia – Kadare”, si mbi Sigurimin e Shtetit.
Autori i këtij botimi kërkon(?!): “më dinjitet nga Kadare në pritje të denigrimit të tij, duke mos gjetur rrugëdalje tjetër, veçse të fshihej, – thotë. – Nuk ka ndonjë dosje agjenturore ndaj tij, megjithatë Sigurimi pyeste: për kë punon ky, për Ramiz Alinë apo Parisin?”
“Pena e artë’ – pseudonimi i një informatori, informon nga burime të sigurta se ditët e Kadaresë në Tiranë “numërosheshin me gishta, siguria e tij do të ishte në Paris”.
“Kur Ramiz Alia u njoftua se I. Kadare kishte kërkuar azil politik në Francë, qe i mpirë i tëri dhe kish tundur kokën, duke mos pranuar ta besonte atë që kishte dëgjuar”…
Pseudonimi “Pena e artë” (është dhe në dosjen time, por s’duhet të jetë i njëjti person me atë të Kadaresë, është virtuoz sipas autorit, ai imi ishte ca i mangët), informonte se Kadare “Ka cilësi të veçanta, që përshtaten në shkallën më të lartë që mund të merren me mend. Shfaq talent të rrallë (- po prisja të thoshte për romanet, por jo, shën. imi.-) për të bërë një jetë të sigurt dhe të shumfishtë”.
Replika mund të bëhet me ata që i shkruajnë këto. Kam dëgjuar të thuhet se ai që ka qenë prokuror i Shtetit ka dëshmuar në një intervistë televizive që e ka shpëtuar Kadarenë nga arrestimi, duke i thënë Enverit se na duhet, etj, etj, por te ky botim del se Enveri e ka shpëtuar Kadarenë nga Sigurimi i Shtetit. “Duke ditur raportet e SSH me atë, Enver Hoxha do të shkruante me dorën e tij mbi Dosjen e Kadaresë: “Lëreni djalin të punojë!”.
Siç e thoshte dhe vetë Kadare që Enveri më mbrojti nga Enveri.
Protesta e Madhe
Po lexoja, kur populli i rebeluar donte të sulmonte “Bllokun” sundimtarë të kuq. Sigurimi i Shtetit e dinte. Mes protestueve kishte të futur bashkëpunëtorët e vet. “Agjentët e kundërzbulimit lëshuan me xhiro maksimale makinën disiinformuese, që e mbytën turmën (nuk thotë popullin, shën. imi) me një lumë informacionesh të gënjeshtërta, gjysmë të vërteta duke krijuar pasiguri që turma të sprapsej (Prap jo populli). Dhe vazhdon: “Duke ditur planin për të djegur ‘Bllokun’, morëm një nismë paraprake, njoftuam S. Berishën të ndikonte për tërheqjen e manifestuesve, duke i kërkuar të dërgonte për këtë qëllim politikanin Neritan Ceka”.
Nuk kam koment. S’e di a ishte ashtu. Kur ne kujtonim se ishim në protesta… Gjithkushi ka përvojën e vet, provën e vet, mendimin e vet, besimin dhe zhgënjimin e vet.
Shoh ç’thuhet në botim për kryeministrin e tanishëm. Lexoj. Edi Rama – “Kështu ndodhi në mitingun e bërë nga Partia Demokratike pas themelimit… ku do të regjistrohej edhe fjalimi arrogant i Edi Ramës, i cili bënte thirrje për destabilizim… duke imponuar modelin karakteristik të mendimit anarkist. Në fytyrë i përdridhej një përçmim i fryer (gabim shtypi, besoj), që të jepte alergji. Ai kishte një orattori të egër që e shfaqte me karagjozllëk irritues. U mendua të niste proçedimi për të. Por informacioni i dërguar në ministri ishte parë nga Ramiz Alia duke lenë porosi të thirrej e të lihej i lirë, si djali i Kristaqit!”, etj, etj. Dëshira e Edit për të ndejtur përgjithmonë në Greqi, etj, etj, dhe kulmi kur shoh rreshtat: “Nga verifikimet në terren rezultoi se vuante nga astma dhe sociopatia patologjike…”
Sipas autorit, fjala e Edi Ramës “shkelte ligjin për simbolet kombëtare, miratuar ekstra nga Parlamenti”.
Po sot Kryeministri këtë ligj sikur e ka adoptuar për t’u dënuar ata që do flasin “kundër”, kur bota, në emër të lirisë, njeh dhe të drejtën për të gabuar?
Edi, po sipas autorit operativ, si “shakaxhi i përparimit”, nuk duronte asnjë rival, të vërtetë ose imagjinar. Anarkist deri ne palcë, nuk pëlqente ligjin, rregullin, kënaqej kur dilte mbi të tjerët…”
Drejtori i Ministrisë së Përbrendshme çuditet “me ata lart që nuk besonin në karakterin e tij të deformuar. (Fjala është për Edi Ramën). Dhe në këtë rast, babai i tij na vështronte vetëm me përulje?”
Dhe a lejohen të nxirren këto lloj informacionesh? Pa miratim… Doktori i nderuar që e kuronte pak fshehurazi… sipas Sigurimit të Shtetit kishte shpjegur se “klienti i tij ishte sociopat i lindur, por i sukseshëm, ama duhej trajtuar klinikisht dhe në kartelën e hapur kishte shënuar diagnozën ‘sociopath me simptoma patologjike.’”
Gjithsesi këto përbëjnë sekrete. Shtetërore? Medikoligjore? Morale? Shkelje e privatësisë? E të drejtave të… Institucionalisht jo dhe jo, që nuk i takon të flasë kështu ose porositë vijnë më nga lart se kryeministri i vendit, etj, etj. (Edi dikur, pedagog në Akademinë e Arteve, që të më mbronte, i është vërsulur një operativi, i cili, pasi kisha dalë nga burgu, më përndiqte dhe donte të më bënte bashkëpunëtor… tani njëri nga ata po i vërsulet atij, duke qenë dhe kryeministër… Pse kjo pakënaqësi me atë? Duhet përballja… e atij apo jona?)
* * *
Politikanët e pluralizmit shfaqen aty si aktorë të hutuar, por dhe viktima të “qeverisjes paralelë” që Sigurimi ende ushtron pas ’90-ës.
Në botim-raport vazhdohet me përshkrime të dosjeve, të informatorëve, hetimeve që shenjuan të gjitha nivelet e shoqërisë, jo vetëm duke e normalizuar rolin e shërbimit sekret, por dhe duke e himnizuar.
Përse duhen dhe bëhen këto botime? Mos duan të forcojnë dyshimet që Sigurimi është protagonist real i historisë së pluralizmit? Politikanët nuk paraqiten përtej statusit të aktorëve të konsumuar nga një sistem i ndarë, ku Sigurimi i Shtetit kërkon të mbetet Sovran.
Vërtet politikanët e lartë janë siç paraqiten, si instrumente ose të veneruar ose të zhytur në varësi të strukturave sekrete? Më shumë lojtarë të mbështetur, sesa udhëheqës të lirë?…
Trekëndëshi tjetër i tyre
Siç duket e shkuara si regjim kërkon të arrijë:
1.Të mbajë dhe të krijojë nostalgjikët dhe ekstremistët e vet, sabotues të rendit, po të flasim me gjuhën e tyre, armiq të demokracisë si një e tashmes e përbashkët nëpërmjet shtetit, duke bërë pro tij ose kundër sipas rastit,
2.Që shkruesit e të shkuarës si regjim saj të mos dëshmojnë, histori jo se jo të asaj që përjetuam, por retorikë politike me të njëjtën frymë ku çdo kundërshtar të shmanget, të neutralizohet, të zhduket.
3.Ndërkaq spikat përpjekja nervoze e rehabilitimit të formave dhunuese ndaj politikës pluraliste… dhe më e keqja duke përhapur idenë se pluralizmi ka në themel Sigurimin e Shtetit, tani si mbrojtës të tij dhe shkatërrues të tij.
Gjithsesi unë do të thosha se nuk duhet heshtur. Heshtja sot është kompromis me të djeshmen vrastare që vret edhe sot. Një krim i ri në emër të një krimi të vjetër. Një tentativë për t’i kthyer në pushtet moral ata që do të duhej të ishin në bankën e të pandehurve të tyre.
E them prap, ata dhe mund të hakmerren, hapur apo fshehurazi siç dinë ata, me heshtje vigjilente apo me shpifje, – i pres, – por dhe duke vepruar prapa shpine, me linçime, aksidente apo helmime, punë e tyre, por sidoqoftë dikush duhet të përgjigjet. Ketë radhë m’u dha rasti mua…
Në vend të gjyqit. Disa gjykime…
S’e kam fjalën për ndonjë botim të veçantë, por në përgjithësi për ato botime e mendësi e veprime me alibitë dhe revanshin e së keqes, për klimën e krijuar si të absurdit socrealist…
A duhen ndaluar? Siç bënin ata? Jo, mendoj, u duhet përgjigjur.
Botime kësisoj, pa zhurmë e promovime, që gjithsesi çorodisin opinione si thashethemnajat, mbase më shumë gjakojnë, besoj, që t’i mbeten së ardhmes si dosje të pluhurosura. Unë i shoh dhe si dëshmi të një gjëme që nuk ka përfunduar, por ka ndërruar vetëm formë: nga akt-akuzat, dhuna e torturat qelive e vendeve të fshehta e të errëta, në gjykatat kafkiane etj, është kaluar në retorikë, disinformim dhe ideologji e kërcënime të nënkuptuara. A mos pret të kthehet prapë nga dosjet në dhunë mashtrim e dënime e sistem?
Është kuptuar një si strategji, jo dhe aq e re, për të rehabilituar të pakthyeshmen, që ka nisur, me shenja si rastëdore, psh, duke i kthyer ca nga spiunët e aftë në “analistë”, operativët në “veprimtarë të shtetit” e “avokatë” dhe vetë Sigurimin famëkeq në “institucion që kreu detyra kombëtare”, në fakt kreu detyrat më të errta e kriminale partiake.
Duan të bindin se diktatura kishte arsye, madje meritohej, se dhuna ishte e nevojshme dhe se e vërteta mund të kontrollohet, të privatizohet dhe të shitet si t’u duhet dhe si e pavërtetë dhe e ndërsjellta.
Një krim i ri mbi të vërtetën si një vazhdim ogurkeq dhe me libra, me mjete letrare madje, e bashkëpunëtorëve apo që nuk shkëputen dot nga trama e adhurimit të së kaluarës së keqe, kur vetë janë ndjerë më mire e jo vendi, që shfaqet si pa kuptuar që nga sharjet e rëndomta në rrugë e pastaj kalon media, në kritikën e socrealistave të mbetur, në punësimet në institucione, arrin deri në presidencë, me presidentë figura me uniormë të së kalurës, mërgon dhe në diasporë, ku marrin qytetarinë e vendeve europiane apo të Amerikës, por nuk veprojnë si qytetarë të lirë. Ka një si përpjekje për të zbehur qendresën e atyre
që qendruan diktaturës apo të atyre që hodhën të parët në protesta për ndryshime demokratike, kamuflohen për të zhbërë nevojën dhe detyrimin e ndjesës publike që shoqëria shqiptare ende nuk e ka marrë nga persekutuesit e saj. Kështu kemi një triumf të cinizmit mbi dhimbjen, i pushtetit mbi kujtesën deri dhe të të pashqetësuarve mbi të pambrojturit.
Heshtja është dhe e dëmshme. Duhet ta kundërshtojmë me kujtesë, me drejtësi, me fjalën e përgjegjshme, me vepra…
Në vend që të zbulohen përgjegjësitë e krimit, institucioanle dhe individuale, morale, etj, të një makinerie të madhe dhune që vrau liritë dhe mbushi burgje e internime, himnizohen institucionet e dhunës dhe “burimet operative” të së keqes si të ishin heronj e jo keqbërës e spiunë. Bëhen zbulime për të fshehur dhe fshehin për të zhbërë. Është një strategji e vjetër: të hedhësh hije mbi të gjithë që të mos dallohet e zeza e vetes.
Janë përpjekje për të ndryshuar narrativën kombëtare, për të bërë që shtypësit të duken shtetarë dhe viktimat – të padukshme. Janë, në fakt, burgje të reja të kujtesës.
Këto janë strategji klasike të krijimit të një imazhi me armiq dhe paranoja. Retorikat e mbushur me tipare konspirative, duket se kërkojnë të heqin vëmendjen nga thelbi: shkelja e dinjitetit njerëzor dhe krimet ndaj shoqërisë të ushtruara për interesa të ulta politike, sipas porosive dhe urdhërave të sundimtarëve e interesave të tyre sot, kapitaliste por dhe antikombëtare.
Psikiatrja amerikane, profesore në Harvard, Judith Herman, thekson se për të pasur shërim kolektiv, shoqëria duhet të njohë viktimën dhe të përjashtojë kriminelin nga roli moral i rrëfyesit. Nëse nuk ndodh kjo, trauma shoqërore përsëritet dhe viktimat rrezikojnë të heshtin për të mos u poshtëruar sërish.
Kjo prani e njëkohshme në kujtime, dhimbja e të përndjekurve dhe krenaria e persekutorëve duhet të ngrejë alarmin “e përjetimit në një formë të re të dhunës qe s’po hesht, – riviktimizim kolektiv dhe përmes letrave.”
Nuk mund të pranohet që historia të shkruhet në mënyrë simetrike, sikur të dy palët, i persekutuari dhe persekutori, thjesht “kanë rrëfimet e tyre”.
Ky nuk është pluralizëm mendimesh, por plu(hur)ralizëm mohimesh, fyerje e njeriut dhe e kohës, jo analiza, por apologji të së keqes. Nuk ka zbulime, por fshehje.
Sociologu francez Pierre Bourdieu do ta quante këtë “dhunë simbolike”, – më saktë “simbol dhune”, them unë, – kur elitat e vjetra rifitojnë pushtetin jo me dhunë fizike, por përmes kapjes së diskursit publik – dhe kjo është ajo që ndodh…
Sipas meje mungojnë nismat reale për ndërgjegjësim publik, për debatin moral mbi transparencën dhe hetimet e krimeve të regjimit komunist e në postdiktaturë… Në vend të kësaj, krijohet përshtypja e një “akuze” politike të nënkuptuar kundër pluralizmit.
Filozofi dhe sociologu polak, c që përjetoi komunizmin në Poloni dhe përndjekjet si hebre, (është autori i përcaktimit të shoqërive likuide), ka folur për “likuidimin e kujtesës” në shoqëritë post-totalitare. Kur shoqëria nuk ka kryer llogaridhënie të plotë, ajo rrezikon të rikrijojë mekanizmat e së shkuarës me mjete të reja: kulturën, letërsinë, median.
Se mos jemi vonë? Patjetër që po, si përherë.
Më mirë vonë se kurrë!