back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Ankthi i një dite… ankth i një jete nga Bajram Hereni

Gazeta

Bajram Hereni
Bajram Hereni 

Ankthi i një dite… ankth i një jete

nga Bajram Hereni

Ishte 22 shkurti i vitit 1955…
Mëngjes i ftohtë, nga ato mëngjeset që të ngjall një ftohtësi në shpirt.
Dola dhe u nisa për Kukës, e prej aty do të nisesha për Tiranë.
Po nisesha dhe nuk e dija se pikërisht sot do më servirnin pjatën e gatuar në me shumë kujdes në Degën e Brendshme, nga “kuzhinjierët” Lilo Zeneli, Abedin Tajare e Todi Lubonja, me ndihmën e pakursyer të H. Demirit (Gjana) dhe Sh. Velisë (Cena), të cilit kishin dërguar “lëndën e parë”
Hypa në autobuzin e Ali Shllakut, për herë të fundit i lirë, dhe nuk e dija se “sofra” ime ishte shtruar në Shkodër dhe po më priste me “padurim”…
Janë shumë të çuditshme parandjenjat e shpirtit, sepse pikërisht ato kohë unë kisha parandjenjën se do më arrestonin, por i lutesha Zotit që të ikte Lilo Zeneli, pasi qe shumë i tmerrshëm.
Pas një rruge të mundimshme mbrrij në Shkodër ku “kamarierët” ma kishin bërë gati pjatën.
Ishin Nazmi Kraja dhe Tahir Vuka, me të cilët u përshëndeta dhe me shumë dinakëri më thonë:
-Për ku je nisë o Bajram?
-Për Tiranë, – u them – se kam një mbledhje në Ministri të Arsimit.
-Ouuu… po edhe ne për Tiranë jemi. Po deshe hajde me ne.
-A keni vend? – i pyes unë pa të keq.
-Po more, – më thonë, – hajde hyp në Gazin e Degës!
Hyj brenda… Nazmi Kraja në vend të parë, kurse Tahir Vuka ngjitë me mua…
Kur afrojmë te Ura e Bunës… makina ndalon, dhe dëgjova Nazmi Krajën të thotë fjalinë e famëshme të asaj kohe:
“Në emër të popullit, filani… je i arrestuar!”
Në moment Tahir Vuka më ve hekurat në duar duke më sharë nga nëna!!
-Dëgjo Tahir, – i bërtet Nazmiu – Për ideal të Partisë të vras këtu ku jemi… Ne, na kanë urdhëruar ta arrestojmë dhe ta dërgojmë në Kukës, kaq është puna jonë. Ne nuk kemi punë me nënën e tij.
Kur kemi ardhë në Kukës ishte natë. Ata i kanë fikë dritat e makinës derisa hymë në Degën e Brendshme.
Direkt erdhen aty të tre “kuzhinjierët”, Lilo Zeneli, Abedin Tajare dhe Todi Lubonja…
-Eh, Bajram Hereni, si më kapërdiseshe në zyrën e drejtorit të librarisë… A e shikon se ku përfundove?!
-Ju jeni kriminelë, – ju thashë – se unë nuk përfundova vetë këtu, jeni ju që më sollët…
Ky ishte takimi im i parë me “kuzhinjerët” që gatuan “pjatën” e dënimit tim…
Sot bëhen 60 vjet prej asaj dite…

Marrë nga muri i fb i Shpëtim Herenit, 22 shkurt 2015

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Kjo copëz rrëfimi nga ajo kohë e frikshme, kur burrat më të mirë të këtij vendi arrestoheshin thjesht për instinktin e përmbushjes së epsheve gjakatare të xhelatëve të Sigurimit, na sjell parasysh të njejtin skenar të njohur të arrestimit të viktimës së radhës nga njerëzit e pështirë të diktaturës. Shumë prej frekuentuesve të këtij web-sit-i i dinë këto situata sepse i kanë përjetuar ose në shtëpi të veta, ose te njerëzit e afërt e të dashur të tyre, prandaj s’po ndalem më gjatë.
    Ajo që dua të përmend këtu, është fakti që Bajram Hereni nuk ka qenë i vetmi që është burgosur nga regjimi. Para tij u burgos i vëllai i tij: Rexhep Islam Hereni, i cili kishte kryer akademinë ushtarake në Itali dhe ishte një antikomunist i mirëfilltë. Ky ushtarak model do të burgosej qysh me ardhjen e regjimit në prill të 1948 dhe do të vdiste në burg disa vite më vonë në prill të 1953. Sot nuk i janë gjetur ende eshtrat!!!
    Sa i përket historisë, di që në rastet e arrestimit të burrave të kësaj shtëpie, përveç terrorit, persekutimit, dhunës e padrejtësive të ushtruara nga pushteti komunist, kemi edhe një humbje tjetër të madhe që lidhet sa me historinë personale të kësaj familjeje, aq edhe me historinë lokale e ndoshta më gjerë.
    Në arrestimet e kryera, janë sekuestruar mijëra fotografi të njerëzve apo ngjarjeve historike të ndoshta 2 dekadave. Kjo familje ka pasur një aparat fotografik cilësor privat dhe kishte arritur të krijonte një arkivë mjaft të pasur. Pikërisht kjo humbje është një ndër fatkeqësitë që u shtohet humbjeve të jetëve njerëzore, burgimit absurd dhe persekutimit 45 vjeçar.
    Dhe si shtesë, po kujtoj faktin që është sekuestruar gjithashtu edhe biblioteka e pasur me qindra volume si dhe një makinë shkrimi Olivetti, që për kohën ka qenë një mrekulli.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.