back to top
18.5 C
Tirana
E hënë, 11 Maj, 2026

Amaneti i padukshëm, shumëfytyrësia që mori peng të djathtën dhe pronën në Shqipërinë e tranzicionit – nga Bujar Vreto

Gazeta

Bujar Vreto
Bujar Vreto
Amaneti i padukshëm, shumëfytyrësia që mori peng
të djathtën dhe pronën në Shqipërinë e tranzicionit
nga Bujar Vreto

Dëgjova një “përfitues” që e mban veten për profesor të thotë se Saliu është burrë shteti. Në fakt, nuk është çudi. Të njëjtët vullnetarë të shoqatave kanë thënë dikur për Enverin, sot për Saliun dhe nesër për Ramën, se janë burrështetas. Një etiketë që jepet me lehtësi nga ata që kanë përfituar gjithmonë nga pushteti, pavarësisht emrit të tij. Por e vërteta është më e rëndë dhe më e thjeshtë, që të tre janë mëkatarë ndaj këtij populli. Sidomos ai që ne e mbështetëm me shpresën se do të sillte drejtësi dhe do të çlironte të djathtën nga hija e së shkuarës. Në vend të kësaj, ai mori në dorë fatet e saj dhe i shpërdoroi, duke ia dorëzuar aksesin dhe kontrollin pikërisht nomenklaturës së vjetër.
Gjithçka fillon me ligjin 7501, ku toka u dha fillimisht në përdorim, për të kaluar më pas, përmes ligjeve të njëpasnjëshme, në pronësi të atyre që nuk ishin pronarë. U vazhdua me legalizimet, që në vend të korrigjonin padrejtësinë, e thelluan atë. Historia nuk u rishkrua kurrë mbi të vërtetën, por mbi interesin. Ndërkohë, ata që përfituan nga kjo skemë sot janë milionerë dhe dalin me qetësinë e fitimtarit për të shpallur “burrë shteti” atë që ua bëri të mundur këtë pasuri. Po, për ta është burrë shteti. Për popullin shqiptar, jo…
Historinë le t’ia lëmë kohës, pas 50 apo 100 vitesh, ajo do të flasë më qartë dhe të tregojë se çfarë ishin në të vërtetë këta njerëz. Por sot, përgjegjësia është e jona, të mos mashtrohemi më nga etiketa boshe dhe nga “profesorë” me mendime të mykura që legjitimojnë padrejtësinë. E vetmja gjë që mund dhe duhet të ndodhë është kjo, largimi i këtij mentaliteti nga jeta publike. Largimi i atyre që e kanë kthyer politikën në instrument grabitjeje dhe pasurimi personal. Shqipëria ka nevojë për njerëz të rinj në mendësi, për një elitë intelektuale të papërlyer, që nuk e sheh pushtetin si plaçkë, por si përgjegjësi. Vetëm atëherë mund të lindë një alternativë reale për të qeverisur vendin, jo për ta shfrytëzuar, por për ta ndërtuar.
-Ka kombe që e kapërcejnë historinë dhe ka kombe që mbeten peng i saj. Shqipëria nuk e mbylli kurrë llogaritë me të shkuarën, ajo thjesht ndryshoi dekorin, duke lënë të njëjtët aktorë të luajnë role të reja. Kjo është tragjedia jonë, jo mungesa e ndryshimit, por simulimi i tij. Në fundin e një regjimi që po shembej pa pranuar dorëzim, u artikulua një filozofi e re e mbijetesës së pushtetit, pluralizmi do të lejohej, por do të administrohej, opozita do të krijohej, por nuk do të lejohej të fitonte thelbin, të drejtat do të shpalleshin, por jo të realizoheshin. Mbi të gjitha, pronari nuk duhej të rikthehej dhe i përndjekuri nuk duhej të fuqizohej. Ky nuk ishte thjesht tranzicion. Ishte një kalim i kontrolluar nga një sistem në tjetrin, ku ndryshoi emri i rendit, por jo pronari i pushtetit. Në këtë kontekst, ligji 7501, nuk ishte një gabim historik, por një akt themeltar i një padrejtësie të re me fytyrë demokratike. Ai nuk shpërndau tokën, por zhduku konceptin e pronës. Nuk krijoi drejtësi sociale, por barazoi padrejtësinë.
Nga ky moment, Shqipëria hyri në një realitet absurd, ai që kishte pronën, nuk e kishte më, ai që nuk e kishte, e fitoi pa të drejtë, dhe shteti u bë garant i kësaj përmbysjeje. Në vend që të korrigjohej kjo padrejtësi, ajo u thellua. Ligjet që pasuan nuk e rikthyen pronën te i zoti, por e legalizuan grabitjen. U prodhuan tituj pronësie mbi një padrejtësi, duke e kthyer përkohshmërinë në përjetësi dhe abuzimin në normë. Nëse faza e parë ishte zhdukja e pronës bujqësore, faza e dytë ishte pushtimi i qytetit, bregdetit dhe tashmë maleve. Legalizimet, të paraqitura si akt human, u kthyen në një mekanizëm të dytë grabitjeje. Në emër të “zgjidhjes sociale”, u shpërblye zaptimi, u përjashtua pronari dhe u institucionalizua një filozofi e rrezikshme, ai që merr me forcë, fiton, ai që pret drejtësi, humbet. Ndërkohë, ajo që u quajt “e djathtë” nuk arriti kurrë të jetë e tillë. Ajo nuk u ndërtua mbi vlerat e pronës, lirisë dhe meritokracisë, por mbi një kompromis të heshtur me të shkuarën. Në vend që të çliroheshin energjitë e shtypura të shoqërisë, u ricikluan strukturat e vjetra. Të përndjekurit mbetën në pritje. Pronarët në harresë. Ndërsa nomenklatura u transformua nga klasë politike në klasë ekonomike. Privatizimi nuk ishte drejtësi, por transferim privilegjesh.
Kjo është lindja e oligarkisë shqiptare. Për ta ruajtur këtë rend, politika ndërtoi mekanizma kontrolli. Dy partitë kryesore, në dukje kundërshtare, funksionuan si dy degë të të njëjtit trup. Konflikt në publik, bashkëpunim në prapaskenë. Kodet zgjedhore u mbyllën, meritokracia u përjashtua, ndërsa individët që mund të kërkonin drejtësi u mbajtën larg. Pushteti ndërroi duar, por jo natyrë. Nga njëra palë te tjetra, u ruajt e njëjta filozofi, mbrojtja e pasurisë së përfituar padrejtësisht dhe frenimi i çdo drejtësie reale. Në këtë realitet, edhe gjuha u deformua. “Burrë shteti” u quajt çdo njeri që administroi këtë sistem. Lavdërimi u kthye në zakon, ndërsa e vërteta në bezdi. Kjo është shumëfytyrësia e elitës së bodrumeve.
Dhe kështu, amaneti i padukshëm u bë realitet. E djathta mbeti peng. Prona mbeti e mohuar. I përndjekuri mbeti i harruar. Ndërsa shoqëria u mësua të jetojë me padrejtësinë si normalitet. Derisa ky amanet të thyhet, Shqipëria nuk do të ketë as të djathtë të vërtetë, as drejtësi, as pronë, as moral publik. Sepse problemi nuk është kush qeveris, por sistemi që nuk lejon drejtësinë të vijë kurrë.
Marrë nga Muri i Fb, Bujar Vreto, 24 prill 2026

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.