
Amanet muzikën në Shkodër… e jo vetëm!
(për ata që do të fitojnë zgjedhjet)
nga Prof. Robert Prennushi
Me 12 maj, ose ndonji ditë ma vonë do të mësojmë se kush i fitoi zgjedhjet. Bashkë me urimin e rastit, – e këtu fillon amaneti, – shpresojmë që fituesit, bashkë me gëzimin e ligjshëm të ndjejnë edhe përgjegjësi; të ndjejnë edhe pak të përqethuna në trup, sepse me çue përpara Shkodrën asht përgjegjësi e madhe; asht nji mision. Shkodra asht Shkodër. “Në Shkodër të gjithë këndojnë”, thotë nji kangë. Por jo kujtdo mund t’i jepet mundësia me këndue në skenën shkodrane.
Po i shkruej këto radhë edhe duke marrë shkas nga nji rast i papëlqyeshëm -eufemizëm ky – kur pashë e ndjeva nji video të shkurtë që ma dërgoi nji muzikant shkodran. Kjo tallava “e ftueme”, pra jo nga muzikantë shkodranë, po luente para Bashkisë. Ishte nji mishmash motivesh sllavo-shqiptare-greke, që më trishtoi. Nuk ishte suitë, por tema shqiptare me kadenca sllave, greke me kadenca orientale. Nji trishtim. E si thohet që e keqja zvoglohet duke e nda me të tjerë, ja dërgova kët video nji personaliteti kombëtar, me deçituren: “Muzikë që ‘konsumohet’ në Shkodrën e Prenkë Jakovës…!” Më përgjigjet menjiherë: “Tmerr estetik dhe padrejtësi historike!” Kurse nji ish nxanës i shkollës sonë më tha: “Po asistojmë të pafuqishëm në rrënimin e muzikës së mirë…”
E pra Shkodra asnjiherë si sot, nuk ka pasë kaq shumë muzikantë të përgatitun. Po i përmend sipas alfabetit: Jetmir Barbullushi, Sidrit Bejleri, Mustafa Bylo, Zef Çoba, Aleksandër Gashi, Roland Guli, Qamil Gjyrezi, Oleg Gjerga, Zyhdi Hoxha, Bardhyl Hysa, Elda Laro, Admir Leka, Aleksandër Qyteza, Ritvan Karakaçi, Anton Kaftalli, Elsa Kola, Markelian Kapidani, Gamend Kraja, Ergys Pirani, Tonin Ternaku, Genc e David Tukiqi, Kujtim Saraçi, Dritan Selhani, Bujar Sykja, Gjon Shllaku, Ermir Zoga, Ilir Zoga. (Ndoqa rendin alfabetik të mbiemnave, por Ilirin e kam në zemër). Pa folë për Lorenc Radovanin, Agron Behri, Nimet e Memli Salobegu, Çeçile Laca, Paçalin Pavaci etj., mbrenda e jasht vendi që janë gati të vijnë sa t’i thrrasish.
Në vitin 1975, Shkodra ka pasë dy orkestra sinfonike, njena e qytetit dhe tjetra e Shkollës së Mesme “P. Jakova”. Ka pasë fanfarë Shkolla dhe Orkestër frymore qyteti.
Po sot, Shkodër, më thuej si je?!

***
Ka vite që me muzikën asht veprue gabim; shumë gabim. Ministria e kulturës i asht mëveshë nji ministrie tjetër, ndërsa Ministria e Arsimit, pa asnji konsultim, e reduktoi orën e muzikës në shkolla, nga dy që ishte, në nji, duke ‘ja falë’ fiskulturës, që nga dy u ba tre. (Ndodhi kjo kur Kombëtarja jonë arriti në Kampionatin europian). Kjo masë, pa asnji konsultim, solli përgjysmimin e nevojës për mësues muzike, që u reflektue edhe në Shkollat me profil të tillë. Ma shumë se kushdo e ndien këte shkollat e muzikës.
E kujt ja heq ti muzikën? Shqiptarëve? Po më thoni nji vend tjetër në botë që në nji territor relativisht kaq të vogël, ka kaq shumëllojshmeni shprehjesh e kontrastesh muzikore?!
Pak histori…
Ma thoni nji qytet tjetër në botë që megjithë se në shek. XV u boshatis nga banorët e saj1) e prap se prap ruejti identitetin e vet në male e fshate të papushtueme. Flasim për nji qytet, ku edhe në perjudhën paraosmane, Perëndimi kishte kalue tri herë: në formën romane, anzhuine e veneciane, e me gjithkëtë qyteti e muzika nuk e humbi fizionominë e vet. Pikrisht në kët perjudhë, – shekulli i fundit paraosman, – u krijue e mori formën e përkryeme pasunia ma e madhe muzikore e etnografike e dokumentueme shqiptare. Kjo pasuni asht Rituali e Vallet e Këndueme të Dasmës Shkodrane, që mblodhi e botoi me 1943, etnomuzikologu i parë shqiptar Gjon Kolë Kujxhija. Kjo pasuni, përsa i përket plotënisë, asht ma i veçanti në të gjithë vendet mesdhetare.
Kjo ishte Shkodra e shekullit XV, ku kishte kode, që ishin ma shumë norma morale qytetarie: si dënimi i rreptë ndaj fyemjes, qendrimin mbrojtës ndaj grues, gja që pasqyrohet konkretisht edhe në pjesëmarrjen, si të barabarta, të grave në kangë e vallëzim sëbashku me burrat. Shkodranët e sotëm kanë çfarë të mësojnë nga Kodikët edhe për mbajtjen pastër të qytetit…
Kur Shkodra dhe të gjithë arbërit po rendnin me të gjithë popujt e tjerë në Rilindjen europiane, ndodhi pushtimi osman. “Fuqia armike turke, – thotë historiani Suflay, – e dëboi e asgjësoi ose e shpërnguli brendinë e gjallë të këtyre qyteteve, mbartësin e thelbit të qytetit autonom”. Kët nivel kulturor që kishte arrijtë qyteti e tregon edhe fakti që, mbas braktisjes së qytetit, pra mbas ramjes së Kështjellës së fundit shqiptare me 1479, shumë intelektualë që emigruen, tue gjetë edhe terrenin e përshtatëshëm, u përfshinë në Rilindjen Italiane që në brezin e parë e të dytë.2)
Por Shkodra asht Shkodër dhe e tregoi se kush ishte, sepse ka pasë gjithmonë malet jo vetëm mburojë, por edhe plot me motive me tharm krijues.
Çka bani arti e kultura shqiptare e ajo shkodrane gjatë pushtimit osman? Për muzikë gati dy shekuj jetoi vetëm me hengun turko-bizantin. Çka bani Vallja e këndueme e Dasmës shkodrane? U struk e u ruejt ndër male e fshatet e papushtueme. Derisa erdh në krye të vilajetit nji Pashë, nji shqiptar largpamës.
Më 1755, pushteti në qytet kaloi në duert e një personaliteti të zgjuet dhe të aftë, Mehmet Alia i Bushatlijve, i cili “e pranoi ekzistencën edhe të fesë katolike me gjithçka sillte kjo gja me vete!” Largpamësinë e tij e dëshmojnë edhe studjues të huej.3)
Më thoni nji qytet tjetër që pa urdhna e fermane bani at që nuk e bani asnji qytet tjetër me kangën e muzikën e vet. Mbas Pavarsisë, Shkodra vrapoi me fitue kohën e humbun. Sidomos në fushen e artit. “Shkodra deri në vitin 1939, kishte mbi 7 salla shfaqjesh muzikore e teatrore, me nji mesatare me 400 vendesh për sallë. Ndër to Salla e Kolegjit Saverian me 450 vende, Teatri i Shkollës Françeskane me 300 vende, Teatri e Shkollës Stigmatine me 300 vende, Kino-Teatri Rozafa me 450 vende, Teatri Bogdani me 400 vende etj.”4)
Shumë studiues si Ramadan Sokoli, Tonin Zadeja etj, janë të mendimt se Kasem Xhuri (1837-1887), Palokë Kurti (1858-1920) e shumë të tjerë u dhanë me shpirt me përmirësue Hengun shkodran tue i sjellë meloditë bizantine, në trajtën e Valleve. Fitoi shija e finesa e nji qyteti që po rikrijonte fizionominë e vet. Pra edhe Hengu dhe maja e tij artistike, Jarja, u banë shqiptare; kjo, jo vetëm për meritë të krijuesve popullorë, por edhe të kangtarëve. E kur themi këtë, nuk mund të mos përmendim majat që arritën me interpertimet e tyne Marije Kraja, Bik Ndoja, por edhe Xhevdet Hafizi, File Gjeloshi, Naile Hoxha, Luçije Miloti, Ibrahim Tukiçi e shumë kangëtarë të tjerë, profesionistë e amatorë. Por ato mbetën si kangë të Hengut, dhe me të drejtë merituen të hyjnë në Fondin e Vlerave tona Kombëtare. Ato janë pjesë e historisë sonë pesëqindvjeçare, po ashtu edhe e pasunisë dhe e historisë së muzikës sonë.5)
Por më thoni nji qytet tjetër që krijoi mbas lufte nji kangë të re, edhe kjo shkodrane, por me vështrim ma të gjanë, me vështrim kombëtar. Tish Daija, me ‘Kangën e krushqëve’, Prenkë Jakova me ‘Margjelo’, Ramadan Sokoli me ‘Turtulleshë’, Simon Gjoni me ‘Lule borë’, Zef Lekaj, Abdullah Grimci etj etj kompozitorë krijuen e vazhdojnë të krijojnë kryesisht me Festivalin e përvitshëm, nji tip tjetër kange shkodrane, që asht krejt tjetër nga kanga e Hengut. Shumë kompozitorë meritojnë të përmenden për kët duke fillue nga udhëheqesi artistik Ilir Zoga e deri tek krijimet e kompoziotrit Zef Çoba që tashma janë ba kombëtare.
Ma thoni nji qytet tjetër si Shkodra që edhe pse mbas Lufte së Dytë, Tirana ia mori ajkën e muzikantëve, madje edhe të gjithë studentët që studjuen jashtë, e prap çoi krye. E kjo ndodhi vetëm tek ne. Mbas lufte, Orkestra sinfonike me famë e Zagrebit mbeti aty e nuk shkoi në Beograd, “La Scala” e Milanos nuk luejti vendi me çue artistët e vet në Romë e as Metropolitani i New Yorkut nuk shkoi në Washington.
E megjithë këto mungesa Shkodra krijoi e vuni në skenë, ma shumë me autodidaktë, Operan e Parë shqiptare ‘Mrika’ të kompozitorit Prenkë Jakova me libret të Llazar Siliqit. E mandej filloi të vehet në jetë andrra e bukur me nismën e Ndoc Shllakut, Lajde Banushit, Gjon Kapidanit e Gjovalin Xhanxhafilit që nxori në maturën e parë pianisten Zyliha Çoçja që u ba mësuese në shkollën e muzikës e mandej Marita Vuksani, Aleksandër Qyteza, Dori Miloti, Oleg Gjerga, Marita Vuksani, Zyhdi Hoxha, Viola Bajraktari, por edhe Ritvan Karakaçin etj. që u kthyen nga konservatori e u banë pedagogë po në shkollën tonë.
E tradita vazhdoi.
Në vitin 1973, Shkolla mori Çmimin e parë në rang kombëtar në nji konkurim me të gjitha shkollat e muzikës, përfshi Liceun Artistik.
Nuk asht e rastit që Shkodra organizoi e para Festivalin e fëmijve, që u ba kombëtar dhe mandej ‘Mbarëkombëtar’ në saj të talentit e vizionit të të paharruemit Kujtim Alija.
Pra, Shkodra muzikore ka forcë të madhe rigjeneruese. Nga vjen kjo cilësi e forcë njikohësisht? Ndoshta asht antropologjia që mund të na e shpjegojë këtë. Ngjan pak a shumë me atë që më kanë thanë dy miq italianë, pianisti Luigi Angelini e Paolo Marzocchi, pianist e kompozitor që, mbasi kishin ndigjue muzikë shkodrane, kangë e muzikë të kultivueme mbi tema shkodrane, kur shkuen dhe panë Shkodrën, thanë pak a shumë të njejtën gja: ajo mikpritje, ajo mënyrë jetese, ai pejsazh që shkodrani mund të shohë çdo ditë: Kalaja me atë histori, Drini, Buna, Taraboshi, Liqeni, Malet e Krajës e mandej malet përballë: Veleçik, Maranaj e Cukal, asht zor t’i shohish në nji ditë në ndonji vend tjetër. Prandaj ka kaq dritë në kangën shkodrane. “Prandaj në Shkodër të gjithë këndojnë”.

***
Të kuptohemi. Festivalet dhe veprimtaritë muzikore në Shkodër janë të admirueshme: si Festivalet e kangës, Koncertet e vjetshme të Orkestrës sinfonike, Konkursi “Pjetër Gaci” e ai Jazzit. Po kur flasim për muzikë të kultivueme e aktivitete, ma shumë “importojmë” se “eksportojmë”. Kemi mbetë ma shumë tek kanga. Format ma të mëdha të muzikës nuk po i joshim.
Dy opera të shkodranëve na janë ofrue në dy vitet e fundit, por as i kemi përfillë. Aty asht Baleti i Gjon Shllakut, ndërsa për egzekutimin e “Balladë për Nënë Tereza” me tekst të At Gojçaj, kompozitorit Zef Çoba i asht dashtë të shfrytëzojë nji studio private. Nuk na justifikohet fakti që Operën ‘Rozafa” të David Tukiqit, nuk u denjue askush me e pa. Madje nuk u hap asnji zyrë me e ndigjue autorin. Kështu ndodhi me operën e Ndoc Pistullit me libret të poetit të Zef Zorba, të cilëve ju refuzue opera në vitin 1973, sepse ishin “të prekun”. Po tash?! Kompozitorë të njohun në Shkodër kanë opinione pozitive për këte vepër. Madje njeni prej tyne ka marrë përsipër orkestracionin dhe ka punue mjaft në këte drejtim.
Asht e vërtetë se veprat e mëdha kushtojnë. Por ato salla të viteve ‘30-të si mbaheshin? Në veprën e tij Kujxhia përmend 9 familje mecenatësh që ndihmonin konkretisht formacionet e kangëtarëve të njohun. Po sot, cili bizesmen shkodran nuk do të donte ta shihte emnin e vet në Posterin e nji opere? (Si u ba me pianoforten që asht sot në Teatër. Të gjithë, edhe nga jashtë, të ftuem nga violinisti i talentuem Eugjen Gargjola, kontribuen e sëbashkë me fondin e Bashkisë u sigurue që ajo piano të jetë atje).
Në lidhje me shpenzimet. Më vjen e natyrshme me pyetë: Kur ftohen solistë o formacione nga jashtë, kush e merr përgjegjesinë për nivelin e tyne. Jo për censurë, por për nivelin e tyne artistik.
Kryesoja asht që të mësojmë nga gabimet. Gjendja jo e mirë, (edhe ky eufemizëm), e Shkollë së Muzikës, nuk asht problem o pasojë e punës së pedagogëve dhe e drejtuesve të asaj shkolle me namë. Ajo shkollë asht e të gjithëve; nga ajo ne presim të krijohet nji tjetër orkestër sinfonike dhe të përgatiten kangëtarët e shkolluem. Ajo shkollë duhet të jetë problem i të gjithëve. Duhet të kontribuojnë të gjithë e të merret mendimi i të gjithë muzikantëve që kemi. Pa Orkestër Sinfonike që asht “Industria e randë”, pa nji shkollë muzike me frekuentim në të gjithë sektorët, nuk kemi ku shkojmë. Por, pse jo, mund të merret edhe eksperjenca e Lezhës, që merr pedagogët e specialitetit nga Tirana. Duhet edhe të nxjerrim mësime nga entuziazmi i Shkollës së Muzikës “P. Jakova të Gjakovës”.
***
Sidomos për muzikën duhet të mendojmë si ai plaku që, në fund të jetës së tij, mbolli nji ulli, frutet e të cilit e dinte se as do t’i shihte.
“Në Shkodër të gjithë këndojnë”, thotë nji kangë e njohun. Por jo kushdo mund të këndojë në skenën shkodrane.
***
Të fillojmë nga vlerësimi i perkursorëve të mëdhej të muzikës shqiptare që nuk kanë asnji titull:
At Martin Gjoka, kompozitori i Sinfonisë së parë shqiptare “Dy lule mbi vorr të Skanderbegut” dhe i operas “Juda Makabe”, të dyja të kompozueme ma shumë se nji shekull ma parë. Jo vetëm kaq. Ai ishte edhe pedagogu i kompozitorëve që ma vonë dhanë kontribut themelor në zhvillimin e muzikës së kultivueme shqiptare në gjysën e dytë të shek. XX.
Mos të harrojmë dhe Gjon K. Kujinxhinë, që mblodhi Pasuninë ma të madhe etnomuzikore, Ritualin me 114 mikroskena dhe muzikën e 55 Valleve të këndueme, të gjitha të përjudhës Paraosmane.
Por me nji orë në javë muzikë ndër shkolla nuk shkohet askund. Ndryshe do t’i kemi gjithnji bosh sallat e koncerteve.
Punë të mbarë!
Ancona 10 maj 2025

Pak Bibliografi
1)Bushati H. Shkodra dhe motet. Shkodër 1999, Kap. VI. f. 283; Dibra Z. Qyteti që lindi nga një kështjellë, Botimet Fishta, 2018
2)Nadin L. – Venezia e Albania una storia di incontri e secolari legami. Adria Muse, 2013, f. 24 Nadin L. Matricola della scuola degli Albanesi, Berk, Tiranë 2022, f. 64;. Prennushi M. Intelletuali albanesi nel Rinascimento italiano, Scutari 2002.
3)Stadtmüller Georg, (1909-1985), Studiues i njohun i historisë mesjetare të Ballkanit dhe të Shqipnisë;
Sarro Italo, studiues që me dokumenta tregon ngjarje e fakte të Shkodrës në shekujt XVII-XIX në Shqipninë e Epërme; Shkodër 2015; Babinger Franz, orientalist i specializuem në historinë osmane.
4)Tole V. Prof. Dr. “Çesk Zadeja në Muzikën shqiptare”, f. 33 (Botim i Akademisë së Kosovës,2022)
5)Janë Hasan Preza, Ndrekë Vogli-Naraçi, Karlo Pali, Sait Hoxha, Zenel Maha, Bejto Halili, Sheuqet Kruja, e në mënyrë ma të dukshme e të vetëdijshme Paulin Pali, Dom Zef Shestani, e prap me Hasan Preza tek kanga “Të këndojmë se erdh pranvera“, “Dashnuer t’u bana”. Shumë kangë janë pa autor, përfshi edhe kangën e njohun ‘Pranvera filloi me ardhë’, që u interpetue me mjeshtri të erallë nga Frederik Ndoci.