back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Aleks Buzo – dramaturgu i famshëm australian, me origjinë nga Berati nga Ilir Seci

Gazeta

Ilir Seci - 2015
Ilir Seci – 2015

Aleks Buzo –

dramaturgu i famshëm australian, me origjinë nga Berati

nga Ilir Seci

Pak shqiptare mund të kenë dëgjuar për shkrimtarin australian Aleks Buzo… Për më tepër fare pak shqiptare mund ta dinë që Aleks Buzo, një nga dramaturgët më të vlerësuar të letersisë së shkruar në gjuhën angleze, mbas Luftës së Dytë Botërore, ka qenë pikërisht djali i beratasit, Zihni Buzo, i cili emigroi në Australi në vitin 1939.
Nuk mund të shkruhet për shkrimtarin Aleks Buzo pa folur më parë për babanë e tij Zihni Buzo, që është ndër shqiptarët më të suksesshëm, jo vetëm në Australi, por në mbarë botën…!

Zihni Buzo (1912-2006)
Zihni Buzo (1912-2006)

Inxhinieri Zihni Buzo, (1912-2006), u lind në Berat në lagjen “Murat Çelepia” ku edhe mori mësimet e para në shkollën fillore, më vonë vazhdoi shkollën e “Harry Fultz” në Tiranë, ku pasi e panë si shkëlqeu, i dhanë një bursë për në “Robert College” e famshëm amerikan në Stamboll. Në rininë e tij ishte ndër “Boy Scouts” e parë shqiptarë…
Zihni Buzo mbasi mbaron studimet me rezultate të shkëlqyera në “Robert Kolegj” në Stamboll, fiton bursën e “Fondacionit Rockefeller”, falë së cilës i jepet mundësia të studiojë në Universitetin më të famshëm të botës në Harvard, Amerikë… Falë lidhjeve që krijon në Harvard, mbas mbarimit të studimeve me rezultate të shkëlqyera punon në Shqipëri si inxhinier me një kompani anglo-amerikane… Në ditët e pushtimit fashist të Shqipërisë, Zihni Buzo largohet nga mëmëdheu bashkë me personelin anglo-amerikan dhe emigron përfundimisht në Australi, ku jetoi derisa ndërroi jetë, në vitin 2006…
Zihni Buzo ka një karrierë të shkëlqyer në Australi… bile ka mbetur në histori si ndërtuesi i Digës së hidrocentralit mbi Lumin Okay… Zihni Buzo është një inxhinier i shquar. Përveç punës së tij në Australi, kryesisht në New England të New South Wales, karriera e tij spikat vite më vonë sidomos me Organizatën Botërore të Shëndetsisë, një karrierë katërmbëdhjetë vjeçare, gjatë së cilës ai kontribuoi me projekte publike shëndetësore në mbi dyzet vende të botës. Me Organizatën Botërore të Shëndetsisë punoi në të gjithë Azinë, Afrikën dhe Amerikën e Jugut.
Ai qe një anëtar nderi i Institutit Australian të Inxhinierëve dhe një anëtar i Shoqërisë Amerikane te Inxhinierëve Civilë. Në Australi, në vitin 1941, ai u njoh me Elaine Johnson, irlandeze me origjnë më të cilën u martua një vit më vonë dhe patën dy djem: Alexin e lindur në vitin 1944, në Sydney dhe Adrian lindur në 1948, në Brisbane… Zihni Buzo ka lënë në dorëshkrim një vepër me titull “Albania to Australia”, “Nga Shqipëria në Australi”… Zihni Buzo është ndër të paktët australianë që kanë marrë medaljen e madhe të Australisë: “Medal of the Order of Australia”, “Medalja e Urdhërit të Australisë”, si një vlerësim për kontributin e tij në Australi dhe jashtë saj…
Zihni Buzo vdiq në Sidnei, në korrik 2006, dhe la pas dy djem dhe gjashtë nipër e mbesa…
Zihniu ishte patriot shqiptar, ai loboi dhe mori pjesë ne delegacione të ndryshme të komunitetit shqiptar në fillim të viteve ‘90, duke u takuar me senatorin Gareth Evans, atëherë Ministri i Punëve të Jashtme, ku vazhdimisht ngrinte me këmbëngulje problemin e vëllezerve shqiptarë në Kosovë…

Aleks Buzo i ri
Aleks Buzo i ri

Alex Buzo ka lindur në Sydnei me 23 Korrik 1944. Mbaron shkollën më të famshme “Shkollën Armidale” në Australi, dhe më pas në “Shkollën Ndërkombëtare” në Gjenevë – Zvicër, ndërsa studimet e larta i kryeu në Universitetin e New South Wales, ku u diplomua në vitin 1965.
Në vitin 2005, ai u dha një doktoratë “Nderi i Shkronjave” në Universitetin e New South Wales për kontributin e tij në letërsinë Australiane.
Aleks Buzo, vjen fuqishëm në letërsinë australiane në vitin 1968, me dramën e parë, ”Norm dhe Ahmedi’, që ishte ndër të parët autorë që ngriti diskriminimin e emigrantëve në Australi dhe zgjoi vëmendjen e mbarë kombit Australian duke vënë në pah problemet e asaj kohe lidhur me emigrantët… Publiku australian u befasua nga aftësia e tij në idiomat e anglishtes, dhe nga angazhimi i palodhur i Buzos për të reflektuar natyrën e vërtetë të shoqërisë Australiane. Që nga ajo kohë e deri sa mbylli sytë në vitin 2006, Aleks Buzo njeh vetëm famë dhe mirënjohje në Australi e më gjerë. Ai është autor i 88 dramave dhe veprave letrare… Veprat e tij janë vënë në skenë në Australi, Angli dhe Amerike dhe sot konsiderohet si një ndër pionierët e Rilindjes së dramës australiane dhe më gjerë të letërsisë anglishtfolëse…
Në vitin 1972, Aleks Buzos ju dha “Medalja e Artë në Letërsi” e Shoqërisë së Australiane për dramën e tij “Macquarie”. Aleks Buzo në karrierën e vet përfshin shumë gjini letrare, drama dhe romane, skenare filmash, artikuj, intervista në radio si dhe përshkrime udhëtimi… Ka dhe disa libra mbi sportin, gjuhën dhe teatrin. Shkrimet e tij variojnë mbi një gamë të gjerë subjektesh, ai ka qenë mjaft i kërkuar nga gjithë gazetat, revistat dhe radiostacionet më të famshme australiane.

Aleks Buzo (1944)
Dramaturgu Aleks Buzo (1944-2006)

Ndër veprat e tij radhisim:

“Revolta” (1967)
“Norm dhe Ahmedi” (Valuta Press 1968)
“Djemtë e dhomës qëndrore” (Valuta Press, 1970)
“Macquarie” (Valuta Press, 1971)
“Batmani-shef i plazhit” (1973)
“Rrënjët” (Valuta Press, 1973)
“Tregimet e Roy Murphy-t” (Valuta Press, 1973)
“Coralie Lansdowne thotë jo” (Valuta Press, 1974)
“Tom” (Angus & Robertson, 1975)
“Vicki Madison del jashtë” (Valuta Press, 1976)
“Kullat Martello” (Valuta Press, 1976)
“Koralet Makassar” (Valuta Press, 1978)
“Lumi i madh” (Valuta Press, 1985)
“Ferma margjinale” (Valuta Press, 1985)
“Stingray” (Valuta Press, 1987)
“Rruga Shellcove” (1989)
“Bashkimi në Paqësor”(Valuta Press, 1995)
“Legjendat e Bagit te Gjelbër” (Allen & Unwin, Sydney, 2004)
“Një fjalor thuajse i dukshëm” (Tekst Publishing Company, Melbourne, 1998)
“Kiwese” (Mandarin, Port Melbourne, 1994)
“Ndeshja më e gjatë” me bashkautor Jamie Grant (Mandarin, Port Melbourne, 1990)
“Personat e rinj” si dhe një “Udhëzues për Teatrin” (Penguin, Ringwood, 1988)
“Regëtime të rrahurash” (Penguin, Ringwood, 1987)
“Njihuni me klasën e re” (Angus dhe Robertson, Sydney, 1981)
“Tautologji” (Penguin, Ringwood, 1981)
“Pru futuron drejt veriut” (Mandarin, Port Melbourne, 1991)
“Kërkimi për Harry Allway” (Angus dhe Robertson, Sydney 1985)

Skenare filmash:
“Kurreshtja për dyqanin e vjetër” (1984) 
Dhe skenarin për filimin e famshëm vizatimor: “Rod Hull dhe të tjerët, Me mbretin Artur dhe kalorësit e tryezës së rrumbullakët”

Aleks Buzo, është bashkautor në skenarin e filmit të famshëm të Mick Jagger, këngëtarit të “Rolling Stones”, filmin “Ned Kelly” realizuar në vitet ’70…
Pas vdekjes Aleks Buzo-s në 2006, në vitin 2007, vajza e tij Ema, ka themeluar në internet “Kompaninë Buzo” në nderim të Aleks Buzos…

Alex Buzo vitet e fundit
Alex Buzo – ne vitet e fundit te jetes

Autori ka fituar këto çmime prestigjioze:
Në vitin 1972, “Medaljen e Artë” nga Shoqata e Letërsisë Australiane për Dramën “Macquarie”;
Në vitin 1998, një çmim nga “Alumni Award” i Universitetit të New South Wales, Australi…
Ndërsa në vitin 2005, është shpallur “Doktor Nderi i Letërsisë” nga Universiteti Uellsi i Ri i Jugut: për kontributin e tij në letërsinë Australiane…
Besoj se një ditë edhe kombi nga vinte babai i tij i nderuar, Zihni Buzo do kujtohet për këtë shqipe që ngriti fole në Autralinë e largët…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.