back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Ahmet Zogu, personalitet i Reformave të mëdha në Shqipërinë e viteve ‘10,‘20,’30 të shek. XX – nga Kevin Haxhiu

Gazeta

Ahmet Zogu (1895 - 1961)
Ahmet Zogu (1895 – 1961)

Ahmet Zogu, personalitet i Reformave të mëdha

në Shqipërinë e viteve ‘10,‘20,’30 të shek.XX

nga Kevin Haxhiu

Ahmet Zogu: Delegat i Matit (1912; 1920), Ministër (1920), Kryeministër (1922-1924), President-Kryeministër (1925-1928) dhe Mbret i Shqiptarëve (1928-1939)
.
Ahmet Zogu në të gjitha detyrat e larta që ka mbajtur si Ministër i Brendshëm në qeverinë e Kongresit të Lushnjes, si Kryeministër i Shqipërisë, si President i Parë i Republikës në Shqipëri dhe si Mbret i Shqipërisë punoi përherë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
.
Kevin Haxhiu në Shtëpinë e Kongresit të Lushnjes
Kevin Haxhiu në Shtëpinë e Kongresit të Lushnjes
Ahmet Zogu mbetet personazhi kryesor politik në Shqipëri në vitet ’20 dhe ’30 të shekullit XX. Që në moshë tepër të re ai e dëshmoi veten si një figurë me vlera të rralla në mbrojtjen e atdheut dhe ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit territorial. Ai ishte vertëm 17 vjeç, kur u zgjodh delegat i Matit për në Kuvendin Kombëtarë të Vlorës. Vetëm 8 vite më pas, në 1920, Ahmet Zogu u zgjodh sërish delegat i Matit në një nga ngjarjet më të rëndësishme të Kombit Shqiptar, mbas asaj të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 1878 dhe Shpalljes së Pavarësisë në 1912, Kongresin Kombëtar të Lushnjes.
Delegati i Matit, Ahmet Zogu me forcat e tij i garantoi së pari mbrojtjen po edhe mbarvajtjen me sukses të Kuvendit Kombëtar të Lushnjes.
Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes, Ahmet Zogu u zgjodh Ministër i Punëve të Brëndshme. Si Ministri i Punëve të Brëndshme pas përfundimit të punimeve të Kongresit më 31 janar 1920, ai i dërgoi çdo prefekture një proklamatë përmes së cilës, populli njihej me vendimet që ishin marrë në Kongresin Kombëtar të Lushnjes. Gjithashtu Ahmet Zogu u tregua tejet i gatshëm për të vendosur organet e reja qeverisëse në Durrës. Si djalosh energjik dhe tejet i guximshëm, ai kryesoi udhëtimin për në kryeqytetin e Shqipërisë, në Durrës, dhe kur u njoh me rezistencën e italianëve që ishin atje, dhe për të shmangur përplasjen me ta me zgjuarsi e maturi vendosi që përkohësisht organet e reja qeverisëse ti vendoste në Tiranë, mbasi thelbësore në atë kohë, ishte të fillonin nga punën institucionet shtetërore.
Më 11 shkurt 1920, institucionet e zgjedhura në Kongresin e Lushnjes hynë në Tiranë ku patën një pritje madhështore nga populli dhe Tirana de facto u bë kryeqytet i përkohëshëm i Shqipërisë.
Nga dhjetori 1922 deri në shkurt 1924, Ahmet Zogu qe Kryeministër i Shqipërisë dhe në këtë detyrë Zogu nisi një proces që ndodhte për herë të parë në Shqipëri dhe kishte të bënte me hartimin e ligjeve organike për funksionimin dhe organizimin e ministrive. Kuvendi Kushtetues i dalë nga zgjedhjet e dhjetorit 1923, i ndërpreu në mes punimet e tij nga qershori deri në dhjetor 1924, mbasi Shqipëria u drejtua nga qeveria ilegjitime me kryeministër Fan Nolin, i cili erdhi në pushtet me mjete jo demokratike e jo kushtetuese.
Pas Triumfit të Legalitetit në 24 dhjetor 1924, dhe në Shqipëri u rikthye qeveria e ligjshme, e drejtuar fillimisht nga Iliaz Vrioni, e cila 10 ditë pas rikthimit dha dorëheqjen.
Në 6 janar 1925, u formua qeveria e re me kryeministër Ahmet Zogun. Kuvendi Kushtetues në 21 janar 1925, do të vendoste që formë qeverisëse në Shqipëri të ishte Republika Parlamentare dhe më 31 janar 1925, Ahmet Zogu zgjidhet President. Nga ky çast Shqipëria do të ishte për herë të parë në historinë e saj: Republikë. De jure Shqipëria ishte Republikë Parlamentare, por de facto ishte Republikë Presidenciale, mbasi Ahmet Zogu ishte njëherazi President edhe Kryeministër.
.
Ahmet Zogu dhe drejtues të Shtetit Shqiptar
Ahmet Zogu dhe drejtues të Shtetit Shqiptar
Gjatë kohës së Republikës Shqiptare Parlamenti përbehej nga dy dhoma (Ajo e Deputetëve dhe Senati) kjo ishte një risi dhe zhvillim për vendin.
Në 17 gusht 1928, u organizuan zgjedhjet në Shqipëri prej të cilave doli Asambleja Kushtetuese me 58 deputetë. Asambleja Kushtetuse më 1 shtator 1928, vendosi që formë qeverisëse në Shqipëri të ishte Mbretëri (Royaume) Demokratike, Parlamentare dhe e Trashëgueshme dhe Mbreti i Shqiptarëve ishte Lart-Madhëria e tij Zogu I, nga familja e famshme shqiptare Zogu.
Statuti Themeltar i Mbretërisë u votua përfundimisht me 1 dhjetor 1928, nga Asambleja e cila më pasë vijoj punën si parlament me mandat katërvjeçar, që fillonte nga gushti 1928.
Mbretëria Shqiptare 1928-1939 nën drejtimin e Mbretit Zog I, i cili bëri reforma të mëdha në Shqipërinë, si në vendet e zhvilluara, edhe pse thuajse 3 dekada më parë kishte shpallur pavarësinë, nga pushtimi shekullor osman.
Ahmet Zogu u shpall Mbret i Shqiptarëve, çka nënkuptonte gjithë kombin shqiptar, edhe ata përtej kufinjëve londinezë të 1913.
Në vitet 1928-1939, në Shqipëri u zhvillua shumë tregtia, infrastruktura, bujqësia, turizmi, kultura, sporti, arsimi, etj. Një nga politikat më të mira të kësaj kohe ishte dhënia e bursave nga shteti për të rinjtë ekselentë që të arsimoheshin në Universitet më të mira jashtë vendit. Vetë sistemi ligjor në vitet e para të Mbretërisë pati një ndryshim të madh: për herë të parë Shqipëria do të kishte Kodin Civil dhe Kodin Tregtar. Patriotizmi dhe atdhedashuria për Shqipërinë dukej qartë në moton e Mbretit Zog I, “Atdheu mbi të gjitha” gjithashtu edhe fjalitë tepër domethënëse që shkruheshin në hyrjen e pasaportës shqiptare në kohën e Mbretërisë. Koha e ka treguar se ishte domosdoshmëri në Shqipërinë e viteve ’20 vendosja për formë qeverisje Mbretëri Demokratike, Parlamentare dhe e Trashëgueshme, mbasi krijoi qëndrueshmëri politike, dhe Shqipëria nisi rrugën e zhvillimit.
I paharruar vepra e tij, dhe mirënjohje, nderime e respekte përjetë Mbretit të Shqiptarëve, Ahmet Zogu.
.
Kevin Haxhiu - Lushnje: 100 vjetori i Kongresi
Kevin Haxhiu – Lushnje: 100 vjetori i Kongresit

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.