back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Ah, sikur mos t’ishte andërr! – nga Hakik Mena

Gazeta

Hakik Mena
Hakik Mena

Ah, sikur mos t’ishte andërr!

nga Hakik Mena

I ftoj të gjithe miqtë e mi antikomunistë (virtualë),
e veçanërisht ato të persekutuem, të kenë durim,
e të humbin pak kohë, e ta lexojnë nji kët “andërr” timen,
që ka të bajë me dëshirën; se si do të kishim pas dashtë
me e pa rrjedhjen e ngjarjeve të këtij tranzicioni
qëllimisht të stërgjatun… h. m.
 
-Nuk më kujtohet të kem fjetë aq rehat sa mbramë, po i them nji mikut tim të hershëm nacionalist.
-Po hë mor burrë i dheut, – po më pyet ai gjithë kuriozitet, – çfarë ka ba vaki që paske fjetë si kinxh (kur thotë populli në disa zona të veriut), se helbete, ne shkojmë drejt njifarë moshë e jo drejtë të rinuemes për me ba nji gjumë të tillë kaq të rehatshëm?!
-Po ja, po i them, përjetova në andërr të tanë periudhën 27 vjeçare të shokut tranzicion, njashtu siç do të kisha pas dëshirë me u pasë zhvillue në realitet.
-Pa hë, pa hë, – po më thotë miku im, – ti na fillo me na e tregu se si e paske pasë pa o burrë, nabare të knaqena me andrra, se u pa kjo puna jonë, sepse në realitet veç zhgënjime kena përjetue gjatë tanë kësaj periudhe tranzicioni.
-Po ja po i them, tu e fillue me ja tregue prej s’fillimit andrrën….
E çfare me pa, po i them, nji rrjedhje ngjarjesh që të jepte nji knaqsi të veçantë, sikur klasa jonë antikomuniste në fillim të viteve ’90 ishin pas ba të tanë bashkë në nji parti të vetme dhe e kishin pasë emnue partinë: Lëvizja e Djathtë Antikomuniste Kombtare,
-Si?!?!?!?!?! – po me pyet miku im, – të tanë, të tanë, pra tanë njikto shoqata të persekutuemish që janë sot, paskan qenë bashkue në nji të vetme?!?!
-Po, po, – i them, – të tanë bashkë, në nji të vetme, madje, jo vetëm shoqatat, por ma e randsishmja edhe Legaliteti (Legaliteti paska pasë marrë bekimin e Mbretit Leka I dhe mbështetjen maksimale të Tij, në çdo drejtim, për mbarëvajtjen e kësaj lëvizjeje) e Balli, e çdo parti tjetër antikomuniste, e krijueme para 1990-ës, e kishin pasë qenë bashkue me të vetmin qëllim: Zhdukjen e Komunizmit. -Ehh ç’mrekulli do të kishte pasë qenë sikur mos të ishte andërr vazhdonte të pëshpëriste me vetvete i dëshpruem miku im.
-Pash nderin, – po më drejtohet tue më pyetë miku im, edhe pse e di që asht andërr përsëri jam kurioz me dijtë në detaje se si e paskan arritë nji bashkim të tillë klasa e jonë?! Mbasi mos të harrojmë, ballistat e legalistat e nacionalistët e çdo partie tjetër nacionaliste kanë pas bajagi divergjenca para se me u instalue komunizmi, por edhe gjatë kohës së komunizmit kurrë nuk janë ba bashkë në diasporë, madje edhe kur u banë ndryshimet në fillim të viteve ’90 as që asht mendue me u ba bashkë…
-Eh, mor miku im, po i them; paria e të tana partive nacionaliste e përzieme me figurat ma të spikatuna të diasporës antikomuniste dhe t’atyne në atdhe që kanë qenë në burgje e internime paskan qenë ulë në tavolinë e paskan pasë ra dakord me bisedue se si mund të arrihet me u luftue dhe me u heqë komunizmi rranjësisht, dhe se si mund të ndihmohet çeshtja kombtare, dhe paskan pasë ra në ujdi, se e vetmja alternativë, për me i arritë kto, asht: Bashkimi, tue lanë çdo mospërputhje të tyne mbrapa.
-Heu mor burrë i dheut, çfarë mrekullie, vazhdonte të pëshpëriste si n’andërr miku im tanë gëzim e tue folë me vete e tue thanë: ky po, që asht vendim largpamës, që tregon pjekuni politike dhe përgjegjësi kombtare të klasës tonë.
E përsëri miku im me kureshtje të jashtëzakonshme vazhdonte të më shtynte me ia shpjegue me detaje të tanë andrrën tue vazhdue me më pyet se cilin paskan pas emnue kryetar të saj?!
-Aaa, po i them, paskan pasë marrë vendimin ma unik e të përsosun tue e pasë parasysh unin e shqiptarit, paskan pasë vendos mos me pas kryetar për nji kohë të gjatë, (pak a shumë deri në nji ditë që të ndiheshin komod ndaj çdo kërcënimi komunist…), për me evitue çdo egoizëm, e në vend të kryetarit paskan pasë zgjedh nji bord prej 11 antarësh, të përbamë prej figurash me influencë, te cilet paskan pas qënë shquejtun për karakterin, qëndrimin dhe përgatitjen e tyne gjatë kohës së vuejtjes në burgje e internime dhe të atyne në diasporë – Siiiii?! Pa kryetar?! – dmth bord në vend të kryetarit vazhdonte të pyeste miku im i shushatun tue i ba pyetje vetes; se si mundet me u arrit nji kompromis i tillë ndër krenët nacionalistë prej të cilëve gjithçka mund të presësh për sa i përket pozitives me përjashtim të heqjes dorë prej Unit?! E në të njejtën kohë vazhdonte tue ndje andrrën a thue se e kishte pa ai e jo unë!
-Interesant, se si e paskan gjetë njikët zgjidhje vazhdonte të pëshpëriste me vetvete miku im duke shfaqë nga nji anë ngazëllim të papamë rreth rrjedhjes së ngjarjeve të andrrës dhe nga ata tjetër nji dëshpërim të pa përshkruem kur mendonte që ishte thjesht andërr. Gjithashtu mbas pak me padurim vazhdon të pyesë me nji kuriozitet të paimagjinueshëm për sa i përket vazhdimsisë së andrrës tue u ba jashtëzakonisht kurioz nëse kishte pasë qenë pjesë e andrrës; programi i kësaj force antikomuniste të djathtë?
-Po po, – po i them edhe unë tanë kënaqësi…
1.Ma s’pari po i them, programin e paskan pasë fillue me formulimin e nji plani të detajuem se si me e ba realitet dekomunistizimin rranjsor të shoqnisë shqiptare. Paskan pasë formulue nji projekt në mënyrë të përkryem në bashkëpunim edhe me specialistë të huej. Psh, disa prej pjesëve të projektit kishin pas qenë;
1.1.Krijimin e nji gjyqi kombëtar me specialistë të huej për të nxjerrë në gjyq të gjithë kriminelët komunistë që kishin pasë qenë akoma gjallë, tu fillue prej antarëve të byrosë politike e deri tek komandantët e burgjeve, për krimet e tyne të kryeme ndaj mbarë popullit shqiptar, e në veçanti ndaj klasës nacionaliste.
1.2.Shpalljen e figurës së enferrit s’bashku me figurat e tjera udhëheqëse të partisë komuniste/ punës si figura kriminale.
1.3.Sigurimi dhe ruejtja ne mënyrë strikte e dosjeve dhe hapja e tyne nën mbikqyrjen e plotë të nji komisioni me figura të respektueme të klasës së persekutueme
1.4.Shpalljen e LANÇ si nji luftë civile vlla-vrasëse
1.5.Shpalljen e Byrosë Politike, Komitetit Qendror, Partinë e Punës, Bashkimeve Profesionale, Ministrinë e Brendshme dhe Sigurimin e Shtetit në veçanti, si organazita terroriste dhe ndalimin e drejtuesve të tyne në mënyrë strikte, në emnimin, dhe kandidimin e tyne për poste shtetnore.
1.6.Identifikimin e të gjithë kryetarëve të degëve, të operativëve të sigurimit dhe kapterrave të burgut, që kanë lyer duert me gjak tue torturue mizorisht nacionalistë shqiptarë, dhe nxjerrjen e tyne para drejtësisë.
1.7.Moslejimi i çdo punonjësi të sigurimit të shtetit, bashkëpuntori të sigurimit të shtetit në asnji detyrë shtetnore dhe moslejimi i tyne për hedhje kandidature për poste publike shtetnore si përfaqsues të çdo grupimi politik përkatës.
1.8.Krijimin e nji skuadre profesioniste në bashkëpunim me specialiste të huej në koordinim me interpolin, për ndjekjen e të gjithë kriminëlve, që kanë kryer krime dhe janë largue tue u fshehë në shtetet perëndimore, dhe kthimin e tyne në Shqipni, për t’u përballë me drejtësinë shqiptare.
1.9.Krijimin e nji bordi intelektualësh historianë me ato vendas e të diasporës për të shkruejtun historinë e Shqipnisë totalisht nga e para duke u bazu në fakte e dokumenta
1.10.Ndryshimin e të gjithë emërtimeve sllavo-komuniste të institucioneve shtetnore, shkollave, universiteteve, stadiumeve, kinemave, këndeve sportive, rrugëve, etj dhe zëvendësimin e tyne me emna figurash kombtare .
1.11.Ndryshimin rranjsor të teksteve shkollore dhe zëvendësimin e tyne me ato kombëtare.
 
2.Paskan kalue masnej në fokusimin e integrimit të plotë, të saktë, të drejtë e të menjihershëm të klasës tonë në shoqninë shqiptare tu ju ofrue si ma poshtë;
2.1.Mundësimin e punësimit të tyne
2.2.Mundësimin e strehimit të tyne
2.3.Mundësimin e specializimeve në fusha të ndryshme
2.4.Mundësimin e shkollave të nalta për fëmijët e tyne.
2.5.Mundesimin e dhanies së huave të buta për integrimin ekonomik të tyne.
2.6.Shpërblimin financiar për të gjithë familjet që familjarët e tyne janë; vra, pushkatue, burgos dhe interrnue me apel tue fillue që në fillimin e luftës civile vlla-vrasëse (1943)
2.7.Planifikimin e posaçëm për dërgimin e fëmijëve të kësaj klase që shkëlqenin në mësime në studime pasuniversitare në vendet demokratike perëndimore në fusha të ndryshme, e në veçanti ato për drejtësi, ekonomi e diplomaci, me qëllim pregatitjen e tyne sa më të afërt për drejtimin e shtetit shqiptar.
.
Diktatura Njishit
Diktatura Njishit
3.Normal, tue qenë se ana ekonomike asht boshti i të qenunit të nji subjekti politik i djathtë a i majtë, kjo forcë paska formulue nji program ekonomik të mirëfilltë të djathtë në bashkëpunim me ekonomistë të huej tue pasë si projekt emergjent si ma poshtë
3.1.Zgjidhjen e menjihershme të çeshtjes së pronës private tue i dhanë prioritet maksimal pronarëve legjitimë të tyne.
3.2.Aplikimin e reformave rranjësore ma t’mirfillta kapitaliste
3.3.Planifikimin e projekteve ekonomike emergjente, afatmesme dhe afatgjata.
3.4.Parashikimin e nji plani ekonomik me prioritet hapsirën e trevave etnike për të ardhmen.
3.5.Shfrytëzimin e mundësive për bashkëpunim ekonomik me shtetet tradicionale mike si për bisneset e vogla ashtu edhe për ato të mëdha e në veçanti ato kombëtare.
3.6.Evitimin deri në maksimum të dominimt e veçanërisht të monopolizimit të ekonomisë kombëtare prej vendeve tradicionale armike.
3.7.Stimulimin e investimeve të bisneseve të shqiptarëve të diasporës.
.
4. Natyrisht që për këtë forcë, do të ishte si gjellë e pa kripë të pretenduemit forcë e djathtë, po mos të kishin nji projekt të qartë kombëtar, të cilin e kishin pas mendue pak a shumë si të tillë;
4.1.Shqipnia Etnike asht nji projekt e obligim kombëtar dhe nji kërkesë e domosdoshme e drejtë dhe e llogjikshme, e cila për me u realizue duhet ma s’pari;
4.1.1.Formulimin e nji plani konkret kombëtar për arritjen e këtij synimi kombëtar.
4.1.2.Krijimin e nji Këshilli Drejtues me qendër në Tiranë me filialet e tyne në të gjitha Trevat Etnike Shqiptare (Dardani, Shqipninë lindore, Kosovën lindore, Mal të Zi pa harrue Çamërinë) dhe në Diasporë, enkas për këtë projekt kombëtar.
4.1.3.Fillimin e sqarimit në fillim të popullatës së Shqipnisë Londineze për këtë projekt, e cila kishte pas qenë shpërftyrue pothuejse krejt, përsa i përket vetëdijes kombëtare.
4.1.4.Kordinimin e punëve me të gjitha autoritetet dhe figurat e zgjedhuna dhe të respektueme shqiptare në të gjitha Trevat Etnike Shqiptare
4.1.5.Kordinimin e punës me të gjitha filialet për qartësimin e projektit.
4.1.6.Kordinimin e punëve me Diasporën për gjetjen e mundësive të lobimeve të ndryshme në ndihmë të projektit kombëtar, tue u fokusue kryesisht në SHBA, Europë dhe në mbarë vendet tradicionale mike të shqiptarëve.
 
Akoma pa mbarue mirë, miku im po m’ndërpret tue m’u drejtue me padurim.
-Njitash, po thotë miku im, po jam kurioz me dijtë, nëse ke pa diçka në andërr, që ka të bajë, me performancën dhe ndjesinë e shqiptarëve ndaj saj, marrdhaniet që kjo lëvizje do të ketë pasë krijue e vazhdue me aplikue me forcat politike të krijueme mbas 1990-ës dhe natyrisht ma e randsishmja rezultatet e sajë në veçanti?
-Po si jo, – po i them mikut tim, – zaten kjo asht pak a shumë dhe qershia mbi tortë e andrrës… e po vazhdoj me ja diftue me sa majshem mend…
Po ja po i them; tue pasë parasysh se kjo lëvizje përbahej prej figurave ma të zgjedhuna të persekutuemeve që kanë qenë në burgje, interrnime, prej atyne të emigracionit antikomunist e mbarë të përndjekunve, normal që kjo lëvizje do të ishte në stadin ma të naltë e të dinjiteshëm si për sa i përket programit, ashtu edhe zbatimit të tij, por edhe edhe për sa i përket nivelit të përfaqsimit të sajë, nëpërmjet përfaqsueseve të tyne, në çdo moment të debateve, temave, projekteve, ligjeve dhe vendimmarrjeve te politikës shqiptare. Pra, tue përmendë faktet e masipërme, kjo forcë antikomuniste e djathtë kombëtare e paska pasë konsolidue në mënyrë të habitshme veten e saj dhe paska pas krijue nji reputacion të jashtëzakonshëm jo vetëm në klasën e persekutueme, në saj të drejtësisë, seriozitetit dhe mentalitetit kombëtar, por paska pasë ardhë tue u rritë në mbarë shoqninë shqiptare, normal në përpjestim të drejtë me rritjen e vetëdijes së saj, për aq sa ja lejonte infektimi i t’kaluemes. Pra, në total, arsyet që paskan ndikue me pasë sukses këtë forcë paskan pasë qenë si ma poshtë;
.
Mes miqsh duke folur per Atdheun
Mes miqsh duke folur per Atdheun
1.Ns radhë të parë, siç u theksue edhe ma nalt, përbamja kishte pasë luejtë rol të jashtëzakonshëm, për disa arsye:
1.1.(Përbamja e tyne nënkuptonte pastërti figurash)- Pastërtia e tyne nuk kishte pasë lanë as ma të voglin argument kundërshtarëve me i sulmue e diskretitue në karakter, siç asht ba këto 27 vjet, ndaj figurave të klasës së përsekutueme.
1.2.Kompaktsia e tyne nuk ju paska pas lanë shteg kundërshtarëve me përdorë taktikën; përça e sundo!
1.3.Tue qenë tanë bashkë, në nji parti të vetme, ja u paskan heqë të drejtën e argumentit, në këtë rast PD-së, me u deklarue: Hajdeni ke ne, se ju jeni parti të vogla e të përçamë e shkon vota kot.
1.4.Tue qenë tanë bashkë, ja u paskan heqë argumentin edhe ndonji të lëkunduni a oportunisti të klasës sonë për me përdorë justifikime të tilla si: po ku të shkojmë, Balli e Legaliteti e mbarë klasa jonë janë të përçamë, të paktën po të futemi me PD-ne, vota nuk shkon kot, e diçka edhe ne e përfitojmë; ja nji punë, ja nji shkollë për fmijetë, ja nji ndihmë etj. etj. etj.
1.5.Tue qenë bashkë, në mbështetje të kësaj force, paskan ba të mundun me tërheqë edhe nji përqindje bajagi të mirë të elektoratit shqiptar, që kanë qënë skeptik ndaj bashkëpunimit me PD-në, që në embrion e në program asht e majtë, por pretendon si e djathtë, e sa herë ashtë shfaq ndonji shkëndijë e mirëfilltë antikomuniste asht ba pale me PS-në për me e shue.
2. Në radhë të dytë, siç u tha ma sipër, ishte programi i saj kryekëput i djathtë e me nuancë kombëtare, program që paska ndikue bindshëm në rritjen e preztigjit, tue i ofrue si fillim e ne menyre imediate shoqnisë shqiptare;
2.1.Zgjidhjen e saktë e të drejtë të pronës.
2.2.Ofrimin e disa reformave ekonomike me profil të mirfilltë të djathtë të formulue me ekspertë të nacionalistëve intelektuale të diasporës në bashkëpunim me ekspertë të huej perëndimorë.
 
3.Në radhë të tretë, imponimi i kësaj force nëpërmjet përfaqësuesve të vetë si në nivel qendor ashtu edhe në aë lokal
3.1.Parlament – Tue ofrue ide e projekte të djathta kombëtare, tue mbrojtë fuqishëm të drejtat kombëtare jo vetëm të Kosovës e Shqipnisë lindore por mbarë asaj Etnike, tue ngritë zanin për shtresën e të persekutuemve, tue ngritë zanin për çeshtjen e pronës private, tue ofrue projekte me 0 tolerancë ndaj krimit e korrupsionit.
3.2.Në Bashki e Komuna – Tue ofrue projekte të hartueme prej intelektualëve të diasporës antikomuniste në bashkëpunim me ekonomistë prej vendeve me traditë në demokraci e ekonomi. Tue marrë si shembull në ofrimin e alternativave dhe zbatimin e tyne prej vendeve ma të sukseshme prej vendeve të sipërmenduna.Tue i ofrue të rinjve me prejardhje të djathtë kryesimin e kandidaturave.
 
4.Në radhë të katërt, paska qenë qendrimi i saktë i kësaj force, e që për hir të çeshtjes kombëtare, paska qenë e sinqertë, e drejtë, por absolutisht rigoroze në mardhanie me dy forcat politike të mëdha të krijueme mbas ’90-ës; PS-në e PD-në.
4.1.Në marrdhanie me PS-ne, normal, i paskan kërkue që si forcë e majtë e pranueme prej drejtësisë shqiptare si trashgimtare direkt e partisë së punës (në fakt nuk duhej të ishte pranue si parti, por ky ishte fakt i kryem prej Ramiz Alisë me suitën e tij), nqs pretendonin me qenë ndryshe nga partia e punës dhe kriminelët e saj; Të dënoni krimet e komunizmit, të dënoni aktoret e sajë, të distancoheni haptas ndaj gjithçkaje me të kaluemen kriminale të sajë, të mos lejoni eksponentë të naltë të monizmit në organet drejtuese të sajë, të mos lejoni përfaqsimin e sajë në poste shtetnore ose në parlament. Vetëm nqs do të veproni kështu do t’ju konsiderojmë si kundërshtarë idesh mendimesh e programesh, përndryshe ne do t’ju konsiderojmë armiq tonët e të kombit, sepse me partinë e punës dhe të gjithë veglat e saj na ndajnë lumenj gjaku, parti, që vazhdon të ishte në simbiozë me krimin komunist, e në fakt koha do ta tregonte, se edhe bijtë nuk mujtën me dalë jashtë ADN-së, e Lëvizja Antikomuniste e Djathtë Kombëtare vazhdoi ashpër të përplasesh me kët forcë regresive kombëtare.
4.2.Ndërsa, në lidhje me PD-në, ishte nji situatë e ndërlikueme për arsye se kjo forcë u krijue me demek si opozitë ndaj partisë socialiste dhe pretendonte të ishte e djathtë dhe antikomuniste, por që në realitet dmth në praktike, programi i sajë si nga ana fiskale ashtu edhe sociale të linte shumë për me dëshirue e nuk kishte ndryshim të madh prej PS-së, veçanërisht, për sa i përket pronës, por edhe për sa i përket trajtimit të çeshtjes kombëtare, e pa anashkalue edhe çeshtjen e tq persekutuemve. T’i marrim me radhë të tria kto pika:
4.2.1.Përsa i përket pronës, si PS e Pd, nuk kishin asnji ndryshim prej njena-tjetrës, thjesht ishin si “buka e nji brumi” – 7501-sha .
4.2.2.Për sa i përket çeshtjes kombëtare, normal, nuk ishin të nji stadi me PS, e cila i konsideronte akoma shqiptarët e Kosovës miq, e kinezët vllazën, por nga ana tjetër edhe kto nuk shkonin ma shumë se me kërkue autonomi për Kosovën, pa përmendë këtu çeshtjen e Shqipnisë Etnike, për të cilën, as që bahej fjalë, e antikomunistët, të cilët e kishin si busullën e tyne kryesore të bamunit politikë, konsideroheshin prej të dyja palëve si arkaikë e të prapambetun. etj, etj, raste që do të nxirnin në pah nivelin e dobët të përgjegjësisë kombëtare edhe të PD-së.
4.2.3.Ndërsa, për sa i përket çeshtjes se persekutuemeve, kjo ishte nji fare thembre Akili, për arsye se PD-ja propagandonte me të madhe se ishte ndryshe prej PS-së në lidhje me klasën e persekutueme. E në fakt, për hir të realitetit duhet thanë se ishte, dhe ndryshimi ishte i tillë që: nqs ke PS-ja të persekutuemit do të numroheshin me gishtat e dorës, tek PD-ja do të gjeje me bollëk, për shumë arsye. Ato do t’i shihje, që prej atyne të thjeshtëve, të preferuemve që do të hynin e dilnin ke Presidenti i atëhershëm, e madje deri tek ato që do ta shihnin veten deputetë, e në poste ministrash. E kto fakte, i jepnin në dorë argumentin e fortë PD-së, që: ajo ishte antikomuniste dhe e djathtë, sepse i përkrahte të persekutuemit. Dakord, e të persekutuemit, në përgjithësi e në shumicë, ishin mirënjohës dhe ja shpërblyen me votë kët mirënjohje (madje vazhdojnë në bajagi edhe sot) PD-së. Por, Thembra e Akilit, për sa i përket qëndrimit të PD-së ndaj të persekutuemve, qëndronte në dy fakte:
a.Klasa e persekutueme, ose ma mirë me thanë elita e kësaj klase, Kurrë nuk duhej të lejohej të merrte kryesinë, tëe ndryshonte politikën e PD-së djathtas, e absolutisht kurrë të rrezikonte për të marrë kreun e sajë. Pra, thjesht, nuk duhej të kalonin cakun e argatit, e të shërbyemes si garniturë, të cilën, PD-ja, e shfrytëzonte me u justifikue si antikomuniste dhe e djathtë dhe
b.Në propogandimin e sofistikuem dhe agresiv të PD-së, për panevojshmerinë e krijimit të nji lëvizje antikomuniste të djathtë të vërtetë, dhe sabotimin e çdo ideje, mendimi a plani, a projekti të elitës së kësaj klase, për më krijue nji lëvizje të tillë. Në kët pikë, PD-ja, ishte e gatshme jo vetëm me bashkëpunue me PS-në, por ishte edhe ma e ashpër së PS-ja, për me e shuejt që në embrion nji lëvizje të tillë, krijimi i të cilës, do ta zhveshte PD-në lakuriq, prej të pretenduemit si nji lëvizje antikomuniste të djathtë, e ndoshta edhe ekzistencën e sajë.
Elita e të persekutuemve, e ma konkretisht figurat drejtuese të LADK, e paskan pasë parashikue këtë taktike të PD-së dhe ma n’fund provuen kët lojë të sajë, dhe nuk paskan pasë humbë kohë, por i paskan pasë ba të ditun haptas dhe sinqerisht PD-së, para zgjedhjeve të afërta qëndrore, se: Ne, (LADK) për hirë të kombit, do të kishim dëshirë, për me bashkëpunue me ju, tue pasë parasysh gjendjen e Shqipnisë të katandisun prej sllavo-komunistave dhe vazhdimsisë politike të PS-së si besnike të politikës së etërve, me qëllim nxjerrjen e vendit prej kësaj gjendje te mjerë, por, ky bashkëpunim, do të varet: nëse ju (PD), do të jeni veçanërisht ndaj ktyne pikave:
-Pro zgjedhjeve të drejta, të lira e demokratike dhe pranimit të nji kodi zgjedhor gjithëpërfshirës, dhe zero tolerancë ndaj vjedhjes së tyne.
-Pro zgjidhjes së drejtë të pronës private, e jo asaj të 7501-it.
-Pro çeshtjes kombëtare, tue u prononcue haptas, e pa mëdyshje, të paktën, pro Pavarsisë së Kosovës.
.
Censurë komuniste...
Censurë komuniste…
Normal, si për mbarëvajtjen dhe formën e sistemit të zgjedhjeve, e në veçanti për çeshtjen e pronës dhe asaj kombëtare, PD-ja , nuk paska pasë mundësi me dalë jashtë natyrës, a misionit të sajë. Si rrjedhim, LADK, paska vendosë me u futë e vetme në zgjedhje, tue u përballë egërsisht në debate elektorale si me PS-në ashtu edhe me PD-në. E për arsye të përmenduna ma sipër, kjo lëvizje, paska shkëlqye në opinion, tue marrë frenat në dorë, për sa i përket përfaqsimit të filozofisë së djathtë. Përbamja, organizimi, programi, platforma, serioziteti, vendosmënia dhe shpjegueshmënia e pogramit të saj në popull, prej LADK-së, nuk paska pas kalue pa ra në sy edhe ke të huejtë, e veçanërisht ke miqtë tanë, fakt të cilin, LADK, e paska shfrytëzue në të mirë të Shqipnisë, tue u kërkue ndihmën e tyne në realizimin e disa reformave imediate, që kërkonte në mënyrë emergjente vendi ynë në at periudhë, ku nji prej ktyne reformave paska qenë: krijimi i mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta, e aplikimin e nji sistemi sa ma përfaqsues ndaj votës së shqiptarëve. Megjithë ngritjen e zanit të sajë, rreth rrezikshmërisë së vjedhjeve të votave, dhe veçanërisht ndëshkimin e LADK-së, për arsye të mospasjes përfaqsues të tyne në komisione dhe premtimit të të huejve për sigurimin e mbarëvajtjes së tyne; zgjedhjet diku prej mospasjes traditë demokratike, e në shumicë të paramendueme: zgjedhjet ishin deformue, tue pas të vetmin qëllim: Moslanien në asnji mënyrë, të klasës së përmbysun, me dalë në skenën politike të vendit. Normal, në kët pikë, siç u përmend ma sipër, të dyja partitë, PS e PD, paskan pasë nji mirëkuptim politik të heshtun. Përfundimisht, rezultatet e LADK se nuk përputheshin me realitetin, aq ma tepër kur mendoje dëshirën, motivimin, obligimin, entuziazmin dhe optimizmin që kishte krijue kjo lëvizje tek klasa e persekutueme për me votue. Pra, përqindja e rezultateve paska qenë diku; PS me të vetët rreth 42%, PD me të vetët rreth 46 %, ndërsa LADK e vetme rreth 8%. Si rrjedhim, asnjena prej tyne nuk kishte fitue boll vota me krijue qeverinë e vetme. Tu u gjendë para nji fakti të tillë, paskan pasë fillue tratativat e bisedimeve paszgjedhore midis tana palëve për me pà mundësinat e koalicioneve që do të banin të mundme krijimin e qeverisë. Pra mundësia e koalicionit PS-LADK, LADK e paska refuzue kategorikisht. Ndërsa, variantit të koalicionit PD-LADK, me kërkesë të PD-së; LADK-ja, e paska mendue e shoshitë mirë, e tue u bazue në instinktin shtetformues tradicional, e për hirë të situatës së vendit, e cila kërkonte në mënyrë emergjente realizimin e sigurisë, stabilitetit, ngritjen e ekonomisë dhe mbrojtjen e çeshtjes kombtare; e paska pasë pranue krijimin e koalicionit në princip, por para se me e firmosë; paska kërkue plotësimin e disa kushteve si ma poshtë;
1.Sigurimin nga PD-ja, të ndikimit në mbarëvajtjen maksimale të zgjedhjeve dhe ruejtjen e votave të sajë në zgjedhjet e rradhës bazue në formulimin e nji ligji enkas e tu parapà edhe
2.Mundësimin e nji Sistemi zgjedhor, që nuk deformon votën e shqiptarëve.
3.Disponimin e 4 ministrive, dhe pavarsinë absolute të vendimmarrjeve;
3.1.Të Brendëshme – me qëllim krijimin e stabilitetit, qetësisë, sigurisë së vendit, tue emnue në postet kryesore elementin ma të zgjedhun prej klasës së persekutueme.
3.2.Të jashtme – me qëllim realizimin e projektit kombëtar, tue emnue në postet e ambasadorëve, veçanërisht në vendet me influencë botnore, figura të klasës së persekutueme të kryesueme prej diasporës nacionaliste.
3.3.Të Drejtësisë – me qëllim krijimin e ligjeve me ç’rranjosë komunizmin.
3.4.Të arsimit – me qëllim influencimin në përgatitjen e brezit të ardhshëm, plotësisht ndryshe, prej atij të “njeriut të ri”, tue fillue prej së shkruemes së historisë kombëtare dhe të tana teksteve shkollore; tue pasë në qendër të vëmendjes; familjen, kombin dhe besimin në Zot.
PD, i paska pasë pranue këto kushte, dhe koalicioni paska qenë krijue, dhe ashtu siç pritej me gjithë vështirsinat, LADK, paska pas luejtë nji rol të randsishëm në suksesin e kësaj qeverie, tue zbatue me përpikmëri projektet e sajë në ministritë përkatëse, projekte, që paskan ndikue bindshëm në përmisimin e gjendjes së vendit, por edhe të klasës së sajë.
Si rezultat, LADK-ja, paska ardhë tue u rritë dita-ditës, dhe në zgjedhjet e ardhshme, paska qenë shumë ma e sukseshme si në mesazhin e djathtë kombëtar ashtu edhe në rezultate…
Nuk paska pasë kënaqsi ma t’madhe, se të shifje ajkën e klasës së persekutueme, të bashkueme, tue i dal zot kombit e vetes.
Si përfundim, andrrën po e përfundoj tue ia tregue mikut tim ndjesinë e përgjithsme, që paska dominue në masë, tek çdo pjestarë i klasës së persekutueme nacionaliste, e ajo kishte pasë qenë e ngjashme me atë shprehjen popullore që thotë; Njitash po, “kena se me kë dhe për kë”.
.
Natyrisht, që unë, s’bashku me mikun tim, mbasi mbarova të treguemi andrrën, na pushtoi nji ndjenjë mërzie kur po kthehemi në realitet, e për disa çaste, ishim mpi, e veç rrinim tue pa njeni-tjetrin në sy, e mbas pak, në të njejtën kohë, po na del e njejta fjali ngushëlluese në drejtim të njeni-tjetrit: hajde inshallah edhe pse vonë, nji andërr e tillë po na shëndrrohet në realitet…
Hakik Mena, 22/09/2018
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.