back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Addio Grande Campione…! – nga Adriatik Riza Dosti

Gazeta

Paolo Rossi 1982 - Ulerima kampione te Botes
Paolo Rossi 1982 – Ulerima: Kampione te Botes

Addio Grande Campione…!

nga Adriatik Riza Dosti

Vetëm dy javë pas ikjes së Gjeniut Maradona, bota e futbollit derdh sërish lot dhe serish është në zi…
Një tjetër kampion i madh i saj, është larguar nga kjo botë, gjithashtu në një moshë që s’e meritonte kurrë të ikte kësisoj…
Eshtë shuar në moshën 64 vjeçare, mbas një sëmundje të rëndë furbollisti Paolo Rossi… një nga heronjtë kombëtarë të futbollit italian… dhe një nga idhujt tanë të futbollit, të brezit e të rinisë sonë… një nga legjendat e Botërorit të Spanjës 1982… një nga dy Paolot e mëdhenj të historisë së futbollit italian: [Maldini & Rossi]…
.
Paolo Rossi - (1956-2020)
Paolo Rossi – (1956-2020)
Eshtë shuar Grande Pablito siç e quanin me përkedheli, dashuri e respekt të madh vetë italianët… është shuar e ka ikur Gerd Myleri i futbollit italian… golashënuesi vrasës… sa i ëmbël, po aq edhe i hidhur…
Nuk jeton me ai… që atë që bëri Maradona me 1986, me Argjentinën e tij, e kish bërë 4 vjet më parë, ai me Italinë e famëshme të Bearzzotit dhe një skuadër me të mëdhenjtë Zoff, Gentile, Cabrini, Schirea, Tardeli, Antognonni , Altobelli, Graziani, Causio, Bruno Conti, etj …
I rrezikuar për t’u përjashtuar përgjithmonë nga futbolli e për të përfunduar edhe në burg, mbas atij skandali të bujshëm të “TottoNeros” që njollosi futbollit italian të 40 viteve më parë…
Paolo Rossi, do të shndërrohej pas Botërorit 1982, njeriu më i dashur, më i respektuar: një Hero kombëtar i krejt Italisë…
Kujtoj që kur vizitova për herë të parë Italinë, në verën e 1992, në të parin dyqan librash e revistash në Bari, kam blerë Almanakun… “La storia dei Campioni del Mondo…” dhe shitësi bashkangjitur me të më ka dhënë edhe një goxha poster të madh e të palosur ku nga njëra anë ishte pikërisht: Ai – Pablito Rossi… Heroi i Kupës së Botës së 1982, dhe nga ana tjetër Nacionalja Italiane e atij Botërori me Bearzzotin në krye… Një kujtim që edhe sot e kësaj dite e ruaj me kujdes në bibliotekën time personale sportive…
.
Italia 82 - Kampionë të Botës...
Italia 82 – Kampionë të Botës…
Atë që bëri Rossi në ’82, u mundua ta bënte edhe Toto Schilacci në 1990, por pa e çuar dot ëndrrën e aventurën e tij të bukur deri në fund…
Viti 1982, ishte terësisht i tij i Paolo Rossit…
Mbas një kualifikimi me brekë nëpër këmbë, në grupin e tyre 0-0 me Polonine dhe 1-1 me Perunë dhe Camerunin… në ndeshjet e raundit të dytë Paolo dhe Italia do të shpërthenin frikshëm, për të mos u ndalur më prej askujt…
Do të niste kështu… “La storia piu bella del mondo” historia e mrekullueshme alla Rossi..
Italia mund 2-1 Argjentinën e Maradonës… sikurse Brazili bën të njejtën gjë por 3-2… Pas kësaj ndeshje Zico, do të deklaronte botërisht se kush e mund Brazilin tim e të Socrates, ai do të jetë me meritë kampioni i botës…
Dhe e ka mundur pikërisht Italia, e madje i vetëm fare, duke i shënuar 3 gola, pikërisht Ai, makineria vrasëse e Golit, Golëshënuesi, sa i ëmbël e i padukshëm po aq edhe befasues e vrastar Pablito Rossi…
E më pas edhe 2 gola të tjerë kundër Polonisë… edhe një gol tjetër në finalen 3-1, kundër Gjermanisë… dhe fundi i lavdishëm… Italia Kampione e Botës për të tretën herë, mbas 44 vitesh… dhe Paolo Rosi me 6 gola, shënuesi e lojtari më i mirë i Botërorit 1982…
.
Juventus - Napoli Maradona - Rossi
Juventus – Napoli Maradona – Rossi
Po atë vit shpallet edhe futbollisti më i mirë i botës nga FIFA…
Paolo Rossi lindi në Prato në vitin 1956, dhe luajti fillimisht në Lanerossi Vincenca… më pas tek Como, Peruxhia, Verona, Milan e veçmas tek Juventusi i tij i dashur, ku fitoi pothuajse gjithçka që nga Titulli Kampion deri tek Kupa e Kampioneve…
Luajti për gati një 10 vjeçar me Nacionalen Azzurra… ku në 48 ndeshje shënoi 20 gola…
Absolutisht që krahas emrave të mëdhenj të Piolit, Meazzas, Facchettit, Mazzoles, Rives, Riveres, Anastasit, Bettegas, e deri tek ata të Baggios, Del Pieros, Zolas, Vierit, Vialit , Pirlos, Tottit, etj emri i Paolo Rossit përbën një ndër kapitujt më të bukur të historisë se futbollit italian ndër dekada…
Në mes vitet ’90, në Stadio Comunale… në derbin Juve – Torino e kisha Paolo Rossin vetëm 5-6 karrige larg në tribunën qendrore… dhe herë shihja ndeshjen e herë plot respekt e admirim vështroja Paolon… natyrisht pasi as që e kisha ëndërruar që një ditë një nga idhujt e mi, do ta kisha aq pranë…
Pas ikjes sime nga Shqipëria këtu e 21 vite më parë, mësova se në përbërje të disa yjeve të futbollit italian Paolo Rossi kishte qenë për vizitë dhe për një ndeshje bamirësie në Tiranë… dhe dashamirësit e simpatizantët e shumtë shqiptarë të futbollit italian, por edhe admiruesit e tij personalë kishin përjetuar çaste të lumtura e të gëzueshme me kampionin e madh, por edhe me njeriun e mirë, të paqëm e të qeshur…
Rest in Peace – Big Champ…
Nga sot e tutje, bota e veçmas ajo e Futbollit, do të jetë sigurisht më e trishtë pa ty… por fatmirësisht të paktën do të ruajë përjetësisht kujtimet e tua brilante që le pas, si një kampion i madh e si një prej legjendave të futbollit italian e atij botëror…
10 dhjetor 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.