back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Abuzimi me një minorene: Shkurte Pal Vata – Çelo Hoxha

Gazeta

Çelo Hoxha 2013
Çelo Hoxha 2013

Abuzimi me një minorene: Shkurte Pal Vata – Çelo Hoxha

(standard, 26 janar 2013)

Pas vdekjes, për Shkurtën u shkruan vjersha, këngë, libra, u ngritën lapidare, e bënë anëtare partie dhe efektiv të një reparti kufitar, nuk u kursye asnjë marrëzi, vetëm për të fshehur krimin
1.
Më datën 3 nëntor 1967, Pal Vata, nga Pecaj i Dukagjinit, i dërgoi një letër Enver Hoxhës. Diktatori iu përgjigj më 9 nëntor. Në datën 10 të dyja letrat u botuan me tituj entuziastë në gjithë shtypin. Vetëm “Zëri i rinisë” e botoi një ditë më vonë, sepse nuk ishte e përditshme.
Pali i shkruante diktatorit për fatin e vajzës së tij dhe lumturinë që i kishte sjellë në familje fatkeqësia e saj. Pak ditë më herët, Shkurte Pal Vata, 15 vjeçe, kishte vdekur aksidentalisht në hekurudhë. Sipas të atit, ajo kishte rënë si burrneshë, “si i ka hije nji çike malësore”. Ai ishte i lumturuar që ajo “u nis nga Dukagjini e veshun me rroben malësore” dhe “u kthye në shtëpi me rrobat fisnike të vullnetares së hekurudhës”, që ajo “u nis nga fshati e drojtun, por u kthye me shenjin e sulmueses që i shndriste në gjok, e mbulueme me kunora lavdije, ma e pjekun, ma burrneshë”. Arkivolin, në të cilin gjendej trupi i të bijës, babai nuk e zinte në gojë.
Letra vazhdonte me mburrjen e Palit që as ai, as e shoqja dhe as fëmijët e vegjël të tyre nuk derdhën pikë loti përpara trupit të pajetë të bijës dhe motrës së tyre. Ai kishte bindjen e tij se e bija do të vazhdonte të jetonte së bashku me hekurudhën dhe Partinë e Punës së Shqipërisë. Në datën 2 nëntor, në darkë, familja Vata kishte marrë vendim që vendin e Shkurtës në hekurudhë ta zinte i ati dhe kushërira e saj e parë, moshatare me të, Katrinë Vata. Pali i kërkonte ndjesë Enver Hoxhës që nuk mund t’i merrte edhe djemtë me vete në Rrogozhinë, ku ishte vendi i punës. Ata ishin shumë të vegjël në moshë.
Letra e Palit kuptohet që nuk ishte shkruar prej tij. Në një shkrim biografik për Pal Vatën thuhet se “ai edhe shkrim e këndim ka mësue vetë”. Kjo është një formë e butë për të thënë që ishte analfabet.
Në letrën e Enver Hoxhës flitej për një akt heroik të kryer nga Shkurta, porse çfarë akti kishte qenë ky nuk përmendej gjëkundi. Ai e përgëzonte Pal Vatën që nuk e kishte qarë të bijën e vdekur, sepse, thoshte ai në letër, shqiptarët nuk i qajnë trimëreshat. Sipas diktatorit, vajtja e Palit dhe mbesës në aksion, për të zëvendësuar Shkurtën, ishte patriotizëm socialist. “Partia krenohet me bij dhe bija të tillë të dalë nga gjiri i popullit tonë, i malësorëve trima e të papërkulur që me burrërinë, mençurinë, besnikërinë e frymën e lartë të sakrificës dhe me heroizëm në luftë e në punë, pa u thyer përpara asnjë vështirësie zbatojnë në jetë me një vendosmëri të admirueshme mësimet dritëdhënëse të partisë”, – thoshte më tej në letër diktatori.
Në letrën e diktatorit kishte një rresht që e tregon atë më njerëzor se babain e vajzës. Ai e merr të mirëqenë se Pali duhet të ketë ndjerë një dhimbje të thellë për humbjen e të bijës, diçka që do ta merrte të mirëqenë çdo prind. “Duke mposhtur dhimbjen e thellë që ju shkaktoi humbja e vajzës së dashur… megjithëse i shkuar në moshë, u drejtuat në hekurudhë që ajo të ndërtohet në kohën e duhur për të mirën e gjithë popullit, për lulëzimin e forcimin e Atdheut”, – i shkruante diktatori.
Në letrën e Palit nuk ka asnjë shenjë dhimbjeje apo përpjekjeje për ta mposhtur atë. Letra nuk duket e shkruar nga një prind.
Vdekja e Shkurte Pal Vatës u mësua nga këto dy letra, të cilat u botuan së bashku. Gazetat nuk shkruan për të as në 19 tetor kur ajo u plagos, as dy javë më vonë kur ajo vdiq në spital.

Vullnetare hekurudhe
Vullnetare hekurudhe

2.
Vdekja e së bijës e ndryshoi jetën e babait të saj brenda natës. Në dukje, të paktën.
Pas letrës që i dërgoi Enver Hoxhës, Pal Vata u bë i njohur në gjithë Shqipërinë.
Ai kthye në personin më të kërkuar nga gazetarët (e lëmë mënjanë faktin që ata kanë qenë të urdhëruar ta ndiqnin). Të paktën tri gazeta e bënë personazhin kryesor në reportazhe nga hekurudha. Në 28 nëntor, ai dhe mbesa u takuan me Enver Hoxhën në selinë e KQ të PPSH. Në 30 dhjetor ai iu drejtua popullit, përmes gazetës “Zëri i rinisë”, me një urim për vitin e ri.
Sipas reportazhit të “Zërit të popullit”, dita e 11 nëntorit 1967, në sektorin e Dushkut, nisi me leximin e letrës së diktatorit dërguar Pal Vatës. Letrën nuk e kishte çuar postieri, por sekretari i parë i Lushnjës, Rrapi Gjermeni. Ai e lexoi për Palin dhe të tjerët. Në reportazhin e gazetës “Bashkimi”, leximi publik i letrës ishte bërë në datën 9 nëntor në mbrëmje.
Letrat, reportazhet, takimet, urimet ishin pjesë e një orkestrimi propagandistik të mirëmenduar. Agim Mero, sekretari i parë i KQ të Rinisë, rrëfeu në një intervistë (gazeta “Shekulli”, 20.10.2012) se Ramiz Alia dhe ai ishin njerëzit më të afërt me të cilët Enver Hoxha dirigjonte propagandën.
Në reportazhe, citimet që janë vënë në gojën e Palit, tingëllojnë të sajuara nga shkrimtarë vulgarë.
“Nuk kam pa diell ma parë në bjeshkët e Dukagjinit, dielli i jem asht partija, ajo asht dielli i të gjithëve”, – citohej Pal Vata nga gazeta “Zëri i popullit”. Autori i reportazhit quhej Duro Mustafaj. Sipas gazetarit, Pali punonte me kazmën e të bijës.
Vazhdojnë fjalët që i janë atribuuar Palit, duke folur para një salle të mbushur me aksionistë: “Shokë, Shkurta ish e partisë, unë jam i partisë. Jeta e Shkurtës para interesit të Atdheut s’asht gja, jeta e jeme dhe familjes sonë para partisë s’asht asgja. Kur mendoj që për vajzën teme asht interesua vetë shoku Enver, marr fuqi…”
Gjithë sa thuhet është hipokrizi. Edhe nëse ato që citohen kanë qenë fjalët reale të Palit, nuk kishin asnjë lidhje me realitetin. Ai është paraqitur si një njeri i magjepsur nga gjestet e Enver Hoxhës, por e vërteta është se emri i Shkurte Pal Vatës filloi të merret në konsideratë nga partia, kur dikujt i lindi ideja ta shfrytëzonin për propagandë, sipas modelit kinez të revolucionit kulturor. Deri në datën 10 nëntor, kur u botua letra e Enver Hoxhës, ajo nuk ishte përmendur nga gazeta.
Në “Zërin e popullit” thuhej se “Shkurta e kish zakon ta thoshte me punë atë që ndjente dhe i jati bën të njëjtën gjë: punon shumë e flet pak”. Mirëpo, për vdekjen e kësaj punëtoreje të pashoqe, gazetat nuk dhanë asnjë lajm. Vdekja e saj nuk u raportua as në buletinin e përditshëm të Ministrisë së Brendshme, i cili pasqyronte ngjarjet e ditë në gjithë Shqipërinë.
Mosha e saj 15-vjeçare përmendet gjithandej në artikuj, në poezi, në tregime, në letrën e Enver Hoxhës, por askush nuk ndalet te fakti që kjo moshë tregonte se ajo ishte një minorene, e cila ishte shfrytëzuar për punë. Kur Pali shkoi për t’i zënë vendin të bijës minorene, mori me vete një minorene tjetër, vajzën e të vëllait, Katrinën, tri ditë më e vogël se Shkurta.
Punësimi i fëmijëve në kohën e mbretërisë ishte parë si një nga “krimet” e “satrapit” Zog. Regjimi komunist e kishte kthyer punësimin e minoreneve në platformë kombëtare. Dhe jo vetëm kaq, ata punonin pa pagesë.
3.
Komiteti Qendror i PPSH, banka e ideve të regjimit, në vend që të shkruante një telegram ngushëllimi për familjen e Shkurte Pal Vatës, e çoi dhe më tej marrëzinë kolektive.
Në 15 nëntor, 5 ditë pas letrës së diktatorit për babain e viktimës, KQ mori vendimin për të pranuar anëtare në parti një person të vdekur: Shkurte Pal Vatën. Ky mund të jetë një rast unik në historinë e njerëzimit, nëse nuk ishte huazuar, si të gjitha marrëzitë e revolucionit kulturor, nga Kina.
Në 16 nëntor 1967, vendimi u botua me pompozitet në të gjitha gazetat e përditshme. Edhe në gazetën “Zëri i rinisë”, e cila ishte e përdyjavshme dhe numri i radhës doli në 17 nëntor, ditën e shtunë, lajmi i anëtarësimit të së vdekurës në parti u botua si lajm kryesor. Ja teksti i plotë i vendimit, nr. 155: “Shkurte Pal Vatën, cucën trimneshë 15 vjeçare nga Dukagjini që ra heroikisht në hekurudhën Rrogozhinë-Fier, Komiteti i Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë, me vendim të jashtëzakonshëm e pranoi anëtare të Partisë së Punës të Shqipërisë (pas vdekjes). Dokumentat e anëtarësisë së partisë të shoqes Shkurte Pal Vatës të vendosen në Arshivat e Komitetit Qendror, së toku me ato të shokëve heroikë komunistë që kanë rënë në beteja”.
Sipas “Zërit të popullit”, anëtarësimi në parti ishte një nder i madh për Shkurten e vdekur.
Në gazetë mungonte reagimi i saj.
Pal Vata, apo ata që formulonin citimet e tij, u shpreh për këtë akt: “Ajo [Shkurta] ëndërronte të bëhej komuniste, por nuk i shkonte në mend se mund të bëhej 15 vjeçe. As mua s’më shkonte ndërmend që Shkurta do të kthehej nga hekurudha komuniste. I faleminderit partisë dhe shokut Enver”.
Duke lënë mënjanë groteskun e vendimit, anëtarësimi i Shkurtes në parti ishte një shkelje statusore. Sipas statusit të PPSH, të drejtën e anëtarësimit në parti e kishin personat mbi 18 vjeç.
Marrëzitë e këtij lloji morën dhenë. Reparti ushtarak i kufirit nr. 69 në Kukës e regjistroi Shkurte Pal Vatën si anëtare të efektivit të tij. Në 23 nëntor 1967, Enver Hoxha i shkroi personalisht këtij reparti për ta përgëzuar për veprimin. Mes të tjerash, ai shkroi: “Unë ju përgëzoj që regjistruat në efektivin e repartit tuaj heroinën komuniste Shkurte Pal Vata, emrin e së cilës ju do ta lexoni kurdoherë në numërimin luftarak kur niseni për të kryer shërbimin. Reparti i juaj u forcua kështu një mijë herë më shumë”. Shkurta kishte 20 ditë e vdekur.
Një parti që anëtarësonte dhe një repart që regjistronte pjesë të afektivit një person të vdekur tregojnë qartë se strukturat e pushtetit komunist ishin në gjendje çmendurie. Kur i lexon ngjarjet e vitit 1967, Shqipëria i ngjan më shumë një çmendinë. Shoqëria në përgjithësi ishte në rregull, por ajo duronte në heshtje.

Gratë në hekurudhë
Gratë në hekurudhë

4.
Me kalimin e ditëve marrëzia u kthye në epidemi. Shkrimtarët dhe artistët e kanë të dokumentuar çmendurinë e tyre.
“Poeti Fadil Kraja dorëzoi për shtyp një broshurë kushtuar Shkurte Pal Vatës dhe tani po punon për përfundimin e një poeme”, – thuhet në “Zërin e popullit”, 15 nëntor 1967.
Sipas gazetës, e cila e ka marrë lajmin nga ATSH, Frederik Reshpja, Vehbi Çanga dhe Preng Lëkunda po punonin për krijimin e një drame. Një numër letrarësh të tjerë kishin shkruar poezi. Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Shkodër organizoi një takim me “punonjës të krijimtarisë”, ku, për veprën e Shkurtes, foli sekretari i komitetit të partisë së rrethit, Xhemal Dini. Shkrimtarët dhe artistët premtuan që ta pasqyronin në veprat e tyre “aktin e saj heroik”.
Poema e Fadil Krajës u botua të nesërmen, më 18 nëntor, në gazetën “Zëri i rinisë”. Gjithë thelbi i poemës me rreth 230 vargje është shqetësimi që me vdekjen e Shkurtes në hekurudhë ka mbetur një kazmë më pak:
“Hej, në hekurudhë/ nuk punon nji kazëm/
ngrihuni o male/ turruni, o vllazën”.
Në të njëjtin numër të gazetës, Frederik Reshpja ka botuar një skicë, Ndoc Papleka poemën “Buzëqeshja e Shkurtes” dhe Hysni Milloshi vjershën “Shqiponja e Dukagjinit”, i cili ka futur tek-tuk ndonjë fjalë gegërishte. Pjesa tjetër është mbushur me poezi nga autorë, të cilët edhe unë që kam dekada që merrem me lexime nuk ua kam dëgjuar kurrë emrat. Mes tyre janë dhe dy të mitur, nxënës në 8-vjeçare.
Dritëro Agolli rezulton të ketë qenë penë ekskluzive e “Zërit të popullit”, organit të KQ të PPSH. Ai shkruante reportazhe ose përkujtimore. Me rastin e njëvjetorit të vdekjes së Adem Rekës, një hero tjetër i revolucionit kulturor, ai bën edhe këtë ndërfutje në artikullin e tij: “Tesera e kuqe e partisë e Shkurte Pal Vatës, ashtu si tesera e kuqe e Adem Rekës dhe e shokëve të tjerë heroikë komunistë radhiten në arshivat e kuqe të partisë”.
Agolli shkruan se “komunistja më e re e gdhendi emrin e saj në përmendoren e dëshmorëve”, por Shkurta, kur vdiq, nuk ishte anëtare partie. Komuniste u bë fantazma e saj.
5.
Historia e familjes së Pal Vatës, e përfshirë në spiralen e propagandës, i ngjan fatit të një zogu të plagosur në duart e egërsirave. Ato e masakrojnë pa pikën e mëshirës.
Familja Vata ishte një familje e varfër nga Pecaj i Dukagjinit. Pecaj ishte një fshat me rreth 25 shtëpi, i vendosur në një pllajë të vogël, në pjesën jugperëndimore të malit Arshell. Banorët e tij në Shkodër kanë qenë të njohur për prerjen e drurëve. Ata zbrisnin në Shkodër nga fundi i nëntorit dhe e kalonin dimrin duke prerë dru nga lagjja në lagje.
Babai i Palit shkonte për të prerë dru në Kosovë dhe aty vdiq. Edhe Pali shkoi në Kosovë për të punuar, veçse jo si druvar, por si kosaxhi (këtë punë që veriorët e vazhduan edhe gjatë komunizmit, edhe në kohën e demokracisë, por tani shtegtonin brenda Shqipërisë, në zonat e jugut. Për këtë jam dëshmitar vetë, sepse shumë prej tyre kanë ardhur edhe në fshatin tim, Kolonjë e Gjirokastrës).
Në Kosovë ai u martua me Zojën, shtëpia e saj ishte një prej atyre ku ai shkonte për të korrur grurin. Në një biografi të tij thuhet se u largua nga Kosova, sepse vrau një serb. Nuk dihet sa i vërtetë është ky fakt. Shpjegimi që jepet në librin “Një bie, mijëra ngrihen”, se gjoja serbi i kishte sharë “atdheun”, është i pabesueshëm.
Pal Vata kishte gjashtë fëmijë, dy djem e katër vajza. Në biografi, numërimin e tyre e kanë bërë si kafshë: “dy mashkej e katër femna”. Shkurta ishte e treta. Njëra, Agia, ishte e paralizuar.
Pamja e saj nuk ka mbetur e fiksuar në asnjë fotografi. Edhe ilustrimet e gazetave janë shoqëruar me një portret të vizatuar.
Në kohën e fëmijërisë së Shkurtës, Pecaj nuk kishte shkollë. Së bashku me fëmijët e tjerë ajo shkonte në Abat, një orë e gjysmë larg. Aty kreu katër klasë shkollë.
Pas shkollës ajo punoi në shtëpi. Ndihmonte në mbjelljen e patateve, korrjen e misrit, shkoqjen e tij, vilte gështenja në Kashnjet, shtypte rrush dhe kumbulla, digjte raki, ndihmonte në mbledhjen e barit, druve etj.
Në 1966, Pecaj u fut në kooperativë. Shkurta shkoi në punë, ende minorene.
Në propagandën e vitit 1967, thuhet se kongresi i 5-të i PPSH, 1966, dhe letra e 2 shkurtit (1966) e Enver Hoxhës e ndryshuan jetën e gruas shqiptare, por në rastin e Shkurtes nuk ndryshoi asgjë. Nga puna në kooperativë, ajo shkoi të punonte në rrugën Rrogozhinë-Fier. Ndryshimi ishte ky, 14 vjet pranë familjes, pavarësisht nga vuajtjet dhe vështirësitë, jeta nuk iu rrezikua. Kurse mjaftuan vetëm disa muaj në aksion dhe jeta e saj u ndërpre barbarisht, për faj të politikave antinjerëzore të regjimit. Një vajzë me 4 klasë shkollë dhe minorene, ishte preja më e lehtë e propagandës, ashtu si kishte ndodhur me shumë minorene e minorenë të tjerë, që gjatë luftës iu bashkuan çetave partizane.
6.
Dyzet e gjashtë vjet më vonë, mund të japim, më në fund, një lajm për vdekjen e Shkurte Pal Vatës, duke u bazuar në raportin ditor të Ministrisë së Brendshme.
Sipas komunikatës ditore nr. 244, datë 20 tetor 1967, më 19 tetor në sektorin e Dushkut në Lushnjë ishte plagosur e goditur nga një sasi dheu vullnetarja Shkurte Pali, 15 vjeçe. Minorenia u shtrua urgjentisht në spitalin lokal, gjendja e saj ishte e rëndë.
Më 20 tetor, në të njëjtin sektor ishte plagosur Mira Lleshi, nga Pusteci i Korçës, e martuar në Kryezi të Pukës. Gjendja e saj paraqitej shumë e rëndë, shkruhej në komunikatën ditore të policisë nr. 245, datë 21 tetor 1967.
Në 4 nëntor 1967, në komunikatën nr. 256, u njoftua se vdiq në spitalin e Lushnjës e plagosura Shkurte Pali.
Data e vdekjes në letrën e babait dhe ajo në komunikatë nuk përputhen. Ai thotë “pardje ma sollën në shtëpi trupin e saj”, letra mban nënshkrimin 3 nëntor, policia e ka lajmëruar në datën 4, zakonisht një ditë pas ngjarjes.
Kaq ishte historia e saj. Asgjë për t’u heroizuar. Një fëmijë, e mashtruar nga propaganda dhe presioni i shoqërisë, shkoi të punonte në hekurudhë. Arsyet e vdekjes janë dy: ose ajo nuk ka respektuar kushtet e sigurisë në punë, ose organizatorët e punës nuk kanë pasur kushte sigurie të mjaftueshme në repartin e Dushkut. Në rastin e dytë, organizatorët e aksionit dhe drejtuesit e atij reparti mund të ndiqeshin penalisht. KQ i PPSH nuk përjashtohet nga përgjegjësia, punësimi i minoreneve bëhej me lejen e tij. (standard, 26 janar 2013)

Historia e Shkurte Pal Vatës dhe e “heronjve” si ajo është dëshmi e shfrytëzimit të pashpirt të njeriut që i bëri regjimi komunist, duke manipuluar kryesisht me pafajësinë dhe dijen e kufizuar të brezit të ri.
Bibliografi e shfrytëzuar për këtë artikull: AQSH, F. 14, V. 1967, Dosja 17; gazeta Zëri i Popullit 20 tetor 1967, 10, 11, 16, 17, 19, 21, 22, 23, 25, 28 nëntor 1967 dhe 2, 8, 9, 17, 20, 31 dhjetor 1967; gazeta Zëri i Rinisë 8, 11, 18, nëntor 1967 dhe 30 dhjetor 1967; gazeta Bashkimi 3 tetor 1967, 4, 10, 11, 12, 17, 18, 21, 23, 28 nëntor 1967 dhe 8 dhjetor 1967. Libri “Një bie, mijëra ngrihen”, përmbledhje artikujsh për Shkurte Pal Vatën, 1967.
Shkurta pa foto, Pali pa shtëpi

Agim Mero tregon se me hekurudhën Rrogozhinë-Fier do të rifillonin sërish aksionet e mëdha të rinisë: “Në atë kohë KQ i Rinisë i dërgoi një letër KQ të Partisë ku i kërkohej që hekurudhën Rrogozhinë-Fier ta ndërtonte rinia. Dhe ashtu u vendos. U morën të gjitha masat nga e KQ të Rinisë dhe Ministria e Ndërtimit. Duhet të shpjegoj se shteti kishte detyrimet e tij të mëdha.
Përcaktoheshin specialistët e inxhinierët dhe një numër i madh punëtorësh të kualifikuar, që punonin bashkë me vullnetarët. Punimet nisën e 3 shkurt 1967. Punuan 60 mijë vetë në një trase rreth 80 km të gjatë. Komandant i shtabit ishte i ndjeri Llambi Shella, i cili më pas u zëvendësua nga vajza 19-vjeçare Dhora Jançe. Ndërsa kryeinxhinier i aksionit ishte Shkëlqim Bumçi. Në këtë aksion në brigadat e Dukagjinit ishte 15-vjeçarja Shkurte Vata. Një ditë, duke punuar, atë e zuri dheu dhe pas dy ditësh vdiq në spital. Ajo u bë një shembull frymëzimi për të gjithë në atë kohë. Nga Lushnja shkoi në fshatin e saj Pecaj brigada vullnetare e Lushnjës dhe i ndërtoi shtëpinë, ndërsa Pal Vata, babai i Shkurtes, erdhi për ca ditë në aksion në vend të së bijës. Ndërkohë, unë isha në zyrën e Ramiz Alisë, ku po diskutonim rreth masave për ceremoninë që do të zhvillohej me këtë rast. Për fat të keq, Shkurta nuk kishte asnjë fotografi, pasi ajo nuk kishte as moshën për të marrë pasaportën dhe s’kishte as foto pasaporte. Kur po bisedonim rreth këtyre çështjeve, në zyrë futet Enver Hoxha. Ramizi i tregoi rreth temës që po bisedonim, duke i thënë se me këtë rast ishte menduar të bëhej një ceremoni në Shkodër. Atëherë Enveri tha: “Shumë mirë keni menduar. Por unë kam një mendim tjetër. Shkurte Vata të pranohet në Parti pas vdekjes. E di që në këtë mënyrë do të thyejmë statusin, i cili përcakton moshën 18 vjeç për të filluar procedurat, por kjo vajzë e meriton”. Dhe kështu u bë, të nesërmen doli vendimi i KQ për pranimin e Shkurte Vatës si anëtare partie pas vdekjes. Pastaj Enver Hoxha vazhdoi: “Mendoj gjithashtu që t’i ngrihet një bust tek vendi ku ka rënë dhe kur trenat të kalojnë aty, t’u bien sirenave”. Edhe në këtë punë ashtu iu bë. Skulptori Muntaz Dhrami bëri bustin e saj, ku Enver Hoxha në 28 qershor 1968 vendosi një tufë me lule. Në korrik të po këtij viti Enveri bëri një vizitë tek të rinjtë që punonin në sektorin Këmishtaj. Po në këtë kohë kishin shpërthyer revoltat e studentëve në disa nga kryeqytetet evropiane. Enveri pasi foli për punën më pas u përqendrua tek greva e studentëve në Paris e Romë e tha: “Ja, ju jeni në valën e punës, ndërsa në perëndimin kapitalist studentët bëjnë greva”. Kjo hekurudhë përfundoi me rastin e 60-vjetorit të ditëlindjes së Enver Hoxhës në 16 tetor 1968. Ceremonia u organizua në Fier. Aty fola unë e më pas Enver Hoxha.
Marrë nga gazeta “Shekulli”, 20 tetor 2012  

Jozef Radi 2000
Jozef Radi 2000

Tragjikomikja jonë që s’na ndahet ndër kohra… Jozef Radi

(Reflektim si bashkohës i Shkurte Pal Vatës)

Ngjarja me Shkurte Pal Vatën, Heroina 15 vjeçare “Made in Albania”, ose ndryshe Lejfenia e Dukagjinit, përbën nji nga grotesket ma të mëdha e ma të pashembullta që prodhoi epoka diktaturës dhe makina propagandistike e komunizmit…
Fakti që n’at kohë kam qenë në kufjitë e të qenit 10-11 vjeç, pra pak ma i vogël se Shkurta po gjithsesi i nji brezi me të; fakti tjetër që hekurudha kalonte nëpër territore që i njihja mirë, si fjala vjen sektorët Zhamë, Dushk, Plug, Savër, Saravë, Këmishtaj, Gradishtë, etje.; fakti që shpesh herë kam shkuar te vullnetarët e asaj hekurudhe dhe mendoja nëse mund të vinte ndonji kohë q të bëja edhe unë hekurudhë…; sepse ajo vepër mbeti edhe nji idiotësitë më të mëdha të regjimit, sepse punohej me urdhër dhe pa projektet dhe idetë e specialistëve, sepse në zonën e Savrës, (që më parë kish qenë kënetë), e bënë trasenë me dhe të ngjeshur duke hapur në dy anët e trashesë dy kanale të mëdha që ne fëmijët i shëndrruam në “plazhet e hekurudhës” dhe aq shpenzime u bënë në at segment rruge që pësonte ulje të vazhdueshme sa treni në krejt zonën e Savrës s’i kalonte 20-30 km në orë, dhe ne aq shpesh i qepeshim edhe trenit mbrapa… si të ishte karrocë. Shpenzimet e asaj cope rruge që mbeti problem mund ta kishin bërë krejt hekurrudhën Fier-Lushnje mbi kollona betoni!!!

Heroi kinez i viteve '60 - Lei Feng
Heroi kinez i viteve ’60 – Lei Feng

Po le të kthehemi te Shkurta e Dukagjinit, që mbas shirave të shumtë të asaj vjeshte, e zuri dheu nji ditë nëntori kur punohej pa asnji siguri teknike… bile thuhej se rrezikzeza kishte shkuar për nevoja personale… dhe masivi  i dheut e futi nën vete dhe vdekja i erdhi pse shumica e atyre që i shkuan në ndihmë, u përpoqën ta shkulin me forcë nga dheu…
Vdekja e saj tragjike, u kthye në një fenomen të dhimbshëm, tragjik dhe qesharak… ku krejt shteti shfaqet para nji fëmije, mbasi ia përdhosi jetën ia përdhosi edhe vdekjen duke e bërë kryefjalë të krejt jetës publike Shkurte Pal Vatën: Dhe si nji epidemi fruthi fëmijët e krejt shkollave të Shqipërisë duhet të vinin lule ku kishte rënë ‘heroina’; poetët dhe gazetarët duhet të mbushnin librat, gazetat dhe televizionin me emrin e saj; hartimet e shkollave tetvjeçare dhe te mesme fillonin me pyetjen: “Çfarë ju frymëzon Shkurta?”; skulptorët dhe piktorët derdhën artin dhe pa nji foto të saj ia ndriten portretin me ngjyra dhe e derdhën ne bronx bustin e kësaj heroine me katër klasë shkollë; muzikantët, këngëtarët dhe festivalet duhej t’i këndonin ma së pari asaj; partia shkeli rregullat dhe statutin për pranimin e komunistëve të rinj; shoferët e makinave dhe të trenave duhej t’i binin tri herë borive kur kalonin para lapidarit të Shkurtës; Pal Vata, i ati, shkonte brigadë më brigadë dhe u thoshte vullnetarëve “Shkofshi e ardhshi si Shkurta eme”; ushtria nën shembullin e saj e regjistroi si pjesë të efektivit në mungesë; dhe ma së fundit ata që i erdhën hakut këtij superfenomeni grotesk mbetën batutaxhitë e Shkodrës që e përcollën kët fenomen të çmendurisë kolektive, me nji humor të papamë, ku emri dhe figura e Pal Vatës, krahas elozheve dhe lavdisë shtetërore, u shëndrrua në nji lloj Nastradini dhe çdo barsaletë e kohës fillonte pikërisht me të… Pal Vatën!
Po jap veç disa prej tyne:
“Zbret Pal Vata n’Shkodër dhe bleu i biçikletë të re… Te nji shtyllë, ku ishte lajmërimi i vdekjes së nji gruaje të re, ai e ndal biçikletën dhe shkon me mbarue punë te nji dyqan aty afër. Kur kthehet s’e gjen biçikletën, mërzitet dhe asht gati me qa… Nji kalimtare e sheh ashtu të përlotun, sheh edhe shtyllën dhe i thotë: “Mos u mërzit mor burrë… ça me ba, i ka jeta kto, po gajret… Po, a ishte e re? Po, krejt e re ishte, – ia kthen Pali – veç nji herë i pata hypë!”
I thonë Pal Vatës: “A e din mor burrë, se paska dalë nji ligj që duhet me i hjekë krejt bagtinë edhe nga zonat ma malore… Jo more? Habitet Pali… Pasha t’madhin zot, unë e Enveri s’dimë gja, ne pastë ba Mehmeti, me kokë të vet!”
“E ftojnë Pal Vatën te vila e Enverit… dhe po shetit nëpër lulishte, gjithkund blerim, gjithkund lule dhe po habitet i shkreti… Po ti paske gjith kët livadh mor baca Enver, a ta bi lopën teme dhe e ndajmë qumshtin përgjysë…?!”
Me histori të kësaj natyre u mbush ajo kohë…  E ndërsa ai shtet grotesk dhe perbindesh punonte intensivisht në shplamjen e trunit, në krahun tjetër ishte humori me të cilin e përcillte ajo pjesë kundërshtuese regjimit që s’e donte komunizmin dhe përpiqej që at farsë bajate të shtetit, ta shfaqte ashtu nën zë si komedi…
17 gusht, 2013

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

  1. Kam qenë në klasën e shtatë dhe më kujtohet shumë mirë e gjithë historia e atyre viteve. U botua edhe një shtojcë për leximin letrar, në mos gabofsha emri ishte antologjia e leximit letrar që shkruhej vetëm për Shkurte Pal Vatën dhe unë kam marrë një notë katër se u gjenda i papregatitur në mësim nga mësuesi i im i leximit… I ndjeri Hektor Bregasi.

  2. Përgëzime për shkrimin dhe për kërkimin dhe informacionin e afruar. Nga këndvështrimi i kohës që jetojmë është tragjiko-komik, pasi tani kemi njohuri mbi të drejtat e njeriut e të fëmijëve, po përgjat diktaturës ishim Tabula rasa në këtë drejtim, kështu që manipuloheshim lehtë, edhe me dëshirë edhe pa dëshirë, si të merrte rrjedha e rrethanave…Desha të shtoja faktin se fati i Shkurtës ishte shënuar që me emrin që i kishin vënë Shkurte – e shkurtër, u shkurtoftë… jo se kjo solli jetën e saj të shkurtër, po tregon se me sa ‘dashuri’ e kishte pritur familja ardhjen e saj në jetë!!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.