back to top
18.5 C
Tirana
E diel, 17 Maj, 2026

Abaz Kupi: Thirrje popullit Shqiptar dhe gjithë partive politike.

Gazeta

Abaz Kupi: Thirrje popullit Shqiptar
Abaz Kupi: Thirrje popullit Shqiptar
Abaz Kupi: Thirrje popullit Shqiptar dhe gjithë partive politike

Më dt. 26.08.1944 Abaz Kupi do t’i drejtohej me një thirrje të gjithë shqiptarëve dhe partive politike që të shmangnin luftën civile (vëllavrasjen) që kishte filluar PKSH: –
“…Jemi në vllavrasje! Po lufton shqiptari kundër shqiptarit! Ç’fatkeqësi! Plagët që na i çelë armiqtë nuk na mjaftuan, çelnë dhe po çelim plagë të reja…” (F.270.1APL-10-004 AQSH Tiranë)

Major Abaz Kupi - (1896-1976)
Major Abaz Kupi – (1896-1976)

Vëllezër shqiptarë
Shqiprija jonë e shtrenjtë është e mbytur në gjak e në tmerr; e zhytur në anarhi në një vllavrasje në një katastrofë.
Atdheu është në rrezik!
Ekzistenca jonë po pëson tronditjen më të madhe të historisë. Ky rrezik nuk mund të largohet deri sa shqiptarët të përçarë e të përndarë nuk do të bashkohen të gjithë rreth një qëllimi të vetëm:  “Shpëtimi i Shqipërisë!”
Dramatiseti i gjendjes së sotme është i pakrahasuarshmë me çdo tragjedi që ka kapërxyer vendi i jonë, dhe ky po na trondit, e është gati të përmbysë e të shkretojë edhe themelet e mbetur të gërmadhavet shqiptare. Kësaj gjendjeje duhet t’i japim fund!
Duhet të bashkohemi të gjithë dhe zisë e rrebeshit që po pëson vendi i ynë t’i themi: “ndal!” e “mjaft më!”
Le të lihen më nj’anë pasioni dhe frika, simpathitë e antipathitë. Le të harrohen këto! Le t’i zgjasim dorën njeri tjetrit sepse vetëm një trupëzim forcash të këtilla mund të sigurojë shpëtimin e Shqipërisë dhe shpëtmin nga zhdukja e përjetëshme e popullit shqiptar!
Ideologjitë, rrymat politike, antagonizmat lokale, inatet personale, pasionet politike duhet të mënjanohen derisa të kapërxejmë greminën e rrezikut dhe deri sa të sigurohet shpëtimi i Shqipërisë!
Katundet që digjen, shtëpitë që shkatërrohen, rrugat e urat që prishen, nuk mund të rregullohen me të hollat e popujve të huaj, por me mundimet dhe djersën t’onë.
Mesatarja e përditëshme midis të vrarëve e të plagosurve ndërmjet bijve të vendit t’onë është e tmerrëshme dhe kjo vllavrasje nuk ka kuptim! Përse derdhet kjy gjak? Vetëm për t’u shkatrruar !
Bashkimin na e imponon interesi i Atdheut, sepse po të veprojmë kështu jo vetëm miqtë t’anë por edhe armiqtë do t’i detyrojmë të na nderojnë më tepër. Kjo është rruga e shpëtimit dhe e lumturisë, prandaj Zoti na ndimoftë dhe le të bashkohemi sa më parë që të jet’e mundur për me i prè hovin çdo rreziku që mund të na vijë.
Jemi në vllavrasje!
Po lufton shqiptari kundër shqiptarit! Ç’fatkeqësi! Plagët që na i çelë armiqtë nuk na mjaftuan, çelnë dhe po çelim plagë të reja. Vrasjeve të kryeme prej anmiqve po iu shtojmë vrasje që i bajmë me dorën t’onë. Po rrënojmë shtëpira, po prishim katunde. Po madhojmë mjerimet e popullit t’onë! Do të qajmë të gjithë së bashku kur do të kuptojmë se kjo grindje dhe vëllavrasje nuk ka për t’i sjelle fitim asnjerës anë, por vetëm shkatërrimin e Atdheut. Mjerisht at’herë do të jetë vonë!Historija na tregon se çdo brezi të një populli i takon të plotësojë ndonjë detyrë të rëndë kur i shfaqet rasa, këtë herë kjo detyrë na përket neve që ta plotësojmë. Çdo moskuptim, ose çdo mosmarrëveshtje e kundërshtim ndërmjet nesh mund ta zgjidhim me urtësi, në kohën e duhur, por në kryemjen e kësaj barre duhet të jemi së bashku e të japim dorën njëri tjetrit me dashuri e me zemër të pastër!
Kam qenë gjithmonë i mendimit për një bashkim të përgjithshëm dhe për herë këtë mendim dhe këtë përpjekje jam munduar ta zbatoj duke evituar brenda mundësive vëllavrasjen të padëshiruar dhe të dënuar prej popullit shqiptar!
Jam mëse i sigurt se të gjithë shqiptarët me lot ndër sy kërkojnë bashkim të sinqertë të të gjitha Organizatave Politike të Shqiprisë për pajtimin e zemrave, për ndalimin e vëllavrasjes sa të përgjakshme, dhe kaq të dëmshme, prandaj për hir të Atdheut i bëj thirrje popullit Shqiptar dhe gjithë partive politike të Shqipërisë, që të përpiqen që të gjithë për t’i mrrijtë një bashkimi të përgjithëshëm, sepse nevoja e momenteve tepër kritike këtë e urdhëron dhe interesi i Atdheut këtë imponon!
Abaz Kupi
Nga malet e Shqiprisë 26.08.1944
Marrë nga faqja e Fb Ilir Kuka – Neutrale

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.