
A ka pasur “Katovicë Shqiptare”?
nga Hasan Bello
“Katovica” është një mit politik shqiptar që i referohet një “marrëveshjeje sekrete” të hartuar nga udhëheqja komuniste në fund të viteve ‘80 (rreth vitit 1989), për të organizuar kalimin “paqësor” të ish-komunistëve në pushtet edhe pas rënies së komunizmit.
Thuhet se “marrëveshja” u frymëzua nga programi i Partisë Komuniste Polake në qytetin Katowice (në Poloni), ku u zhvilluan takime për reformimin e sistemit socialist para shembjes së tij.
Çfarë përmbante “Katovica shqiptare”?
Sipas rrëfimeve jozyrtare, ajo përmbante pika si:
-Ndryshimi i formës së regjimit, por jo i thelbit të pushtetit;
-Kthimi i ish-komunistëve në “demokratë”;
-Privatizimi i pasurisë publike në duart e ish-funksionarëve;
-Kontrolli i mediave dhe drejtësisë në tranzicion.
Por asnjë dokument i tillë nuk është gjetur ndonjëherë, as në arkivat shqiptare, as në ato të ish-bllokut lindor.
Prandaj, “Katovica Shqiptare” është një teori konspirative që përdoret për të shpjeguar si arritën ish-komunistët të ruajnë ndikimin e tyre pas vitit 1991. Ajo nuk është dokument historik, por një metaforë politike për tranzicionin e kontrolluar.
Por a ka pasur diçka të ngjashme me Katovicën?
Sigurisht që ka pasur! Përveç eleminimit të elitave pro-perëndimore dhe të arsimuara jashtë, të cilët u asgjesuan pjesë pjesë gjatë 45 viteve të regjimit komunist dhe me “goditje të përqendruar” siç ishte bomba në ambasadën sovjetike, u morën masa për të përgatitur elitën prokomuniste. Një pjesë u shkollua në vendet e Bllokut Lindor, një pjesë brenda vendit, e cila më pas u dërgua në Perëndim për kualifikime afatshkurtra dhe specializime (MA, Dr etj).
Sipas të dhënave të burimeve të hapura, që vijnë nga ish-funksionarë të lartë, Sigurimi i Shtetit që në vitet ‘70, kishte krijuar drejtorinë e agjentëve të fjetur (të konservuar), të cilët në rast të një ndërhyrje nga jasht do të infiltroheshin në strukturat drejtuese të shtetit. Nuk e di se sa e vërtetë është kjo, por ajo që të bën përshtypje është se pas ‘91, vendi është drejtuar nga elita e prodhuar nga regjimi komunist. Nga individë me lidhje të forta me sistemin.
Personalisht jam i mendimit se rënia e regjimit komunist ishte “shpërthim i kontrolluar”. Te ne, nuk ka pasur Katovicë në kuptimin historik të fjalës, por kopilë politikë të regjimit komunist. Dhe ajo që vihet re sot, shumë fëmijë spiunësh…
Marrë nga Muri i FB Hasan Bello, 15 tetor 2025