back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

A funksionon Instituti i Rehabilitimit? nga Shpend Sollaku

Gazeta

Poeti Shpend Sollaku në fund të viteve '70
Poeti Shpend Sollaku në fund të viteve ’70

A funksionon Instituti i Rehabilitimit?

nga Shpend Sollaku

“Rehabilituam” të huajt. Ç’bëjmë për shqiptarët?

Nga rubrika: “Kujtesa historike përmes shkrimesh…”

Shënim: Ky shkrim është i vitit 1991, i botuar në numrat e parë të «RD»-së, atherë kur besoja se kjo gazetë shpresëdhënëse do të ishte vërtetë pasqyrë e brezit më demokratik shqiptar. Dërgova disa shkrime në kët organ të parë opozitar, derisa atje nuk kishin hyri ne redaksi X-i apo Y-i, ish-ët që mbanin erë… Ka ndonjë gabim daktilografik, sepse atëhere dorëshkrimet ia dërgonim sekretarisë, mbasi një makinë shkrimi në shtëpi ishte nji luks për disa të pakët, e jo për ne…

Në një program të TVSH, për pak u përlota, kur në ekran nisi të këndojë Gloria Gaynor. S’ishte aspak efekti i zërit të këngëtares së njohur, por një kujtim i viteve të gjimmnazit. Në prag të provimeve të maturës, sekretari i parë i rinisë pë Lushnjen, Gj. Velo “na përjashtoi” nga shkolla që në rrugë, pasi na “zuri mat”, në periferi, duke kënduar pa zhurmë me kitarë këngën “Reach Out”, që dëgjova tani vonë në TV. Shtoi këtu dhe xhepat pllakë të pantallonave kadife dhe agjentë të revizionizmit(!). Shto këtu dhe raportimin që kisha shtuar “mbi normë” një element të antenës së televizorit, (elementi ishte agjent i imperializmit). Eh, “famëmadhi” plenium i katërt! Lëshove rrugëve instruktorë dhe sekretarë rinie, makinat nuhatëse të policisë, që shqyen pantallona e funde vajzash, caktove (të paktën kështu na thoshte drejtori i shkollës) normën e gjatësisë së flokëve, (jo më shumë se 2 – 3 cm) vure kufirin e favoriteve deri në kockën në tëmth, që u quajt “kocka e partisë”!!

Shkrimi i Sollakut ne RD
Shkrimi i Sollakut ne RD

Politika lejfenizuese (lavdi kohës!) mori fund. U rehabilituan edhe flokët, edhe xhepat pllakë, u rahabilituan antenat, u çʼilegalizua shikimi i RAI-t, u rehabilitua Amerika, Bashkimi Sovjetik, edhe Izraeli, armiqtë më të mëdhenj të popujve, sidomos të Shqipërisë. Dhe sipër ironi, ditën e 1 Majit, të cilën ishim mësuar ta festonim “me flamujt e ndritur të fitoreve”, u rehabilituan në masë rrock-menët e pop-menët dhe tërë “dreqërit” që dolën befasisht nga shishja.
Brezi i të rinjve, që jetoi terrorin psikologjik pas të ziut Plenium të Katërt, e sheh me dyshim e nostalgji njëherësh procesin e sotëm të ringjalljes.
Përshembull, atyre u kujtohen me dhimbje zërat e mrekullueshëm të Sherif Merdanit e Justina Alisë, të Françesk Radit e Novrus Yzeirit dhe sa e sa artistëve të tjerë. Justinën dhe Françeskun edhe po i shohim. Për Nevrus Yzeirin nuk e di se ku ndodhet, as se ku punon dhe në e ka ruajtuar zërin apo jo. Por Sherif Merdanin e kam rinjohur në një befasi prekëse.

Këngtari Sherif Merdani
Këngtari Sherif Merdani

Verës që shkoi, në bufenë e stacionit të trenit në Lushnje, turma ishte grumbulluar në derën e lokalit. Të tjerë, pa pyetur, u futën midis dasmorëve. Nga larg dukej se dikush kishte vënë në një magnetofon të madh një kasetë të një këngëtari të fuqishëm. U trondita kur mësova se s’qe magnetofoni, por këndonte vet Sherif Merdani, i ftuar në dasmë. Zëri i tij, jo vetëm ishte ruajtur, por qe bërë më i bukur e më i fuqishëm. Thuajse këngëtari i dashur s’kishte kaluar vite të tëra nëpër “rrethin e nëntë të ferrit” të Spaçit!
Me klimën e re prisnim ta shikonim përsëri në skenë e TV, por ende jo. Dha një koncert bamirësie në Berat. Por asnjë lajm zyrtar për të ardhurat që shkuan në favor të familjeve të grevistëve.
Duke ju thënë ju lumtë letrarëve, që ringjallën Budin e Bogdanin, Fishtën e Konicën, Mitrushin e Lasgushin, them që shembulli i tyre jo vetëm duhet lavdëruar . Ai duhet ndjekur. Apo shumë shkrimtarët e patën të lehtë të shkëputen nga monizmi, sepse një pjesë e tyre s’i besoi atij asnjëherë. Apo ndofta në radio e televizion ende tremben nga ndonjë plenium tjetër i 4-t ?…

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.