back to top
21.8 C
Tirana
E hënë, 13 Korrik, 2026

A është Kuteli ndër autorët e parë të poezive disidente në Shqipëri? – Pandeli Pasko Kuteli

Gazeta

Mitrush Kuteli - Poezi e hershme
Mitrush Kuteli – Poezi e hershme
A është Kuteli ndër autorët e parë të poezive disidente në Shqipëri? –
Pandeli Pasko Kuteli – në 59 vjetorin e ndërrimit jetë…

“…Vepra e tij në tanësi mbetet e pazbulueme, nën hijen e vet” pati shkruar Martin Camaj për Kutelin më 1985, dhe si për ta vërtetuar këtë, një dokument arkivor na sjell datën e shkrimit të një poezie-klithëm për lirinë e humbur në Shqipëri me titull “Lutje”.

Poezia, si shihet në këtë riprodhim, është e shkruar me shkrim dore anash daktiloshkrimit të poezisë së njohur “Bie shi…”, duke na dhënë edhe dy data me interes për krijimtarinë e autorit.
Ky dokument u ekspozua në 115 vjetorin lindjes së Mitrush Kutelit në Pogradec më 13 shtator 2022, ku vetë drejtori i atëhershëm i Arkivit të Shtetit Z. A. Bido, komentoi me kthjelltësi materialet arkivore.
Poezia “Lutje”, e cila mban datën 11 prill 1946, dhe duket se është ndër të parat poezi proteste, tregon se pas fasadave të çlirimtarëve dhe zhurmave politike, e vërteta ishte krejt ndryshe: në Shqipëri kishte humbur Liria. Pra kemi të bëjmë me një poezi të mirëfilltë disidente, e cila, mes të tjerash, shtron nevojën për rishqyrtim të pikëpamjeve apo të datimit të disidencës shqiptare në letërsi.

Lutje

Unë Mitrushi, poet shqiptar
Fort do t’i lutesha nëmës,
që të më hedhë një litar
varur nga briri i hënës.

Edhe pastaj (si për çudi)!)
Të gjendem varur n’erë
E të thërras: liri! liri!
Në erë mbi skëterrë!
Tiranë, e Enjte 11 Prill 1946

Liria kishte qenë fill përshkues i rrëfimeve dhe poezive të Kutelit, si element bazë i jetës vetiake, ideore, sociale e shpirtërore shqiptare. Kujtojmë personazhe si Argjir Vlonjati, Malush Agai, Suli Agai me Bendo Shapërdanin, kujtojmë “Poemin kosovar” e shumë të tjera. Ishte ndërmjet atyre shkrimtarëve e publicistëve që pati analizuar lirinë e shtypit e të mendimit (në krah të Branko Merxhanit, Ismet Totos e të tjerëve) te “Shënimet letrare” dhe shkrime të tjera ekonomike e publicistike.
Në vetëm dy strofa, të shkruara si me nxitim, sikur të ndjek dikush nga pas, na jepet një aspekt fort i rëndësishëm i jetës shqiptare, të cilën nuk e gjejmë kurrkund në letërsinë e realizmit socialist: kundërshti ndaj atyre, të cilët, duke tundur e shkundur flamurin e çlirimit, përligjën uzurpimin e pushtetit, shtypjen e popullit, krimet dhe gjuetinë mizore ndaj mendimit të lirë dhe lirisë së fjalës.
Në shkurt-prill 1946, kur datohet edhe kjo fletëz arkivore, Kuteli punonte në Bankën e Shtetit Shqiptar. Pati mbrojtur financat shqiptare ndaj ndërhyrjeve të huaja – së fundmi ndaj grabitjes nazi-fashiste, por tani i duhej të përballej me ndërhyrjen brutale jugosllave dhe me puthadorët e brendshëm. Sapo i ishte pezulluar shtypja e dy librave: “Dashuria e Barbarit Artan” dhe “Shënime Ekonomike”.
Pa folur për çfarë ndodhte përreth, në një vend ku numri i burgjeve (përsëri të quajtura me eufemizëm “kampe burgu”) ishte rritur shumë më tepër se sa numri i kantiereve të ndërtimit.
Pra, imagjinoni hidhërimin e Kutelit, i cili kthehet në Shqipëri mbas më se 20 vite mërgimi me dëshirën më të madhe për të punuar për vendin e vet; Kutelin, i cili vetëm në periudhën shtator 1942 – dhjetor 1944, shkruan dhe boton apo dërgon të botojë 6-7 libra me rrëfime, poezi, kritikë letrare, një mal me artikuj për ekonomi, financë e bankë – dhe që tashmë është i detyruar të punojë e jetojë në një vend të izoluar, nën një diktaturë edhe më të egër se të mëparshmet dhe i ndaluar të shprehë dhe të japë mendimin e vet në të mirë të Shqipërisë…
Aq fort e ka ndjerë këtë shtypje sa që po ai Kutel, i lutet djallit vetë ta ndihmojë të largohet nga skëterra Shqipëri!
Dhe si vijoi më pas historia e Kutelit?
Dha dorëheqje nga Banka në gusht 1946, menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit (lexo “pushtimit”) me Jugosllavinë “për t’iu kushtuar projekteve letrare”. Nuk zgjati shumë dhe në maj 1947, u arrestua dhe bëri 2 vjet burg të vështirë, sidomos në hetuesinë e gjatë dhe në kampin e vdekjes së Maliqit. Aty iu prish shëndeti, aty iu shkurtua jeta dhe filloi kalvari i vërtetë i tij. Akuza dhe akuzuesit e tij vërtitin në gjysëm hije, po nuk është vështirë të imagjinohen.
Edhe kjo periudhë dhe ajo e shtypjes që pasoi nuk kanë mbetur pa u përshkruar nga Kuteli në poezi burgu a shkrime të tjera të botuara më vonë ose midis rreshtash.
Kuteli u nda nga kjo jetë më 4 maj 1967, kur sapo pati filluar fushata e radhës e quajtur me eufemizmin “revolucionarizim i jetës së vendit”, kur madje u nxor jashtë ligjit edhe feja, e cila kishte mbetur i vetmi institucion, që edhe pse kishte pësuar shumë humbje jetësore, vijonte t’i qëndronte diktatit.
Nuk arriti as të përfundojë projektet letrare e jo më të kishte fatin të shihte shembjen e diktaturës e të ndjente aromën e lirisë, si Vaclav Haveli apo Visar Zhiti – për të ringjallur “fjalët e pathëna” siç pati vargëzuar dikur: “…Flenë fjalët e pathëna/ në savanin e harrimit/ sepse nëma edhe gjëma/ shojtën ninzën e krijimit’.

Vlen të shënojmë se po kjo fletëz arkivi na sjell edhe datën e shkrimit të poezisë “Bje shi…” shkurt 1946.
Kjo datë përjashton mundësinë që poezia “Bje shi…” të jetë “frymëzuar” apo huazuar nga poezia “Barbara” e Jacques Prévert, siç është pretenduar në shtypin shqiptar. Poezia “Barbara” e ka parë dritën e botimit vetëm pas mesit të vitit 1946.
Në përfundim, iu rikthehemi edhe një herë rëndësisë së madhe të burimeve arkivore, ku gjejmë të vërteta të cilat ende flenë në qetësi harrimi dhe ne duhet t’i gjejmë dhe interpretojmë me guxim.
Pandeli Pasko Kuteli

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.