back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

95 vjet Martin Camaj: Vepra e Perndjekja – nga Gentiana Mara Sula

Gazeta

Gentiana - Mara Sula - per 95 vjetorin e Vdekjes se Martin Camajt
Gentiana – Mara Sula – per 95 vjetorin e Vdekjes se Martin Camajt

95 vjet Martin Camaj: Vepra e Perndjekja

nga Gentiana Mara Sula

Fjala e hapje së Tryezës

I nderuar z. Kryeministër, e nderuar znj. Ministre e Kulturës,
Të nderuar miq që na ndiqni nga larg, zonja Erika Camaj, përfaqësues të shoqatës “Martin Camaj” në Gjermani.
E nderuar Dagmar Hovestadt, nga Autoriteti për Dosjet e Stasit;
I nderuar z. Demiraj i Qendrës Albanologjike të Universitetit Ludwig Maximilian.
Të nderuar hulumtues e publicistë,
Mirësevini në këtë tryezë të rrumbullakët diskutimesh për Martin Camajn, emër i njohur për shumëkënd, si figurë e rëndësishme e letrave shqipe. Krijues, shkrimtar, gjuhëtar, dramaturg.
Na bën bashkë sot kremtimi i 95-vjetorit të tij.
95 vjet Martin Camaj - vepra dhe përndjekja - Pallati i Brigadave - 28 gusht 2020
95 vjet Martin Camaj – vepra dhe përndjekja – Pallati i Brigadave – 28 gusht 2020
Do të njihemi me jetën, veprën dhe përndjekjen e tij – duke bërë edhe një lexim të përbashkët të dosjes që Sigurimi krijoi për të.
Kjo dosje është e veçantë dhe ka peshë, sepse për disa dekada ka hyrë mes publikut dhe veprës së këtij kolosi të letrave shqipe.
Vërtet që zbardhja e dosjes sekrete të Martin Camajt dhe botimi i pak fragmenteve të saj gjeneroi debat të madh publik. 6 studiues aplikuan për njohje të dosjes, e më shumë se 50 u pozicionuan publikisht, përmes trajtesave në media.
Duke admiruar veprën e tij, shumëkush, këto ditë i ka bërë vetes pyetjen e thjeshtë: pse të gjithë ia kemi dëgjuar emrin, por pak e njohim veprën e tij?
Mendoj se mund të sqarohemi duke pyetur më thellë:
Cili ishte raporti i Camajt me regjimin e kohës?
A krijoi dhe shpërndau Sigurimi i Shtetit mjete damkosëse – apo “fake neës” – që të defaktorizonin Camajn nga viti 1945 deri në 1990?
A ka ende sot e kësaj dite sterotipe që thjesht aktivizohen në mënyrë auto-pilote në nënvetëdijen tonë kolektive, plot klishe nga propaganda 50-vjeçare?
Cila është kostoja e mungesës së gjatë të Camajt në formimin tonë individual apo kolektiv?
Ajo që synojmë të sjellim përmes leximit të përbashkët të jetës, veprës dhe përndjekjes së tij është që secili t’i përgjigjet këtyre pyetjeve.
Zonja dhe Zotërinj,
Përpara se të dëgjojme trajtesat e vyera të studiuesve, më lejoni t’ju përcjell qëndrimin tim mbi tre mitet mbi Sigurimin që hasen sot, krijuar e prodhuar nga vetë Sigurimi.
Miti i parë ka lidhje me besimin e verbër se Sigurimi ishte një organizatë e sofistikuar spiunazhi.
Më lejoni t’jua them fare shkoqur. Në shumicën dërrmuese të dosjeve që kemi zbardhur deri tani dhe po ashtu, në dosjen e Martin Camajt që do të diskutojmë sot, askush nuk do të gjejë histori të tipit të Sherlok Holmes-it.
Ndërkohë që Sherlock Holmes përqendrohet te krimi, Sigurimi kapet me kundërshtare politikë.
.
95 vjet Martin Camaj - vepra dhe përndjekja - Pallati i Brigadave - 28 gusht 2020
95 vjet Martin Camaj – vepra dhe përndjekja – Pallati i Brigadave – 28 gusht 2020
Sigurimi – përmes Biografisë që në krye të herës ndante popullin në “NE” dhe “ATA”.
ATA, jobesnikët ndaj regjimit listoheshin pa bërë asgjë të keqe, që fëmijë, nën titullin “kontigjent”. Kjo punë kryhej nga strukturat e posaçme të “hetimit biografik” të Sigurimit.
Metodat e “sofistikuara: ishin shpifja, përjashtimi dhe biruca: algoritmi “Mbikëqyr – Terrorizo – Përndiq!”.
Mbi 100.000 familje brenda vendit iu nënshtruan kësaj përndjekjeje. Arreste të fshehta, fabrikim provash, tortura, burgosje të gjata, ekzekutime, gjyqe farsë, internime, punë të detyruar…
Dhjetëra mijëra shqiptarë morën arratinë, qindra u vranë në kufi, mijëra mbajtën mbi supe hije të shpifjeve dhe makinacioneve që as nuk ua merrte mendja.
Familjarëve të tyre deri 3 breza u penguan për zhvillimin vetjak e shoqëror. Atyre iu mohua qasja në banesë, arsim, profesion e shëndetësi, triska ushqimi apo votimi, urbanizimi e shoqëria.
Pra, në vend të spiunazhit, teknologjisë së avancuar apo metodave të stërholluara, në fakt do të gjejmë një makineri brutale përndjekjeje politike.
Miti i dytë lidhet me faktin se Sigurimi i mbrojti mirë interesat kombëtare, prandaj zbardhja e dokumenteve e cënon sigurinë kombëtare!
Deri sot, na është bërë e qartë një gjë: që Sigurimi ishte në thelb vetëshërbyes dhe kishte synim përjetësimin e Partisë-shtet.
Mbajtja peng e njerëzve përmes dosjeve të mbyllura dhe fshehtësisë, është në fakt përçarëse dhe e dobëson ndërgjegjen tonë kombëtare, jo e kundërta. Sepse vetëdije kombëtare do të thote bindje e thellë që pa “ata”, nuk ka as “ne”, sidomos në Shqipërinë tonë të vogël.
Zbardhja e hulumtimi i dokumenteve po ashtu, ndikon drejtpërdrejt në qartësimin e kostove të diktaturës.
Prandaj kushdo që investohet në çmontimin e mekanizmit përçarës “ne dhe ata” i bën një shërbim të madh pajtimit kombëtar dhe demokracisë sonë funksionale. Hapja e dosjeve nuk cënon sigurinë kombëtare, por cënon hijet e gjata të vetë Sigurimit.
.
95 vjet Martin Camaj - vepra dhe përndjekja - Pallati i Brigadave - 28 gusht 2020
95 vjet Martin Camaj – vepra dhe përndjekja – Pallati i Brigadave – 28 gusht 2020
Të nderuar pjesëmarrës,
Si bashkëkombas na lidh territori, traditat, historia, kultura, arritjet, kujtimet e sidomos gjuha. Këtu përfshihen edhe figurat historike, që si yjet që ndriçojnë natën, na japin dritë e na ngrenë mendërisht, shpirtërisht e moralisht.
Por këto figura kanë ardhur te ne shpesh të tjetërsuara e të paplota.
Regjimi ngushtoi hapësirat kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve, duke i dhënë licencë për krijim vetëm disave, dhe vetëm në një segment të caktuar ideologjik.
Kushdo që nuk u konformua, u pa si armik. Prandaj në dosjet e Sigurimit të Shtetit ato janë vendosur në një thyesë të thellë – që të zvogëlohen.
Njollosja e padrejtë e figurave historike dhe ndalimi i veprës së tyre për te shqiptarët është në fakt, akt kundër interesave të përbashkëta, që e zvogëloi dhe e errësoi botën tonë. Eshtë kundra interesit tonë kombëtar.
Miti i tretë lidhet me besimin e verbër se dokumenti i Sigurimit flitka vetë.
Është fakt që dokumentet e shërbimeve dhe sidomos ato të vendeve jodemokratike shpesh janë perfide, mashtruese, fake news.
Si shembull dëshiroj të ndaj me ju një metodë të Sigurimit që më ka shqetësuar prej kohësh: demaskimin.
Ne kemi hasur shumë dokumente dhe statistika të demaskimit në bashkësi të njerëzve të nderuar. Në thelb fabrikoheshin fake news për të mbërritur ne vrasjen morale afatgjatë të figurave me ndikim.
Unë do ta quaja damkosje, duke përfytyruar një gjë që djeg në mish… por meqënëse kjo ka efekt edhe pas vdekjes dhe deri ke veprat e tyre – mund ta quaja edhe stereotip, apo klishe, apo hije e gjatë…
Këto damkosje apo sterotipe janë le te themi, si një virus, që synon të riprodhojë vetveten. Ashtu edhe këto klishe, të paçmontuara, mund të çorientojnë brezat drejt një miopie të mykur, përçarëse e të ndrydhur.
Le të hapim mendjen dhe zemrën për të hequr dorë nga klishetë që ndajnë shqiptaret e që na mbajnë larg veprës së personaliteteve që nuk u bënë keq shqiptarëve.
Faleminderit!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.