back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

633 vjet prej Betejës së Fush-Kosovës – nga Col Mehmeti

Gazeta

Milosh Obiliq dhe Sulltan Murati i I
Milosh Obiliq dhe Sulltan Murati i I

28 qershor 1389 – Ushtritë Osmane triumfojnë ndaj atyre të Europës kristian
Betejën e Fushë Kosovës 1389 (Fusha e Mëllenjave)
duke i hapur rrugë pushtimit të Europës Juglindore…

633 vjet prej Betejës së Fush-Kosovës

nga Col Mehmeti

Sot bahen rrum 633 vjet prej betejës së zhvilluem në titërr të rrafshnajës së Kosovës.
Qysh në krye të herës kjo betejë e ndodhun në “vendin e Prishtinës” (τῆς Πριστίνου χώρας), me e citue nji alamet autoriteti të kohës, âsht disfigurue midis rrëfimeve të ndryshme.
Dhe sa me përkorësi e pohonte këtë i mbrami historian bizantin, Laonik Halkokondili, kur vërente se për këtë betejë grekët thonë se ndodhi kështu, por turqit thonë se ndodhi ndryshe (Ἕλληνες μὲν οὖν οὕτω λέγουσι γενέσθαι, δὲ Τοῦρκοι φασι…)
Pra, nji dyzim rrëfimor qysh në shekullin e 14-të, i cili si ortek bore me kalimin e kohës u mistifikue si thuajse asnji gja tjetër.
Por, heroi i kësaj beteje që bani regicid (mbretvrasje) nguci admirimin e secilit. Vetë Halkokondili në vitet pleqërishte e vlerësonte vrasësin e sulltanit si “ma i fismi burrë” (ἄνδρα γενναιότατον).
Nën yrrnekun e Mekfersonit, në Evropën e romantizmit ka qenë shprehi me sajue mite, heronj e epope kombëtare, por ka edhe të tilla që nuk janë aspak sajime a tradita të shpikuna.
Beteja e Kosovës dhe vrasësi i sulltanit (të cilin përfytyrimi popullor shqiptar e njohu si Millosh Kopiliqi) âsht nji “lieu de mémoire” për krejt hapësinën shqiptare, madje ma shumë sesa Skënderbeu.
Në ajrin e pashpresë të shqiptarëve ortodoksë, simbas besojcave të moçme, dita e martë u shndrrue në kujtesë aktive për këtë luftë: askush nuk punonte.
Kur ushtria serbe zaptoi Elbasanin më 1913, oficeri (e ma vonë studiuesi klasicist) Veselin Çajkanoviq mësoi për ekzistencën e legjendave lokale ku plot banorë rrihnin gjoks se janë mbasardhës të heroit të Kosovës. Në Ohër, ai pa shqiptarë ortodoksë që kryenin nji ritual për Millosh Kopiliqin.

Beteja e Fushë-Kosovës (1389)
Beteja e Fushë-Kosovës (1389)

Ky “lieu de mémoire” për betejën e 1389-s pikaset në krejt dhéshkronjën shqiptare. Le t’i sipëfaqësojmë disa prej tyre:
Shkrimtari, Milan Miliçeviq ndigjoi legjenda lokale për betejën e Kosovës edhe nga shqiptarët e Ivan Kullës në Kurshumli.
Konsulli serb në Prishtinë, Branisllav Nushiq, kur rastisi me e vizitue Sallabajën midis Vushtrrisë e Llapit, mori shënim nga banorët vendës nji legjendë të bukur për Millosh Kopiliqin.
Të tilla ka edhe në Prilep të Deçanit, e veçmas në Drenicë. Kujtimi për betejën e 1389-s mbrriti edhe në malësinë e Sulit sipër Janine: N. Pappas thotë që malësorët suliotë e besonin veten si mbasardhës të atyne çetave që luftuen në Kosovë.
Legjenda të tilla pati rastin me ndigjue mes kelmendasve edhe konsulli francez në Shkodër, Hecquard.
Në anën tjetër, folklori sllavojugor, që u shoshit prej fillimit të shekullit të 19-të, thjesht nuk ka kurrfarë reference as për 1389-n e as për heroin mbretvrasës. Kosova dhe beteja e 1389-s në Serbi e kudo midis sllavofonësh manufakturohen veç nga shkolla e publicistika divulgative në fundshekullin e 19-të.
Simbas dëshmisë së shtegtarit francez në këto tërthore, Filip Kanie, prej të paktën fundit të shekullit 16-të shqiptarët e Gallapit këndonin “kangë trimash” për heroin e Kosovës. Sikur vetëdija kombëtariste ndër shqiptarë me pas fillue në shekullin e 19-të, bashkë me krijimin e nji narrative uniforme kombëtare me “founding myth”, atëherë, thuajse ma shumë se Skënderbeut, ky nder do t’i takonte Millosh Kopiliqit dhe epopesë së 1389-s.
Vetë Halkokondili kur po e gërricte pergamenën tu shkrue për betejën e ndodhun në “vendin e Prishtinës”, e shtoi edhe këtë llaf: ᾿Αλλὰ ταῦτα μὲν ἴτω, ὅπῃ ἑκάστῳ προσφιλὲς ἡγεῖσθαι περὶ αὐτῶν. (Megjithatë secili le t’i mendojë këto ngjarje simbas qejfit të vet”) (qesh)
Të përfitojmë nga imami ynë Col ef. Mehmeti! (qesh)

Marre nga muri i Fb, i Col Mehmetit 28 qershor 2022

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.