28 nëntori i dështimit të Kuvendit të Shqipërisë – nga Artur Shkurti

Gazeta

28 Nentori - Dita e Flamurit
28 Nentori – Dita e Flamurit
28 nëntori i dështimit të Kuvendit të Shqipërisë
nga Artur Shkurti
Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”

Nisur sot më 28 nëntor 2025, ora 10:25 me e-mail të gjithë deputetëve, presidentit, zyrës arsimore, ministrisë dhe rreth 150 shkollave. Listën e e-maileve e gjeni në fund.
Përshëndetje të nderuar anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë,
Për dijeni Sistemit Arsimor dhe Publikut dhe Presidentit të Republikës

28 nëntori është kurorëzimi i përpjekjeve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Thelbi i 1912, është Lidhja e Prizrenit, Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë, Komitetetet e Stambollit dhe Shoqëria e Bukureshtit etj., me një fjalë gjithçka u bë në shek.19.
Në këtë ditë të 28 nëntorit, dëshirojmë t’ju kujtojmë që më 20 tetor 2025 ju kemi shkruar një kërkesë të gjatë për të Hetuar Shpërfilljen e Rilindjes Kombëtare (45 faqe).
Asnjë anëtar i Kuvendit të Shqipërisë nuk na dërgoi një e-mail në kthim sqarues, pranues të e-mailit, informues se si ai apo ajo e kuptonte një kërkesë të tillë apo e shihte apo jo të bazuar. Këtë përgjigje nuk e meritonim ne, por e meritonte në radhë të parë respekti për Rilindjen Kombëtare. Do të duhej të tregonit seriozitet dhe përgjegjësi kombëtare veç kur zihet në gojë Rilindja Kombëtare e jo më që ne ju dhamë mbi 120 faqe A4 analiza.
140 deputetët e kanë tejkaluar standardin që kërkon ligji që brenda 30 ditëve të kenë një përgjigje. Nuk kemi patur një përgjigje.
Në atë letër të parë për Komision Hetimor ju njoftuam që tinëz ishte hequr Urdhri “Naim Frashëri” që është baraz me heqjen praktikisht të titullit Poet Kombëtar. Më 1 nëntor 2025, Ju nisëm një letër më të gjatë sqaruese 75 faqe se si dëmtonte ky proces. Nuk duam t’i përsëritim sepse letrat i keni përsëri këtu.
Gjatë kësaj kohe u përfshimë në diskutimin e ligjit “Për barazinë gjinore” që është saktësisht arsyeja se pse ulet niveli kombëtar i popullsisë, pra duhet të shihni një lidhje ndërmjet “Shpërfilljes së Rilindjes Kombëtare” ose më saktë “Dëmtimit të qëllimshëm të Rilindjes Kombëtare” dhe të Poetit Kombëtar Naim Frashërit dhe arritjes në atë pikë që të mos u bëjë përshtypje se çfarë po bëni me Kombin Shqiptare në ligjin “Për barazinë gjinore”.
Ne që ju shkruajmë jemi shkolla “Udha e shkronjave” që besojmë kemi vëzhgimin më afatgjatë të Sistemit Arsimor Edukativ Shqiptar 1997-2025 dhe vëzhgimi ynë nuk mund të quhet vëzhgim “biznesi” sepse të gjithë treguesit zyrtarë kombëtarë (Ministri Arsimi) dhe ndërkombëtarë (Cambridge) janë që shkolla ka nivelet më të larta të performancës në çështje të arsimit, edukimit, mirëqënies, edukimit të karakterit dhe të virtyteve.
Një provë për këtë ishte që ishim komuniteti i vetëm shkollor që ju shkroi ju një letër dhe presidentit dhe këtë e bëmë me familje. Nuk do të gjeni në tërë Shqipërinë një letër që dërgohet nga 70 familje dhe 160 persona siç ua nisëm. Që të arrihet një cilësi e tillë e lartë komunitare duhen 28 vjet punë të qëllimshme, të pastër, të kthjellët, të lartë, thjesht njerëzore dhe kombëtare që të vijë puna që ne brenda 3 ditëve t’u themi se 160 personave të firmosin dhe ata ta bëjnë këtë punë. Nuk janë pak po janë shumë po të kujtojmë që në 28 vjet ne kemi dhënë vetëm 170 dëftesa lirimi, kur të tjerët kanë dhënë me qindra ose disa mijëra në më pak vite se ne.
Presidentit ia nisëm letrën. Duke qenë se e ka zakon që nuk jep konfirmime, atëherë u detyruam t’jua nisim edhe ju letrën, që të mos thuhej. Në fakt, veproi në të njëjtën mënyrë, nuk e konfirmoi përsëri marrjen e letrës, kur ishim 160 të rritur që kishim mbaruar të gjithë shkollat e larta, pra ishim mësues, drejtues, inxhinierë, mjekë, arkitektë, profesorë, me tituj etj. dhe mbi të gjitha po shkruanim si familje për një çështje thjesht kombëtare, që është ndryshimi i thelbit tonë kombëtar dhe kthimi i kombit shqiptar në një komb “eksperimental”, kur në fakt ne duhej të ishim të fundit në eksperimente, sepse fuqitë tona njerëzore nuk janë të tilla që të bëjmë ekseprimente. Jemi një komb relativisht i vogël dhe kompaktësia na duhet.
Ligji për “Barazinë gjinore” synon përçarjen e popullsisë në një mënyrë kreative, duke i bërë levë familjes dhe të gjitha organizimeve shoqërore me futjen e dyshimit “unë të synoj ty seksualisht” vajza – vajzsë, djali-djalit, burri-burrit, gruaja-gruas etj. Kjo do të edukohet përmes ligjit dhe do të monitorohet përmes ligjit. Ky është kuptimi i ligjit.
Ligji është mjet për devizën “Përça e sundo” dhe ligji siguron kushtet për përçarjen më të madhe kombëtare që është në nivel më qelizor të mundshëm. Kjo është arsyeja që Erion Veliaj dhe Edi Rama sulmuan vazhdimisht e vazhdimisht burrat, që u përmblodh në devizën e Erion Veliaj “Djemtë shqiptarë janë zdromsa komplet, ndërsa vajzat janë të ftillume”.
Megjithëse është evidente që ky ligj nuk ka dakortësinë e shumicës, shumica nuk u ftua në Parlament që të dëgjohej, por u reduktua në një pakicë. Që të ndodhte kështu, ndihmoi me të gjitha forcat Partia Demokratike, Partia Mundësia dhe Partia e Lirisë. Partia Demokratike (Luçiano Boçi kryetar) çaktivizoi Komisionin e Edukimit, Partia e Lirisë (Ina Zhupa/PD-PL) çaktivizoi Komisionin e Kulturës dhe të Diasporës, ndërsa Kryetari i Mundësisë Agron Shehaj nuk votoi kundër ligjit dhe as bëri video sqaruese siç e ka zakon dhe përgatitje për çështje të tjera.
Presidenti tashmë e ka miratuar
Mbasi u përzunë nga atdheu shumica e kombit, pasi u ul niveli arsimor, kulturor, dhe i respektit për qytetarin, ju prodhuat një ligj të tillë që është edhe më dëmtues për ata që mbeten dhe që është saktësisht dekurajues për diasporën që të kthehet në atdhe.
Nëse kishte diçka për të cilën i merrte malli do të ishin “fortësia e traditave, kulturës kombëtare, unitetit të familjes dhe fisit shqiptar”.
Ju i dëmtuat në mënyrë qelizore të gjitha:
Duke mos na u përgjigjur për Komisionin Hetimor për Shpërfilljen e Rilindjes Kombëtare dhe për Heqjen e Urdhrit “Naim Frashëri” ju na provuat qartë se nuk keni çfarë të hetoni sepse arsyeja kryesore e shpërfilljes nuk qëndron tjetër kund veç në konstruktin e Partive tuaja dhe në programet.
Për zgjedhjet e 11 majit 2025 ne ishim të vetmit që morëm në analizë programet tuaja edukative dhe ato ishin një Skandal i vërtetë dhe një turpërim i Kombit. E keni bashkëngjitur analizën rreth 150 faqe. Ju e kishit në programin tuaj arsimor shpërfilljen e edukimit kombëtar. Ndaj nuk keni çfarë të hetoni për të tjerë. Kjo është arsyeja.
I vetmi që na ka shkruar se do ta marrë përsipër këtë punë që të paktën Urdhrin “Naim Frashëri” të vihet në vend është Bujar Leskaj. Ne shpresojmë që ai ta mbajë fjalën dhe të detyrojë jo 30 deputetë por të 140 deputetët të vendosin në vend të drejtat kombëtare të Naim Frashërit dhe të Rilindjes Kombëtare.
Ne dëshirojmë që Komisioni i Edukimit që drejtohet nga Luçiano Boçi të na ftojë në Komision e të flasim aty e ta lëmë dëshminë. Duke bërë sikur nuk dëgjon, e nuk sheh, ai dhe komisioni që drejton dhe Partia Demokratike në fakt po tregohet aktiv në dëmtimin e cilësisë kombëtare.
Nuk kemi shpresë se kjo do të ndryshojë, ndaj simbolikisht po marrim një vendim në emër të shkollës “Udha e shkronjave”
Vendim për përjashtimin e Familjeve të Deputetëve anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë, të Presidentit, të Anëtarëve të Qeverisë së Shqipërisë nga ofrimi i shërbimeve të shkollës “Udha e shkronjave”
Tiranë, më 28 nëntor 2025

Drejtoria e shkollës “Udha e shkronjave” përjashton nga të gjitha shërbimet e saj secilën nga familjet e 140 deputetëve që përbëjnë Kuvendin e Shqipërisë me arsyetimin që kanë dështuar të zbatojnë Kushtetutën e Shqipërisë, kanë dështuar të kuptojnë rëndësinë e Edukimit Kombëtar dhe të Sistemit Edukativ Kombëtar, kanë dështuar të zbatojnë parimet e demokracisë, duke mos dëgjuar dhe mosrerspektuar çfarë populli shkruan e kërkon zyrtarisht, dhe i kanë shfrytëzuar praktikat parlamentare për të dështuar qëllimisht zhvillimin normal të popullit, e demokracisë shqiptare.
Ky vendim mbetet në fuqi për çdo legjislaturë deri në:

1.Kthimin e 7 marsit 1887, në Festë Zyrtare të Shqipërisë me ligj. Në kthimin e statusit “Muze Kombëtar i Arsimit” për “Mësonjëtoren e parë Korçë” me detyrë funksionale trashëgimin e Rilindjes Kombëtare dhe të programit të saj arsimor edukativ kombëtar.
2.Nderimin zyrtar të Naim Frashërit si Poet Kombëtar i Shqiptarëve.
3.Kthimin e 10 qershorit 1878 – si Festë Zyrtare e Kombit Shqiptar (krahas 28 nëntorit)
4.Caktimin e 25 majit 1946 (Ditëlindja e Naim Frashërit) si ditë përkujtimore e Rilindjes Kombëtare.
5.Shfuqizimin e ligjit “Për barazinë gjinore” në nenet të cilat ne i kemi të debatueshme.

Sqarim: Nga ana praktike, sot që shkruajmë, ky vendim yni nuk prek asnjë familje deputeti, anëtarit të qeverisë, apo presidentit, sepse askush prej tyre nuk i ka fëmijët në shkollën “Udha e shkronjave” dhe me shumë mundësi nuk do t’i ketë.
Megjithatë nuk kemi patur vendim që të mos jenë. Ndërsa tani kemi një vendim për këtë punë. Duhet të ruajmë cilësinë komunitare në të ardhmen.
Arsyeja që nuk janë ose nuk kanë qenë masivisht është se vetë ata kujtojnë se e mira e fëmijëve është tjetërkund.
Në fakt vetë Ministria e Arsimit thotë se 100% e nxënësve tanë kanë marrë 10 absolute në të tria provimet shtetërore në qershor 2025 dhe Drejtori i Kembrixhit për Evropën dha vetë intervistë në mbrojtje të shkollës (Martin Nuttall) (2025), një diçka e rrallë për një institucion që ka mbi 2000 shkolla në Evropë.
Është jashtë çdo lloj arsye që t’ju urojmë 28 nëntorin një grupi politikanësh që punon me vetëdije kundër Rilindjes Kombëtare.
Shpresojmë që të kuptoni se po silleni kot dhe në mënyrë krejt të papërgjegjshme në radhë të parë me fiset tuaja shqiptare, jeni duke bërë realitet atë që thotë Sami Frashëri:
“Shthurja është një lumë i rrëmbyer që ecën midis popujve dhe i rrëmben popujt që janë mbrojtur me muret e një morali të mirë dhe me anën e një administrimi të mirë i dërgon nëpër grykëderdhje pranë detit ku ato janë të paracaktuar të mbyten.”
Keni dëmtuar moralin e mirë të popullit dhe këtë e keni bërë me ligje dhe jo thjesht me punë të dobët. Urojmë të ndryshoni kursin. Siç e kuptojmë do të duhej të jepnit dorëheqjen nga ku funksion! Megjithatë ju e dini!
T’ia kaloni mirë, Artur Shkurti

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit