back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

25 qershor 2017 – Votime për Shqipërinë, jo për partinë…! nga Sami Repishti

Gazeta

Profesor Sami Repishti
Profesor Sami Repishti

25 qershor 2017

Votime për Shqipërinë, jo për partinë…!

nga Sami Repishti – Ridgefield, CT, USA.

Me kalimin e viteve krijohen realitete të reja. Asht nji paevitueshmëni historike. Me shprehjen shqipe: koha ban punën e vet. Dhe në fakt, ka ba punën e vet në këto 26 vitet e fundit, për fat të keq jo me shumë sukses!
Gjatë këtyne viteve, klasët politike në pushtet nuk kanë adoptue normat dhe praktikën e pranueme përgjithësisht për nji qeverisje të mirë (good government). Para nji gjendje të këtillë, Shqipëria duhet të votojë për “institucionalizimin e qeverisjes”, për nji klasë politike që beson sinqerisht se na, Shqipëria, jemi nji komb i organizuem simbas ligjeve, i bindun ndaj ligjeve, nji kondite sin equa non…!
Për shekuj, struktura e shoqënisë shqiptare e detyrueme nga rrethanat politike jashtë kontrollit të saj – dhe ma të fuqishme se ajo – asht krijue, zhvillue dhe veprue si nji koleksion klanesh krahinore, partiake, e për fat të keq, edhe fetare. Nji zhvillim i këtill, i shkëputun nga bota dhe eksperienca e vendeve të Europës perëndimore, nuk dha mundësi që zhvillimi i shoqnisë sonë të mbështetet në bindjen se në botën moderne asht imperative me qenë nji shtet i mbështetun në ligje, e jo në klane.
Me qenë “klanish” (fisnor e krahinor?) don të thotë të mos kuptosh se si vepron bota moderne, dhe të qëndrosh larg saj. Në raste të këtilla, nji regjim ose sistem qeveritar përmbyset nga shpërthimet e mbrendshme (implosion) edhe pa ndërhymjen e jashtme. Sepse nji sistem “fisnor e krahinor” do të ishte i dënuem me u zhdukë nga rrymat e mbrendshme, nga zemrimet, hatërmbetjet, zhgënjimet dhe trathtitë që arrijnë nji pikë kritike, dhe nivele centrifugale shpërthyese në mënyrë violente dhe të paevitueshme.
I vetmi shpëtim nga implozione të këtilla janë institucionet civile e demokratike që përballojnë stuhitë: Parlamenti, Qeveria dhe Presidenti, e sidomos sistemi gjyqsor me Gjykatën Kushtetuese në krye. Vetëm këta institucione kanë mundësi me ruejtë integritetin e “Shtetit”. (Këte mësim na japin sot SHBA!) Në këte betejë për mbijetesë, institucionet demokratike aleatin e tyne ma të mirë e kanë nji shtyp të lirë, të ndershëm e hetues që nuk përpiqet “me formue” por “me informue” opinion publik. Nji opinion i informuem drejtësisht arrin në konkluzionet e tia lirisht dhe demokratikisht dhe nuk thyhet lehtë. Beteja për nji fitore të këtillë asht e ngadalshme, kambngulëse, dhe eventualisht luftarake. Zgjedhjet e 25 qershorit janë pjesë e kësaj beteje.
Zgjedhjet nuk janë pjesore për “partitë politike” të vendit; ata janë të përgjithshme, për të gjithë vendin. Ata janë për të ardhmen e “Nanës Shqipëri”, të ardhmen e të
gjithë qytetarëve, pa përjashtim! Ky mentalitet duhet të mbizotnojë mendjet e votuesve para arkës së votimit, ditën e zgjedhjeve.
Nuk jemi në vitin 1945, viti kur zgjedhjet baheshin vetëm për “Frontin Demokratik”, maska e “Partisë Komuniste Shqiptare” akoma në ilegalitet. Pa asnji alternativë, zgjedhësit ishin para nji dileme: me votue për “Frontin” ose në “arkën boshe”, që haptazi quhej “arka e reaksionit”. Fletë-votimi ishte nji kokërr gome. Kjo komedi me rrjedhime tragjike për “kokë-fortët” që guxuen (unë u dënova me 15 vjet burgim!) ishte aq e qartë sa që pranë “arkës boshe” qëndrojshin dy “të besueshëm të Frontit” me ndigjue zhurmën që bante “goma” (vota) e hjedhun, ma vonë e trajtueme si provë e anmiqsisë kundër pushtetit, dhe justifikim për arrestim politik.
Sot realiteti asht i ndryshëm. Votimi asht relativisht i lirë dhe i rregullt; nuk ekziston frika e arrestimit. Por ekzistojnë raste të shumta të “shitblerjes së votës” zakonisht në zonat e vorfna të vendit, dhe mashtrimi politik me premtime të pa mbajtuna. Kjo asht fatkeqsi, plagë e randë për shoqninë tonë që duhet eliminue sa ma shpejt. Për fat të mirë ekziston mbikëqyrja ndërkombëtare.
Mbas votimeve të vitit 1945, perdja e hekurt ra mbi vendin tonë, dhe zgjedhjet e ardhme deri në vitin 1992, ishin nji tallje me të drejtën e popullit për votime, dhe nji manifestim i padëshirueshëm i nënshtrimit të përgjithshëm para frikës së persekutimit. Nji metodë e këtillë arriti shkallën e absurdit me zgjedhjet e vitit 1982, kur nga afër 1.7 miljonë votues, 1.627.959 qytetarë votuen “për Frontin”, dhe vetëm nji (1) votë “kundër”. Këto statistika zyrtare morën ngjyra fyese me talljet e botës së jashtme që përshkruejshin aparatin shtypës të Qeverisë komuniste të Shqipërisë në ndjekje për zbulimin e “nji” vote kundërshtare.
 
Tri forcat e kacafytuna ne 25 Qershor 2017
Tri forcat e kacafytuna ne 25 Qershor 2017

***

Ndamja e popullsisë vendëse në klasa thellësisht kundërshtare, pabarazia ekonomike që lëkund besimin në aftësitë tona me i eliminue nuk janë as aksidentale as të paevitueshme; ata janë të planifikueme dhe të orkestrueme nga princët e krimit të organizueme baronë milionerë të drogës, nji grup i pasunuem me para të pista e i vendosun me transformue vendin në nji “cash machine”, maqinë që pret para vetëm për të pasunit. Kjo klasë shkatërrimtare ushqen qeveritarët e korruptuem, frikëson rivalët, mashtron, dhe pranon ndytjen e ambientit, ajër e ujë të pijshëm, e njikohësisht pakëson fondet për arsim, shëndetsi e asistencë sociale – nji fenomen pothuejse i përgjithshëm i ditëve tona. Në vendet ma të pasuna se Shqipëria ata krijojnë fondacione, qendra studimi, programe universitare, e sidomos financojnë fushatat elektorale… (“me mbrojtë nji ndërgjegje të flliqun nga nji Zot i zemruem”. shprehje e A. Lincoln)
Kjo e ban të domosdoshme daljen në skenë, dhe angazhimin serioz të nji grupi qytetarësh të edukuem, të ndershëm, të pavarun, me aftësi për zgjidhje të problemeve që komplikojnë jetesën e qytetarëve në shoqëninë tonë. Vetëm ata do të kenë guximin me përballue degjenerimin e ditëve tona. Dhe ky grup qytetarësh zgjidhet me vota të lira dhe të pastra.
Kjo kërkesë e natyrshme megjithatë, paraqet vështirësi të mëdha për nji shoqni shqiptare që vetëm pak kohë ma parë përmbysi nji sistem diktatorial monist që vrau rezistencën e masave të gjunjëzueme, e mohoi edhe përmbushjen e nevojave ma fillestare – bukën e gojës! – që gënjeshtrën e ngriti në piedestal dhe e quejti “morali komunist”. Ai rregjim “ndigjoi” çdo fjalë, “gjurmoi” çdo gjest nën kërcënimin e burgut për dekada të gjata, e theksoi mosbesimin tek njeni-tjetri, solidaritet i domosdoshëm me ruejtë dinjitetin personal të qytetarit… U realizue dekonstruksioni i shoqnisë sonë shqiptare!
Gazetari e analisti i shquem, Thomas L. Friedmann, shkruente këto kohët e fundit: “Më trego nji bashkësi që kupton botën e sotme dhe që punon së bashku e lulëzon nga mbrenda, e unë të tregoj nji bashkësi në rritje e sipër – bregdetare ose kontinentale, qytetare ose fshatare”. Antiteza e shoqënisë komuniste! Këto janë shoqnitë ku “tjetërsimi” (alienation) luftohet me pjesëmarrje në jetën publike, shoqëni ku edhe i vorfni merr pjesë në “self-government” (vetëqeverisje). Këto janë shoqnitë që kanë ringjallë e forcue elitën e patriotizmit: shërbim për vendin tand në nji botë të hapun për të gjithë!
.
Zgjedhjet e Qershorit 2017 - në Europë
Zgjedhjet e Qershorit 2017 – në Europë

Tue justifikue marrëveshjen nukleare me SHBA-n ministri i PJ të Iranit, M. J. Zafir shkruen: “Nëse nuk thyejmë ciklin e mosmarrëveshjeve, na vetëm kalojmë përgjegjsinë e këtij momenti historik në kurrizin e fëmijve dhe nipave tonë. Na kemi për detyrë me mësue prej historisë e jo me u dënue me përbuzjen e saj”. Nji qëndrimi të till, Zonja Susan Rice, këshilltare e Presidentit Obama e komentoi: “Na jetojmë në nji botë ku siguria dhe prosperiteti zhvillohen në maksimum kur edhe të tjerët e gëzojnë njilloj si na. Sot, kërcënimi – terrorizmi, përhapja e armëve nukleare, sëmundjet, ndryshimet atmosferike, kartelet e rrezikshme- nuk zgjidhen vetëm me ndërhymje ushtarake, as nuk zgjidhen vetëm nga njeni nga ne. Zgjidhja e jonë kërkon aksion kolektiv efektiv, dhe njikohsisht, partnerë me vullnet”.

Kjo asht bota që na ofrohet e që na duhet të përqafojmë! Duhet të ruhemi nga diktatura, sepse efektet shkatrrimtare të diktaturës të çfarë do ngjyre qoftë nuk janë vetëm për viktimën dhe familjen e tij; ata janë për mbarë njerëzimin; ata duhen denoncue sepse kanë aftësinë me u përsëritë. Diktatura asht pësim dhe mësim për të gjithë. Beteja kundër diktaturës ashtë nji detyrë morale permanente për të gjithë, jo vetëm betejë politike e nji dite.
Nji botë me qenie njerëzore plot dinjitet asht nji ideal që duhet të realizohet. Shpesh herë vështirësitë janë ma të mëdha se aftësitë tona. Por historia na mëson se randësia e mos-komprometimit me “murtajën” diktatoriale asht vlera ma e naltë, e mbrojtja ma e mirë kundër përhapjes së diktaturës. Dinjiteti për të gjithë asht nji ideal i arrijtshëm. Në Shqipëri, rezistenca kundër pushtimit italian e gjerman e ka konfirmue kët cilësi superiore. Na mund të pengojmë edhe rindërtimin e burgjeve e kampeve të përqendrimit e të punës së detyrueshme nën kamxhikun e policit brutal për familjet tona të pafajshme – pleq, gra e fëmijë, për 45 vjet pa ndërpremje- nji turp i mbarë shoqnisë shqiptare. (Dekreti Nr. 648, datë 10 janar 1949 vendosi sistemin e internimit të familjeve për arsye politike). Kujtojeni! Mos e harroni! Vetëm atëherë do të jemi në gjendje me korrë fitoren e kurajos civile dhe shpirtmadhësisë sonë njerëzore! Sepse edhe sot, kushdo që asht persekutue ose shpronsue nuk e ndien veten të sigurt përsëri. Ethet e frikës mbulojnë akoma vendin tonë.
Kur amerikanët mendojnë për lirinë, zakonisht imagjinojnë nji dyluftim në mes të “nji qytetari të thjeshtë” dhe “nji qeverie të plotfuqishme”. Në përfundim, ata janë të prirun me fuqizue qytetarin dhe me kufizue forcën qeveritare. Kjo quhet demokraci! Nji zhvillim i këtill forcon bindjen tonë se duhet të kemi besim tek njeni tjetri. Kështu lindë solidariteti në shoqni.
Tue pasë parasysh të metat e zgjedhjeve, na njohim ligjshmëninë e tyne; pranojmë përqindjen e votave si përfaqsuese e të gjitha votave. E vërteta e panjohun zavendsohet me nji “të vërtetë nominale”, tanësia me pjesën ma të madhe të saj. Dhe kështu, na vendosim pushtetin në duert e nji të vërtete “nominale”. Shpesh herë kjo “shumicë” asht kundër “vullnetit të përgjithshëm të popullsisë”, nji shkelje e parimit themelor se “autoriteti” që qeveris duhet të respektojë “vullnetin e përgjithshëm” që simbas filozofit iluminist francez, Diderot. “gjithmonë mbështet anën ma të favorshme të interesit publik”.
Ky parim themelor u kontestue me rrjedhime katastrofale nga filozofi Karl Marx, dhe u zbatue nga regjimet komuniste ma vonë. Për Marksin, “ndërgjegjsimi” asht diçka që duhet të formohet – universal dhe autoritar. Fillon me nji “vullnet të përgjithshëm”, i definuem a priori, të cilit individi duhet t’i nënshtrohet, për shpejtimin e procesit historik të shoqënisë njerëzore, dhe marrjen e pushtetit nga klasa punëtore “Të tjerët”, ata që nuk e pranojnë, janë “armiq të popullit”. Ky qëndrim sjellë koncentrimin e pushtetit në nji parti të vetme (monizëm) dhe eventualisht te nji njeri i vetëm. Për marksistët, “nji” njeri i vetëm njeh, në mënyrë të pagabueshme, cili asht “vullneti i popullit”, …diçka e ngjashme me regjimin e bletëve. Ky lloj pushteti total korrupton në mënyrë të paevitueshme “udhëheqsin” në karakterin e tij përfaqsues. Historiani anglez, Lord Acton, përfundon: “Njerëzit e pushtetshëm janë pothuejse gjithëherë njerëz të këqij!”.
 
Fleta e Votimit - 25 Qershor 2017
Fleta e Votimit – 25 Qershor 2017

***

Me 25 qershor, afër dy milionë qytetarë të lirë do të drejtohen drejt qendrave të votimit me ushtrue të drejtën e tyne themelore: zgjedhjen e lirë të përfaqsuesve të tyne. Ky asht akti themelor në demokraci, dhe ma i randësishmi për mbarëvajtjen e shoqnisë shqiptare. Ata që vijnë në fuqi, betohen se do të shërbejnë elektoratin e tyne me nder e besnikëri. Çdo votues ka të drejtë me kërkue nji shërbim të këtillë. Vetëm ata që nuk votojnë heqin dorë vullnetarisht nga kjo e drejtë.
(Marrë nga Revista Kuqezi – nr. 112 Bruksel – Qershor 2017)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.