back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

2 Prill 1991 – 2 Prill 2021… nga Fritz Radovani

Gazeta

Heronjtë e 2 prillit 1991
Heronjtë e 2 prillit 1991

2 Prill  1991 – 2 Prill 2021…* 

nga Fritz Radovani

Kështu  tha…  Ramiz  Alia:
“veç n’ futa e degermia…
 zbukurohet Shqipëria!”

Kaluen plot 30 vjet…
Si sot kujtoj shkrehjet e armëve gjakatare të terroristëve komunistë, që para se me ngordhë, dita e ditës, po vajiseshin me gjak Rinije Shqiptare të pafajshme…
Ishte një kujtesë për të gjithë “ata” që kishin “harrue” shprazjet e automatikëve mëngjeseve herët në Zallin e Kirit pranë Rrëmajit në Shkodër… Ai mëngjes i bukur prilli, me at diell aq të kandshëm, që porsa kishte fillue me ndriçue godinat e vjetra të Shkodrës, për pak minuta u terratis tue mbulue kokat e pesë Nanave Shkodrane përjetsisht me shejin e zisë, “degermijat” e mnershme, që për mbi 47 vjet mbulonin edhe muret e Rozafës…
Nji turmë e madhe qytetarësh shkodranë piskatnin në Fushë-Qelë të zemruem n’atë mbasdreke të 1 Prillit 1991: “Komunistët hajdutë na kanë vjedhë votat!”… E pa u errë ende, u nisën nga qendra e gjaksorëve, ku kurdiseshin arrestimet, vrasjet, torturat, e ku nuk pushonin nji minut thurjet e tragjedive, që kishin mbizotnue psikologjinë e çdo njeriu që mund të harronte për një çast fjalën  marksist-leniniste të diktatorëve tanë: “Frikë”, e shkrueme nga data 29 nandor 1944, ndër majat e maleve, ndër fushat e kooperativat bujqësore, ndër fermat e t’interrnuemve, ndër hymjet e fabrikave e deri te dyert e gjitha materniteteve tona, ku çdo fëmijë, edhe para se të lindte, duhej të dridhej në barkun e nanës kur të ndigjonte fjalën “komunist”! Komiteti i PPSh ishte çerdhja e tyne!!
Në orët e vona aty shkoi edhe Kryetari i BSPSh së Shkodrës Ferdinand Temali, e mbas pak kohe demostruesit u shpërndanë tue i urue njeni-tjetrit “natën e mirë!”…
Kur kemi shkue bashkë me Arben Borshin nga ora 21.30, nuk kemi gjetë njeri. Aty dukej sikur ka ra “heshtje”… po e nesërmja në mëngjes tregoi se aty ishin sajue edhe vrasje të shëmtueme, që do të brengosnin Nanat Shqiptare…
Në mbramje kishte ardhë nga Tirana edhe zv. Ministri i Punëve të Mbrendshme… dhe, bashkë me kryetarin e Degës së Mbrendshme të Shkodrës Çapajev Taçin, shefin e policisë Dilaver Paparen dhe policin vrasës Gjekë Çelin, kishin projektue mënyrën e “Sigurimit të Komitetit PPSh”, me vendosje të forcave të rendit, snajperve ndër godinat përreth, sambistëve të droguem në të gjitha ato godina ku mendohej me krijue trazime dhe ku punohej për me realizue vrasje dhe terror.
Pikërisht në apartamentin mbas poliklinikës ishte edhe gjuejtësi i djaloshit të zgjedhun për “kurban”, studenti Arben Broci, që vetë Presidenti gjakatar Ramiz Alia në takimin e organizuem me studentët në Pallatin e Brigadave i kishte vue shenjën e vrasjes…
Kur studentët e shkollës së mesme “Jordan Misja” ishin të ulun karshi Komitetit, në barin e lulishtës, dhe posa Arbeni, ka mbrrijtë aty nga rruga e qendrës së qytetit… pa u afrue mirë tek studentët, asht ndigjue krizma e snajperit që e ka goditë mu në krahun e majtë, mbi kerdhokël, tue i shkaktue vdekjen në çast… Ramja e tij në asfalt ka dhanë sinjalin, mbas të cilit u vranë Nazmi Kryeziu, 38 vjeç, Besnik Ceka, 21 vjeç, Besnik Bishanaku 22 vjeç dhe u plagosen mbi 89 vetë, listën e të cilëve e kishte Ferdinand Temali. Dij se shpejt ka vdekë edhe Artur Gila. Gjuejtja me snajper u ba nga godinat përreth sheshit… Dij se Arben Broci asht vra nga dritaria e apartamentit, pranë derës së Frano Preçit, që më ka tregue Ai vetë.
Frano, sa ka ndigjue të shtimet e para, ka dalë te dera dhe ka gjetë 2 sampistë që gjuenin…
Kur urdhni i Presidentit ishte zbatue përpiknisht, dhe mbasi dhuna ishte prezent në çdo qoshe të qytetit, hipokriti i Shkodrës, “bilbili i partisë”, kishte mendue me vue edhe maskën e tij si zakonisht veprojnë vrasësit, tue “nxi surratin në ikje mos me u njoftë kush asht gjaksi” i dha flakën Komitetit të Partisë, tue u mundue me krijue idenë se “vrasjet erdhën pasojë e djegies së selisë së PPSh”… Nji trillim pa rezultat që u shue pa lindë… “tymi dhe bloza e arshivave të partisë komuniste nuk e mbuluen faqen e zezë të tij… derisa ngordhi!”.
Edhe pse u banë sa e sa mbledhje në Komitetin ekzekutiv të Shkodrës, filluen greva, u ndalue puna e u mbyllën fabrika, erdhën nga Tirana hetuesë e prokurorë, juristë e spijunë, dhe u mendue me ua lanë “preshin” në dorë disa thasëve pa markë… Asnjiherë nuk asht arrijtë me u mendue “pafajsia” e organizatorëve të masakrës së 2 Prillit 1991 në Shkodër!

Shkodër… 2 prill 1991
Shkodër… 2 prill 1991

Ajo ishte një vepër tipike terroriste komuniste me të gjitha shfaqjet e msheftësitë e veta që nga organizimi, realizimi dhe zvarrisja me zbulue të vërtetën, gja e cila s’ka asnji rasë që asht dënue në atë sistem përbindsh e tiran siç ishte komunizmi në Shqipni.
Të gjitha “misteret” janë vepra të diktaturës komuniste, të cilat mbulohen për aq kohë sa ai sistem barbar të sundojë mbi popullin e pambrojtun, ashtu siç asht Populli Shqiptar, përderisa vrasësit, torturuesit, kriminelët dhe tiranët, jo vetëm nuk dënohen për krimet që kanë krye dhe vazhdojnë me ba çdo ditë, por edhe qiten e priten ndër shtete që krenohen për “demokracinë dhe arritjet e saja” në vendet e tyne. Përderisa të mos vihen në bankën e të akuzuemve, por të lihen të lirë vrasësit e kriminelët e diktaturës komuniste shqiptare, që asht nji nga ma tipiket e atij sistemi në botë, të gjitha idetë e lirisë dhe të demokracisë, nëse nuk janë përmbysë ende, s’asht e largët koha e ringjalljes së diktaturës së pashpirtë!
Koha po tregon se “ringjallja” po nxitet dhe po afrohet me “ringjalljen e diktatorëve” të pashpirtë.
2 Prilli 1991, në Shkodër asht vazhdë e krimeve që komunistët kanë krye ditën për diell e natën për hanë për 47 vjet pa ndërpremje. Që nga viti 1944, krimet e tyne janë legale, të njoftuna dhe të jashtaligjshme ashtu si ishte vetë organi i Sigurimit të Shtetit, që zbatonte jashta të gjitha normave njerzore e juridike vendimet e partisë komuniste. Kriminelet e diktaturës 47 vjeçare vazhdojnë me kenë “heronj”… e Kuvendi Popullor asht dakord!
Shteti Shqiptar nëse vazhdon mos me dënue kriminelët apo “meritat” e njoftuna zyrtarisht nga organet e paligjshme të diktaturës, tue fillue nga Enver Hoxha, Ramiz Alia, Nexhmije k… (siç asht thirrë nga turma në vorrimin e 17 vjeçarit Pllumb Pllumbaj, i vramë në kufi në korrikun e vitit 1990,) domethanë që Shteti sot jo vetëm pajtohet me ato krime të shëmtueme të komunizmit gjakatar, por edhe asht pasues i veprës së tyne.
Populli Shqiptar nuk duhet të heshti dhe as të mendojë se “armët e diktaturës” ndryshken vetvetiu, përderisa, ai të jetë prè e atyne armëve, që për 70 vjet vazhdojnë me vra Bijtë e Atij Populli, që asnjiherë nuk e ka pushue luftën e vet për Liri e Demokraci!
Demokracia asnjiherë nuk mund të ndërtohet mbi rrënojat e krimit e barbarizmit!

.

Ky shkrim është i vitit 2014, por iu përshtat ditës së sotme, me rastin e 30 vjetorine të kësaj ngjarje tragjike, e cila edhe sot organizatorët e saj i ka në majat e pushtetit!…

.
Melbourne, Prill 2014.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.