back to top
17.5 C
Tirana
E premte, 4 Tetor, 2024

1957/Shqiptarët e Kosovës i vunë të punonin fshesaxhinj në Fier – nga Kastriot Dervishi

Gazeta

 3 djem intelektualë të Pejës së që zgjodhën në vitin 1956 Shqiperine - Jashar Dacaj, Ibish Kelmendi, Bardhyl Kelmendi
3 djem intelektualë të Pejës zgjodhën në vitin 1956 Shqiperine
– Jashar Dacaj, Ibish Kelmendi, Bardhyl Kelmendi

1957/Shqiptarët e Kosovës u vunë si fshesaxhinj në Fier

nga Kastriot Dervishi

Shqiptarët e Kosovës që vinin në Shqipëri, regjimi antikombëtar i E. Hoxhës i cilësonte “emigrantë jugosllavë”. Ai i vendoste ata kryesisht në ferma, në kushte internimi, duke i denigruar kohë pas kohe. Mjafton të shohësh letrat që ata kanë nisur për të kuptuar trajtimin e keq dhe zhgënjimin e thellë që ata pësonin në Shqipëri. Pasi i lanë pa bukë, e mjete të tjera, tre shqiptarë të Kosovës të ardhur në vitin 1956, i dërguan të punonin si fshesaxhinj.
Tre prej tyre, Jashar Dacaj, Bardhyl Kelmendi dhe Ibish Kelmendi (i cili më vonë edhe u burgos), i shkruan Enver Hoxhës një letër të përbashkët (pa datë), e cila protokollohet në Komitetin Qendror më 05.01.1957.
Kishin ardhur në Shqipëri më 30.8.1956. Ata kërkonin një punë normale ndërsa theksonin se kishin bërë kërkesë për marrjen e shtetësisë. Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Administrative, Vilson Pecani, shkruan se këta kishin “shumë pretendime” se donin të punonin në administratë (një gjë e tillë nuk del nga letra). Midis të tjerash shkruajnë:
.
 Jashar Dacaj, Ibish Kelmendi, Bardhyl Kelmendi - i shkruajne qeverise
Jashar Dacaj, Ibish Kelmendi, Bardhyl Kelmendi – i shkruajne qeverise
“Kemi qenë në fermën e Llakatundit ku kemi punue punë krahu pa bë za me gjithë që për të parën herë punojmë fizikisht. Nuk e kemi përbuzë punën, “kemi punue sa kemi mujtë” – thotë një proverb popullor. Me urdhrin e ministrisë jemi transferuar te miqtë. Ne gjendemi te një mik i yni në Fier. Ushqehemi, flemë, na shërben me çdo mjet që na nevojitet, pa të cilin nuk mundemi…
Po ke një njeri jo i pasur murator, pa tokë, i cili tash nuk punon mbasi s’ka punë. Kurse ai nuk është në gjendje të mbajë familjet e vet e ku do të jenë me shpenzimet tona. Kemi ndejtë pa punë një muaj e sa ditë kërkuam punë në komitetin e partisë dhe komitetin ekzekutiv në Fier. Na është thënë se si shtetas të huaj nuk mund të marrim asnjë punë zyrtare përveçse punës fizike. Kjo gjë na çuditi. Na u tha se duhet të na mbajë ai që na ka strehuar me çdo shërbim, por ju cekeni punën e tij se si qëndron ekonomikisht. Mbas sa ditëve na është dhënë puna fizike në ndërmarrjen lokale të qytetit ku punojmë nëpër rrugët e qytetit me gjithë që kemi dhënë një pamje jo të mirë pasi njerëzit flisnin: “Si emigrantët me fshesë dhe karro të vogël nëpër rrugët e qytetit?! Megjithatë kemi punë dhe me vullnet. Për shkak të stinës së dimrit tash e tutje punë nuk ka kjo ndërmarrje. Bien pyetja se ku do të punojmë neve dhe si do të ushqehemi, vishemi dhe mbathemi, mbasi këtu nuk na japin tjetër punë, duke na thënë se nuk kemi…
 
Bardhyl Kelmendi
Bardhyl Kelmendi

I shtrenjti im, ati im Bardhyl Kelmendi,

nga Mardena Kelmendi

Unë, e bija e njeriut më të shtrenjtë që jeta më njohu Babën, bija e njeriut më të ndershëm e patriot i vërtetë,
Burrë që torturat e zhgënjimet ia shkurtuan jetën si atij dhe shumë bijve të Dardanisë që zgjodhën “Dheun Mëmë” Shqipërinë të jetonin dhe preknin (ëndrrën e e madhe): Atdheun!
Nji pjese asokohe, dhe atyre viteve zgjodhi Perëndimin. kurse ata Shqipërinë, ku u torturuan burgjeve ç’njerzisht,
Ata djem intelektualë mësues e që u shkatërruan internimeve dhe u lanë rrugëve nëse nuk do të bashkpunonin me kriminelin dhe sistemin e tij, që thernin zemra nënash, bijash e familjesh, e që njëri prej tyre ishte i shtrenjti ati im Bardhyl Kelmendi, i cili kaloi të gjitha llojet e torturave, burg e sëmundje që ju shfaqen gjatë atyre torturava dhe hetuesive makabër po mbi të gjitha zhgënjimin e madh që dhe sot u kanë vënë beton sipër krimeve 80 vjeçare.
Jam krenare për ty babë! Çdo lloj pune që të ra për hise ta kryesh, atdheut që zgjodhe moshën më të bukur, aty ku derisa e jetuat u trajtuat si emigrantë “jugosllavë” e për ju nuk kishte të drejta, po veç përndjekje e vuajtje; Për mendjen e shpirtin, për forcën e dashurinë tënde që kush të njohu e e mirë këtë si edhe burrërinë sepse i mbijetove çdo torture, ti o yll i bukur në duar vampirësh që nuk u ngopën me gjak për 50 vjet!
Me vjen veç dhembje kur kujtoj padrejtësitë mbi ty pse të njoha matanë telave me gjemba, po ashtu të mençur, të dashur, të urtë e me buzëqeshje qiellore, ku më ushqeje vetëm me dashurinë tënde pa urrejtje!
Si mos të urreja? E?
E di pse? Mijra herë kam falur, që të eci përpara dhe… në fund të fundit sot?
Çfarë s’po na dëgjojnë veshët e s’po na shohin sytë!
U dashka t’i lexoj vuajtjet e tua gjetke… Oh bre kohë e të ligut!
Nuk ma tregove kurrë asnji emër nga ata që ta kishin coptu shpirtin ty, që kishte ende shenja gjymtyrëve të tua
Ata që t’i shkulën dhëmbet e trupin të mbajtën në ujë ditë e netë; Ata që kushedi sot hanë ndonjë pension perëndimor dhe fërkojnë barkun me kokën shpëtuar diku gjetkë
Sa heshtje… sa harresë për ju;
Nuk më kishe treguar kurrë sa paska vuajtur ai shpirti yt, o i ëmbli im
Koka e gjarpërit vampirian që shqyeu çdo ndjesi për trevat shqiptare duhej këputur që mos të kishte fuqinë e helmit ende,
Ndjej e mungesen tënde kaq shumë, ta dish o ati im
Doja të më tregoje për Kuçishtën, Pejën tënde që ta munguan për vite e vite, kufijëve të mbyllur: nënë, babë, vëllezër e motra,
Sot ka rrëshqitur gjithshka fatkeqsisht
Di veç që ta mbusha shpirtin në 15 vitet e fundit të jetës tënde kur jetove pranë meje dhe shërova sa munda plagët e tua o babush, mes mërgimit, i falem mundësive që ky vend ku jetoj më dha të drejtë të kuroja;
Ti flen përjetësisht në Kuçishtën tënde, afër nënës Shytë, babës Balì e vëllezërve të tu… atje Rugovës dhe ashtu i heshtur më fole sot babi me kët lëtër tuajën që zoti Kastriot Dervishi ka pa paraqitur publikisht
Pashë emrin tënd… pashë shkrimin tënd, pashë firmën tënde…
Babë kjo botë e padrejtë ka rrëshqitur në çmenduri… Ajo ëndërr që mijra djem dhanë jetën është sot… Biznese të liga me dhembjet shpirtërore të nji kombi…
Unë e kam të drejtën të them: Të adhuroj, e jam krenare për Ty babi im: Bardhyl Bali Kelmendi, Ti zgjodhe ëndrrën e shqiptarisë!
Ta realizoftë Zoti!
Mardena Kelmendi Trieste, 9 korrik 2021
.
Mardena Kelmendi
Mardena Kelmendi
Sqarim: Këta ne foto janë 3 djem intelektualë të Pejës së që zgjodhën në vitin 1956 Shqipërinë si mësues. Sapo kishin kryer shkollat dhe hynë në “dheun amë”
Jashar Dacaj, Ibish Kelmendi e Bardhyl Kelmendi (im atë)
.
Ylli Krasniqi
Mëse e vërtetë! I kam njoh personalisht që fëmijë, shokë të babës. Me njëri-tjetrin flisnin hapur, edhe pse nga “emigrantët” kishte ndonjë që punonte për sigurimin, por ata njiheshin… Të larguar nga serbi, e pranonin se kishin gabuar rëndë që kishin ardhur në Shqipërinë mëmë… I dëgjoja me kërshëri kur thoshin se mund të kishin shkuar në USA pa problem… Edhe pse me shkolle dhe i kualifikuar, baba jem punoi vetëm hamall edhe pse u dëmtua dhe doli invalid. Jeta ime dhe e tij në Shqipëri do ta quaj “një tragjedi shqiptare…”
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.