
1 mars 1951
nga Osmon Kaceli
Ishte ditë e ejte 1 Marsi i vitit 1951. Si sot me kujtohet gazeta “Bashkimi”, që pruni Tomorri ndërsa unë me Agi Mitrushin, Nailen e dy të tjerë ishim duke luejtë para portës së kopshtit të Selim Vathit. Si pa dashje Tomorri, që ishte thuajse dy vjet më i madh, e ktheu gazetën e palosme n’dyshë, pikërisht nga ana e majtë e fundit të faqes ku spikaste fjala Dekret, e shkruejtun me shkronja të trasha e sterrë të zeza. Ishin rreth 10 rradhë në këtë artikull, në të cilën lexova tre herë fjalën falje. Menjiherë u shkëputa nga shokët dhe u nisa me vrap drejt shpisë, për t’i dhonë Nonës lajmin e shkruejtun në gazetë. Vej në dukje se baba jonë ishte arrestu 8 ditë më parë, gjoja si i impliku në shpërthimin e t’ashtuquejtunës “Bombë në Ambasadën Sovjetike”! E shkreta nona ime as nuk i fshehu emocionet e gëzueshme! Unë gjithashtu. Ato ditë né pritshim që baba të lirohej! Ndërsa koha kalonte, unë u përgatita për të shku në shkollën “Ismail Qemali”, ku isha i rregjistru në klasën e katërt të mbasdites.
Ndërkaq nona po përgatiste drekën për ne të vegjlit. Me siguri asaj i kujtohej mesnata e 20 shkurtit, kur bishat me fytyrë njeriu të agjentëve të Sigurimit të Shtetit, e rrëmbynë babën e 7 fëmijve me nji egërsi të papame. Ajo e tronditme dhe e lebetitme, e shoqnoi me të qame e dënesa të pandërpreme, sëbashku me vllanë 6 vjeçar, Mirin deri afër xhipsit, motorri i të cilit gumzhinte me nji zhurmë shurdhuese.
Baba i kishte ndjek me dhimbje të qamet, ngashrimet e thirrjet e tyne, dhe duke kthy kokën, kishte fol me nji zò sa të vendosun, e po aq urdhnues:
“Kthehu e dashun gru! Do të sqarohen gjonat, e un nesër do të jem sërish pranë jush. Unë s’kam bo asgjo! Kthehu e dashtun gru e kujdes fëmijtë!”
Këto momente bluente në mendjen e vet nona jonë e dashun, ndërsa më përcolli mu tek porta e oborrit, për në shkollë.
Porta në fjalë ishte prej druni të fortë e ishte shumë e rondë, sa që gjatë ditës rrinte thuajse gjys’e hapun. Si duket kështu e kishin gjetë 2 oficerët e Sigurimit, të cilët rreth orës 14.30 t’atij nji marsi makabër, kishin hy deri në mes t’oborrit e kishin thrrit me zò të naltë;
“Shtëpija e Jonuz Kacelit është kjo, a ka njeri ktu? Ndërkaq me t’ndigju emnin e babës, nona ishte gjindun para oficerëve.
Po, ishte përgjigj ajo. Unë jam grueja e Jonuzit…
Pa mbaru mirë nona fjalën, njoni nga oficerët, me vrazhdsi e ligësi kishte vazhdu;
“Burrin tënd Jonuzin ta kemi egzekutu, për veprimtari armiqësore kundër Partisë e Popullit. Ti dhe fëmijët, bëjini plaçkat gati e të shtunën datë 3 mars, vjen kamioni t’ju marrë. Do të internoheni në Çorovodë të Skraparit!!!!”
Nuk mund të imagjinohet gjendja shpirtënore e nonës n’ato momente! Ajo kishte thrrit me zò të naltë në drejtim të dhomës ku rrinte Hamdi Karazi:
-Ç’do me thonë “egzekutu” Zoti Hamdi?
Ky i shkreti ia kishte thonë copë: “E paskan pushkatu Nuzin, o Reme…”
Në këte moment, sapo ndëgjoi Zotin Hamdi, nona e humbi torruen. Ajo pa e zgjat asnji sekond ka dalë nga porta dhe ka hy në portën e familjes Mima e me nxitim, duke qa e thrrit asht drejtu te pusi i tyne, në pjesën e pasme të shtëpisë. E kishte vendosë të vriste veten!
Asaj i ishin errë sytë. Ajo mendonte se jeta e saj nuk kishte mo kuptim…
Por shyqyr Zotit, e zonjave shtëpisë, Moma e Prokop Mimës, duke ndëgju klithma e të qame, i ishte afru Nonës tonë, duke iu lut e duke i u përgjëru: ”Mos Reme, për hatër të Zotit çfarë bon kështu? Ti ke 7 fëmijë për t’i rrit! Pash hatrin e Zotit, mos Reme mos, mos….
Pa mbaru fjalën Zonja e mrekullueshme Aspasia Mima, Nona jonë kishte ardhë në vete, e i ishin kujtu fjalët e fundit të Burrit të shumë dashun, Babës së 7 fëmijve të saj:
”Kujdes fëmijtë gru!!!!”
Ajo e përlotun dhe e ngashryme, pa prit sekondin e ka përqafu Momën e Kopit, e duke përsërit fjalët e fundit të Babës tonë, i ka thonë asaj: ”Ky paska qenë amaneti i Nuzit tim!”
Jonuz Kaceli, 2 mars 2026

Brunhilda Herri
E njëjta tragjedi, i njëjti pikëllim dhe dhimbje shpirti… edhe baba jonë i tha mamës; mos u trishto se do kthehem shpejt, nuk kam bo gjo… por mbas pak ditësh na erdhi motorri te porta e shtëpisë dhe Zyhdiun e kemi ekzekutuar si armik i popullit… gjyshes i ra të fikët, kurse mama me dyshek në krahë po e kërkonte burgjeve… mbas pak ditësh na internuan duke na lënë vetëm me rrobat e trupit… Ishte ftohët dhe binte shi… sa na mungoi ai babë gjithë jetën… Por mama burrneshë me shumë vështirësi me rriti, megjithëse e thirren në degën e P. të Brendëshme dhe i propozuan të bëhej vegël e tyre, por ajo nuk pranoi dhe kapi bishtin e lopatës… nuk më pranonin as në çerdhe e as në kopësht se isha fëmijë i deklasuar… atëhere mama me lopatën që punonte hapi një gropë me fuste mua brenda që të mos largohesha… e çfarë të tregoj me parë…