back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024


Shqiptarët hebrenj – midis nderimit dhe zhveshjes së dhunshme nga Shpend Sollaku – Noe

Gazeta

Shpend Sollaku Noé dhe Dr. Zino Matathia
Shpend Sollaku Noé dhe Dr. Zino Matathia

Shqiptarët hebrenj – 

– midis nderimit dhe zhveshjes së dhunshme

nga Shpend Sollaku – Noe

Sipas një dialogu me doktorin Zino Matathia

Kjo nuk është një intervistë… Ky nuk është një reportazh, nuk është as edhe një tregim. Këto janë përshtypje të hedhura në letër gjatë një dialogu me mjekun e shquar kirurg Zino Matathia, në një natë të ngrohtë beratase, pranë një gote me verë, si në një bisedë midis miqsh. Kisha shumë nevojë për të biseduar kokë më kokë me doktorin. I kisha folur që më parë për kërkesën time. Në romanet e mi shumë personazhe janë hebrenj. Doktor Zino është një enciklopedi e gjallë në këtë lëmë dhe mund të më ndihmojë më shumë se një bibliotekë apo studim online. Sidomos me fakte të jetuara. Dhe janë ato që më shumë më interesojnë. Në klubin ku bisedojmë, burmat e muzikës, si pothuaj në të gjitha lokalet shqiptare, janë ngritur në maksimum, dhe ne të dy, ndërsa përpiqemi të kuptohemi, afrojmë veshin tek goja e njerit-tjetrit, duke lënë, në dukje, përshtypjen e thashethemexhinjve që i ruhen ambientit.
Kam sjellë disa foto të shtrenjta me vete, më thotë doktori, në vend të cin-cin-t, dhe më vë përpara njërën prej tyre. Janë prindrit e mi, Ilia Matathia e Hrisi Kohen, shpjegon me sytë e përnjomur. Kanë dalë ditën e martesës, në Vlorë, në vitin 1938.

Ilia Matathia e Hrisi Kohen, ditën e martesës - Vlorë 1938
Ilia Matathia e Hrisi Kohen, ditën e martesës – Vlorë 1938

E marr në dorë atë foto. Dy të rinj të asaj epoke, ajo me fustan të bardhë dhe me lule në duar, ai me kostumin tipik europian të viteve tridhjetë dhe dorashka të bardha. Fotoja ka pësuar ndikimin e viteve, por unë e shoh që tani të restauruar me sukses nga duart e arta të mikut tim Ilir Prifti.
Kështu visheshin shqiptarët e qyteteve të asaj kohe, shton doktori. 
Mua më bën përshtypje fraza “shqiptarët e qyteteve”. Dhe hebrenjtë, nuk kishin ndonjë dallim? E pyes ashtu kot.
Nuk ka patur hebrenj të Shqipërisë, saktëson miku i rrallë nga Izraeli, por shqiptarë të fesë ebraike.
Unë tund kokën në shenjë aprovimi. E drejtë, i them duke u përpjekur të korrigjohem, ndryshe do të kishin qenë turq shqiptarët e fesë islame, grekë ata orthodoksët e… me vjen ndërmend Pashko Vasa, edhe pse ai nuk i përmend hebrenjtë. E dinte poeti ynë që ata ekzistonin në trevat shqiptare shumë më parë sesa te shkruhej “O moj shqypni”? Ndoshta po, me kulturën e madhe që ka patur apo me gjuhët e huaja që zotëronte. Apo nuk e konsideroi fenë e tyre një kërcënim për shqiptarinë? Nëse Vaso Pasha nuk mund të më ndihmojë dot më, është doktori përballë që m’i nxjerr gështenjat prej zjarrit. Ia shpreha ç’po mendoja.
Nuk flas për prezencën e hebrenjve para se në Vlorë të vinin familjet tona, më thotë. Historia shqiptare ka shumë boshllëqe në këtë drejtim. Ka patur një diasporë hebrenjsh në Shqipëri shumë më parë sesa stërgjyshërit e mi të vendoseshin në këtë qytet rreth 1800-ës, vijon doktori e më flet për… romanjotët – jahudinj të Perandorisë Romake, prej të cilëve rrjedh edhe mbiemri Matathia. Saktësia e pemës gjenealogjike arrin deri tek paraardhësi Flavius Josephus, që kish lindur në Jeruzalem, në vitin 37 dhe që vdiq në vitin 100, që ka qenë shkrimtar, historian dhe ushtarak në shërbim të Romës. Ky personazh kompleks me emër romak ishte pasardhësi direkt i fisit Matathia, pasi emri i tij hebre ishte Josef Ben Matatiau.
Përzier me krenarinë për origjinën e Matathiajve, më arrijnë në vesh histori gjaku e faljesh, por edhe dashurie, në të cilat, përveç Matatiaut, aktor protaginist bëhet edhe Flavio Vespasiani, perandori i mëvonshëm romak Cesare Vespasiano Augusto. Ku hyn në lojë edhe William Shakespeare. Pastaj biseda zbret më afër tokës, sillet rreth studimit të profesor Shaban Sinanit për ndikimin e kulturës ebraike në zakonet shqiptare. 
Si ju duket ky përfundim i Sinanit, i them doktor Zinos.
E aprovoj plotësisht, përgjigjet doktori, edhe unë jam i bindur që shqiptarë e jahudinj kanë më shumë se dymijë vjet që jetojnë së bashku.
Unë i hedh një sy tavolinës. Gotat e verës i kemi cokur vetëm njëherë, në fillim të bisedës, ndërsa pjatat tona janë ende të paprekura. Por nuk kam uri, edhe pse po afrohet mesnata. Zino Matathia e vëren që volumi i ekzagjeruar i muzikës vazhdon të më bëjë të vuaj, prandaj më thotë me shumë takt: Mua më mungon ajri, si thua, dalim pak jashtë?
Aprovoj menjëherë propozimin e tij dhe në pak minuta gjendemi në rrugicën e gurtë pranë Xhamisë së Plumbit. Ajër i pastër, muzika vetëm në sfond, ashtu siç më pëlqen ta dëgjoj. Një mik i çmuar si doktori, nata e qetë e Beratit dhe një argument mjaft interesant për dialogun tonë. Mendova se nuk kisha ç’ti kërkoja më asaj nate.
E Matathiat, si u gjendën në Vlorë? E nxis doktorin të flasë.
Të parët tanë arritën në Vlorë, siç e përmenda më parë, rreth 1800-ës, duke u shkëputur prej të tjerëve hebrenj të Vilajetit i Janinës, ku ish ngulur prej kohësh një grup i rëndësishëm romanjotësh. Ata ishin dy vëllezërit Isak dhe Josef Matathia. Të tjerët mbetën në Greqi. Nga këta dy vëllezër rrjedhin të gjithë pasardhësit e familjes Matathia që u bënë shqiptarë. Duke analizuar pastaj prejardhjen e kësaj familjeje, dalin të qarta lidhjet me familjet hebrenje të Jakoelëve, të Levëve, të Jomtovëve apo edhe të tjerësh mbiemra të grupit të mësipërm të romanjotëve. Stërgyshi im ka qenë Isak Avram Matathia dhe e ka varrin në Tragjas të Vlorës. Kam me vete edhe një foto të një varri, që ma dërgoi pak ditë më parë në Izrael profesori Shaban Sinani. Shumë mendojnë se ky është vendvarrimi i stërgjyshit tim, ka edhe që vënë në diskutim këtë, fjala e fundit akoma nuk është thënë.

Shaban Sinani - Shqiptarët dhe hebrenjtë
Shaban Sinani – Shqiptarët dhe hebrenjtë

I hedh një sy fotografisë së dytë që doktor Zino më lë në dorë. Nuk është një varr i zakonshëm ai që duhet të jetë i stërgjyshit të tij, por një mauzole i vërtetë, një vepër arti e gurtë me katër fasada nga tetë harqe. Për fat të keq pothuaj i mbuluar nga ferrat. Mund të ish restauruar edhe me shpenzimet e administratës së Vlorës, mund edhe të ish kthyer në vend historik, me një pllakë të mermertë që përkujton avenimentin e ardhjes së Matathinjve në 1800-ën. Ia them këtë ide doktorit. Nuk është keqdashje, më thotë. Mendoj se në Vlorë kanë probleme më të mprehta se ky. Ndoshta edhe ne hebrenjtë duhet të ishim vënë në lëvizje. Vlonjatët na kanë respektuar gjithmonë. Kemi jetuar së bashku, kemi marrë e kemi dhënë, ngul këmbë doktori. Dhe biseda rikridhet natyrshëm në histori.
Ne u bëmë pjesë integrale e shoqërisë vlonjate që në fillim, shton Zino Matathia. Kemi kotribuar deri në atë masë sa arritëm të bëheshim një segment i rëndësishëm i parisë së Vlorës. Kjo del edhe nga dokumentat e shumta të historisë së këtij qyteti. Unë po të jap të shohësh edhe një foto tjetër, këtë, më thotë doktori, dhe ma lë në dorë.
Fotoja në fjalë është më e dëmtuar se e para, por sipas meje hyn në parametrat e restaurimit të mjeshtrit Ilir Prifti.
Në një bisedë spontane si kjo midis nesh nuk mund të sjell ndërmend gjithçka rreth hebrenjve që u bënë vlonjatë të mirëfilltë, vazhdon Zino Matathia. Sidoqoftë shihe me kujdes këtë dokument: është shkrepur ditën e kremtimit të fitores të Luftës së Vlorës, më 3 shtator 1920. I dyti nga e majta e fotos, me dyfek në dorë, është Mateo Matathia. Të tjerët janë Gani Iljazi, Mihal Peço, Gani Aliko e Haxhi Selmani. Kjo foto është njëra nga dëshmitë e shumta të pjesëmarrjes aktive e si protagonistë të vlonjatëve jahudinj në historinë e qytetit tonë. Në atë luftë si dhe në evenimentet e mëvonshme, përkrah Mateo Matathisë kanë qenë edhe Nesim Levi e Jozef Kantozi.
Ata kishin dhënë një kotribut të çmuar edhe në Luftën e Pavarësisë. Kjo pjesëmarrje aktive në momentet kyçe të historisë u krijoi atyre probleme me italianët (sipas shumë gjasash qenë ata që i vunë zjarrin dy prej tre sinagogave të Vlorës). Po ashtu u dha hebrenjve prestigj e autoritet deri në Tiranë. Kjo u duk më së miri në marrëdhëniet e tyre me Ahmet Zogun. Mbreti i atëhershëm i Shqipërisë u përpoq me të githa mënyrat që t’u fitonte miqësinë. Ai u bënte vizita, ka fjetur edhe në shtëpitë e tyre, i ftonte për festa në pallatin mbretëror. Nuk mund të them se këtë e bënte ose jo për simpati ndaj hebrenjve, por është e sigurtë që kërkonte të fitonte edhe simpatinë e vlonjatëve të tjerë, që historikisht i kishin qëndruar ftohtë. Sidoqoftë, vazhdon doktor Zino, kjo miqësi me Oborrin i shpëtoi hebrenjtë e Vlorës nga persekutimet kur historia nazi-fashiste i vuri pëballë ligjeve raciale. Kur të tjera shtete kërkonin t’i dëbonin, Ahmet Zogu u përpoq t’u jepte strehim në Shqipëri të gjithë jahudinjve që do ta dëshironin.

Hebrej të ftuar te Mbreti Zog, djathtas dr. Ilia Matathia, Hrisi Matathia, Haim Batino, Eftiqi Batino (e shoqja) e Matilda Kohen (gjyshja e dr. Zinos)
Hebrej të ftuar te Mbreti Zog, djathtas dr. Ilia Matathia, Hrisi Matathia, Haim Batino, Eftiqi Batino (e shoqja) e Matilda Kohen (gjyshja e dr. Zinos)

Kjo është e vërteta: në Shqipëri nuk kemi vuajtur asnjëherë antisemitizmin, as nga populli, as nga qeveritë që ai ka patur. Eshtë i njohur fakti se kur përfaqësuesit e komunitetit hebre të Vlorës, Rafael Jakoel e Mateo Matathia i kërkuan mbrojtje Mehdi Frashërit pë t’i shpëtuar Shoah-së, ky i sugjeroi atyre që të takoheshin me ministrin e brendshëm Xhafer Deva, një antisemit i deklaruar. Jakoel e Matathia e takuan ministrin Deva, duke e marrë në sy rrezikun. Ishte si breshka që shkonte tek nallbani. Por ndodhi ajo që ata pak e prisnin: Tek Deva sedra nacionaliste e mbyti antisemitizmin. Ai u premtoi dy të të dërguarve të Vlorës që do të kundërshtonte kërkesën e nazistëve. Dhe e mbajti fjalën: gjermanët u tërhoqën përkohësisht nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve. Ka dokumenta që vërtetojnë se, më pas, gjermanët arritën t’i kenë ato lista dhe kërkuan të arrestonin dhe të nisnin drejt kampeve të shfarosjes të gjithë jahudinjtë vlonjatë, por avancimi i partizanëve nuk u la kohë të zbatonin atë plan kriminal.
Doktor Zinoja vazhdon të tregojë me sy të përhumbur. Shëtitja jonë është shpërngulur tashmë në buzë të Osumit. Dëgjohet një konkurim bilbilash të fshehur në shkurret e ishujve të vegjël në mes të ujit. Asnjë motor makine nuk të gërvish veshin. Berati mund të bëhet një qytet i shkëlqyer për tërhequr shkrimtarët. Këtu gjen kushte të mrekullueshme për të shkruar.
Doktori bluan të tjera gjëra në kokë. Nuk ka foto të tjera me vete. Unë pres momentin për t’i bërë surprizën time. Ia lë ta shikojë nën dritat e forta të një vitrine. Çfarë është, më thotë. Një dokument i marrë në gjykatën e Vlorës për sekuestrimin e pasurive të hebrenjve, i shpjegoj. Zino Matathia lëviz pak syzat për të parë më mirë. Lexon: Vendim numër 51, datë 15.04.1947, sipas shkresës së Gjykatës Ushtarake të Vlorës të dënuarit Mateo Jozef Matathia nga Vlora, si kriminel lufte, i konfiskohet pasuria e lujtshme dhe e palujtshme.

Mateo Matathia, i dyti majtas ne kremtimin e fitores së Luftës së Vlorës 1920
Mateo Matathia, i dyti majtas ne kremtimin e fitores së Luftës së Vlorës 1920

Doktor Zinon nuk e mban vendi. Mateo Matathia kriminel lufte? Ha, ha, ha, qesh me cinizëm. Ai patriot i madh që financoi Isamil Qemalin për Shpalljen e Pavarësisë, që luftoi me armë në dorë në Luftën e Vlorës, paska qenë kriminel lufte! Edhe pse? Pse ishte i pasur? Pse nuk deshi t’ua dorëzonte gjithë pasurinë partizanëvë? Ai që kish ndihmuar të gjithë, përfshirë edhe komunistët, që gjatë lëvizjes ilegale vulën e tyre e fshihnin tek Matathitë!
Zino Matathia kërkon të lexojë më mirë listën e gjatë të pasurisë së sekuestruar: Tokat në Ujin e Ftohtë e në Panajà, shtëpi e madhe moderne, dyqanet në lagjen Muradie… kolltuqe, dollapë, kuzhinë… katër ora floriri… napolonë… një zinxhir sahati i florinjtë me një yll me gjashtë cepa dhe një gur të çmuar…
Doktori nuk arrin të shkojë më tej. Ndoshta sepse ndjen jashtë mase praninë ndër sendet e sekuestruara edhe të Yllit të Davidit.
Unë dua t’i flas, por preferoj t’ia them të nesërmen, se jam informuar tek të afërm të tij që, në atë listë sekuestrimi që ai sapo i ka hedhur një sy, mungojnë shumë gjëra, që praktikisht u zhdukën pa lënë gjurmë, të vjedhura apo të dhuruara krerëve të fitimtarëve të luftës, që ndër pengjet e tyre më të mëdhenj ishte zhdukja e bibliotekës, ndoshta më e pasura e Vlorës së asaj kohe! Që në atë listë mungojnë torturat e pësuara nga Mateo Matathia, arrestimi i së shoqes për ta detyruar të nxirrte edhe qindarkën e fundit që mund të kishte fshehur…
Zhveshjen e parë nga pasuria shqiptarët hebrenj e kishin pësuar nga nazi-fashistët, që patën si pretekst antisemitismin. Por prapë ajo nuk mund të krahasohet me zhveshjen e dytë prej regjimit komunist, sepse ajo ishte zhveshje totale. Ia them këtë doktorit. Ai tund kokën dhimshëm dhe thotë të tijën: Nuk ishte antisemitizëm ai i komunistëve. Ishte luftë klasash. Si hebrenjtë e Vlorës e pësuan edhe të pasurit myslimanë apo të krishterë.
 Dhe tani, – i them, – tani që komunizmi nuk është më në pushtet? A u veshët përsëri? A iu kthyen pasuritë jahudinjve?
Doktori tund kokën në shenjë mohimi. Por nuk do të thellohet më tej. Ka shumë miq në Vlorë. Edhe pse ka punuar për shumë vjet në Berat – ku bëhen copë për ta kënaqur sa herë që vjen – vendlindja e tij është Vlora, ai flet me akcnet vlonjat, prej Vlorës ka trashëguar humorin edhe krenarinë.
I vij unë në ndihmë. I them ato që di: që vetëm një e shtata e tokave të Mateo Matathisë u është kthyer pasardhësve, që dy prej dyqaneve i ka marrë një ish punonjës i Sigurimit të Shtetit që, sipas trashëgimtarëve të ligjshëm, ka fallsifikuar dokumentat, që… 
Kjo, i them akoma doktorit, është zhveshja e tretë e shqiptarëve hebrenj.

Artikull i Shpend Sollaku Noé-së te “Republika", 1991
Artikull i Shpend Sollaku Noé-së te “Republika”, 1991

Si edhe pasuritë e shqiptarëve të tjerë, më thotë, e kush i ka marrë të gjitha? Ka plot që edhe kanë mbetur me gisht në gojë.
Vazhdojmë të ecim të heshtur drejt Mangalemit. Nuk ka më vend për vazhdim të dialogut. Edhe pse natë, vërej në sytë e doktorit vrerin për përdhosjen e figurës së kushëririt Mateo. Edhe pse kanë kaluar dekada prej faktit të hidhur. Edhe pse një rrugë në Vlorë mban emrin “Mateo Matathia”. Ka dhimbje e trishtime që vitet nuk mund të fshijnë as dalëngadalë.
Hyjmë tek hotel “Palma”, në dhomat nga të cilat na ndan vetëm një mur. Edhe ballkonet, që bien mbi lumë e vështrojnë nga Gorica, i kemi ngjitur. Por nuk besoj që, nga një ballkon në tjetrin, si në netët e mëparshme, të vazhdojmë të flasim deri në agim.
Botuar në “Fenix”

Nji shënim mbi këtë shkrim!

Kur mbarova leximin e këtij shkrimi të botuar kohë me parë te “Fenix”, ndjeva diçka të veçantë… M’u duk një histori e shkruar për një tjetër botë, për të tjerë njerëz, dhe ndjeva nji lloj mallëngjimi shpirtëror për të gjithë ata që dinë ta përballojnë të keqen pa u ankuar; që dinë ta kuptojnë sensin e saj… pse kur pllakos e keqja, pllakos për të gjithë njiherësh, bile edhe për sjellsit e së keqes, sado të lumtur që të duken ata për çka u shkaktojnë të tjerëve, e keqja u mbetet në shpirt (pse kane shpirt ata) dhe mbetet veç çeshtje kohe për të mbrritur edhe tek ata… S’munda të rri pa i shkruar mikut të vjetër, Shpendit, dhe ta falenderoja për ketë mrekulli të dalë nga pena e tij, “…nji kryevepër e vogël që i ka të gjitha brenda: heroiken dhe liriken, tragjiken dhe epiken, të përkohshmen dhe amshimin… krimin e ulët dhe stoicizmin e pashembullt, krenarinë shqiptare dhe mosepjen e hebraike…” I ndjeva ata dy njerëz që flasin në insordinë probleme që e tejkalojnë realitetin… mbi të gjitha më mahniti qetësia e kurreshtjes dhe rrëfimit përzier bashkë, prej nji lokali të zhurmshëm, atje në breg të nji lumi, nen dritat e njimbinji dritareve, deri te pamja hijerëndë e asaj kalaje të stërlashtë… Ishte diçka pothuaj e pabesueshme ajo bisedë… E urova me gërma të mëdha mikun tim, edhe pse e dija që ai s’e duron dot pranine e tyre, jashtë pikës…! dhe i shpreha se do të ishte kënaqesi e madhe ta paraqisja edhe unë at shkrim, nën këndvështrimin tim…
Si gjithnji m’u përgjigj: “Ta kam falur! Bëj ç’të duash me të. Fotot e Mathatias i ke të ekspozuara…!” E falenderova sërish duke i shprehur pak habi, se sa qetësisht e kishte përcjellë, duke e njohur temperamentin e tij… Ai qeshi, dhe e qeshura e tij u bë autoironike “E sheh se çfarë shoku ke?!” Po e pashë vërtet…! – thashë, – Veç mos harro se te ka dhënë mjaft dorë edhe prania e nji njeriu si doktor Zinoja… E përsosur figura e tij, më bëre edhe mua të ndjehem mik i tij… – I tillë është vërtet, më beso! Mbase vemi ndonjëherë në Izrael. Ai më ka ftuar, por s’e kam gjetur kohën!
Shkrimi më ka prekur shumë Shpend… Nji amalgamë ngjarjesh dhe personazhesh në kufijtë e së pabesueshmes…
E kam shkruar për qejf.
…dhe ashtu të ka dalë… monumental n’atë thjeshtësinë e së vërtetës së vet…
jozef radi, 18 janar 2015

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Faleminderit që më dhatë dhe mua mundësinë ta lexoj këtë shkrim që do ta quaja një dramë me dy akte. Akti i parë shkrimi i Shpendit… dhe akti i dytë pershkrimi i Jozefit, duhej patjetër i ndarë në këtë formë që shkrimi të më jepte emocionin e duhur dhe të më dukej sikur po dëgjoja njëkohësisht Dr. Zinon, Shpendin dhe Jozefin…
    Miqtë e mi meritoni shumë falenderime!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.