back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Zoti Kadare, kërkoni të falur… Leter e Hapur nga Rezart Palluqi

Gazeta

Rezart Palluqi
Rezart Palluqi

Zoti Kadare, kërkoni të falur…

Leter e Hapur nga Rezart Palluqi

Nuk ka fat më të madh sesa kur dikujt jeta i jep shansin për t’u penduar. Ka shumë njerëz që bëjnë mëkate, dhe vdekja i merr papritur, duke i detyruar që ata të bashkëjetojnë me mëkatin në varr, duke mbjellur dhimbje e hidhërim të madh e misterioz tek viktimat e tyre të disa brezave.
Njëri prej këtyre njerëzve është edhe shkrimtari i njohur Ismail Kadare.
Ai ka bërë mëkate morale gjigante dhe këto mëkate ai mund t’i zhbënte mbas rënies së diktaturës hoxhiste, duke i kërkuar të paktën një të falur publike popullit shqiptar, të cilin ai, së bashku me diktatorin Hoxha, e mashtroi 45 vjet. E helmoi ndërgjegjen e tij me helmin më të rrezikshëm që ekziston, dhe ai është: martesa e artit me nëperkën ose Tiraninë.

Ismail Kadare në shtëpinë e Enver Hoxhës (1971)
Ismail Kadare në shtëpinë e Enver Hoxhës (1971)

Siç e dimë të gjithë, kriminelët më të mëdhenj nuk ndodhen në burgjet fizike, burgjet prej betoni, të rrethuar me tela me gjemba, por midis nesh. E kam thënë edhe më parë dhe po e përsëris edhe këtu:
“Dosjet më të tmerrshme nuk janë ato që janë përlyer me gjakun e thikës së kriminelit, por ato që janë mbushur me vargjet poetike, tekstet e këngëve që i kanë kënduar majës së thikës së tiranit. Janë penelët e piktorëve që fytyrën e egër të tiranit e kanë pikturuar si një pëllumb të bardhë paqesjellës, gjuhët e këngëtarëve që kënduan më fort se sa klithmat e viktimave të vrara. Dosjet morale janë testamenti më barbar i një kombi, ku Tirania martohet me Artin, dhe prej saj lindin popuj pa palcë. Prandaj, nëse flasim për hapjen e dosjeve, duhet të lajmë hesapet me dosjet morale artistike së pari, dhe më pas të merremi me dosjet e thikave të përgjakura të kriminelëve. Do të ishte e padrejtë dhe e pafrytshme nëse bëjmë të kundërtën. Dielli nuk martohet me natën, edhe arti nuk martohet me tiraninë, sepse po të kishte ndodhur kjo rregullisht, siç ka ndoshur në Shqipëri, me ne krye Kadarene, Agollin, arti do të ishte zhdukur plotësisht dhe njeriu do t’ishte kthyer andej nga erdhi: në xhunglën primitive!”
Ju Kadare, e anashkalaoni mëkatin tuaj moral, duke u hedhur me shumë djallëzi në zbardhjen e krimeve të diktaturës, pra hapjen e dosjeve, ndërkohë që ti duhet të hapësh dosjen tënde morale përpara se të merresh me dosjet e diktaturës. Poezitë e tuaja famëkeqe, rrënjët e të cilave janë ende të ngulitura thellë në trurin e shqiptarit.
Prandaj edhe bota, nëse bën drejtësi, atë s’e ka arritur pse ka pasur gjykatës dhe polici të rreptë. Jo! Por se ka qenë ndërgjegja dhe morali kolektiv ai që e ka çuar botën përpara. Shembulli më i mirë, është Gjermania. Qeveria e saj kur i dënoi disa gjeneralë të Hitlerit, nuk e bëri për të larë gojën, por e bëri sepse u bind moralisht dhe shpirtërisht se lufta e Hitlerit ishte një marrëzi. Shkrimtari nobelist, Gunter Grass, gjithashtu u pendua publikisht për përkrahjen që ai i ofroi Hitlerit, edhe pse ajo ishte shumë më e shkurtër në kohë se përkrahja jote 45 vjeçare. Grass ishte 17 vjeç. Grass, e bëri këtë me vetëdije të plotë, për t’u bërë shembulli i madh i vetëreflektimit ndaj të keqes përballë popullit të tij. Dhe rezultatin moral tek gjermani, e njohim të gjithë…
“Nëse artisti e mohon krimin një herë, politikani ka të drejtë ta mohojë atë njëmijë herë!!”
Por Ju, Kadare, në vend që të pendoheshit, u hodhët në rolin e viktimës. Të njejtën gjë mbas vitit 1991, bënë edhe spiunët edhe kasapët e diktaturës, duke u ulur në karrigen e disidentit ose të keqtrajtuarit. Lëmsh e li, quhet kjo Kadare. Në të njëjtën karrige, u ulën edhe kasapi edhe viktima. Ju, s’mund ta imagjinon se çfarë nderi të madh i ke bërë kasapëve hoxhistë? Prej mospendesës Suaj, të Dritëro Agollit dhe dhjetra artistëve të tjerë, ata refuzuan me të drejtë të mohojnë çdo lloj krimi shpirtëror dhe fizik të tyre.
I nderuar Kadare! Mos i hipni aeroplanit kësaj here drejt Parisit, pa kërkuar të falur!
Zoti Ismail Kadare! Ju bëj thirrje publike të kërkosh të falur për të paktën dy arsye.
1)Kërkoni të falur që të shpëtoni dinjitetin e letërsisë. Letërsia nuk bën pakte me tiranët. Por edhe kur e bën këtë, ajo gjen forcën shpirtërore për t’u penduar dhe i bën thirrje Botës se nata nuk martohet me ditën. Prandaj edhe letërsia t’u hakmorr, sepse në letërsinë tënde s’ka shpirt, s’ka jetë, por as dritë e as vizione.
2)Duke kërkuar të falur, Ju do t’i ndihmoni brezat e rinj që ata në të ardhmen të mos sillen siç u sollet Ju me shekullin Tuaj. Fatkqësisht, mospendesa Juaj i ka dhënë frytet e saj. Merrni shembull, shëmbëllesën Tuaj, Ben Blushin. Merrni shembull popullin Tuaj kur thotë: I lumtë Kadaresë, diti dhe mbijetoi edhe në Diktaturë edhe në Demokraci. Pra, populli Yt, Kadare, e ka pranuar ekzistencializmin në Letersi, dhe kjo është katastrofa më e madhe, sepse Letërsia nuk e njeh ekzistencializmin kafshëror. Ajo mbijeton si hyjneshë, dhe JO si shërbëtore e djallit. Ekzistencializmi lejohet vetëm në magjen e bukës, por kurrën e kurrës në magjen e trurit dhe shpirtit! Populli yt, me ty së bashku, janë bërë mazokistët e vetvetes. Ata janë verbuar aq shumë, saqë vazhdojnë të adhurojnë këngëtarin e xhelatit të vetes ose të fëmijëve të tyre.

Shkrimtari Ismail Kadare (1936)
Shkrimtari Ismail Kadare (1936)

Mos u justifikoni me preteksin: përse të pendohem Unë, kur e tërë ish garda artistike dhe politike po hesht? Ky është një justifikim burracak, sepse artisti i madh e bën pikërisht këtu dallimin madhor. Ai bëhet shembulli i madh pozitiv i popullit të tij dhe botës më gjerë. Mos u shfajësoni kur theksoni: “…s’ka asnjë gjurmë fajësie ndaj meje!” Një shkrimtar më mirë të vrasë 20 njerëz, të mashtrojë 200 të tjerë, të ofendojë e shajë 2000 të tjerë, se sa të shkruajë një roman ku e Zeza skicohet si e Kaltërt, pse nëpërmjet një romani mashtrues, o poezish barbare, ku pushka e Enver Hoxhës, skicohet si klarinetë, ku terrori përshkruhet si këngët e Zotit, Ju Keni Vrarë një komb të tërë.
Prandaj edhe një herë: shkrimtarit i lejohet ose më mirë të jetë gënjeshtar ose kriminel në jetë, por Kurrsesi gënjeshtar në art.
Mjafton që lëkurën e shqiptarit ta gërricësh me thonjtë e një foshnje, dhe nën të do të dallohen direkt vargjet e poezive tuaja, me pashallarë të kuq, me duart lart, në sheshin e madh përballë pushkës hoxhiste, dhe kazmës në krahë duke kënduar me barkun bosh
Zoti Kadare! Në jetë të janë dhënë të paktën tri raste për të treguar klas njerëzor, por edhe për t’u penduar. Rasti i parë ka qenë mbasi Shqipëria u prish me Bashkimin Sovjetik. Ishte një rast ideal për ty, për t’ia ngulur thikën në kurriz Diktaturës… edhe më vonë, në vitin 1991, ju ta ripërqafonit Shqipërinë e robëruar me dinjitet dhe nderin e një shkrimtari të madh, siç edhe ju ka hije. Nuk e bëtë!
Dhe jo vetëm kaq! Ju i dhuruat një armë të dytë letrare diktatorit Hoxha, me romanin tënd “Dimri i Madh” ku legjitimuat plotësisht sjelljen tiranike të Hoxhës dhe përgjegjësinë e prishjes ua hodhët rusëve!
Rasti i dytë, ka qenë pak a shumë i njëjtë. Në fillim ua shpëlatë trutë shqiptarëve me revolucionin kinez dhe propagandën që Ju bëtë atëherë në gazetat shqiptare, dhe në fund, kur miku Juaj, Enver Hoxha, nuk pa më leverdi tek kinezët, – të paktën ndaj nesh bujarë – ai ua ktheu kurrizin. Mosmirënjohen e Hoxhës ti e letrarizove në romanin tënd “Koncerti”, ndërkohë që ky ishte rasti yt i dytë i artë për të dëshmuar se je rritur si shkrimtar duke ia shtrirë dorën popullit të tënd në kohë të zeza. Por, jo! Edhe këtë herë Ju u thatë shqiptarëve: Rrini urtë, se jeni mirë aty ku jeni të izoluar, dhe unë jam mirë në kullën e Parisit.
Rasti i tretë ka qenë dhe është ende, mbas rrëzimit të diktaturës hoxhiste…
Në vend që Ju të kërkonit të falur në vitin 1991, Ju e ndërruat “pllakën e dashurisë”, nga poet dhe shkrimtar i zjarrtë i diktaturës hoxhiste, në demokrat i flakët. Miku Juaj, ose diktatori ynë i ri demo-hoxhist, Sali Berisha, bëri pikërisht të njëjtën gjë. Nga doktor i Enver Hoxhës, në demokrat. Dhe ti, përsëri marshove në një llogore me diktatorin Berisha. Sa qejf që i ke diktatorët o njeri!!! Erdhe në Shqipëri, more çmimet letrare, i shkele syrin Berishës, në vend që t’ia nxirrje atij atë sy prej kobre. Nuk e bëre, sepse i besuat talentit tuaj letrar.
Por harrove, se talenti i figurave të mëdha përballet me pyetjen mjaft logjike: kujt i hyn në punë talenti yt letrar? Pra, nuk mjafton të keshë talent. Botën nuk e kanë ndryshuar njerëzit e talentuar. Jo, aspak! Botën e kanë ndryshuar njerëzit me zemër të madhe, guximtarë e të talentuar. Talenti pra, vjen në vendin e tretë.
Këtë bëre edhe Ju, i nderuar Kadare. Dorë për dore me diktatorin, bashkëqytetasin tënd, u ngjite në Olimp, dhe nuk ju drodh qerpiku kur gjatë rrugës ju ndeshët njerëz që po vdisnin nga uria, madje i vratë të gjithë ata që ju penguan në rrugën drejt lavdisë. Diktatori me plumba… ndërsa Ju me penë…
U tallet me gjeneralin italian, mjaft fisnik, që kërkonte eshtrat e ushtarëve të tij, ndërkohë qe Ju heshtnit tmerrsisht një jetë të tërë, ndaj krimeve të Enver Hoxhës!! Nuk shkrove as dy rreshta për ta… Prandaj, edhe letërsia Juaj, s’ka shpirt, as vizion, as personazhe të mëdhenj. Ajo merr frymë me mushkëritë e diktaturës dhe legjendat ballkanike.
Shqiptarit të mjerë, të ndodhur shpesh në udhëkryqe morale dhe shpirtërore, nuk i duhen nobela letrarë. Jo, jo! Atij i duhen urgjentisht artistë, shkrimtarë që vënë interesat e lirisë së tij, mbi interesat e tyre personale. Përndryshe, një Nobel i tillë, do t’ishte si një cigare hashashi, e asgjë më tepër! Ja një shembull: Holanda nuk njeh asnjë Nobel letrar, ama njeh me dhjetëra shkrimtarë që i kanë qëndruar besnik popullit të tyre, genit të tyre, dhe kurrë nuk e kanë tregtuar aq barbarisht letërsinë sa Ju.
Pra, krahasoni moralin dhe sinqeritetin e holandezit me atë të shqiptarit?! Sinqeriteti ndaj lirisë dhe fjalës letrare vlen më shumë se sa 100 çmime Nobël. Nobeli që mund të fitohet duke sakrifikuar ndërgjegjen e një populli dhe sakatuar e copëtuar lirinë 70 vjeçare të tij, është një copë letre e djegur, është një grusht hi i një gjarpëri të djegur!
Fjala e urtë thotë: Kurrë s’është vonë. Kërkojini të falur popullit Tuaj, zoti Kadare. Bëjeni këtë, më shumë, jo për egon time, po për të mirën e ushtrisë Tuaj letrare, e cila edhe sot e sheh diellin me syzet e errëta dhe të përgjakura të diktatorit Hoxha. Bëjeni, pra, për të mirën e tyre. Popujt e infektuar prej gënjeshtrave artistike, nuk do të dalin kurrë nga moçali i baltës, edhe sikur të lexojnë çdo ditë Shekspirin, Tolstoin, etjerë… Dhe për këtë Ju mbani një përgjegjësi të jashtzakonshme.

Shkrimtaret Dritero Agolli & Ismail Kadare
Shkrimtaret Dritero Agolli & Ismail Kadare

Nëse s’kërkoni të falur, do të thotë në radhë të parë, se Ju kurrë s’e keni dashur atdheun Tuaj, që e mbani në gojë orë e minut, dhe me të cilin edhe u përfaqesuat, duke përdorur mishin e tij në veprat e tuaja letrare. Nëse, një artist/ shkrimtar dëshiron të jetë Baba i Kombit, si një baba dhe si prind i mirë, Ai i kërkon të falur fëmijës së tij, kur e ka lënë në udhëkryq!
Nëse Ju nuk pendoheni… ne, brezat e rinj do të jemi të detyruar t’ua heqim syzet mashtruese ushtrisë Suaj, dhe Ju atëherë do të hyni në libriate Ginnes, si shkrimtari më mashtrues dhe më i pashpirt që ka njohur ndonjëherë bota e letrave botërore. Letërsia nuk të fal edhe kur je në duart e diktatorit, ose pjellave të tij, që të mbajnë gjallë me shiringa.
Po nëse Ju, kërkoni të falur, unë, e them publikisht, do t’Ju përulem publikisht dhe do t’Ju nderoj siç nderojnë besimtarët profetin e tyre. Lojën pra, për fat të mirë, e ke ti ende në dorë dhe ky është fati Juaj i madh. Ndalo të dhe përgjunju në portën e mëkatit Tuaj moral…
Ne mbyllje, zoti Kadare, mos mendoni se unë po përpiqem t’ju vjedh famë duke ju kritikuar. Unë kam projektet e mia letrare, dhe kam aq shumë, saqë nuk di ç’të bëj me to. Po deshet mund t’Ju jap disa, se mund t’Ju hyjnë punë…
Pra, Ju kam kritikuar ose kam kërkuar të vetëreflektoni, jo për të tërhequr vëmendjen e publikut letrar, apo për të bërë burrin e mençur, patriot apo diçka të tille, por sepse më dhemb shpirti për popullin tim/Tuajin, të zhytur në një labirint me 500 kate gënjeshtrash dhe mashtrimesh. 67 kate të këtij labirinthi i ndërtuat Ju, me xhaxhin Enver.
Një jetë të tërë, nuk e dëgjove letërsinë, kur Ju thoshte: Biri im! Letersia ka durimin e Zotit. Zoti, priti mijra vjet duke u argetuar me dinosaurët, derisa polli njeriun së bashku me letërsinë.
Letërsia, kur refuzon të përballet me errësirën, nuk fle në gjirin e saj, as nuk shkruan në sofrën e saj, por arratiset, dhe pret momentin magjik, çastin e volitshëm, dhe i jep një goditje tiranit, një goditje që s’e shpëton dot as Zoti.
Për 45 vjet Ju nuk e dëgjuat zërin e letërsisë, e braktisët atë, dhe bëtë letërsi nën fenerin e diktatorit.
Tani, që mbushni tetëdhjetë vjeç, dëgjojeni, qoftë edhe një herë të vetme zërin e logjikës dhe kolegun Tuaj: Kërkoni të falur. Shpëtojeni veten, dhe moralin e popullit Tuaj, të paktën jashtë djepit të letërsisë…

Sinqerisht, Kolegu yt,
Rezart Palluqi

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Nga ana morale ashtu asht… Kadareja mbetet persekutori i viktimës Shqipni dhe shumë letrarë vazhdojnë t’i marrin si shembull vargjet me rimë të Kadaresë dhe Agollit e kët fatkeqsi kërkush nuk e sheh.
    Bravo Rezart Palluqi që ke aftesinë me e pa të vërtetën në sy!Ti i ke shpëtue kompleksit të Stokholmit, mik!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.