back to top
15.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Zoti Ceka… – rrëfim nga Muçi Xhepa

Gazeta

Muçi Xhepa
Muçi Xhepa

Zoti Ceka…

rrëfim nga Muçi Xhepa

-Ka ardhur Zoti Ceka! Më ndihmo të shërbejmë kafetë!
Gjyshi dhe një mik i ngushtë i tij ishin ulur në shkallën e dytë, në fundin e hajatit. Atje rrinte kur nuk donte që biseda të dëgjohej nga të tjerë. Do të thoshte bashkëbisedim me zarar. Ishin zhytur të dy në diçka që kishte ndodhur kohë më parë. Copa bisede arrinin deri tek unë në divitje. Dera ishte e hapur.
-Edhe sot nuk e di ku më mbyllën një muaj të tërë.
Me vështirësi dëgjohej zëri i gjyshit.
-Më morën në mesnatë. S’më linin të kryeja as nevojat personale… – humbiste zëri.
-U tmerruan nga revolucioni antikomunist hungarez. I dogji populli në gropa gëlqereje të pashuar… kriminelët komunistë… tradhëtarët e vendit vet… – arrinte një zë tjetër, si nga qielli.
Gjyshja ngjiti shkallët shpejt dhe më zgjati dy gota t’i mbushja me ujë. Emrin e Zotit Ceka e kisha dëgjuar më parë nga gjyshi. Fliste me simpati dhe respekt të thellë për të. Ishin miq që herët. Familje të vjetra elbasanase. Miqësinë e kishin forcuar nga qëndrimi heroik ndaj pushtuesve të rinj, “Çlirimtarëve”. Në burgun e Elbasanit ishin torturuar barbarisht. Gjyshit i kërkonin paratë, të cilat nuk i tregoi kurrë edhe kur e rrahën me shufër hekuri në Kënetën e Vdekjes Maliq. Zotin Ceka e torturonin ngaqë kishte sjellë me vete kulturën gjermane – të ndriçonte kombin.
-Të jesh krenar, që je nipi i Cenit, – më tha në mesin e viteve shtatëdhjetë Petrit Guranjaku. Banonte një kat sipër nesh te ndërtesa në fundin e lagjes Banesa.
-Ishim bashkë në të njëjtën brigadë pune të dënuarish në Maliq. Në barake i kishim vendet e fjetjes ngjitur… – Petriti fliste me adhurim për mikun e tij të kohëve të vështira.
-Po ktheheshim nga kanali të rraskapitur e të lagur deri në brez, – filloi të më tregojë një ditë në mesin e viteve Shtatëdhjetë.
-Na ndaluan pa hyrë në barakë. Cenin e thirri togeri. Mbante një shufër të trashë hekuri në dorë. “Nuk tregon ti! Të bëj unë të tregosh si çeço”. E goditi në bark me tërë forcën që kishte. Cenit i shpërtheu gjak me copëza mëlçie nga goja. U rrëzua në tokë i palosur. Togeri e goditi përsëri, këtë radhë pas koke. Mbeti aty palëvizur. E mora në krahë.
Petrit Guranjaku ishte nga të paktët trima në qytet që ia përplaste në fytyrë të vërtetat pushtuesve të rinj, “Çlirimtarëve”. Kishte bërë shumë vite burg. E kishin kapur sapo ishte kthyer nga Kosova, ku kishte shërbyer gjatë viteve të lirisë së plotë të kombit. Për Petritin do të flas në një shkrim tjetër më gjatë, sepse ishte një hero që la gjurmë në formimin tim.
.
Qyteti i 100 Minareve - Elbasani
Qyteti i 100 Minareve – Elbasani
Kafetë dhe gotat e ujit në tabaka i vendosëm mes të dyve në shkallë.
-Është djali i vajzës, – tha gjyshi.
Zoti Ceka ma bëri me shenjë të ulesha pranë tij.
-Ulu! Zoti Ceka është njëri prej miqve më të mirë që kam.
Gjyshi ndezi cigaren.
-Ngjasoka nga ana juaj, – tha ai me buzëqeshje fisniku.
-Uroj të të ngjajë edhe në karakter!
I lashë të vazhdonin bisedën dhe zura përsëri vend te divitja me derë hapur. Po flisnin për një farë Thanas Caku. I kishte torturuar në burgun e Elbasanit. Pata rastin ta njoh edhe vetë “Likantropin – njeriunujk”. Ishte ditë e nxehtë vere. Me Ilir Mitaren, shok i fëmijërisë, u futëm te klubi “1 Maji” të merrnim diçka freskuese. Iliri ndryshoi mendje, mori konjak, unë një arançatë. Hyri “Likantropi” me trup tashmë të kërrusur. Nëna natyrë po merrte hak. Ndaloi. Na vështroi me sy të picërruar. U afrua te tryeza.
-I kujt je ti? – pyeti Ilirin.
Ai i tregoi emrin e prindërve.
-Po ti?
-I Musa Xhepës.
-Çfarë ke futur brenda në arançatë?
Mori shishen, e ngriti lart, e shikoi me vëmendje. Ndërhyri bufetierja.
-Shoku Thanas, është vetëm arançatë!
“Likantropi” e vështroi me inat.
-Nuk i njeh ti këta. I njoh unë mirë. Ja, Mitarja e pi hapur! Ky e fsheh!
Doli jashtë, u ul te tryeza me pamje nga shtëpia që kishte grabitur. Kishte qenë e Qamil Çiftes, burrit të motrës së gjyshit tim. “Çlirimtarët”, kur kishin hedhur katunarinë në luftën civile, për t’i joshur, u kishin premtuar shtëpitë e pronarëve shekullorë. Por, sapo kishin zbritur nga malet, ku kishin ndenjur të fshehur, i kishin lënë me gisht në gojë; bile nuk u lanë të mbanin as pulat e veta. “Çlirimtari” kriminel e kishte grabitur për vete shtëpinë e Çiftes dhe tani ulej karshi saj dhe shijonte pronën e vjedhur. Pse, nuk po bëjnë të njëjtën gjë edhe sot? Janë po ato ujqër të veshur me lëkurë deleje. Një “Çlirimtare” tjetër, Katina Starja, kishte grabitur shtëpinë e gjyshit tim. Cili “pushtues” e kishte bërë këtë? Italianët kishin ndërtuar disa ndërtesa, të cilat edhe sot zbukurojnë kryeqytetin tonë. Gjermanët, çfarë mund të thuash për ta? Miku ynë i përjetshëm, Amerika e Madhe, me shumë përpjekje ka mundur të bëjë vetëm gjysmën e tyre.
Në të njëjtën rrugë, pak më lart, ishte shtëpia e Zotit Ceka. “Çlirimtarët” nuk ishin ngopur duke e burgosur me vite të tëra në burgun më të tmerrshëm të Gulagut. Burrel. Edhe arkitekti i ferrit, Stalini, do ta kishte zili. “Burrel, ku hyn dhe nuk del”. Por, Zotin Ceka e ndiqnin hap pas hapi ngado që shkonte. I godisnin me gurë shtëpinë, çatinë; i thyenin tjegullat, i prishnin derën…
Intelektuali trim vuri mbi pjesën e dëmtuar kompensatë të shkruar: “Këtu banon Zoti Salim Ceka”. U tërbuan “Çlirimtarët”. Njerëzia gëzohej. Kultura gjermane, shkrirë me cilësitë më të larta të shqiptarisë ndër shekuj, kishte krijuar heroin intelektual, antikomunistin që frymëzonte rininë e qytetit në ditët më të errta të historisë.
“Ishte trim me karakter të fortë!” – do të thoshte shumë vite më vonë miku im Uran Kostreci, bashkëvuajtës me të në Burrel.
28 Nëntori. Dita e flamurit. Kaloi si çdo ditë e rëndomtë; “Çlirimtarët” ishin përpjekur ta anashkalonin. Por, intelektuali trim, përkthyesi i Shopenhaurit, Zoti Ceka jo. Përgatitje të mëdha po bënin pushtuesit e rinj për të nesërmen, ditën e “Çlirimit”. Kështu e quanin ditën e pushtimit; kishte vendosur Neroni dhe emisarët jugosllavë për të. Në mbrëmje me Hajro Çinin, mikun tim të vjetër, ishim duke bërë xhiron e zakonshme në trotuarin e bulevardit qendror. Preferonim të ecnim nën pemë, dukej sikur mbroheshim nga e keqja. Në krye të bulevardit njerëzit filluan të ndahen në mes. I hapnin rrugën Zotit Ceka që festonte ditën kur Gjergj Kastrioti kishte ngritur flamurin e lirisë. Ishte veshur për festë me pallto gup të zezë, rreth qafës shall të bardhë që zbriste deri pranë brezit. Pantallonat e zeza stofi me vijë hekuri i flinin bukur mbi këpucët lustrafine, të zeza edhe ato. Të gjitha gjermane. Ecte krenar me kokën lart e fytyrëqeshur. Intelektuali antikomunist trim, krenaria e qytetit të dijes, Zoti Ceka festonte i vetëm.
29 nëntor. Zhurmë artificiale tërë ditën me daulle. Festonin pushtimin “Çlirimtarët”. Banderola gjaku mbulonin qytetin. Altoparlantët gjigantë grisnin qiellin gri, që duronte me dhimbje zërin thikë të Vaçe Zelës, e cila i këndonte plot patos krimit. Fjalime në foltoren qendrore, zemrën e qytetit. Sot ai mban emrin e gjermanit “Gensher”. Perëndia nuk harron. Mburreshin pushtuesit e rinj se kishin vrarë shqiptarë të mirë, që kishin luftuar për bashkimin e kombit. Kishin dorëzuar edhe mijra djem të Dardanisë në duart e shkjejve për t’i mbytur në gjak.
Muzg. Bulevardi ndriçonte si asnjëherë tjetër. Mbushur plot. Bënin shfaqje me rrobat më të bukura që kishin. Dok i ardhur nga motra e re, Kina e Maos. “Hapi i Madh Përpara” e quante përbindëshi aziatik revolucionin e gjakut. Miliona kinezë kishin humbur jetën në Laogain e tij. I mbijetuari i ferrit komunist shqiptar, shkrimtari i madh, antikomunisti Visar Zhiti, kur vizitoi në Uashington muzeun “Laogai” u trondit rëndë te qelia e një të burgosuri politik.
-Kjo s’është qeli burgu… është varr, – tha Visari dhe lot dhimbjeje u krijuan në sytë e tij.
U ulëm nën pishë. S’na bënin këmbët për xhiron e pushtimit. Ishim aty pranë kryqëzimit, ku një ditë më parë ishte shfaqur Zoti Ceka. Dhe ja, pikërisht në të njëjtin vend, filluan të hapen njerëzia përsëri. Në krye një burrë i gjatë, krenar, ecte me hap të ngadaltë. Xhupi që mbante veshur s’kuptohej se prej cilës copw ishte prerë. Qindra arna mbulonin atë rrobë të vjetër. Pantallonat ngjyrë dheu dukej sikur balta e ferrit ishte copa prej së cilës ishin prerë. Të grisura në fund, linin zbuluar këmbët e futura në nallane të drunjta në formë këpucësh. I kishte gdhendur vetë me bishtin e mprehtë të lugës prej alumini. Atje, në ferr. Këmbëzbathur me kokën lart, ecte duke tërhequr këmbët. Zakon i mbetur nga kohë kur kishin qenë të lidhura me pranga. Zoti Ceka, metafora e trimërisë, bënte thirrje për liri.
Kur ora trokiti për të flakur “Çlirimtarët”, një Cekë tjetër, i prishur rrugës, pengoi popullin të shqyente prangat e tiranisë…
.
Shkëputur nga libri me tregime “Në sirtar” i autorit Muçi Xhepa.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.