back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

“Zonja” misterioze tregim – nga Ervina Toptani

Gazeta

Ervina Toptani
Ervina Toptani

Një tregim i endur me fillin e padukshëm të ndjesive të thella 
dhe shpirtin intrigues e felin të një gruaje; 
një butësi rrëfimi thuajse ledhatare që të mban pezull 
dhe një zgjidhje që lejon njëmijë ndërdyshje të diskutueshme… 
Mbetem i bindur, se një shumice lexuesish
mund t’ju lere shijen e admirueshme të një fantazije 
ku vozitet ndër qiejt e largët të së mundshmes… 
Ndërsa lexoja, u ndjeva pezull, çka ma thekson edhe më tej 
mjeshtërinë e të rrëfyerit të autores…

jozef radi, 30 janar 2022   

“Zonja” misterioze

tregim nga Ervina Toptani

Ai punonte në një kompani private dhe ishte mjaft i zoti në punën e tij. Një paradite vjeshte, plot ngjyra e fllade, i erdhi një email nga një adresë e panjohur. 
“Ju kanë thënë ndonjëherë se jeni shumë i pashëm e se parfumi juaj sjell një ndjesi mjaft të këndshme kur mbushem fort me frymë ndërkohe që ju kaloj pranë?”
Kush mund të ishte vallë? Me siguri ndonjë shaka e vajzave të kompanisë. Kishte disa çapkëne bukuroshe që herë pas here bënin ndonjë shaka të tillë… Ai ishte i martuar, me atë gruan e kujdesshme që i zgjidhte parfumin, që i gatuante çdo gjë që ai preferonte, që kujdesej për djalin e tyre në çdo detaj e që ishte mjaft e suksesshme në punën e saj. 
Të nesërmen vjen një mesazh tjetër në inbox-in e emaileve. “Sa më pëlqen buzëqeshja jote! Kur bën atë shikimin që i picërron pak sytë si një djalosh i vogël djallëzor, më kenaq pa masë!” Kjo e bëri kurioz. Ndoshta Katia, sekretarja e tij, dinte diçka më shumë rreth njeriut misterioz. Por më kot, as ajo nuk dinte kush mund të ishte. Mesazhet në inbox filluan të shpeshtohen, çdo ditë nga një apo dy të tillë. Ai nuk kishte mundësi të përgjigjej sepse asnjë email i tij nuk shkonte në adresën e panjohur. Gjithçka i kthehej mbrapsht. 
“Zonja” misterioze, të paktën dukej që ishte mjaft femër nga çfare shkruante, e kishte bërë të ndjehej të paktën 10 vitë më i ri. Mezi priste të lexonte emailin e rradhës e mbetej me orë në pritje duke kontrolluar herë pas here email-et që vinin. U bënë rreth 2 muaj tashmë që ajo i shkruante rregullisht, madje i dërgonte dhe poezitë e saj të preferuara, grimca ditari personal siç kalonin në mendjen e saj, pa i hedhur së pari në letër. Ndante me të, një lloj “intimiteti” kaq të ëmbël, sensual, të sinqertë sa të mallëngjente. Çfarë po ndodhte kështu? Sa burra nga ata që ai njihte e kishin përjetuar diçka të tillë? Duhet të quhej me fat apo e kundërta? 
Ajo i kishte sugjeruar të ulte ca në peshë e ai kishte filluar palestrën prej ca javësh, pa e kuptuar as vetë çfarë dreqin po bënte. Ajo i kishte sugjeruar të vishej me ngjyra pak më të çelura e kështu ishte ndërruar dhe një pjesë e mirë e garderobës. Kishte ndryshuar dhe modelin e flokëve, vetëm parfumi mbetej i njëjti. Asaj i pëlqente aroma e tij. Ishte lodhur me mënyra të ndryshme të gjente se kush mund të ishte gruaja misterioze, por më kot.
Ndërkohë gruaja e tij ishte shumë e kënaqur me ndryshimet e të shoqit. Kishte kohë që i lutej për këto ndryshime por ai ishte gjithnjë i zënë me punë e nuk kishte kohë të “ndryshonte”. Madje ajo i kishte blerë dhe kravatat e reja që i shkonin me këmishat e kostumet e garderobës së re. Ishte e lumtur që ai ndjehej kështu, plot entuziazëm, i qeshur, plot 10 vite më i ri, si atëhere kur u njohën në studimet e masterit të tyre të parë.
Ai ndjehej keq që i gjithë ky ndryshim, kjo lloj ndjenje që ai kishte dhe turp ta pranonte, ky emocion rinor i atribuohej një gruaje tjetër, një gruaje që ai as nuk e njihte, as emrin nuk ia dinte. E shihte të shoqen dhe ndjehej mizerje nga brenda. I lutej që dhe ajo të ndryshonte disi, të dilte më shpesh me miket e saj, të mos kujdesej kaq shumë për të por për veten. Të bënte diçka të re që ta gëzonte, por më kot, ajo ishte e lumtur me jetën e saj, me kujdesin që tregonte për familjen, shtëpinë, punën e saj që e bënte me shumë dashuri. 
Gruaja e Mistershme
Gruaja e Mistershme
Më në fund erdhi dita e shumëpritur. Ai kishte rreth një javë që ishte ngritur në detyrë e një mëngjes kur hyri në zyrë pa një tufë të mrekullueshme trëndafilash të verdhë mbi tryezën e tij me një pusullë të vogël brenda: “Jam gati të të takoj. Shpresoj të të pëlqejnë trëndafilat e verdhë, janë të preferuarit e mi!” Në fakt, ishin dhe të preferuarit e tij, por një burrë i vërtetë nuk flet kurrë për këto gjëra! (kështu mendonte ai të paktën) Filluan t’i kalojnë nëpër mend mijra pyetje. A ishte ajo ashtu siç e kishte pikturuar ai në mendjen e tij? A duhet ta takonte ai? Sa kompromentues mund të ishte ky takim? Po sikur ajo të ishte e kundërta e asaj që ai kishte imagjinuar deri tani? O Zot, tani mund edhe të çmendej. Dy ditët që vijuan ishin përplekse, me njëmijë mendime që i zinin rradhën njeri-tjetrit pa mundur as të përfundonin në ndonjë arsyetim logjik. Por më në fund ai vendosi, duhet ta takonte patjetër zonjën misterioze e shpresonte shumë që ajo të ishte vërtet e kundërta e “piktures” në mendjen e tij. Kështu makthi dhe ëndrra do të merrnin fund e ai do të mund të kthehej në zotërinë e rëndomtë që ishte më parë. 
Emaili erdhi. Ajo i la takim në verandën e nje lokali buzë detit, një vend i mrekullueshëm. Veranda do të ishte e gjitha e prenotuar për atë mbrëmje e askush tjetër nuk do të ulej aty përveç tyre. Ai e njihte vendin, madje njihte dhe menaxherin e restorantit e menjëherë i telefonoi për të marrë vesh se kush kishte prenotuar verandën për mbrëmjen në fjalë. Donte një emër, një përshtypje, diçka sado të vogël për të kuptuar… për të kuptuar asgjë, në fund të fundit. Ai kishte rënë në dashuri me një grua që vetëm normale nuk ishte! 
Menaxheri nuk mundi t’i japë asnjë informacion. Gjithçka ishte bërë nëpërmjet telefonit, madje dhe pagesa për prenotimin ishte kryer me një postier. Zonja ishte edhe më e “djallëzuar” se ç’mund të mendonte ai. 
Pasditja e shumëpritur erdhi. Ai kishte zënë vend në një qoshe të guzhinës prej nga ku shihej e gjithë veranda e restorantit, në pritje për të “vjedhur” momente nga ardhja e saj. Por ajo kishte ardhur para tij dhe qëndroi gjithë kohën me kurriz nga dera e dritaret e restorantit. Kishte përballë saj vetëm detin. Flokët e verdhë, shpupurisur supeve nga flladi që deti i sillte si përkëdhelje, valëviteshin si dallgë të vogla që formonin onde të lehta në fundin e tyre. Fustani i gjatë, i bardhe, me hapje të gjerë në shpatulla deri afër fundshpinës. Në dorë i dukej një trëndafil i verdhë. Kaq mund të shihej nga vendi ku ai kishte zënë pozicion “sulmi”. 
Ajo i la takim në verandën e nje lokali buzë detit,
Ajo i la takim në verandën e nje lokali buzë detit…

Ora shkoi fiks e një zotëri i vërtetë nuk do e linte kurrë një grua të priste. Ai po ecte ngadalë në drejtim të saj, me zemrën që i rrihte njëmilion rrahje në sekondë, me duart që nuk i kontrollonte mjaftueshëm, me frymëmarrje të rënduar e ndjente që pesha e trupit në çdo hap që ai afrohej drejt saj, sa vinte e bëhej më e paktë. Ndjehej si një pupël që mijra flutura shumëngjyrëshe e kishin marrë në krahët e tyre dhe e shpinin drejt kaltërsive.
Ai qëndron në këmbë disa sekonda, vetëm një hap larg saj. Ndjente se mund të vdiste në çast. Ajo kthehet, buzëqeshte si dielli i qershorit, me sytë e shkëlqyer si dy diamante e me sigurinë e një gruaje të vetëdijshme për “tërmetin” që kishte shkaktuar. “I dashur, ta kisha borxh këtë!” 
Ishte ajo, dashuria e tij e madhe, çmenduria që e kishte bërë të ndjehej i madh dhe i vogël brenda një dite të vetme, ëndrra e bërë realitet brenda një realiteti aq të ëmbël ndërkohë që kërkonte ndryshimin. Ishte ajo, gruaja e tij, nëna e djalit të tij, mikja e tij më e mirë. E vetmja grua me të cilën ai mund të dashurohej në çdo stinë, të çdo viti, në të gjitha jetët e tij.

3 shtator 2021 
P.S. çdo ngjashmëri e zonjës në tregim me shkruesen e këtij të fundit është absolutisht e rastësishme.
Doja t’ju uroja të gjithëve vjeshtë të mbarë, me nuanca emocionesh që i sjell vetëm vjeshta, stina ime e preferuar. I rashë pak gjatë si urim vjeshtor, por nuk mund të uroja më shkurt se kaq. 
Ervina Toptani
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.