back to top
22.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Vullneti i përgjegjsisë Ushtima e Sharrit (1944)

Gazeta

Lazër Radi 1940
Lazër Radi 1940

Vullneti i përgjegjsisë Ushtima e Sharrit (1944)

Kriza e shpirtit na verboi.
Nga kjo krizë po vuejnë jo vetëm individët që përbajnë nji kolektivitet të përcaktuem politik, po vuen dhe rrezikohet edhe entiteti atdhe, komb. Nga kriza e shpirtit kemi mbrritë në nji anarki mendimesh e dëshirash. Kombi ynë, sot për sot, asht në kërkim të vetvetes, në kërkim idealesh të reja e në kërkim të nji qendrueshmënie të rendit botnor të harruem me nji politikë amorale.
Hovi me të cilin nji popull kërkon të kalojë prej nji stadi ma të ulët në nji stad ma të naltë, me përmirësue gjendjen e vet, asht shenjë e parë e vetëdijes së nji kolektiviteti që ka vendosë me jetue njerëzisht mbi sipërfaqen e tokës.
Sikur kjo luftë e kjo dëshirë të zhvillohet në fushatën e ideve të ndrituna e të lira, në fushën e nji veprimtarie krijuese, kombi ynë do të ishte në gjendje me e gjetë rrugën e daljes nga kjo tragjedi e sotme shpirtnore në mënyrë të paqendrueshme e ndërtuese. Ideja nuk imponohet me force. Ideja nuk shtypet me forcë. Ideja në vetvete asht forcë e madhe që ka krijue qytetërimin dhe i ka dhanë dritë botës.
Nji komb që asht hedha në luftën e ideve duhet të mos e humbë arsyen. Kur humbet arsyeja, ideja, sado e naltë dhe ideale që të jetë, bahet shkatrruese dhe shkatrrimi asht aq i fuqishëm saqë në përplasjen e dy ideve shkatrrohet kryekëput objekti për të cilin u bà lufta, shkatërrohet populli dhe kombi. Ideja asht nji forcë dhe si e tillë i imponohet mendjes, zemrës e shpirtit, sepse ideja e ka vlerën në vetvete… prandaj nuk ka nevojë të imponohet me pushkë.
Ne shqiptarët, po kalojmë sot krizën ma të madhe të jetës sonë kombtare. Këto kriza janë nganjiherë të mira, sepse  nëpërmjet luftrave përpjekjeve e flijimeve kombi e gjen vetveten dhe rrugën e drejtë. Por fatkeqësisht kjo krizë na gjeti në çaste të vështira, në çaste në të cilat asnji komb i Europës nuk e ndjen veten të sigurtë. Çasti i pasigurisë së qenësisë sonë na urdhnon që si kolektivitet, si entitet politik e si komuniteti etnik t’i zbusim urrejtjet, të shuejmë egërsinë e vullnetit shkatërrues dhe të bashkohemi në këto çaste të vështira dhe të pasigurta.
Idetë, sikurse shumë gjana në kët botë, e kanë teprue, dhe në vend të luftës së bukur, të arsyeshme dhe krijuese, janë bërë anarkike, liberale dhe shkatrruese. Lufta ideologjike ka pushtue instiktin brutal të vrasjes, të vëllavrasjes, të shkatërrimit të kombit. Nuk mund të luhet me zjarrin. Ne i bëjmë thirrje të gjitha vullneteve të shëndosha që të bashkohen në idenë e qenësisë sonë, sepse ndërsa kombi asht kundra njëri-tjetrit me shkatërrue vetveten e kështu me e zgjidhë negativisht dilemën tonë, të jemi a të mos jemi…
Ne kërkojmë në fatet e këtij kombi të martirizuem gjatë gjithë shekujve, gjatë gjithë historisë së qenësisë: traditat e veta dhe virtytet e racës. Ashtu sikurse çdo njeri e ndjen si detyrë me sakrifikue gjithçka për arritjen e qëllimeve të veta, të përcaktueme si ideale të qenies së vet, ashtu të gjithë pjestarët e nji shoqnie, të nji entiteti s’mund të mos japin çdo gjà, edhe veten e tyne, për triumfin ose për fitoren e atyne idealeve kombtare që për ta janë gjaja ma e shenjtë, ma bujare, ma e naltë: Atdheu, kombi; s’asht gjà tjetër veçse simboli i lidhjeve ma të thella ndërmjet individëve të nji shoqnie.
Kombi ynë ka kalue shumë kriza dhe të gjitha i ka kalue duke ruajtë me vetëdije vlerat e veta, njësinë e vet shpirtnore dhe vullnetin e shoqnisë. Edhe kësaj here Perëndia shqiptare do të na ndihmojë me e ruejtë tansinë e kombit. Inteligjenca shqiptare, aristokracia e mendimit tonë, e vetmja fuqi e pathyeshme dhe ma e naltë se çdo fuqi tjetër ka për me ditë me e zgjidhë kët krizë shkatrruese duke marrë mbi vete përgjegjësinë e çastit.
Përgjegjësia pranohet në çaste të jashtzakonshme, kur kriza kombtare arrin në palcë e kur kushtetuta e shtetit asht në rrezik të thyhet si degët e thata në stuhi. Inteligjenca shqiptare kërkon të bahet përgjegjëse dhe çdo gjà tjetër që s’asht inteligjente, mundohet me i ikë përgjegjësisë politike dhe historike.
Pikërisht kjo përgjegjësi siguron, garanton dhe bind për drejtësinë e veprimit të inteligjencës shqiptare që e ban të quhet aristokracia e kohës së re. Përpjekja e inteligjencës shqiptare drejtohet për një qëllim të shenjtë: të shpëtojë në çdo çast krize Atdheun dhe të ruej thesaret dhe traditat e racës sonë. Para historisë sonë inteligjenca shqiptare do të dijë me marrë nji qëndrim të premë: Atdheu mbi të gjitha.
(Ushtima e Sharrit – Pseudonimi i Lazër Radit
(Marrë nga gazeta “Bashkimi i Kombit”)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.