Vrasja e Telinit (27 gusht 1923) dhe diskutimet në parlamentin shqiptar – nga Kastriot Dervishi

Vrasja e nje Gjenerali

Vrasja e nje Gjenerali

Dy dokumenta per General Tellinin

nga Kastriot Dervishi

Vrasja e Telinit (27 gusht 1923)

dhe diskutimet në parlamentin shqiptar

Më 27 gusht 1923, u vra kryetari i komisionit të kufijve, gjenerali italian. Kjo ngjarje u diskutua edhe në Këshillin Kombëtar (parlamenti) të Shqipërisë. Fillimisht foli kryeministri e më pas deputetët Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Ali Këlcyra dhe Vissarion Xhuvani. 
Në shenjë respekti për emrin e Telinit, Këshilli Kombëtar i Shqipërisë ndaloi punimet për 24 orë. 
Kryeministri Ahmet Zogu mbajti këtë fjalim:
“Me hidhërim të madh po ju jap lajmin për një ngjarje të shëmtuar e tepër të poshtër që ka ndodhë në Greqi. Para tri ditëve, komisioni i kufijve, duke ardhur nga Janina në Gjirokastër, pati një rrezik, pse kryetari i këtij komisioni, gjenerali italian z. Telini, u vra bashkë me shokët e tij. Duke dalë prej Janine, i pari automobil ishte ai i komisionit shqiptar. I dyti i komisionit italian dhe i treti i atij grek. Mbas udhëtimit prej 54 km nga Janina, kur arritën në Zep, automobili i komisionit shqiptar kaloi këtë vend, ndërsa ai i komisionit italian ndalohet e vriten gjenerali, një major doktor, një toger adjutant, një ushtar, shoferi e një shqiptar. Pas kësaj ngjarjeje, kaloi komisioni i Greqisë pa pasur asnjë ngjarje, vijoi e shkoi në Gjirokastër. Përmbi këtë janë përhapur lajme të këqija, të cilat, qeveria e populli shqiptar i përgënjeshtrojnë e protestojmë rreptësisht pse në tokën shqiptare, në ato anë nuk ka asnjë bandë. Pos kësaj, z. gjeneral Telini ka qenë mik i popullit shqiptar dhe i ka përkrahë me paanësi të drejtat e tij. Qeveria e populli shqiptar kanë marrë pjesë në hidhërimin e madh që ka sot qeveria e populli italian”.

Marre nga muri i fb i Kastriot Dervishtit, 27 gusht 2021

Rruga General Tellini ne Gjirokastren e viteve 30

Rruga General Tellini ne Gjirokastren e viteve 30

Një rrugë në Gjirokastër, me emrin e Gjeneral Tellinit me 1937

Në vitin 1937,
Bashkia e Gjirokastrës emërtoi një rrugë të qytetit
me emrin e gjeneralit italian Telini. Kronika sipas shtypit të kohës.
.
Bashkia e Gjirokastrës pagëzoi një rrugë kryesore me emrin e të paharruarit General Enriko Tellini, që u sakrifikua pir të mbrojtur të drejtat shqiptare. Pagëzimi i kësaj rruge u bë në një ceremoni madhështore, në të cilën asistuan të tërë autoritetet civile, ushtarake, kleri dhe një shumicë e madhe populli, bashkë me nxënësit dhe nxënëset e shkollave. Në këtë ceremoni asistuan edhe mjaft personalitete italiane, të ftuara posaçërisht nga Bashkia, e cila shtroi atë ditë në sallën e saj edhe një buffet të pasur.
Zbulimi i pllakës u bë nga ana e zv. kryetarit të Bashkisë, z. kapiten Dedë Jakova, i cili në këtë rast mbajti një fjalim të shkurtër, po shumë të bukur.
Një fjalim të gjatë e të prekshëm, mbajti kolegu ynë z. Xhavat Kallajxhi, Drejtor i Gazetës “Demokratia”. Që të dy folësat theksuan shërbimet e mëdha të të vajtuarshmit Gjeneral Tellinit, emri i të cilit zë një kaptinë të ndritur në historinë e vendit tonë. Këtyre fjalimeve iu përgjigj z. Cavalier Toffolo, Konsulli i Italisë në Vlorë.
Në mbarim të fjalimeve, banda muzikore ekzekutoi Hymnet mbretërore e kombëtare të Italisë dhe Shqipërisë dhe u brohorit për të dy shtetet aleate dhe prijësit e tyre.
Pastaj u dërguan telegrame ne Familjen e General Tellinit e gjetke.
.
Marre nga muri i fb i Kastriot Dervishtit, 28 gusht 2021
.



Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook