back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Votim në një foto të Margaret Hasluck – nga Qerim Vrioni

Gazeta

Margaret Hasluck - Votimet e para në Shqipëri
Margaret Hasluck – Votimet e para në Shqipëri

Votim në një foto të Margaret Hasluck

nga Qerim Vrioni

Ndër figurat e huaja me kontribute të vyera studimore për Botën Shqiptare, një vend të nderuar ze edhe skocezja Margaret Hasluck (lexo Hazllëk). Ajo, e meriton këtë vlerësim për veprimtaritë e shumta të saj, ku përfshihen punime, hulumtime, analiza, botime, fotografi në fushat e historisë, etnografisë, gjuhësisë, arkeologjisë dhe gjeografisë. Po ashtu edhe për kohën, relativisht të gjatë, (rreth 13 vjet) të banimit në Shqipëri, si rrjedhojë edhe njohjen mirë të jetesës dhe të mendësisë së vendasve.
Studimet për shkollën e mesme skocezja Margaret Hasluck (Aberdeen, 1885 – Dublin, 1948), i kreu në Kolegjin Elgin Academy, ndërsa të lartat në Universitetin e njohur të Aberdeen-it, një nga qytetet më të vjetër të Skocisë. Mandej, kreu studimet në Universitetin e Cambridge-s. Pas martesës me Frederick Williams Hasluck, drejtor i shkollës angleze në Athinë, ajo udhëtoi nëpër disa vende si Greqi, ku edhe punoi disa kohë, mandej në Zvicër etj. Përshtypjet dhe zbulimet nga udhëtime filloi t’i botojë në shtyp, por edhe si libra më vete. Pas vdekjes së të shoqit (1920), vizitoi sërish Ballkanin, ku rreth vitit 1925-26 ndaloi në Elbasan, në atë kohë qytet me një farë zhvillimi ekonomik dhe kulturor. Aty u njoh edhe me atdhetarin Lef Nosi, nënshkrues i Dokumentit të Pavarësisë, erudit, koleksionist, gjuhëtar, me të cilin gjetën pika të përbashkëta në disa fusha të shkencës dhe kulturës. Në vitin 1932, Hasluck botoi gramatikën anglisht-shqip me titull “Këndime Anglish-Shqip, 1932”, e cila u shoqërua edhe me 16 përralla shqiptare në të dy gjuhët. Ndërkohë që vilte në terren të dhëna etnografike, gjuhësore, gjeografike nga banorët dhe grumbullonte materiale muzeale, Hasluck përdori shumë edhe aparatin fotografik. Kështu, ajo ka përngrirë në celuloid gjithçka i tërhiqte vëmendjen e saj si shkencëtare, si dokumentuese të historisë, por edhe mjeshtre pasionante e fotografisë.
.
Margaret Hasluck (1885-1948)
Margaret Hasluck (1885-1948)
Pas pushtimit fashist të Shqipërisë, më 1939, Hasluck largohet nga vendi ynë e shkon, fillimisht në Athinë, mandej në Stamboll e së fundmi në Kajro. Në vitin 1945, diagnostikohet me leuçemi dhe, për këtë shkon në Qipro, më vonë Zvicër për kurim, por pas 2-3 vitesh, më 1948 ndahet nga jeta në Dublin (Irlandë). Disa vite më vonë, më 1954, u botua në Angli libri i saj “Ligji i pashkruar në Shqipëri” (“The Unwriten Law in Albania”). Me vlera janë edhe përmbledhjet e albanologut të njohur Robert Elsie për krijimtarinë e Hasluck si psh. “The Hasluck Collection of Albanian Folktales” (“Koleksioni i Hasluck të Përrallave Popullore Shqiptare”), botuar në Angli më 2015, ku përfshihen rreth 115 përralla të mbledhura nga studiuesja në Shqipëri. Në vitin 2010, me rastin e 125 vjetorit të lindjes së Margaret Hasluck, Bashkia e Elbasanit i akordoi asaj titullin “Qytetare Nderi e Elbasanit”, ndërsa tek shtëpia që ndërtoi dhe ku ka banuar (tashmë jetimore) u vendos një pllakë përkujtimore për kontributin e saj shkencor dhe kulturor për vendin tonë.
Në fushën e “dhomës së errët”, opusi i saj fotografik përfshin me qindra shkrepje vetëm në Shqipëri, ato kanë vlera shumë të veçanta historike, dokumentare, shoqërore, kulturore. Origjinalet e tyre sot ruhen në arkivat britanike dhe janë digjitalizuar, një pjesë e tyre ndodhen edhe në IAKSA (Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve) Tiranë. Në vendin tonë ajo ka fotografuar shumëçka, peizazhe natyrore dhe urbane, ngjarje politike dhe shoqërore, njerëz me veshje qytetare dhe fshatare, rite fetar dhe zakone tradicionale, mjedise shëndetësore dhe shkollore, qytetarë dhe fshatarë në përditshmërinë e tyre, lojra nxënësish të shkollave fillore etj. Thuajse të gjitha fotot e Hasluck janë shkrepje-çasti, se përveç të tjerave, ajo nuk kishte studio fotografike që të realizonte brenda saj portrete të studiuara. Gjithsesi, këto foto, me paraqitjen e jetës së shqiptarëve në të gjitha shfaqjet e saj, mund të hyjnë në të quajturën antroplogji pamore (Visual Anthropology), me shumë vlerë për studiuesit shqiptarë e të huaj.
Një nga shkrepjet fotografike të goditura të Hasluck është edhe kjo që pasqyron një çast votimesh në vendin tonë rreth 80-90 vite më pare. Fotoja, paraqet një skenë zgjedhjesh në një fshat të krahinës së Elbasanit, mendohet në kapërcyell të viteve ’20 dhe ’30. Ndoshta, historikisht është fotoja e parë (nga hulumtimet e deritanishme) në Shqipëri që tregon se zgjedhjet (kombëtare apo lokale, ende nuk ka ndonjë të dhënë) në atë periudhë, bëheshin edhe në këtë mënyrë, në qiell të hapur. Ideja e fotografimit mund të jetë e autores Hasluck, por ndoshta edhe e mikut të saj, Lef Nosi, bashkë me të cilin kryenin ekspedita etnografike gjuhësore dhe gjeografike, në krahinën e Elbasanit, por edhe në zona të tjera.
Vazhdojmë me kqyrjen e fotos dhe të zbulimit, me sa ofron ajo, se çfarë fshihet nën sipërfaqen fizike të saj. Sëpari, ajo tregon se votimi kryhej në mjedis të hapur dhe rreth kutisë janë ulur këmbëkryq gjashtë fshatarë. Ata janë ulur mbi një shtrojë tekstili si për të shtuar rëndësinë e procesit të votimit, por edhe të tyre. Treshja afër kutisë, me gjasë përbënë anëtarët e komisionit (a këshillit të votimeve) të zgjedhjeve dhe janë dalëzotës të mbarësisë së veprimtarisë. Tre të tjerët pas tyre mund të jenë fshatarë që presin rradhën për të votuar, madje ai me shkop mban në dorën e djathtë një fletë të bardhë, me shumë të ngjarë, fletë-votimi, Mbas tyre duket edhe një grup bashkëfshatarësh në këmbë, që mbase shohin për herë të parë votime zyrtare. Ndoshta edhe ata po presin që t’u vijë rradha për të hedhur fletën në kuti.
Midis komisionit të zgjedhjeve, bie në sy në edhe një hoxhë, që ndonëse nuk mendojmë se është kryetar i komisionit, duket se përbën një mbështetje për rregullsi dhe qetësi gjatë zgjedhjeve. Prania e përfaqësuesit të një besimi fetar (hoxhë), tregon përveç ndikimit të madh të fesë në jetën e përditëshme publike ato kohë, edhe se fshati është me shumicë banorë myslimanë, sepse përndryshe, në komision do të ishte i pranishëm edhe ndonjë prift ose sheh.
Në planin e parë, në të djathtë të shikuesit të fotos duket një burrë i ri në moshë në krahasim me të tjerët, i cili nga mënyra se si pret shkrepjen duket se është përgjegjësi i gjithçkaje që do të ndodh aty me atë kuti druri. Ka edhe një detaj të vogël, ai ka hequr këpucët (ose opingat) duket qartë në foto këmba e djathtë me gjithë çorape. Me shumë gjasa me heqjen e tyre ai shpërfaq dhe respektin për procesin e votimit, ashtu si për një tempull fetar, sidomos islam, ku nuk mund të futesh mbathur. Me të drejtë, sepse votimet në të vërtetë përfaqësojnë një tempull të demokracisë në një vend të qytetëruar, çka duket se e ka kuptuar dhe ndjerë fare mirë “kryetari i komisionit të zgjedhjeve”.
Gjithsesi, një andër e madhe në mëngën e majtë të xhaketës së tij, tregon se ai nuk është i pasur, ndonëse mbase mund të ketë pak më tepër shkollë se të tjerët, por sigurisht, edhe më shumë ndershmëri dhe idealizëm.
.
Margaret Hasluck - Votimet e para në Shqipëri (fragment)
Margaret Hasluck – Votimet e para në Shqipëri (fragment)
Figurë tjetër e rëndësishme në foto është votuesi i çastit, i cili thënë më ndryshe, përbën edhe vatrën kryesore të foto. Ai, i mbështetur me dorën e djathtë në shkopin e tij, po e hedh votën me dorën e majtë, duke shikuar nga aparati, por pa shpërfaqur ndonjë kënaqësi të madhe.
Personat janë të porositur për shkrepjen, çka dallohet nga shikimet e tyre të drejtuara të gjitha kah objektivi. Ka të ngjarë që, si rëndomë në fotografi, atë ditë të jenë bërë edhe shkrepje të tjera, por skocezja me kulturë të gjerë, zgjodhi këtë për publikim, dhe nuk ka gabuar. Nga subjekti i trajtuar, fotoja futet në gjininë e fotografisë dokumentare, ndonëse ka edhe vlera historike. Kështu, pas disa dhjetëvjeçarësh të tjerë, vështirë se mund t’u shpjegohet më mirë e më shkurt brezave të ardhshëm një nga mënyrat e votimit në vendin tonë, se sa me anën e kësaj fotoje të qëlluar të erudites Hasluck, në krahasim me disa faqe të shkruara.
Po ashtu duke dokumentuar një ngjarje të veçantë në një kohë të caktuar, ajo mund të hyjë edhe në fotografinë e shtypit, pra të duket në një faqe gazete me shënimin rutinë, “Nga zgjedhjet në fshatin N”, madje të qëndronte atje fare mirë. Megjithëse asnjë pjesëmarrës në të nuk është figurë e njohur dhe nuk dihet (deri tani) saktësisht as koha dhe as vendi i fotografimit (gjera që nuk ia zbehin misionin) kjo foto pasqyron një veprimtari shoqërore dhe politike në një periudhë me ndryshime të mëdha, por gjithashtu tregon një farë qytetërimi, pra se kishte filluar rruga drejtë europianizimit të Shqipërisë. Nga veshjet e shumicës së pjesëmarrësve, mendohet, siç u tha më sipër, se bëhet fjalë për krahinën e Elbasanit, ku studiuesja e njohur ka jetuar e punuar, por e njëjta skenë mund të ketë ndodhur edhe në fshatra të tjera.
Atmosfera gjatë votimit duket mjaft serioze, por edhe paqësore, përqark nuk shihet njeri me uniformë ushtarake apo i armatosur. Kjo tregon për autoritetin mbi popullatën e zonës të personave që kanë marrë përsipër zhvillimin e rregullt të votimeve. Po ashtu, në foto nuk paraqitet ndonjë femër, si duket nuk kishte ardhur ende koha e tyre për të votuar. Gjithsesi, fotoja nuk siguron se votimet e pasqyruara në të janë zhvilluar të pastra dhe të rregullta.
Sidoqoftë, fshatari pasi ka shënuar në fletë-votimin të pëlqyerin e tij ndër kandidatët e listës, i sigurtë po e hedh atë në kuti, por sipas porosisë së fotografes, shikon edhe drejt aparatit (ashtu siç shikojnë sot kryetarët e partive, por shumë më tepër të kënaqur se po fotografohen, madje këta, dhe me buzëqeshje mediatike), e disi i paduruar që të mbarojë sa më shpejt procesi. Poshtë dorës së tij duket shishja e bojës me të cilën ngjyhej mollëza e gishtit tregues të dorës së djathtë (jo për të mos votuar 2-3 herë…) të votuesit për ta vendosur për krah emrit të zgjedhur në listën e kandidatëve, në vend të nënshkrimit ose firmës, Pra, votohej edhe me gisht, ashtu siç merrej edhe rroga ose kryheshin veprimet e tjera vërtetuese në ato kohë, nga njerëzit që nuk dinin shkrim e këndim.
Natyrisht, duke u përqëndruar te fotoja mendja shkon edhe tek disa pyetje rreth mënyrës së votimit si psh, fleta me kandidatët ishte e shtypur me makinë shkrimi apo e shkruar me dorë, me çfarë shenjash veçonin zgjedhësit të pëlqyerit e tyre, në një kohë kur analfabetizmi ishte në shkallë të lartë, sidomos në fshatra? Po zgjedhjet si ishin lajmëruar me shpallje në mure, në mbledhje populli apo gojarisht? Po fushatë elektorale a ishte zhvilluar? Pse kutia ka dy hapje (të çara) për hedhjen e votave ? Po dhoma apo ndarja e fshehtë ku ishte, si caktohej komisioni i zgjedhjeve, ku bëhej numërimi i votave, si shpallej përfundimi me kandidatët fitues, dhe pyetje të tjera që i u lindin vetvetiu shikuesve të fotos.
Kështu, kjo foto, në një farë mase e detyron shikuesin ta mbajë më gjatë nër duar, të fillojë të përfytyrojë disa çaste para dhe pas shkrepjes i ndihmuar nga njohuritë historike të tij, e të mundohet t’u përgjigjet e pyetjeve të mësipërme sipas mendjes së tij. Madje, vlera e këtyre lloj fotove qëndron edhe tek kohëzgjatja e kundrimit të saj, që krijon një farë manjetizmi mbetës (duke huazuar një term nga fizika) të strehuar në kujtesën pamore të shikuesit. Kjo foto me vlerat dokumentare e historike që ngërthen, duhet të paraqitet edhe në stendat e “Muzeut të Parlamentarizmit Shqiptar”, që flitet kohët e fundit se do të ngrihet në Tiranë në ndërtesën e “Teatrit të Kukullave”, që ka shërbyer për 15-20 vjet si Parlamenti i Shqipërisë.
Gjithsesi, nga hulumtimet vetjake të deritanishme, “Votim…” mbetet historikisht fotoja më e hershme që pasqyron një proces zgjedhjesh në vendin tone. Kjo falë mikes së shqiptarëve, skocezes largëpamëse Margaret Hasluck, së cilës edhe në sajë të shumë fotove të tjera në Shqipëri, mendojmë se i takon edhe një vend në Historinë e Fotografisë Shqiptare.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.