Viti 1924, intelektualët elbasanas urojnë Fan Nolin – kryeministër Letra e rrallë nga arkiva e Lef Nosit: nga Bardha Nergjoni

Lef Nosi

Lef Nosi

Viti 1924, intelektualët elbasanas urojnë Nolin kryeministër

Letra e rrallë nga arkiva e Lef Nosit:

nga Bardha Nergjoni

Lef Nosi konsiderohet një “individualitet-thesar”, nga i cili kemi shumë dokumente, fotografi apo shënime që i japin jetë historisë sonë. Kujtojmë që nga studiuesi, hulumtuesi, intelektuali dhe nga atdhetari elbasanas kemi dhuratë Deklaratën e famshme të Pavarësisë, atë origjinalen, të cilën e botoi në përvjetorin e 25-të, duke bërë të mundur që ta kemi në dorë sot një dokument të shkruar të asaj dite të madhe.
Në arkivën e Nosit gjenden dhe dokumente të rralla që hedhin dritë mbi momente të tjera historike.
Një prej tyre është letra që intelektualët elbasanas i kanë drejtuar Fan Nolit, klerikut të lartë ortodoks, duke e uruar për zgjedhjen e kryeministër pas Revolucionit të Qershorit, siç emërtohet zyrtarisht ajo që në fakt për një pjesë të mendimit politik apo historik shqiptar, ka qenë një “grusht shteti”. Por kjo pak rëndësi ka. Letra vetë është një dokument i rrallë, ngase tregon dhe pozicionimin politik të emrave të shquar të Elbasanit, kuptohet, me Lef Nosin në krye.
Vetë Nosi pra, renditet në mbështetje të kryeministrit të ri duke vendosur emrin e tij në fund të letrës së gjetur në arkivën personale. Emrat që kanë firmosur letrën e urimit janë: Lef Nosi, Hysen Dakli, Ibrahim Hastopalli, Abdullah Tirana, Emin Haxhiademi, Mehmet Ali Stringa, Ibrahim Dedej, K. Shabanaj, Tasim Myftiu, Rrapush Demeti dhe dy intelektualë të tjerë me firma jo lehtësisht të dëshifrueshme. Në letër shprehimisht intelektualët kanë nënshkruar:
.
Disa intelektualë të kohës në Elbasan

Disa intelektualë të kohës në Elbasan

Shkëlqesia e tij Emzot Nolit

Lajmi i formimit të kabinetit prej Shkëlqesia suej me burrat idealistë që janë gjithë të frymëzuem prej principesh demokratike shkaktoi nji gëzim të pamasë në zemër të popullit të kësaj prefekture. Tue shpresue se ky kabinet do të hapi rrugën e përparimit e të përmirësimit ekonomik të atdheut të dashun paraqisim urimet tona të përzemërta për triumfin e veprës që shkëlqesia e juej keni marrë përsipër me krye”.
.
Letra që Lef Nosi i shkruan Fan Nolit më 1924

Letra që Lef Nosi i shkruan Fan Nolit më 1924

Noli është akuzuar vazhdimisht për rolin e tij në Revolucionin e Qershorit të vitit 1924. Qeveria e tij pati jetën e shkurtër, vetëm 6 muaj, por që përfaqësoi në atë kohë shpresat e itelektualëve dhe atdhetarëve. Ai vetë asnjëherë nuk është penduar për përfshirjen e tij në një lëvizje, e cila u përkrah nga liberalë e demokratë të padyshimtë, si Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau, Qazim Koculi, Ali Këlcyra dhe vetë Faik Konica, apo nga figura me emër e prestigj të madh në popull, si Bajram Curri e atë Gjergj Fishta, si edhe nga emra të shquar nga Elbasani siç e dëshmon letra e botuar për herë të parë. Nga ana tjetër, në shkrimet e mëvonshme, Noli ka pranuar përgjegjësitë e tij e të shokëve në dështimin e revolucionit të vitit 1924. “U armiqësova me çifligarët, kur thashë se do të bëj reformën agrare, u armiqësova me fshatarësinë kur nuk e bëra atë”, frazë kjo e Nolit që i jep kuptim karrierës së tij të pafat politike.

Disa mbështetësit elbasanas në letrën drejtuar kryeministrit të atëhershëm janë tregëtarë të njohur elbasanas e me pozita të rëndësishme ekonomike, por që dashurinë për vendin e vendosën mbi interesat e tyre personale dhe e njohën Nolin si Kryeministër duke e përgëzuar edhe për “triumfin e veprës” që ai kishte marrë përsipër duke përfaqësuar edhe interesat e tyre.

 

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook