Visarion Xhuvani – Kryepeshkopi i parë i KOAKSH-it nga Hyqmet Zane

Kisha Orthodokse Shqiptare

Kisha Orthodokse Shqiptare

Visarion Xhuvani -

Kryepeshkopi i parë i KOAKSH-it

nga Hyqmet Zane

Qytetaria elbasanase, me të drejtën e vet civile, do të pyeste se si është e mundur që në njëzet e një vjet demokraci, Kryepeshkopi i parë i KOAKSH-it, me origjinë nga Elbasani, nuk është “Qytetar Nderi”. Ky, realisht, është një shqetësim dhe një pyetje që bëhet në këtë vit jubilar të 100-vjetori të shtetit shqiptar, në kuadrin e vlerësimit të personaliteteve që i bëjnë nder kombit. Pa dallim feje, krahine e ideje, për çdo shqiptar, Visarion Xhuvani zë një vend të lartë në panteonin e vlerave kombëtare.
Personaliteti i këtij apostulli të shqiptarizmës vjen në kujtesën tonë si i pari kryepeshkop i Autoqefalisë së Kishës Ortodokse, që realizoi me aq mund Imzot Fan Noli, në kohën e Mbretërisë Shqiptare.
Të shkruash e të flasësh për Hirësinë e Tij, Visarion Xhuvanin, për qëndrimet dhe aktivitetin e tij, por edhe persekutimin nga komunizmi, historiografia duhet të flasë me gjuhën akademike. Por sot, si shqiptar, si intelektual, por edhe si gazetar, kam të drejtën të shprehem me indinjatë për pavëmendshmërinë e treguar për këtë Kryepeshkop të Parë që vjen në kujtesën tonë si një dritë me tërë shenjtërinë e njeriut, që edhe përmes fesë, i bën nder kombit.
Ndoshta i takon Prefektit aktual të Elbasanit, Shefqet Deliallisi, të bëhet propozues për Këshillin Bashkiak që të kthejnë vëmendjen në cilësimin “Qytetar Nderi” të Visarion Xhuvanit. Është një propozim që vjen në kohën e duhur, për njeriun e duhur, për t’i bërë vlerësimin e duhur atij që na bën nder sa herë që e kujtojmë dhe që, fatkeqësisht, ka mbetur në harresën e mediokritetit të pushtetit lokal. Të bësh “Qytetar Nderi” Visarion Xhuvanin, nuk është nder që i bëjmë ne atij, por është një detyrim, për shkak të nderit që ai na ka bërë ne shqiptarëve.

Peshkopi Visarion Xhuvani

Peshkopi Visarion Xhuvani

Shumë syresh janë cilësuar “Qytetar Nderi”, ashtu-kështu me meritë apo pa meritë. Mosqenia e Visarion Xhuvanit, ndër figurat e shquara që kanë nderuar maksimalisht jo vetëm Elbasanin, por tërë kombin, është ndoshta e qëllimshme apo e diktuar nga qarqe antishqiptare, ku vendin e parë e zënë fqinjët tanë grekë dhe serbë. Edhe varri i tij në fshatin Shjon, 4 km larg Elbasanit, është një provokim në mënyrën se si janë shkruar fjalët mbi pllakën e cilësimit për këtë atdhetar.
Është e kuptueshme se propozimi për ta bërë “Qytetar Nderi” të Elbasanit këtë kolos të Autoqefalisë, është vlerësim dhe do duhet të jetë një ditë e shënuar në kalendarin e këshillit bashkiak të Elbasanit, që ka fatin të nderojë Kryepeshkopin e Parë të KOAKSH-it. Njëherazi, ajo ditë duhet të jetë dhe një apel për më shumë vëmendje ndaj kësaj figure potenciale dhe shumëdimensionale për kohën kur ai ishte në detyrë, për kohën kur ai kreu akte madhore, po aq sa edhe kur diktatura komuniste e burgosi, e denigroi dhe pas viteve ’90 harresa e Janullatosit për këtë dishepull u transformua në një persekutim tipik grek ndaj legjendës së krishterimit shqiptar të pavarur nga patriarkana greke.
Të jesh Kryepeshkopi i Parë i KOAKSH-it, të jesh dy herë deputet në Parlamentin shqiptar, ashtu si edhe pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës, por edhe një martir i persekutimit komunist, askush tjetër nuk i ka këto privilegje që autorët Nos Xhuvani dhe Pavli Haxhillazi i kanë përmbledhur në librin e tyre të qarkulluar më 2007, pas botimit në Shtëpinë Botuese “55”. Figura e ndritur e Hirësisë së Tij, Visarion Xhuvani, është sa mbarëkombëtare në kujtimin që i duhet bërë, aq edhe ndërkombëtare, për vetë përmasat që kishte ky njeri dhe për vetë përfaqësimin që bëri në krye të KOAKSH-it. Aq më tepër, në këtë 100-vjetor të jubileut të shtetit shqiptar për klerikun themelues të Kishës Autoqefale Shqiptare.

Vissarion Xhuvani

Vissarion Xhuvani

Jeta e Visarion Xhuvanit

Po cila është jeta reale dhe veprimtaria e klerikut dhe njëherazi edhe atdhetarit Visarion Xhuvani? Kjo është një pyetje që meriton vëmendjen e posaçme dhe nga institucionet shtetërore, për vetë faktin se ai është i pari nga klerikët me kontribute të mëdha në vitet e para të formimit të shtetit shqiptar në këto 100 vjetët e Pavarësisë kombëtare.
Visarion Xhuvani lindi në lagjen Kala të Elbasanit, më 14 dhjetor të vitit 1890 dhe vdiq në vitin 1965, i strehuar në shtëpinë e një të afërmit të vet në Elbasan.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe më pas studion në shkollën e mesme fetare, Rizarios në Athinë. Po në Athinë mbaron studimet universitare për teologji, ku diplomohet në gradën fetare Visarion.
Nga viti 1919 deri 1923, shërbeu murg i thjeshtë në Sofje dhe më pas episkop në Cetin. Më 1919, si klerik, u prit shumë mirë nga bashkëqytetarët e tij elbasanas, ku bën shërbesën e parë fetare, duke bekuar qytetin e tij.
Me 20 janar 1920, merr pjesë në Kongresin e Lushnjës, ku u zgjodh senator në senatin e parë. Ka përfaqësuar Elbasanin si deputet i Parlamentit shqiptar, në vitin 1920-1924, ku ngriti me forcë problemin e kombëtarizimit të kishës shqiptare. Në mars të vitit 1922 me iniciativën e tij u mbajt Kongresi Ortodoks për Autoqefalinë e Kishës Shqiptare. Ndërsa më 24 nëntor 1923, Visarion Xhuvani u caktua zyrtarisht nga Patriarkana, peshkop në Shqipëri. Në vitin 1924-1925 ishte arkimandrit, mitropolit i Durrësit dhe Tiranës, kryepeshkop i gjithë Shqipërisë dhe president i gjithë Kishës Autoqefale Shqiptare.
Sipas Fan Nolit, Visarion Xhuvani është një ndër peshkopët më energjikë që ka pasur Shqipëria. I pari që organizoi kishën e Shqipërisë si kishë shqiptare. Njihet si meritë e tij, krijimi i Episkopatës së Beratit, Tiranës, Durrësit, Gjirokastrës, Korçës e Shkodrës. Njihet si fryt i punës së tij dhe Fan Nolit “Pavarësia e Kishës Shqiptare”.
Kleriku dhe atdhetari i shquar, Visarion Xhuvani, ishte një njeri me kulturë të gjithanshme, zotëronte greqishten e vjetër dhe të re, anglishten, gjermanishten, italishten, rumanishten e serbokroatishten. Ka përkthyer “Mesharin” si dhe “Jetën e Shën Gjon Vladimirit”.
Në vitin 1946, arrestohet nga diktatura komuniste. Pas viteve të burgimit, vdiq në Elbasan, në vitin 1965, dhe u varros në Manastirin e Shën Gjon Vladimirit. Fatkeqësisht, varri i tij u hoq padrejtësisht nga Manastiri dhe është shpërngulur në një grup varrezash të fshatit.

Visarion Xhuvani - Kreu i Kishes Autoqefale Shqiptare

Visarion Xhuvani – Kreu i Kishes Autoqefale Shqiptare

Epilog

Hirësia e tij, Visarion Xhuvani, është përfaqësuesi më dinjitoz i familjes së Xhuvanëve, në lagjen Kala në Elbasan. Por më shumë se kaq, Visarion Xhuvani zë vendin e parë në radhën e klerikëve që hodhën themelet e shtetit shqiptar dhe, nëse Elbasani, më në fund, do ta bëjë edhe “Qytetar Nderi”, nuk dihet se çfarë monumenti do t’i ngrejë vetë shteti shqiptar si kryeklerik, si atdhetar i shquar dhe si i persekutuar i diktaturës komuniste.

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook