back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Visari… Lazri dhe Prizreni (nji ftesë dhe nji letërkëmbim)

Gazeta

Prizreni nga Kalaja
Prizreni nga Kalaja

 Visari… Lazri dhe Prizreni (nji ftesë dhe nji letërkëmbim)

Në fund të qershorit të 2012, Visar Zhiti ftohet në qytetin e Prizrenit, ku promovohet romani i tij “Koha e Britmës”, mbasi personazhi kryesor i romanit asht Prizrenasi filozof dhe i verbër, që në të vërtetë bashkon në nji figurë të vetme artistike dy personazhe njiherësh, të atin e tij Hekuran Zhiti, i cili vitet e fundit i kaloi në verbëri dhe Lazër Radi, të cilin e kishte mik mjaft të dashun… Figura e Prizrenasit, dhe ftesa nga Prizreni (Visari dëshironte që të isha edhe unë atje) u bë shkak edhe i këtij letërkëmbimi miqsor midis nesh, të cilin e konsideroj jo vetëm nji nji vlersim për veprën e tij “Koha e Britmës”, po edhe nji nderim i njikohshëm për Lazrin, për qytetin tij të Lindjes Prizrenit, po edhe nji nderim i thelle për prindin dhe artistin Hekuran Zhiti… jr

I dashur Jozef,
gjithë të mirat në të gjitha!
Jam ftuar në Prizren të enjten e javës që vjen për të përuruar romanin “Në kohën e britmës”. Shkak besoj është personazhi prizrenas i tij, që sikur konturon disi Lazrin tonë të dashur, të cilit i është shtuar verbëria (për të parë më shumë) e Hekuranit…
Nuk po zgjatem, por nëse ke ndonjë mesazh me këtë rast, mund ta marr me vete dhe ta kumtoj edhe atje mes miqsh.
27 qershor 2012

I dashur Visar,
prej teje gjithnji e më shpesh më shfaqet nji dritare e hapun shprese…
Më bahet shumë qejfi që n’Prizrenin aq të dashtun të Lazrit, (që ai s’mbrriti me e pa ashtu siç deshte) tash kthehesh ti… Asht mrekulluese për mue, që ti ia kthen atij qyteti nji nga bijtë e shumtë të tij, që mallin për Prizrenin e mbajti të gdhendun jo veç në kujtimet dhe shkrimet e veta, por edhe në at pseudonim me të cilin ai botoi gjithë shkrimet e veta të periudhës së luftës: “Ushtima e Sharrit”.
T’ia rikthesh Prizrenit nji dashuni të braktisun nga mallkimi i historisë, dhe ta rikthesh Lazër Radin si plakun e urtë e të verbtë prizrenas, në qytetin e andrrës së tij ma të madhe, mundet veç magjia e artit të letërsisë dhe nji shpirt i madh dhe i ndjeshëm artisti, si ti Visar. (Të falenderoj asht fare pak!)
Në vitin 2000, menjiherë mbas lufte, unë, im vlla, dhe kushërini im i parë, aktori Ferdinand Radi, shkuam ma së pari në Prizren… në emën të amanetit të tim eti… E dija Prizrenin pllambë për pllambë, me Lumbardhin dhe Urat, me Marashin dhe Belvederen, me Kalanë dhe Xhaminë e Sinan Pashës, me shtëpinë e Lidhjes dhe Hamamin… sepse Prizreni ishte i gjithi mbrenda meje edhe pse s’e kisha pa kurrë me sy!
Jo mor jo, e kisha pa si nuk e kisha pa, po me sytë e tim eti, e kisha të filtruem prej dashnisë së tij…
I dashtun Visar,
Të gjithë e kemi pa Prizrenin dhe prizrenasit me sytë dhe dashninë e tij… ndaj Prizreni dhe prizrenasit s’mund të ishin ndryshe veçse fisnikë dhe të magjishëm… ashtu si personazhi i “Kohës së Britmës”, ku në nji të vetëm janë shkri Lazër Radi dhe Hekuran Zhiti…
Përshëndetjet e mia ma të nxehta deri në përlotje për qytetin e tim eti, libri i të cilit “Në Mjegullnajën e Kujtimeve” nis bash kështu:
“Prizreni, asht qyteti im i lindjes.
Ai asht qyteti ma i mrekullueshëm i kësaj bote,
thjesht pse asht qyteti i fëminisë sime,
qyteti i andrrave të mia ma të para,
i dëshirave të mia të ndezuna,
mbetun pezull n’ajri…”
Visar të uroj suksese dhe jam fort i kënaqur që shkrimet për librat e tu po gjejnë ma së shumti jehonë edhe në Kosovë…
1 korrik 2012

I dashur Jozef,
jemi kthyer nga Prizreni i bukur, ku u bë përurimi i romanit “Në kohën e britmës” diku afër shatërvaneve… Kishin ardhur plot… edhe nga Prishtina, Ali Podrimja, Ibrahim Kadriu, Smjal Smaka, zv/ministri i kulturës… një përshëndetje nga kabineti i Presidentes… folën me dashuri, recituan… njëra i ra dhe flautit… u bëne pyetje nga salla, etj.
Si surprizë e bukur u ruajt përshëndetja Jote… e lexova vetë, duke hequr intimitetet, ato ku më lavdëron… nejse, u pëlqye mjaft dhe u duartrokit gjatë, organizatori i prekur, zoti Berta, kryetar i shoqatës kulturore “Agimi”, ma mori letrën për ta botuar në numrin e ardhshëm të revistës që ai drejton.
Të nesërmen vizitova kalanë, qelitë ku u burgos Abdyl Frashëri, kishën katolike, në galerinë pranë, të piktorit Zef Toçi… pyeta se ku kishin jetuar Radët dhe a ka më në Prizren? Më treguan se kishin banuar diku pranë Katedrales dhe se kishin ikur të gjithë. Natyrisht që e dinte emrin e Lazër Radit.
Pasi u endem dhe ca, u kthyem, të mbushur me Prizren dhe me shpirtrat e atyre që nuk janë më, por që spërkatin ajrin me dritë dhe kujtimet me ar…
Edhe një herë duke të uruar çdo të mirë,
miqësisht, Visar Zhiti
9 korrik 2012

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.