Visar Zhiti: “Shkrimtarët që bënë dosjen time mbajnë pozicione të ndjeshme…!” (2011)

Visar Zhiti i burgosur

Visar Zhiti i burgosur

Visar Zhiti:

“Shkrimtarët që bënë dosjen time

mbajnë pozicione të ndjeshme…!” (2011)

Përgatiti: Ilda Lumani

Çdo përgjigje e tij rrjedh si një poezi…
Po a mund të flasë ndryshe një shkrimtar si Visar Zhiti?!
Spunton e kësaj intervista
e mora nga botimi i akt-ekspertizës
së shkrimtarëve të Lidhjes (së Shkrimtarëve),
që çuan në dënimin e Visar Zhitit.
Por biseda me të rrodhi edhe në kanale të tjera,
të prekshme, të ndjeshme, të dhimbshme…
me të vërteta që djegin.
Aq më tepër, kur e di që njerëzit e torturave i sheh jo thjesht rrugëve,
por edhe në pozicione të ndjeshme…
Apo kur mëson se të tjerë si ai,
nuk e përballuan dot dhunën, kërcënimin, shtrëngimin
dhe u bënë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit…
dashje padashje biseda shkon edhe te shkrimtari Fatos Kongoli, e më tej tek Safo Marko,
së cilës, sipas Zhitit, iu targetua edhe faji i shkrimtarit!!!

Vepra të Visar Zhitit

Vepra të Visar Zhitit

Zoti Zhiti, këto ditë është botuar dosja juaj e formuluar nga anëtarët e Lidhjes, përpara se t’ju çonin në hetuesi, nga do të vinte më pas edhe dënimi juaj. Cila ka qenë ndjeshmëria juaj? Së pari ju falënderoj për vëmendjen, marrjen në konsideratë të saj. Më është dukur një akt qytetarie dhe i guximshëm për të njohur të vërtetën, qoftë edhe të hidhur. E konsideroj si një akt që nuk ka të bëjë vetëm me mua, por dhe me shoqërinë dhe kthimin edhe njëherë tek e vërteta, pasi shpesh jemi larg saj. Ndjesia ime vetjake ishte tronditëse! Mua më kujtohej ajo dosje vetëm në hetuesi, atëherë në vitin e largët të shekullit të kaluar. Ato më sollën atë jehonë, atë zhurmë qelish, dyersh, hapash, britmash, torturash, ulërimash, të cilat kam shumë dëshirë të harrohen, por njëkohësisht të harrosh, nuk do të thotë që po i lë rrugë të keqes të përsëritet. Shoqëria ka nevojë t’i kujtojë në mënyrë që të mos krijohet mendësia e përsëritjes. Shkurt ishte një tronditje, ajo që pashë në gazetën tuaj.
Ata që përgatitën dosjen tuaj ishin kolegë të Lidhjes. I njihnit? E dinit kush ishin? Po, ata i di sepse m’u shpallën, por unë nuk di emrat që më ndiqnin apo që më kanë denoncuar, sepse në dosjen e hetuesisë ata figurojnë me pseudonime. Shpesh herë edhe me pseudonime të bukura, siç është “Penda e Artë”, – që më vjen mirë që nuk e kam marrë atë çmim, se më kujton ndjekjen, – apo edhe pseudonime si Shkëndija apo Mali. Më është bërë i njohur Peneli, një ordiner nga Kavaja, nuk e di a ka lidhje me atë zhurmën që bëri ajo kavajsja në zgjedhje, por si i tillë ishte edhe ai.
Po me anëtarët e Lidhjes, kishit njohje personale? Po, po. Nëse e vutë re akt-ekspertizën, ajo fillonte me anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve. Librin që kisha dorëzuar për botim ua kisha dhënë unë në duart e tyre dhe deklaratat e tyre bënë që të merrej ai dënim që u mor. Mua më bën përshtypje se akt-ekspertiza është bërë para se unë të dënohesha dhe ata avancojnë në drejtimin e së keqes, sepse më konsiderojnë armik. Unë nuk isha cilësuar ende armik në atë kohë. Se të jesh armik e vendoste gjyqi. Ata thoshin ky pseudopoet, ky armik, etj. Pra ata kanë paraprirë gjyqin, ndoshta-ndoshta ata ishin gjyqi i vërtetë!
Jeni takuar më pas me këta njerëz? I kam parë, i kam parë! Janë aktualisht në detyra të ndjeshme! Njihen!
Kanë pozicione të rëndësishme? Njihen! Jo aq sa unë (qesh)! Po një pjesë e tyre janë edhe në Itali apo Angli. Gjithsesi, ky ndoshta është shkrimi më i mirë i tyre, akt-ekspertiza për mua. Është i vetmi rast ku ata janë botuar edhe në vende të tjera të botës.
Nuk është aspak e lehtë të shohësh pikërisht ata njerëz të jetojnë jetën sikur të mos kenë lënduar askënd në botë…? Unë të jem sa më i saktë e sa më i drejtë, e di që nuk është se janë vetëm ata. Edhe ndoshta ata nuk e kanë pasur të lehtë të bëjnë këtë gjë. Jo se ishte e pamundur të kundërshtoje, edhe mund t’u thoshe JO, por ndoshta janë ndjerë edhe ata keq, dhe u është kërkuar diku më thellë kjo gjë. Pra, mund të mos ketë qenë e tëra gëzimi i tyre i zi kjo gjë, por nuk kanë pasur forca ta kundërshtojnë dhe pas tyre ka të tjerë. Unë do të pëlqeja që ata më çiltërsisht, qoftë me mua, qoftë me veten, qoftë me kohën të shpjegonin diçka: si u është kërkuar? Si kanë qenë të detyruar ta bëjnë? Dhe e vetmja keqardhje, kur i shoh, është pse nuk e ndihmojnë kohën, veten e tyre dhe të vërtetën, për të qenë më mirë gjithçka! Ndonjë hakmarrje nuk më duket me vend ndaj tyre, sepse ajo që më ndodhi mua nuk ma kthen dot askush, as Zoti! Keqardhje tjetër është se ata shpesh herë mezi na durojnë kur na shikojnë, sepse ne u kujtojmë fajin dhe mëkatin dhe, sipas tyre, duhet të ishim groposur akoma më thellë. Kjo më trishton, që nuk shoh ndjenjë pendimi apo aftësi për të kërkuar ndjesë. Institucioni i ndjesës, ose mungon, ose është keqpërdorur, si ndonjë ndjesë personale që shohim në ndonjë pothuajse roman!
Këtu i referoheni romanit të Fatos Kongolit? Jo nuk e di, m’u kujtua vetvetiu. Gjithsesi, ai roman dhe ndjesa e tij në të, për dëshminë që ka dhënë në gjyq ndaj një kolegu, është bërë pjesë e debateve të fundit, çka sollën edhe identifikimin e një prej agjenteve, një tjetër personazh i njohur… Po, kam qenë edhe unë në këtë vorbull. Jam pyetur madje. Dhe kam thënë diçka që ma kanë cilësuar si të ashpër. Kam thënë se këto janë si skuadrat e pushkatimit, që pushkatojnë, por nuk pushkatojnë njëkohësisht ata, sepse është një urdhër diku tjetër i atyre që mund të mos kenë kapur kurrë armë me dorë, por ja që firmosin apo urdhërojnë pushkatimin! Por nuk duhet ta lejojnë veten të përdoren, sidomos kur ajo ka të bëjë me njerëz publikë, me shkrimtarin, kur ai në një farë mënyre është deputeti shpirtëror i popullit apo tribuni i tij. Shkrimtarët-deputetë, atëherë i kanë shërbyer diktaturës.
Sipas jush, dëshmia e Kongolit ishte po aq e dëmshme sa edhe ata që e spiunuan atë, denoncuan e më tej ndëshkuan? Mund të thoshte JO. Pse jo?! Mund të thoshte jo, e mbase nuk do të ishte shkrimtar aq i përkëdhelur apo s’do ishte shef, por ama nuk do ishte e thënë se do të shkonte ku shkoi ai, kolegu i tij, të cilin e përcolli me dëshminë e vet, shkrimtari!
Po faktin që e publikoi këtë të dhënë pas kaq vitesh, si e komentoni? I duhej atij. E ndjeu së brendshmi ta thoshte tani, është puna e tij, e ka shpjeguar. Kur e lexoj më dhimbet! Më vjen keq!
Z. Zhiti, ju vetë keni pasur oferta për të qenë bashkëpunëtor i Sigurimit? Po, disa. Dhe njëherë kur u arrestova në qeli, hetuesi më ulëriste duke më thënë: “I poshtër, maskara, ti nuk e meriton atë që kemi menduar për ty dhe kërkesën tonë”. Meqë e hapët këtë, kujtoj një provokator që e kam pasur në qeli. Është histori e gjatë për të thënë pse e di që ishte provokator, (sepse e kam shpjeguar në librin tim “Rrugët e ferrit”), i thosha shpesh një poezi të mrekullueshme të përkthyer nga Petro Marko për bashkëpunëtorët e sigurimit. Poezi e një poeti kuban Nicolas Guillen, “E gjora Dona Maria/ e mjera që s’di gjë/ biri i saj gjarpër pa zë/ paguhet nga policia/ dje si dhelpra me zile/ vinte rrotull shtëpisë sime/ i veshur me rroba civile/ e gjora Dona Maria/ e mjera që s’di gjë/ bir i saj gjarpër pa zë/ paguhet nga policia/. Më bënte shumë përshtypje kjo poezi, se elegjia është për nënën e mjera ajo. Dhe në një farë mënyre, më është kujtuar ajo dhe kam thënë i mjeri Petro Marko, sepse atë që nuk ja bëri dot e tmerrshmja Lufta Civile e Spanjës, atë që s’ia bënë burgjet e fashizmit, e komunizmit, e mbretërisë shpesh herë, si të thuash ja bëri familja! Gjëja më e rëndë për të ishte burgosja e të birit. Ai të paktën nuk pa ikjen e tij të parakohshme, dhe njëkohësisht nuk pa atë gjëmën që bënë gazetat duke nxjerrë emrin e bashkëshortes së tij, si agjente sigurimi.
Mendoni se Petro Marko e ka ditur për bashkëshorten e tij? Besoj jo! Nuk ja aprovonte. Edhe ajo nuk ka pasur forcë ta kundërshtojë. Ka dashur që të nxjerrë të birin nga burgu, me çmimin e tmerrshëm, duke futur të tjerët.
E justifikoni veprimin e saj? Veprimin e saj nuk e justifikoj! Kishte plot përgjigje të tjera, me humbje natyrisht, por them më vjen keq. Nëse ngelet hetimi apo kërkimi që të fillojë me Fatos Kongolin, pra ai për shkak të një dënimi, dhe të përfundojë me: “Jo nuk është ai shkaku, por është Safo Marko” dhe të mbyllet këtu… Të dy këta janë mjete, janë përdorur. Duhet pyetur kush i urdhëroi ata? Pse i urdhëroi? Urdhëruesit kush i urdhëroi? Dhe të mbajë përgjegjësi penale! Të gjithë nga pak.
Fakti që doli në këtë mënyrë emri i Safo Markos, për shkak të rrugës që ndoqi kjo histori, a nuk është e gabuar? Po, e konsideroj të padrejtë! Madje ne e pëshpërisnim emrin e saj, e dinim me njëri-tjetrin, por kur merr vulën, kur bëhet e njohur publikisht, pra zyrtarizohet në një farë mënyre, unë do të thosha se nuk është radha e saj. Dhe kur prish hierarkinë e së keqes, radha duket sikur po e ndëshkon të keqen me një të keqe të madhe. Kjo është e padrejtë.

Visar Zhiti - "Hedh një Kafkë te këmbët tuaja" 1994

Visar Zhiti – “Hedh një Kafkë te këmbët tuaja” 1994

Ju duket e vonuar hapja e dosjeve? A do të hapen një ditë ato? Dosjet duhen hapur. Edhe janë hapur. Por duhen hapur të atyre njerëzve që shquhen apo kërkojnë të shquhen. Është e nevojshme që publiku ta dijë me kë ka të bëjë. Kemi një rrjet të tmerrshëm të fuqishëm të spiunëve që sundojnë, që mbajnë pozita dhe që dëmtojnë!
Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse nuk hapen dosjet!? Po në dobi të vendit, në dobi të kohës, edhe në dobi të tyre do të ishte mirë që të hapeshin pa dëmtuar moralin, por njëkohësisht duke shëndoshur moralin, pasi ka një rënie të tmerrshëm morali.
Ka moral sot në Shqipëri? Po, natyrisht, vetë pyetja tregon se shqetësohemi për të. Diku ka rënë shumë, diku është vrarë, diku qëndron. Një komb nuk përbëhet nga shumica, përbëhet nga njëshi, nga dinjitari i tij. Unë jam një nga ata që besoj se Shqipëria ka moral!
Z. Zhiti, po rikthehem edhe njëherë tek oferta e bashkëpunimit. Për sa ju përket juve, mund të na tregoni konkretisht, ato kanë ekzistuar vetëm brenda burgut apo edhe kur keni dalë jashtë tij? Po kanë ekzistuar, edhe ofertat, edhe shtrëngimet, edhe detyrime, edhe kërcënime, qoftë në kohën e burgut, qoftë mbas tij. Sidomos mbas burgut më kanë thirrur, më merrnin hoteleve kryetari i Degës, nënkryetari, operativi i Intelektualëve, (më çudisnin këto termat e tillë, që paskësh pasur operativ të intelektualëve) dhe vinin, madje më mbyllnin në dhoma hoteli me orë të tëra. Hiqnin xhaketën që t’u dukej arma, kërkonin e i binin rrotull, aq sa në një moment më thanë që ti do të shkosh prapë në burg, siç reagon sepse le që do ngelesh gjithë jetën punëtor… Dhe unë u thashë po, sipas stilit të tyre, po Partia e Punës është dhe gjëja më e madhe ishte se ata më thanë, ‘po, po, aty mbahu ti, me ato jeto, me budallallëqe të tilla’. Pra, as ata vetë partinë e tyre s’e donin. Apo e shpërdoronin. Apo e dinin që ajo është një maskë, një klik vrasësish, që vriste përditë njerëz.
Vetë humbja e lirisë është gjëja më e rëndë për një individ, por torturat e burgut sa të dhimbshme ishin…? Në burg ne nuk jetonim, thjesht rronim! Ishim qenie që merrnim frymë, shërbenim për të shtyrë vagonë, për të nxjerrë mineralin. Është një punë e madhe kolosale e papaguar. Me vlerën e asaj pune janë paguar spiunët, janë botuar botimet e shkrimtarëve, që sot janë bërë të lavdishëm, janë paguar udhëtimet e tyre, udhëtimet e bllokut. Unë e kam thënë që në Shqipëri ekzistonte një simetri, simetria midis dritës dhe errësirës. Çdo buzëqeshje e gjithkujt në atë kohë paguhej me lotët apo me errësirën e të tjerëve. Që Shqipëria të vendosë ndryshim shpirtëror moral ka nevojë që këto të dyja të ballafaqohen dhe të falin njëra-tjetrën.

Censurë komuniste...

Censurë komuniste…

Po pas burgut, çfarë ju rëndonte më shumë? Pas burgut unë isha i dënuar me humbjen e së drejtës elektorale dhe me humbjen e së drejtës së profesionit. Isha mësues, kisha mbaruar për gjuhë-letërsi dhe të drejtën e botimit e kisha të humbur. Unë shkruaja fshehurazi edhe në burg, edhe kur dola prej tij shkruaja. E drejta elektorale më kishte humbur nga fronti demokratik. Unë isha një autor ndër të paktit të dënuar për poezi, dhe nuk më jepnin të drejtë të shkruaja nga Fronti, që mesa di unë, ky front ka pasur në përbërjen e vet edhe shkrimtarë.
Shkrimtarë që shkruajnë ende? Po sigurisht. Mbas 90-ës post diktatoriale, u evidentuan edhe më shumë këta shkrimtarë. Pra nuk janë ndaluar shkrimtarë dhe duhet t’i jemi mirënjohës kësaj kohe. Jo vetëm që nuk ndaloi shkrimtarë, por solli edhe shkrimtarë të ndaluar, që nga Fishta që i kishin ndaluar varrin, erdhi ai, erdhi Konica, Ernest Koliqi që janë korifejtë e panteonit të letërsisë shqipe. Ndërkohë erdhën dhe emra të ndaluar si Kasëm Trebeshina, si Pjetër Arbnori, si romancieri i shkëlqyer Astrit Delvina, poetë të ndryshëm, pra një plejadë yjesh të zinj (po e quaj në këtë rast) që po i sillnin dritën e moralit dhe të së vërtetës letërsisë shqipe.
Në dokumentet e botuara, përmendet dhe njohja, miqësia juaj me Frederik Reshpjan… Kam pasur miqësi, Frederik Rreshpja ishte një nga njerëzit që po të mos kishte diktaturë, po të mos kishte dhunë, ishte një nga njerëzit më të mrekullueshëm, me një fantazi të ç’thurur, tamam fantazi shkrimtari, një mitoman gjenial do të thosha, që po të mos kishte diktaturë, ai do të bënte vepra akoma më të shkëlqyera. Unë e njihja, kur isha student në qytetin e tij në Shkodër na afronte shumë, ishte i lirshëm, guxonte, dinte të tallej me dhunën e shtetit, por ama nuk dinte t’i rezistonte presionit, dhunës, nuk dinte të rezistonte dhe këtë pikë të dobët të tij e shfrytëzuan. Nuk u qëndronte dot gjërave mund të them..!
Ç’ndodhte me njerëzit kur nuk pranonin të ishin bashkëpunëtorë? Nëse e kërkonin për bashkëpunëtor dhe nëse nuk pranonte, fillonin represionet ndaj tij. Kishte dhe presione të tilla që e merrnin me makinë dhe e linin 3 orë larg shtëpisë, në një vend që ai nuk e dinte. Kthehej në këmbë pas dy ditësh, i përbaltur. Apo nisej me shërbim në një qytet tjetër e arrestonin atje, i vinin batanijen mbi kokë, që të mos e shihnin kush ishte, dhe qelia e tij dyllosej, që edhe polici i qelisë të mos dinte kë kishte brenda. Vinte kryetari i degës i atij rrethi dhe i kërkonin bashkëpunim. Di që ka pasur njerëz plot që e kanë pranuar, por ama di edhe mjaft të tjerë që i kanë thënë “jo” kësaj gjëje, si për shembull Jorgo Masho, i cili është një djalë nga jugu që i ka thënë “jo”. Siç më kanë thënë dhe emra të tjerë që i kanë thënë “po” bashkëpunimit. Kur nuk pranonin si në këtë rast, i mbanin në qeli dhe nuk i lironin më këta, sepse u doli një sekret dhe në një farë mënyre forcat e sigurimit dështuan me këtë njeri dhe i gjenin një faj dhe e dënonin.
Cilat kanë qenë torturat më të rënda? Torturat ishin nga format më mesjetare, t’ia lidhësh këmbët me rripin e pushkës dhe t’i biesh pushkës për t’i enjtur këmbët, t’i krijosh plagë dhe t’ia lyesh me kripë që t’i djegin, t’i shkulësh thonjtë, t’i shkulësh dhëmbët, ta varësh në mënyrë të tillë që këmbët t’i cikin pak në tokë, por njëkohësisht të mos prehet dot, lënia pa ujë, lënia në uri, lënia në diell me orë të tëra, ose rënia e pikës së ujit në kafkë gjatë me net të tëra dhe e fundit fare, ajo më e turpshmja, më e pamoralshmja, përdhunimi i pjesëtarëve të familjes në prani të personit… e keqja është se vërtetë ka pasur ligje të rënda diktatoriale që shkelnin katërcipërisht të drejtat e njeriut, shkelej jeta e tij dhe vdekja e tij, por edhe në këto ligje kaq të poshtra tejkalohej. Forcat e sigurimit, armata e operativëve, e oficerëve, e spiunëve, e kanë tejkaluar dhunën. Shpeshherë ambiciet e tyre, apo epshet e tyre, i kanë realizuar duke zbatuar këto ligje. Dhe diktatura i ka përkrahur atëherë i ka mbështetur, i ka dekoruar, ndërsa sot nuk kanë pësuar asnjë gjë.
http://www.forumishqiptar.com/threads/9325-Krimet-komuniste-në-Shqiperi
25-07-2011

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook