back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Visar Zhiti, Nobelisti i Pashpallur i Letrave Shqipe nga Eugjen Merlika

Gazeta

Poeti Visar Zhiti
Poeti Visar Zhiti

Visar Zhiti, Nobelisti i Pashpallur i Letrave Shqipe

nga Eugjen Merlika

“Jo të dish të bësh poezi pa jetën,
por ta sjellësh jetën me poezinë…”
Visar Zhiti

Dy vite më parë Shtëpia Botuese italiane Diana – Edizioni, vuri në qarkullim një libër me poezi të shkrimtarit Visar Zhiti, të titulluar “Confessione senza altari” (Rrëfim pa asnjë altar). Vëllimi është përgatitur për botim nga studiuesi i njohur i gjuhës shqipe, ish nxënës i të madhit Ernest Koliqi, Elio Miracco. Në libër poezitë jepen në origjinal dhe në përkthimin italisht të studiuesit të mësipërm. Vëllimi hapet me një parathënie të kritikut letrar të gazetës “Corriere della Sera”, Sebastiano Grasso, të titulluar “Soltanto poeta” (Vetëm poet). Pasohet nga një paraqitje e gjatë e shkrimtarit, veprës së tij dhe tematikës së poezive të vëllimit, e shkruar nga Dr. Miracco dhe e titulluar “La pena di vivere” (“Mundi i të jetuarit”). Vëllimi paraqet në fund të tij, si pasthënie, një shkrim të një tjetër kritiku italian, Giovanni Ruggiero me titullin “Zhiti e la letterattura bicefala” (“Zhiti dhe letërsia dykokëshe”). Ky vëllim është një sukses i mëtejshëm i poetit të mirënjohur shqiptar në Itali e në Europë.
“Rrëfim pa asnjë altar”, është një bisedë e gjatë e poetit me veten, në të cilën spikat prirja e njeriut për të vënë në pikpyetje gjithshka, të shkuarën dhe t’ardhmen, moralin dhe zgjedhjet e ndryshme në udhëkryqet e jetës, çastet sublime dhe ata të tmerrit, luftën e përherëshme mes dëshirave e mundësive, brishtësisë njerëzore e ëndrrave të parealizuara, gabimeve, fajeve, mëkateve, që janë elementë bashkudhëtarë të jetës njerëzore. Kjo bisedë vetmitare, të cilën poeti e quan një “rrëfim në asnjë altar”, bashkon idealisht të gjithë njerëzit, zhduk dallimet në kombësitë, kulturat, besimet fetare e merr formën e një mbifeje që ka si shtylla mbajtëse dy koncepte të njohura – Liri e Drejtësi – që, për poetin, janë të vetmet që i shpëtojnë një bote mëkatesh e dyshimesh që nuk kursejnë as vetë diellin. Dhe ky kryen gabimin e përditshëm të perëndimit të tij, duke shkëmbyer jetën me vdekjen, natën me ditën, dritën me errësirën.
Poeti nis një rrugë të gjatë, një udhëtim që nuk njeh kufijë kohorë e gjeografikë, por e gjen burimin e frymëzimit dhe arsyen e qenies në tokën e tij, në dukuritë e veçanta të saj, në një përvojë që bashkon fatin e saj me atë të birit vjershëtar. Poezitë e këtij libri janë ndalesa në pika të ndryshme të shtegtimit të fantazisë, që përshkon humnerat e pashembullta të një jete që ka zënë fill në një kohë të vështirë, në një Vend të trazuar nga ide vrastare, që kanë kthyer njerëzit në hiena t’etura për gjak. Ky është Atdheu, katër vargje të një fuqie madhore nga nis rrugëtimi: “Atdheu: jeton me të vdekurit dhe vdes mes të gjallëve, ndonjëherë…”.

Autori Eugjen Merlika 2008
Autori Eugjen Merlika 2008

Jeta dhe vdekja në vendlindjen e poetit kanë humbur kuptimin e termave, janë kërleshur kaq shumë me njera tjetrën, janë shkrirë në një qenie mitologjike, të llahtarshme, që njejtësohet me të dytën. Por… nga ky atdhe kufomash ngrihet një zë që shkon kundër rrymës, që predikon dashurinë si shpëtimtare, dashurinë në kuptimin e gjerë të fjalës, atë që i kundërvihet botës së urrejtjes. Është zëri i brendshëm i poetit që ushton edhe në kthetrat e qenies së llahtarshme, që ndriçon edhe në errësirën më të kobshme, sepse për të: “është e tmerrshme të gjesh kohë për urrejtjen…”. Ai zë është linfa e jetës që rrjedh në damarët e tij, që i jep fuqinë për të dalë nga gërmadhat e për të shkuar përpara.
Visar Zhiti i përket atij brezi shqiptarësh që lindi dhe u rrit në diktaturën, e cila mohoi çdo të drejtë njerëzore për shtetasit e saj. Atij vetë iu dhunua liria, u bë një nga viktimat e asaj vdekjeje të atdheut që, në shëmbjen e tij, rroposi gjithshka, të shkuarën dhe t’ardhmen, traditën dhe pritmërinë. Në këtë shkatërrim të përgjithshëm, në atë errësirë mbytëse, n’atë shkretëtirë asgjësuese vlerash e jetësh njerëzore, triumfon vetëm ëndrra e poetit, e ruajtur në thellësi të genit të qenies.
Udhëtimi i poetit mbi Pegasin e fantazisë e frymëzimit të saj kapërcen kohët e hapësirat. Ai kalon nga lashtësia e Egjyptit me sfinksat e tij të pazbërthyeshëm, simbole të mistereve të përjetëshme të krijesës njerëzore, tek arenat e gladiatorëve të Romës, me gjakun që thithet nga trupat e prerë të tyre prej “pleqve të shquar” e ndalet në legjendën e tiranit që luan shah mbi trupin e skllaves, diku në mbretëritë e Lindjes. Ai fluturim bashkon në një hark kohor të shkurtër, sa ç’është frymëzimi, përvojat shekullore të perandorive, qendrat e pushteteve të mëdha, që poetit nuk i ngacmojnë zilinë për madhështinë e tyre, por krrupën për imoralitetin e tyre. Dhe historia vazhdon deri në ditët tona, të mbushura me terma të bukura që shoqëria bashkëkohore vazhdon të prodhojë me të tepërt për të mbuluar, në një farë mënyre, mizorinë e lashtë të veshur me rroba të reja.
Në rrugëtimin e tij poetik që kalon nëpër qytetet e ndryshme t’Europës, së zbuluar mbas një jete të kaluar në kafazin e hekurt të dhunës e padijes së regjimit lirivrasës së Vendit të tij, poeti njejtësohet me vlerat e qytetërimit, të cilat i ka kultivuar thellë në botën e tij të mbrendshme, qëndrim për të cilin i ka takuar të paguajë një çmim shumë të lartë.

Visar Zhiti - “Confessione senza altari”
Visar Zhiti – “Confessione senza altari”

Poezitë e Visar Zhitit vërtiten në shumë boshte, interesat e tij janë të gjëra e të shumanëshme. Hyjnë në to kultura, në shfaqjet e saj të ndryshme, spikasin personazhe si kompozitori Wagner, si shkencëtari Giordano Bruno, ndihen si pika referimi Shekspiri, Gëteja. Si formim poeti është prodhim i leximeve të artit të madh, prandaj dhe poezia e tij ka frymëmarrje të gjerë, i shmanget provincializmit të mjedisit nga del, mbetet një pasuri që i kalon kufijtë e atdheut, kthehet në një dëshmi e mesazh të fuqishëm për popuj të tjerë, fillon të flasë e të kuptohet në gjuhë të tjera.
Në konceptimin 360° të botës e dukurive të saj gjejnë vend në të edhe bimët edhe kafshët. Përbëjnë mjedisin që rrethon njeriun, simbas autorit qëndron shpesh më lart se ky i fundit, shfaq më pak hipokrizi e më shumë vlera.
“Njeriun sa pak e gjej tek njeriu/ Prandaj u drejtohem pemëve/ Mësoj nga heshtja plot me fruta….”
Është fillimi i një poezie që dëshmon besimin e autorit, jo më te të ngjajshmit e tij, por në natyrën e papërdhosur prej ligjeve të njerëzve. Në poezitë e këtij cikli gjejnë vend lotët e kalit që përkulet para të burgosurit të vrarë nga roja në një kamp të punës së detyruar, një skenë e pakrahasueshme që nxjerr në pah mizorinë njerëzore përballë fisnikërisë së kafshës, dallëndyshet që me cicërimat dhe foletë e tyre, paralajmërojnë fundin e dimrit, xhirafat, më të hijshmet e botës së kafshëve. Ka një vjershë të thurur për kopshtin zoologjik të Tiranës që mbyllet me fjalët: “Me lirinë e gjallë të të gjithëve/ Dhe unë jam më i lirë.”
Nuk përballemi me një prirje të vonë romantike, as me një shfaqje të një mode që, në botën e sotme, gjen mjaft përkrahës. Është diçka më e thellë, ka në bazën e saj bindje të krijuara, si pasojë e të jetuarit në një rend gjërash, në të cilat të gjitha vlerat njerëzore janë asgjësuar, ku nuk shihet as hija më e zbehtë e një shoqërie që t’i afrohet sadopak dhe njerëzve të Neandertalit apo të Kromanjonit. Ky është burgu i regjimit enverist shqiptar, ku është mbyllur, në vitet më të mira të rinisë, poeti. Simbas akuzuesve të tij poeti Visar kishte shkruar poezi “hermetike” që “rrezikonin” pushtetin e popullit!?
Ajo botë e vogël në të cilën u lind e u rrit shkrimtari dhe ajo pjesa e saj më shprehëse e më përfaqësuese, në të cilën u mbyll forcërisht në një çast dramatik përcaktues të jetës, janë një realitet, përballë të cilit bota e kafshëve, xhungla me të gjitha veçoritë e rregullat e saj, ku zotëron ligji i më të fortit, mund të quhen modele morali për t’u marrë si shembull. Nëse rendi i vlerave është përmbysur në dobi të së keqes, nëse njerëzimi, në gjysmën e dytë të shekullit të atomit, polli përbindësha të pashembulltë, për nga mizoria e tyre, si komunizmi shqiptar, të mbijetuarit e atij procesi historik kanë vetëm një detyrë: paditjen deri në imtësi t’atij sistemi, arkitektëve e zbatuesve të tij, si shprehje e një përvoje historike që meriton të mbyllet “në bodrumet e errëta të historisë”, siç shprehet autori.
Drama e brëndëshme e tij, ai proces i gjatë shnjerëzimi që, me mjetet më të dhunëshme e më të pamoralëshme u ushtrua mbi të, ashtu sikurse mbi qindra e mijra bashkëvuajtësve të tij për gjysëm shekulli është edhe boshti qëndror, filli drejtues i një veprimtarie letrare, që mbetet një nga dëshmitë më të fuqishme të një epoke të zezë, autorësia e së cilës iu ngarkua vetëm një njeriu. Ndërsa ajo shoqëri, në shumicën dërmuese të saj, edhe sot priret nga anashkalimi i përgjegjsive të përgjithëshme e të përveçme në tragjedinë më të madhe të kombit.
Poezitë që i kushtohen asaj periudhe të jetës, që lidhen me çastet e pafund të dhimbjeve, poshtërimeve, dhunës fizike e psikologjike, t’ushtruar në bazë të një strategjie të hartuar përsosmërisht në instanca të larta të krimit botëror, janë edhe pjesa më e qenësishme dhe më prekëse e vëllimit. Që nga “E shtuna e parë e arrestit” deri tek poezia e fundit e ciklit në këtë vëllim që titullohet me një pyetje “Ç’kohë është, e njeriut apo e skeletit të tij?”, lexuesit, si në një film të gjatë, i dalin parasysh skenat e një jete që e ka humbur edhe kuptimin e termit. Ajo vazhdimësi dukurish të jetës së qelisë apo të kampit, ato skena të mjedisit të jashtëm që rrethojnë në çdo çast përsiatjet e heshtura të poetit të prangosur, borërat e bardha që mbulojnë qetësisht të gjitha gjurmët, figura e një vajze mësuese që çdo ditë, larg telave të kampit, zgjon tek çdo banor i tij stimujt e jetës, mundi i përditshëm i punës së skllavit në minierë, vdekja që herë mbas here troket në derën e të burgosurvet, thesi i tyre në depo që mbetet simboli i së vetmes shenjë të diçkaje të tyre, të privatësisë, mesazhi i një rrëkeje uji në qetësinë vdekëse të një vetmie në frontin e punës së galerisë, janë disa nga skenat e atij filmi rrënqethës që e bëjnë lexuesin bashkëjetues të fatit të autorit.

Visari dhe Eda në 1993, me Elsienë dh Lazrin
Visari dhe Eda në 1993, me Robert Elsie dhe LazerRadi

Por Visar Zhiti nuk është një fotograf i thjeshtë që filmon e shfaq çdo gjë që ndodh rreth tij, ai e shoqëron dëshminë e tij me bluarjen e mendimit, me përgjithësimin e tij, me padinë qytetare që e kthen atë në një tribun, jo vetëm të vetes, por të gjithë brezit të tij, kryesisht atij bashkëvuajtës.
Autori i “Rrëfim pa asnjë altar” është një poet i lindur. Ndoshta poezia e tij, për t’u kuptuar, në gjithë shtrirjen dhe thellësinë e saj, ka nevojë për një mundim të mëtejshëm. Por aty ku ai arrin majat e artit të tij janë ato rreshta që i kushtohen botës intime, në këtë vëllim e ndërthurur me tragjedinë e atdheut dhe me fatkeqësinë e vetë poetit. “Ditëlindja ime në qeli”, është rrëfimi i një çasti të dhimbshëm, një përsiatje e thellë e një gjendjeje, në të cilën është përmbysur gjithshka, së bashku me vetë kuptimin e jetës, një vdekje klinike e autorit të cilit Zoti i dërgon si varkë shpëtimi talentin e tij, poezinë, (prostitutë dhe Shën Mëri) në vetminë e qelisë. Lexuesi normal i Europës së sotme, ku futet dhe ai shqiptar, fatmirësisht i shkëputur nga yzengjitë e vlerësimit të artit të partisë, gjen në këtë lloj poezie një vërtetim të idesë se deri në ç’pikë njeriu krijon artin dhe, anasjelltas, deri ku arrin aftësia e këtij të fundit për të formuar vetë njeriun. Por asnjë prej këtyre lexuesve nuk mund të futet në shpirtin e vërtetë të krijimit poetik, në thelbin e gurit filozofal të saj, si ata njerëz që kanë patur fatkeqësinë të festojnë ditlindjet e tyre në vetminë e qelive t’akullta të hetuesive shqiptare…..
Në këtë kuadër, një vend të veçantë në vëllim, zënë dy poezitë kushtuar prindërve, të titulluara “Perëndesha e mbrojtjes” dhe “Im atë i verbër”. Janë yjet më të ndritshëm të yllësisë poetike zhitiane, të denja për cilëndo firmë të poezisë botërore, dhe asaj më eprore. Nuk është thjesht dithirambi poetik i mirënjohjes për ata që e sollën në këtë jetë, është hymnizimi deri në ngazëllim i funksionit dhe rolit të gruas në jetën njerëzore, kryesisht në figurën e nënës, në të cilën ajo, sigurisht, meriton skeptrin e botës. Nuk po futem në ftillimin e imtë të këtyre perlave poetike shqiptare, nuk dua të prek, sado pak, shkëlqimin e tyre. Lexuesit i kumtoj me sinqeritet kënaqësinë e jashtzakonshme që kam provuar me leximin e tyre dhe mikut poet i shpreh falënderimin, besoj edhe n’emër të mijra bashkëvuajtësve, që ka ditur të përjetësojë, nëpërmjet vargjeve të tij, çastet tragjike të jetëve tona dhe flijimet sublime të nënave, grave e motrave tona, heroinat e vërteta të qëndresës shqiptare në gjysëm shekullin më të zi të historisë së këtij populli.
Diku më sipër vura në dukje se, në jetën e trazuar të shkrimtarit, triumfoi vetëm ëndrra e poetit. Analiza, qoftë edhe shkurt e përciptas si kjo e imja, e poezive të Visar Zhitit, nuk mund të anashkalojë një nga përbërësit e saj më të rëndësishëm: ëndrrën.
Ka një lidhje organike, në gjithë personalitetin e tij, mes prodhimtarisë letrare e motiveve shtytëse të brendëshme të saj. Me gjithë praninë e elementëve racionalë poezia e autorit tonë i përket më shumë gjinisë emotive, botës së ndjenjave të holla e të fantazisë së ndezur që, ndonjëherë krijon figura e koncepte, vështirësisht të kapshme për lexuesin e thjeshtë. Ajo botë nuk do të mund të jetonte e t’ishte prodhuese pa elementin kryesor themelor të saj, ëndrrën.
Vetë poeti, në vargjet e tij, ka dëshirë t’a theksojë këtë shtytëse e nxitëse të gjithësisë krijuese të tij. Madje ëndrra është diçka më tepër, është përbërësja më e rëndësishme e vetë qënies krijuese: “Njihuni me skeletin tim – Jam unë pa ëndërrat e mija”. Për të ëndërra është gjithshka, sinonim i vetë jetës, i ngrohtësisë, i dritës, i shpresës. “Ëndrrën ta zhvesh që të më mbetej guri i ngrohtë i jetës…” Lexuesi e ka të vështirë të përcaktojë nëse poeti është prodhim i ëndrrave të tij, apo ëndrrat e kthyera në poezi janë thelbi qenësor i vetë veprës së tij. Klithma e dëshpërimit, që del nga thellësia e shpirtit në çastin më dramatik të jetës së tij, n’atë të arrestimit, pasqyrohet në një varg të vjershës së shkruar n’atë rast: “do të rrëzohen ëndrrat…”
Është ky tmerri i shkrimtarit n’ato çaste, një gjë e pakuptueshme për vdekatarë të thjeshtë n’ata kushte, por kjo është vlera e shtuar e artistit krijues, e cila i jep atij fuqinë, guximin dhe energjinë për të përballuar vite të tëra të një vegjetacioni në kufijtë e vdekjes. Ëndrra e shoqëroi e paprekur poetin në vështirësitë e panumurta të ditëve e netëve në minierat e Spaçit apo Qafë-Barit, në zonat e thella të nëntokës, ku ai mbushi e shtyu vagonat në dritën e një kandili, në temperatura të larta e në një ajër të ngarkuar me avuj uji e squfuri, në përplasjen me të ftohtit therës të maleve të Mirditës në dalje të galerisë. Ajo mbeti pasuria e vetme e tij në një mjedis ku ia kishin rrëmbyer të gjitha, ku ishte kthyer në një numur, i vlefshëm vetëm për të nxjerrë mineral, që shteti fuqiplotë i tiranëve do ta përdorte për të mbajtur në këmbë “ekonominë” e tij të bunkerëve dhe të të paaftëve.
Në çastin kur makthi mbaron e poeti kthehet në jetën “normale”, ëndrra bëhet edhe më e rëndësishme, sepse do të jetë përsëri ajo që do ta drejtojë ecjen e tij drejt objektivash të tjera, që për të janë ata të krijimtarisë artistike. Në këtë rast ajo merr funksionin e misionit që duhet të marrë përsipër “poeti i ëndrrave”, mbasi koha i ve mbi shpinë detyrën e përjetësimit letrar të një përvoje të hidhur, t’errët, tragjike, nëpër të cilën kaloi ai dhe shumë bashkatdhetarë të tij.
“Do të marr prej dore ty ëndërr/ Dhe do të shëtis zgjimeve të mija/ si një i çmëndur…”
Kjo është besojma e re e shkrimtarit, i vetëdijshëm se tashmë jeta e tij nuk i përket vetëm vetes apo familjes, i përket edhe një shoqërie që pret prej pendës së tij vepra që do të përjetësojnë bëmat e asaj epoke historike plot vdekje, dhimbje, mohim lirish e të drejtash, padrejtësi e dhunë të çdo forme. Vëllimi “Rrëfim në asnjë altar”, i qëndron besnik këtij misioni të shkrimtarit. Vlerësimi që i bëhet nga kritika e një Vendi që mbahet si djepi i poezisë, është mjaft shpresëdhënëse.

Gazetari Giovanni Ruggiero
Gazetari Giovanni Ruggiero

Kritiku Ennio Grasso pohon në gazetën “La voce” (Zëri), të 29 janarit 2013, në lidhje me botimin e librit të Visar Zhitit se “pa dyshim është ndër më të mëdhenjtë poetë europianë në mënyrë absolute”, ndërsa kritiku Giovanni Ruggiero, në shtyllat e “Avvenire” (E ardhmja) shprehet: “Poeti konsiderohet në atdhe e jashtë tij, si zëri më i fuqishëm i gjithë poezisë bashkëkohore shqiptare…” Më poshtë vazhdon: “Mesazhi poetik i Zhitit universalizohet dhe kalon kufijtë gjeografikë të dhimbjes shqiptare. Poeti është dëshmitar i vuajtjeve të njerëzimit, sepse këto i shkaktojnë më shumë dhimbje se çështja e tij vetiake.” Ndërsa studjuesi i njohur i botës shqiptare, Robert Elsie, e përkufizon kështu: “Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit janë pasqyra më e mirë e historisë së kombit të tij…”
Këta janë disa nga vlerësimet për shkrimtarin tonë. Përkthimi dhe botimi i veprave të tij në Europë e më gjërë, njohja dhe përhapja e tyre sa më shumë n’opinionin publik e artdashës të botës, vlerësimi në rritje i meritave të tij në fushën e letrave, na bëjnë ta shohim me optimizëm përfaqësimin e populliti tonë në fushën e kulturës botërore dhe shpresën që, në galerinë e kandidatëve për Çmimin Nobel për letërsinë të rrjeshtohet edhe emri i nderuar i Visar Zhitit.
Marrë nga http://shqiptarja.com/kulture 22 Shkurt 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.