back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Vila e turpit ose si po projektohet ruajtja e historisë komuniste – nga Alba Kepi

Gazeta

Vila e Diktatorit Hoxha
Vila e Diktatorit Hoxha

Vila e turpit ose si po projektohet ruajtja e historisë komuniste

nga Alba Kepi

Pasivë, pa shpirt e emocion, lexojmë këtë vendim fat, ku të huajt janë veç lajmësit e një autorësie të vjetër.
E tha “i huaji”, sipas “të huajve”, specialisti “i huaj”, kompania “e huaj”, diplomatët “e huaj”, media “e huaj”, po shërbehen si alibia perfekte e një të vërtete absolute për çdo hall shqiptar.
“I huaji” i Kamysë, është alegoria e përkryer e një mentaliteti pa ndjenja e emocion ku çdo pergjigje, o vendim, nuk ka asnjë rëndësi e shkon drejt fatit pa asnjë interes, në heshtje, pa kundërshtuar o pa u penduar.
E në këtë ditë Korriku 2021, mes variantesh virusi, flakësh të nxehti, aksidente tragjike e rrëmuja sociale no Vax e no Pass, po nga “i huaji” vjen vendimi, i shërbyer përmes një medie të “huaj”, që publikon një projekt “të huaj”, realizuar nga një arkitekte “e huaj”, për Shqipërinë.
E po në gjuhë të huaj e boton i vetëm, një portal shqiptar.
Rrethi mediatik u kopsit perfekt për veshjen serioze të një lajmi “bombë”.
Një media e huaj interviston një profesioniste të huaj e publikohet në një media shqiptare që shkruan shumë në gjuhë të huaj përmes “misionarëve” të saj shqiptarë.
.
Alba Kepi
Alba Kepi
Kjo lojë fjalësh lodhëse, është vetëm prologu i një tjetër skandali turpi me të cilin po përpiqen ta veshin Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë.
Qytetin më antikomunist në Shqipëri, me patriotë, mendimtarë, luftëtarë, pronarë e tregtarë autoktonë, që iu dedikuan zhvillimit e lirisë së territorit të tyre, po e ç’përfytyrojnë me njollat e turpit të një historie që nuk i përket.
Pas Muzeut të gjetheve, bunkerëve e tuneleve të diktaturës, Piramidës e rrugëve me emra pa histori, një tjetër muze komunist po i shtohet Tiranës.
Është Vila e ish-diktatorit.
Në pronësi të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare Shqiptare, “të huajt” na informojnë se së shpejti do të jetë një muze i vizitueshëm, mbi historikun e jetesës së diktatorit.
E me ftohtësinë e asaj çka përcjell shprehja tironse “si në gjo të huj”, arkitektja britanike përmes një media po britanike, shprehet entuziaste për projektin e saj në pabesueshmërinë e autopromovimit.
Njerëz me mjekërr do t’i bien trombës”, thotë ajo, kur muzika më e bukur e kopshteve tona është klarineta e orkestrës e saksi i çunave të Liqenit.
Por ky projekt vjetërsisht i ri, na kujton kohën e qeverisë Nano, kur Vila e Turpit u propozua për të qënë Muze-hotel me një çmim nate 10 euro, në monedhën e sapo hyrë në qarkullim. Qe “largpamësia e ish-kryeministrit të asaj kohe o motive të tjera”, që kërkesa e ish-ministrit të Kulturës, E. Rama të hidhej poshtë.
E njëjta kërkesë “e re”, e vjetër, u ripërsërit në qeverinë Majko, e mbeti po pa përgjigje.
E sot shumë më i plakur Projekti Muze, Hotel-Vila Muze e Turpit na vjen nga Britania.
Pasivë, menefregistë, pa shpirt e emocion lexojmë këtë vendim fat, ku të huajt janë veç lajmësit e një autorësie të vjetër.
Si “n’gjonë e huj” do thoshin tironsit e si “n’gjonë e huj” po projektohet ruajtja e historisë komuniste, me të njëjta metoda e manipulime si të idhullit të saj Enver Hoxha.
.

Vila e Diktatorit - Tirane
Vila e Diktatorit – Tirane
Në qytetin në të cilin po zhduken rrënjët e historiografisë së lindjes e formimit të tij, ku po shkatërrohet çdo dëshmi e gjurmë e identitetit autokton, ku po shembet çdo objekt i arkitekturës urbane, në qytetin e lënë qëllimisht pa muze e pa institucion të kulturës tradicionale, në qytetin ku banorët autoktonë nuk bënë kurrë kompromis me diktaturën, komunizmi nuk është zhdukur.
Më i egër se baballarët e tij, shfryhet kundër qytetit e banorëve frikësisht më diabolik se dje.
Të kapin ç’të mundin, e pa investuar asgjë, hartojnë dosjen projektuale për të përfituar fondet e huaja për ta ristrukturuar.
Vila e Turpit është shembulli perfekt i qytetit e i banorëve të saj, viktima të vjedhjes, dhimbjes, vrasjes, dënimit, burgut, torturës së njerëzve të pafajshëm, burgimit e persekutimit të pronarëve të ligjshëm e profesionistëve të aftë, ekzekutimit të patriotëve, për kapriçot e pabesitë antishqiptare të kapos së kapove të komunizmit shqiptar Enver Hoxha.
E për ironi të fjalëve që luajnë me atë ç’ka shkruaj, kjo vilë ka në historikun e saj, pronarët e huaj.
Prej qershorit të 1942, kjo vilë është në pronësi të shtetases italiane nga qyteti i Genovas, Velleda Lucia Costa, e cila ia bleu truallin sipërmarrësit italian Vittorio Ercole Belloti. Ky sipërmarrës prej vitit 1940 ia kishte marrë me qera për 99 vite, pronarit Hamit Myftiu. Me një akt-shitje më 2 Qershor 1942, shtetasja italiane u bë pronare e truallit dhe e shtëpisë.
Enver Hoxha e zaptoi paligjshmërisht këtë Vilë për gati gjysmë shekulli duke marrë bashkë me të dhe vilën në krah, të pronarit Qemal Biçakçiu.
Ish-pronarët e vilave patën të njëjtin fat si pronarët e të gjithave vilave të Tiranës.
Hamit Myftiu u dënua me vdekje më 1948, ndërsa Qemal Biçakçiu bëri 14 vite burg e u persekutua deri sa ndërroj jetë.
Më 1973, familja diktatoriale ndërtoi shtesën e re me arkitekturë socialiste, e njohur sot si bar-lokal i frekuentuar nga të rinjtë.
Thuhet se në këtë lokal, ashtu dhe në vilën e turpit, hyn e del si i shtëpisë, sot si dikur, i preferuari i Vejushës së Zezë.
Si “n’gjonë e huj” jep e merr me turistët e klientët që vijnë për ta vizituar.
Por në Tiranë nuk ka shtëpi pa zot, e në pronën e të tjerëve si dje dhe sot je veç i HUAJ.
©Alba Kepi
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.