Vexhi Buharaja, orientalist i shquar nga Dr. Yzedin Hima

Vexhi Buharaja (1920-1987)

Vexhi Buharaja (1920-1987)

Vexhi Buharaja, orientalist i shquar

nga Dr. Yzedin Hima

Figura e Vexhi Buharasë për vite të tëra ka qënë e mbështjellë nga një tis mjegulle, gati mitike. Poezitë e Saadiut, të përkthyera prej tij, në qytetin e Beratit dhe më gjerë qenë mësuar përmendësh edhe nga njerëz të thjeshtë. Buharaja nga lexuesit shihej me adhurim, sikur të ishte autori i atyre poezive dhe sentencave të famshme. Më pas ai nisi të përkthente poetë të tjerë nga persishtja me synimin e hartimit të një antologjie, nisi të lexonte e shqipëronte në portikë, në rrasa mermeri, në vende të shenjta dhe në pllaka varresh, vargje që qenë shkruar në gjuhët orientale. Nisi të përkthente defterët osmanë me zellin e një të pashpresi. Nisi të përkthente “Shahnamenë”, por Firdeusi dhe “Shahnameja” e tij nuk njihej nga lexuesit shqiptarë, sepse nuk u botua sa qe gjallë Buharaja. Ai qendronte në shtëpinë e tij modeste për orë të tëra mbi libra me një alfabet ekzotik, lexonte e shkruante deri në mbrëmje vonë. Qytetarët e Beratit e respektonin, e shoqëronin, disa sosh me siguri që edhe e spiunonin, ndonëse ai qe mjaft i përkorë dhe i kujdesshëm në ato që bënte dhe fliste. Flitej se punonte në Akademinë e Shkencave. Banorët e rrugicës së tij çuditeshin me punonjësin e Akademisë që punonte gjithë ditën dhe gjysmën e natës në dhomën e vogël të shtëpisë, që s’kishte asgjë nga hija e rëndë e Akademisë.
Të vjetrit thoshin se Vexhi Buharaja dikur kishte shkruar edhe vetë poezi të ndjera. Askush nuk dinte të thoshte ndonjë varg nga poezia e tij. Në bibliotekën e qytetit gazetat dhe revistat e viteve ’40, ku kishte botuar poezitë Buharaja, qenë të rezervuara, që do të thoshte se lexuesit e thjeshtë nuk mund t’i shfletonin. Poezitë e Buharasë qenë strukur në atë kohë brenda burgut të fondit të rezervuar. Lexuesit pasionantë të asaj kohe përpiqeshin të përfytyronin se si mund të qenë ato poezi. A kishte shkruar ndonjë poezi për dashurinë? Flitej se kishte dashur një vajzë tiranase. A kishte lënë gjurmë në ndonjë poezi të Buharasë kjo vajzë dhe a mund të përcaktohej identiteti i saj? A vazhdonte të shkruante ende poezi Vexhi Buharaja? Kujt ia tregonte poezitë e tij? Atyre burrave “që flisnin tërë ditën për çmimin e grurit dhe të misrit dhe se kush është i mirë kush është i keq”, pa dyshim që jo. Qenë disa mjegulla që formonin shtresime që të pengonin të arrije deri te Buharaja.
Mjegulla e parë qe fakti që Buharaja kishte shkëlqyer në poezi në vitet e luftës, në kohën “kur gjaku derdhej rrëke dhe bota qe përfshirë nga urrejtja, djaloshi Buharaja shkruante poezi për dashurinë”, kur bashkëmoshatarët e tij rroknin pushkën, Buharaja mbërthente penën dhe shqipëronte Shirazinë.
Mjegulla e dytë qe diferenca në kulturë e Buharasë me mjedisin që e rrethonte. Një njeri që dinte gjuhët kryesore të Perëndimit dhe të Lindjes, që kishte siguruar në mënyrë autodidakte një formim kulturor brilant, vetiu rrethohej nga një aureolë e padepërtueshme. Tregojnë se te stoli i famshëm në parkun “Dëshmorët e Kombit” në Berat, vendin e Vexhi Buharasë nuk e zinte askush. Ai ulej midis atyre burrave në moshë dhe niste të tregonte përrallën e radhës me një gjuhë mjaft të thjeshtë, si gjuha e teksteve të fëmijëve në kopshte. Mjeshtri e dinte mirë se si duhet të përshtaste rrëfimin për ata që e rrethonin. Ata e dëgjonin gojëhapur. Një Zot e di se sa i vetmuar ndihej Buharaja midis atyre burrave!
Mjegulla e tretë qe e kaluara e tij misterioze për shumicën e qytetarëve. Pse e futën në burg njeriun që nuk merrej as me politikë, as me tregëti, por shkruante dhe përkthente poezi? Nuk ishte zbehur ende në sytë e qytetarëve ai mal me libra që iu konfiskua Buharasë. “A mund të lexonte njeriu një mal me libra?” Kjo pyetje nuk kishte marrë kurrë përgjigje!!
Mjegulla e katërt qe libri i munguar poetik dhe distanca e Buharasë me poezitë e tij, distancë që me kalimin e kohës zgjatej. Ato të burgosura në fondin rezervë, ndërsa ai në stolin e pagdhëndur të rrojtores në qendër të qytetit, duke prerë fatura për klientët. Ndrinte rrojtorja nga humori i berberëve dhe pasqyrat e shumta. Vexhi Buharanë me zor e dalloje në një kënd të rrojtores, larg pasqyrave dhe pasqyrimit, në vetminë e tij të shenjtë.
Mjegulla e pestë qenë vizitat e njerëzve të shquar në shtëpinë e Buharasë, profesorë, studiues, botues, akademikë. Ndër ta edhe i ndjeri profesor Aleks Buda e ka vizituar dhe është parë në shoqëri me Vexhi Buharanë në vitet e vështira për të. Jemi kuriozë nëse profesori i njohur ka lënë ndonjë shënim për këtë takim. A nuk ishte enigmë fakti që një faturist rrojtoreje të shoqërohej për orë të tëra nga kryetari i Akademisë së Shkencave? Që një njeri i padëshirueshëm të vizitohej nga nga një pjestar i familjes së Hoxhës, studjuese në një institucion qendror?
Mjegulla e gjashtë qe mbiemri Buharaja, një qytet mijëra kilometra larg Beratit. Disa mendonin se qe një familje me origjinë perse që kishte mbetur në Berat si disa familje armene, hebreje, ruse të bardhë dhe boshnjake që qenë vendosur në Berat që herët.
Mjegulla e shtatë qe dashuria a simpatia e fshehtë e poetit për një vajzë, e cila frekuentonte një nga institucionet fetare në Tiranë, ku predikonte e këndonte me një zë mjaft të bukur edhe poeti 19 vjeçar. Nuk dihet saktë se çfarë ka ndodhur me dy të rinjtë. Lufta që erdhi edhe në Shqipëri në vitin 1939, kur vendi u pushtua nga italianët, i ndau të rinjtë. Buharaja me siguri e mallkoi luftën se i largoi ëndrrën a dashurinë e tij. Gjatë viteve të pushtimit ai e përbuzi luftën duke u marrë me letërsi. Pas lufte u martua me një vajzë nga Berati.
Mjegulla e tetë qenë sytë e Buhrasë, krejt fëminorë edhe kur ai kaloi të gjashtëdhjetat. Vështrimi i tij i pafajshëm trondiste gjithkënd që kishte një shpirt.
Mjegulla e nëntë qe një aureole mistike që e rrethonte poetin që besonte te Zoti dhe në të ri kishte kryer edhe një shkollë fetare.
 

***

Buharaja jetoi në një vetmi të thellë, ndonëse qe i rrethuar, ose qe në rrethim nga të afërm, bashkëmoshatarë dhe kolegë të rastësishëm pune.
Menduam se duke hedhur një vështrim mbi poezinë e tij, duke bërë edhe ndonjë sprovë krahasuese, duke sjellë mendimet e disa personaliteteve të letërsisë dhe kulturës për krijimet e tij dhe shqipërimet e teksteve letrare dhe ato jo letrare nga gjuhët e Orientit, duke shfaqur edhe ndonjë mendim për mrekullinë e gjuhës në poezinë e madhe perse, sjellë në shqip mjeshtërisht nga Buharaja, duke u ndalur në poetikën e tij dhe duke e lënë derën hapur për t’u kthyer sërish, mund ta largojmë sadopak atë tis mjegulle që përmendëm më lart për të njohur e takuar Vexhi Buharanë, poetin, dijetarin dhe shqipëruesin, pa mjegull e mite.

M.Peshtani, S.Bejko, F.Haxhialiu, T.Shehu, Vexhi Buharaja, S.Ago, M.Dervishi

M.Peshtani, S.Bejko, F.Haxhialiu, T.Shehu, Vexhi Buharaja, S.Ago, M.Dervishi

Saadiu dhe Buharaja

“Vargu jeton jetën e brendshme të autorit të tij”- shkruan Vexhi Buharaja në parathënien e “Gjylistani dhe Bostani” të Saadi Shirazit, i quajtur edhe “Shekspiri i Lindjes”. Është një thënie që të trondit, vetëm me një fjali, gjithësej gjashtë fjalë.
Poezia që shpirtëzon sende, dukuri: deti qesh, lumenjtë vrapojnë, mali hesht, në këtë rast shpirtëzohet vetë: Vargu jeton! Brenda një fjalie Buharaja na jep një përcaktim për poezinë e Saadiut, që të tjerët do të shpenzonin fraza të tëra për të shpjeguar se poezia e tij ka një ndjeshmëri të lartë, se ajo përcjell botën e trazuar shpirtërore të autorit, se te vargu autori derdh shpirtin e tij, etj. etj. Ndonëse janë shpenzuar fjali të tëra nuk janë thënë pikërisht atë që Buharaja nënvizon në një fjali të vetme: “Vargu jeton jetën e brendshme të autorit të tij. Brenda thënies së Buharasë kemi përdorim të kohës së tashme të foljes jeton. Ai nuk përdor kohën e kryer e thjeshtë: Vargu jetoi jetën e brendshme të autorit të tij, por kohën e tashme që do të thotë se edhe pse kanë kaluar shtatë shekuj nga vdekja e Saadiut (1203 ose 1210-1290), vargu jeton, në mënyrë të pavarur nga autori i tij. E vetmja varësi është se vargu jeton pikërisht jetën e brendshme të autorit. Pra jeton jetën e brendshme të Saadiut. Buharaja i ka kursyer gjuhës fjalë e fjali të tëra etj. etj. Buharaja në një fjali me gjashtë fjalë ndëkohë ka kryer punë duke kumtuar gjithçka ka të bëjë me gjeninë e poetit, pavdekësinë, jetën në shumë trajta dhe vende të të njëjtit shpirt (shpirtit të Saadiut) etj. Ky fakt tregon se Buharaja kishte të gjithë instrumentat intelektualë dhe shpirtërorë për të depërtuar në artin e madh të klasikëve persë dhe artit në përgjithësi.
 
Një zjarr që të ndezë e veja në zi/ Shum’ herë qytetin e djeg e bën hi,
 
shkruan Saadiu te “Bostani”. Vargjet jetojnë jetën e brendshme të autorit, siç tha Buharaja më lart, por padyshim këto vargje të bukur në shqip jetojnë edhe jetën e brendshme të përkthyesit të shquar.
 
“…Ishte një detyrim jo vetëm ndaj poetit klasik pers Saadi Shirazi, por edhe ndaj shqipëruesit të paharruar Vexhi Buharaja… Në përfundim të diskutimit shkencor që u zhvillua për këtë çështje u vendos që gjuha e shqipëruesit të mos preket, përveç rasteve të rralla të ndonjë gabimi teknik në shtypshkrim. Ky qendrim u mbajt jo vetëm për të respektuar vullnetin dhe zgjedhjen e shqipëruesit, klimën e kohës së përkthimit, por edhe për arsyen themelore, që në shqipen e Vexhi Buharasë çdo fjalë ka lezetin e vet, duke përfshirë persizmat e orientalizmat, të cilat janë trajtuar me ledhati prej tij…” – shkruan Reza Karami, drejtor i Fondacionit “Saadi Shirazi”.
.

Firdeusi dhe mediumi Buharaja

Firdeusi jetoi në shekullin X-XI. Buharaja, në parathënien e përkthimit të “Gjylistani dhe Bostani” shkruan: “ Veprën e Dakikiut e vazhdoi dhe e përsosi gjeniu botëror i Iranit, Firdeusi (934 -1020 ose 1027) me “Shahnamenë” e tij të pavdekshme, vepër monumentale e gjuhës dhe e poezisë persiane.”
Pas nëntë shekujsh e gjysëm “Shahnameja” erdhi në gjuhën shqipe, fatkeqësisht jo në përmasat e saj. Nëntë mijë vargje erdhën të jetojnë në një tjetër gjuhë, në gjuhën shqipe. Po si erdhi shpirti i derdhur në fjalë i Firdeusit në vargjet shqip? Nëpërmjet shpirtit të Buharasë. Mediumi qe Vexhi Buharaja. Shpirti i tij u vu në kërkim të shpirtit të Firdeusit dhe e gjeti në thellësi të kohrave. Nëse trupi i Buharasë kishte rreth 40 vite që sillej në këtë botë, shpirti përshkoi nëntëqind vjet, deri sa takoi sivëllanë e tij, shpirtin e Firdeusit. Janë nëntë mijë vargje që jetojnë jetën e brendshme të autorit, Firdeusit dhe jetën e brendshme të shqipëruesit: Buharasë.
Vëreni vargjet e magjishëm të Firdeusit nga “Shahnameja”, sjellë në shqip nga Buharaja. Është fat për gjuhën, për letërsinë, për kulturën tonë që kjo pasuri është në fondin e tyre.
Rrëfenja: “Feriduni i hedh prangat Dahhakut”:
 
“Mos bëj gjë të ligë në botë sa mund!
Së mirës mbështetje t’i bëhesh gjithkund.
 
Kur s’rrojtkan përjetë e ligë dhe e mirë,
e mira të mbetet kujtim i pavdirë.
 
Thesarët e fryrë dhe i larti pallat
aspak nuk të sjellin gaz, jetë dhe fat.”
 
Dhe nga rrëfenja “Zali njihet me Mihrabin”:
 
“Një çupë të fshehur ky mban në saraj,
që dritës së diellit ia shkon drit’e saj.
 
Nga koka te këmbët – fildish që rrëmben.
Nga shtati si plepi, fytyra – Eden.
 
Dy laqe prej myshku mbi supet si borë,
si hallkat e prangës mbështjellë kurorë.
 
Si lulja e shegës e kuqe fytyra,
si kokërrza shege dy buzët nga ngjyra.
 
Dy sytë e vashës si bathra në maj,
si krahët e korbit qerpikët e saj.”
 
Cila ka qënë magjia që i ka bërë gjuhës Vexhi Buharaja për të arritur deri në këtë lartësi ligjërimi? Cili ka qënë çelësi i depërtimit deri në këta kufij të epërm të aftësisë shprehëse të fjalës? Mendoj se së pari ka qënë gjenia prej krijuesi e Firdeusit dhe së dyti gjenia prej shqipëruesi e Vexhiut.
Kur e pyetën Mikelanxhelon nëse është e vështirë të bësh një skulpturë, ai u përgjigj se është mjaft e lehtë. Merr një shkëmb dhe hiqi pjesët e tepërta. Kur të kesh mbaruar do të shfaqet Davidi. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me gjuhën. Nga tërësia e fjalëve, togfjalëshave, fjalive hiq pjesët e tepërta dhe do të shfaqet ajo poezi-vashë, bukuri e gatuar prej shpirti, siç thotë Danilo Kish.
Distiku: Dy sytë e vashës si bathra në maj/ si krahët e korbit qerpikët e saj/ është një rubin në gjerdanin e artë të poezisë që lexohet në gjuhën shqipe.
Shqipërimet Vexhiu, në shumë raste, i ka shoqëruar me shënime të natyrave të ndryshme. Në këto shënime ne zbulojmë tek ai gjuhëtarin, kritikun, historianin, filozofin, polemistin. Dhe këto shënime mbeten një fushë e hapur dhe me shumë interes për çdo studiues. Edhe pse këto shënime të dhëna shkurt, është thënë aq sa është quajtur e mjaftueshme, ashtu siç ka thënë edhe Noli i madh, aq sa ishte e nevojshme, në introduktat që kanë shoqëruar shqipërimet e tij. Është e njëjta traditë, që duhet vlerësuar. Në shënimet që shoqërojnë shqipërimet e Vexhiut, bëjnë vend edhe sqarime për kuptimet e fjalve specifike të përdoruara, për sinonimet që ndjekin fjalët e rralla, shprehjet frazeologjike, barbarizmat të përdorura për të dhënë atmosferën e kohës dhe të vendeve të Lindjes nga vjen kjo poezi, si dhe vërejtje dhe sqarime të ndryshme për kuptimet e vargjeve që mbartin ngarkesë filozofike ose mitologjike.
.

Buharaja komparatist

Buharaja ka qënë një njohës i thellë i letërsisë. Jo vetëm i letërsisë orientale, por edhe i letërsisë perëndimore. Ai njihte autorët e shquar, tekstet e tyre letrare, madje edhe pikpamjet e studiuesve të këtyre letërsive. Ai sjell pikpamje të orientalistëve aktualë perëndimorë për autorësinë e teksteve të tillë si “Jusufi dhe Zelihaja”: “Në Tur Firdeusi natyrisht kaloi në vetmi vitet e fundit të jetës së tij (gjithsej nga 6-7 vjet). Gjatë kësaj kohe ai shkroi veprën e tij tjetër të madhe “Jusufi dhe Zelihaja” ku trajtohet dashuria e Jusufit legjendar biblik me Zolejkën e bukur. Kjo temë u rinua më vonë nga një varg poetësh të vendeve të Lindjes, por asnjëri nga këta nuk e arriti dot nivelin e poemës së Firdeusit. Vetëm duhet pasur parasysh edhe kjo se kritika dhe shkenca e sotme e kanë vënë në dyshim autorësinë e Firdeusit mbi poemën “Jusufi e Zelihaja” (disa orientalistë rusë dhe gjermanë).* Në përgjigjet e dhëna për pyetjet e dërguara nga Simon Vrusho, ai bën një sprovë prej komparatisti. Buharaja vë përballë, përqas autorë, vepra dhe personazhe, të cilët i përkasin kulturës së Lindjes dhe kulturës së Perëndimit. Diskutimi i sotëm për një qytetërim të Lindjes dhe një qytetërim të Perëndimit, të cilët nuk janë integruar në një Botë që ka lindjen dhe perëndimin e saj, është më i mprehtë se kurrë. Në diskutimet e sotme kemi terma të tillë si “përplasje e qytetërimeve”, “qytetërim i Lindjes”, “qytetërim i Perëndimit”, etj. etj. Po kur do të ketë një qytetërim me Lindjen dhe Perëndimin e tij? Mendoj se një qytetërim në të gjithë Botën do të ketë atëherë kur koncepti për të mirën dhe të keqen të këtë një emërues të përbashkët, që do të thotë ajo çka është e mirë në Paris të jetë e tillë edhe në Teheran, në Moskë, në Tel-Aviv, në Gaza, në Kabul, etj. Po kështu edhe raporti me të keqen. Aktualisht nuk ndodh kështu. Buharaja, “qytetarit” perëndimor Promete i vë përballë “qytetarin” lindor Rustem. Pasi i krahason, vjen në përfundimin se kryekreshniku Rustem, heroi i “Shahnamesë” është “si vëlla” tipologjik i Prometeut, hero i tragjedisë së mirënjohur të Eskilit. Siç shihet, qytetërimet në mug të tyre nuk kanë patur ndonjë dallim esencial: “Në Shahname kemi një galeri të tërë figurash letrare, secila me individualitetin e vet. Mbi të gjithë është kryekreshniku Rustem, i cili është “sivëlla” tipologjik i Prometeut. Figurë thellësisht njerëzore. Interesante janë edhe figurat femërore (Rudabeja, Sijabeja, Tanimeja, Bizhemi). Mund të thohet se Rustemi është një nga arritjet më të larta artistike në të gjithë letërsinë botërore. Tek ai është gdhendur me mjeshtëri të rrallë artistike figura e heroit që lufton kundër forcave të këqija njerëzore (pushtuesve dhe agresorëve) dhe jonjerëzore (divat).1” Është interesante përballja e dy autorëve të mëdhenj të dy kulturave dhe dy qytetërimeve, atij Perëndimor dhe atij Lindor në shënimet e Vexhi Buharasë. Të dy Buharaja i emërton titanë:
“Tjetër është funksionimi i mbretërve te Shekspiri dhe tjetër te Firdeusi. Titani anglez i trajton në plan psikologjik, kurse titani iranian në planin moral. Misioni historik i mbretërve në Shahname është vendosja e drejtësisë dhe sigurimi i lumturisë dhe i begatisë së popullit. Pra, Firdeusi kërkon “mbretin- filozof” të Platonit…” Është rasti të nënvizojmë edhe dallimin midis Titanit të Perëndimit, Shekspirit dhe Titanit të Lindjes, Firdeusit pikërisht në këtë shënim të rëndësishëm që e bën edhe përkthyesi në shqip i fragmentit të “Shahnamesë.” Trajtimi i mbretërve në planin psikologjik nga ana e Shekspirit është tregues i qytetërimit perëndimor si një qytetërim që ka në themelet e tij shpirtin e thellë kritik, shpirtin e dyshimit te vlerat dhe shpirtin e ndryshimit.
Kjo dukuri vjen edhe për faktin se këndvështrimi shekspirian realizohet nën dritën e ideve të jashtzakonshte të Rilindjes Europiane. (Shekspiri ka jetuar rreth 500 vjet pas Firdeusit). Ndërsa Firdeusi, Titani iranian, krahas artit të madh, gjuhës së përkryer, në vepër “nuk u ka shpëtuar këshillave, porosive, urtësisë dhe mësimeve morale…”
.
Busti i Vexhi Buharasë

Busti i Vexhi Buharasë

Buharaja kritik

Siç kemi shkruar edhe më lart, Vexhi Buharaja ka kryer një sërë studimesh. Studimet e tij prekin fusha të ndryshme si filozofia, religjioni, epigrafika, letërsia. Me interes për ne janë shënimet e shumta në krah të përkthimeve të tij, ku ai tregon njohuri të thella për letërsinë, gjuhët, historinë, mitologjinë etj. Shijet e tij estetike duken mjaft të holla dhe të kultivuara. Për “Shahnamenë” ai jep këto mendime: “…Çdo distik formon një njësi kuptimore të veçantë. Si varg është përdorur dymbëdhjetërrokëshi me theksa tonikë që bien në rrokjen e dytë, të pestë, të tetë dhe të njëmbëdhjetë.
Skema: __ / __ __ / __ __ / __ __ /
/ __ / / __ / / __ / / __
 
Ja, p.sh: një distik nga një monolog i Rustemit, i cili në një rast ankohet kundër fatit për mjerimet që po i sjell vijimisht kryekreshnikut:
 
Sot ndeshen me t’ujit demonë skëterrë/ Dhe nesër për vdekje me t’egrën panterë.
 
Ja dhe një distik tjetër: Rustemi ka arritur tanimë në moshë që të bëhet kreshnik, atij i duhet një kalë, që të jetë i vetmi kalë i denjë për kryekreshnikun. Prandaj Rustemi, gjer atëherë i panjohur del në kërkim të tij. Një ditë në një fushë të madhe sheh disa qindra kuajsh të racës të cilët po kullosnin nën mbikqyrjen e një bariu plak. Të gjithë kuajt kanë në kofshë nga një damkë (vulë) që tregon prejardhjen e tyre të vjetër. Vetëm një mëz është pa damkë: një mëz sa i bukur, aq i egër dhe i panënshtrueshëm. Rustemi i vë synë këtij mëzi dhe provon t’i hedhë lakun që ta kapë, por mëzi harbohet. Bariu i thërret nga larg, por Rustemi vazhdon të hedhë lakun e gjatë (livaren). Afrohet bariu, i cili doemos nuk e njeh Rustemin, por ia ka dëgjuar emrin. Kur mëson qëllimin e kreshnikut, e këshillon këtë që të zgjedhë e të blejë një kalë tjetër, “se nuk ka ç’i duhet përbindëshi”. Bariu vazhdoi: ne këtij mëzi i thërrasim “Rrakshi i Rustemit” (Vetëtima zharritëse e Rustemit), por kush është Rustemi, asnjeri nuk e di. Ndërkaq Rustemi e ka kapur “Rrakshin” i cili në fillim bën kijametin, turfullon e shkumbëzon, por dalëngadalë, nga takti që përdori Rustemi, fillon të zbutet e të nënshtrohet. Kur kreshniku u bind se Rrakshi ishte “miqësuar” me kreshnikun i kërceu menjëherë sipër dhe që nga maja e kalit, i cili tanimë i ishte nënshtruar plotësisht, e pyet bariun sa duhej të paguante për kalin që po blinte. Dëgjoni si përgjigjet bariu:
 
Kur qenke Rustemi, nuk dua asgjë,/ Mjafton që Iranin të mbrosh ti mbi të.
 
Unë mendoj se vetëm një poet i madh mund të japë me dy vargje njëherësh edhe zgjuarësinë (e kuptoi që ishte Rustemi) edhe patriotizmin (mjafton që kreshniku të mbrojë Iranin) e një njeriu të thjeshtë, siç është ruajtësi i kuajve në rastin e dhënë.”
Teksti i mësipërm, i botuar në gazetën lokale të Beratit “Mesazh”, në vitet ’90, ilustron më së miri së pari ndijesitë e holla artistike të Buharasë teksa vëren te klasiku i famshëm persian, se distiku firdeusian ishte një njësi e mbyllur për nga kuptimi, një njësi e plotë kumtuese, pra një tekst, me një forëm artistke plot muzikalitet e ritëm. Së dyti vërehet një fjalor i kursyer, një qartësi fraze, kthjelltësi dhe elegancë në ndërtimin e tekstit në shënimet e tij. Së treti, vargjet janë të mrekullueshëm në shqip dhe kjo e gjitha falë mjeshtërisë së përkthyesit. Fakti që Vexhi Buharaja është poet mund të shpjegojë suksesin e tij të padiskutueshëm në përkthimin shqip të klasikëve persë. Vetëm një poet mundt të kthehet në medium dhe të thërrasë nga lashtësia dhe të bëhet njësh me shpirtin e poetit persian, ta deshifrojë atë me të gjithë kodet e një kohe të largët.
Poeti dhe studiuesi Moikom Zeqo shkruan: “…Tashmë lexuesit kanë në duar kryeveprën “Shahnameja” të Firduesit. Ajo që u shkrua përsisht në shekullin X u arrit të botohet shqip në shekullin XXI. Te depërtosh me shpejtësinë e vetëtimës në hapësirën e njëmbëdhjetë shekujve, është padyshim çudi e intelektit njerëzor…”
Buharaja e dallon artin e madh falë shijeve të tija dhe leximeve në origjinal të kryeveprave të Lindjes dhe Perëndimit. Ndonëse kishte përkthyer fragmente nga veprat e Saadiut “Gjylistani” dhe “Bostani”, ai më vonë ndesh “Elegjinë për Bagdadin” të Saadiut. Krahasimi i qiellit lart dhe tokës poshtë me dy mokrra që bluajnë kokrrat e misrit midis, kupto njerëzit, vetëm në dy vargje e trishtojnë Buharanë që s’pati mundësi ta vendoste elegjinë në përkthimin e tij që qe botuar i cunguar në vitin 1960. Ja si shprehet ai:
“Elegjia e Saadiut për Bagdadin e rrënuar gjer në themele nga mongolët e Hulag-khanit (poeti ishte gjallë) dhe poezia vajtuese e poetit Hakani (shek 12-të), që poeti shkroi kur pa gërmadhat e Ktesifonit dikur të madh e të lulëzuar, janë më të mirat e llojit të tyre në të gjithë poezinë orientale. Saadiu, i cili nuk mungon të japë edhe në këtë rast mendimin e tij mbi jetën, e mbyll elegjinë me dy vargje në të cilët qielli sipër dhe toka poshtë krahasohen me dy mokrrat e mullirit, kurse njerëzit me kokrrat e misrit që shtypen e bluhen nga mokrrat.
Mjerisht elegjia na ra në dorë vonë dhe nuk pati mundësi të përkthehej dhe të hynte në atë përmbledhje të vogël shqip të veprave të Saadiut, që u botua më 1960. Themi “përmbledhje e vogël” sepse sipas kërkesës dhe planit të botimeve të Ndërmarrjes, u zgjodhën vetëm disa pjesë nga “Gjylistani” e “Bostani”, që janë të dyja të vëllimshme dhe disa nga gazelet e shumta të poetit.”

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook