back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Vendi im… nga Edison Ypi

Gazeta

Jeronimus Bosch - El jardín de las Delicias (Kopshti e Mrekullive)Jeronimus Bosch - El jardín de las Delicias (Kopshti e Mrekullive)
Hieronymus Bosch – El jardín de las Delicias (Kopshti e Mrekullive)

Me kafen përpara,
po lexoja kët shkrim të Edison Ypit,
të shkruar ashtu grryeshëm me nerv,
e të përcjellë ashtu furishëm ndër lexues…
E ndërsa e lexoja kët breshëri imazhes apokaliptike
përfytyrimi më fluturoi te nji kuadër magjik i Hieronymus Boschit
Triptiku i papërëritshëm Kopështi i Mrekullive,
nji vepër e pikturuar këtu e 500 vite të shkuara
e që sot i hap kapakët në “El Prado” të Madridit,
ku çdo dashamirës të pikturës me përfytyrime
gjen thelbin e krejt kuptimeve të jetës së kësaj bote…
Edison Ypi, ka krijuar nji kuadër po aq fantastik sa Bosch
dhe e ka trasplantuar realitetin e ngjyrave
në realitetin shqiptar, përmes aq pak fjalëve…
me nji surrealizim marramendës të paparë…
duke meriton falenderimin tim për kët fqinjësi
të bukur me piktorin e madh hollandez
kët mëngjes të bukur maji!
Të falenderoj miku im…
jozef radi, 24 maj 2016

Fragment nga Kopeshti i Mrekullive i Bosch
Fragment nga Kopeshti i Mrekullive i Bosch

Vendi im…

nga Edison Ypi

Vendi im është i tëri një ankth i bukur që s’ka të sosur. Një ëndërr, një mrekulli, një Parajsë. Ku drita të sterros, errësira të ndrit. Dita është e fjetur, nata e zgjuar. Dimri të ngroh, behari të plevitos. Shigjeta e busullës është prishur. Akrepat e orës mungojnë. Mund të ndodhesh diku, është e mërkurë, por të duket e premte. Pas së enjtes vjen e marta. E hëna zgjat tre javë. E shtuna dhe e djela mungojnë me vite ose nuk vijnë kurrë. Kodrat i bien flautit. Retë dorpërdore kërcejnë Napolonin. Malet u bien daulleve. Kodrat bëjnë selfie. Shkurret flasin Anglisht. Liqeret luajnë në Harpë. Erërat në violinë. Lumi krrusur mbi piano. Televizor ka por është i fikur. Interneti është shpikur por nuk përdoret. Fejsbuku pasi hëngri një tas groshë, u mbulua me jorgan dhe po fle duke pjerdhur dhe gërrhitur. Qiellin mund ta prekësh me dorë. Shkëmbinjtë mund t’i shkatërrosh me grusht. Peshqit e liqereve kullosin bar nëpër korije. Skrapari prapa kodrës është zhytur në një vaskë me hidromasazh. Labëria po bën dush vertikal. Devolli pi raki me opingë. Kuksi po bën llixha në Peshkopi se i dhemb kurrizi. Te Ura e Gostimes po bëhen bisedime për t’i dhënë fund konflikteve në Lindjen e Mesme. Divjaka po mjel lopët. Kolonja llafoset me Tropojën për Fatet e njerzimit. Kepi i Rodonit pi kafe me Gurin e Miçanit. Lushnja me Elbasanin bëjnë dashuri mbi një varkë në Liqerin e Belshit nën një hënë të plotë në mes të ditës. Pak më tutje sa një vrap pele shtrihet Gjermania. Italinë e ke tek semafori i tretë kthesa e pestë djathtas, brryli i tretë majtas. Amerika po bën muhabet me ca muxhaidinë në një kafene në Sauk. Shkodra me minifund ta bën me dorë ta marrësh deri në Laç. Lezha që sapo i ka dalë gjumi po lan Benzin me ujë pusi. Puka ka ndalur në mes të rrugës se i është çpuar goma. Sulova shet shalqinj. Dumreja me rroba banje në mes të rrugës të fton t’ja shohësh liqeret. Kruja bën qitje me pistoletë. Laçi bën Dashuri me Mallakastrën. Horizonti oqean i përflakur gjaku. Matanë rrugës kullosin dele që i ruan një bari shkëmbor me gunën sa Guri i Gomares dhe kërrabën që i nis në Rroskovec, kalon mbi Shpirag, dhe mbaron majë Baba Tomorrit.

Hieronymus Bosch (fragment (Kopshti i Mrekullive)
Hieronymus Bosch (fragment (Kopshti i Mrekullive)

(marrë nga faqja e FB e Edison Ypit, 24 maj 2016)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.