Vëllai i Kakusë… nga Nebil Çika

Gazetari Nebil Cika

Gazetari Nebil Cika 

Vëllai i Kakusë…

nga Nebil Çika

Kam kërkuar gjithnjë një gjë antikomuniste tek Ismail Kadare, por kurrë s’më kishte shkuar mendja që do ta kisha pasur kaq pranë, që do ta njihja e do të flisja me të çdo ditë dhe për një kohë të gjatë.
Pas publikimit në medie të një letre të Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës, ku denoncohej për veprimtari antiparti e motra e tij Kadria, të gjithë ne që e kemi njohur i kemi asaj një detyrim. Kakuja, siç e thërrsnim, është një grua e ditur, e zonja në punën e saj si redaktore letrare dhe sigurisht një antikomuniste. Kam punuar me të tek gazeta Albania, dhe kam pasur e kam respekt të konsiderueshëm për të… Por sigurisht që nuk e njihnim këtë anë të historisë së sajë, pasi ajo kurrë nuk foli për të, megjithëse tregonte shumë gjëra të jetës së saj dhe të vëllait në komunizëm.
U desh publikimi i letrës së të vëllait, për Hoxhën dhe publikimi i dosjes së përgatitur për të nga Sigurimi i Shtetit prej Kastriot Dervishit, që ne të kthejmë kokën më me seriozitet nga Kakuja.
Ne e prezantonim atë me pa të drejtë si “motra e Kadaresë”, gjë për të cilën gjej rastin t’i kërkoj ndjesë personalisht pasi shumë herë e kam bërë edhe unë këtë gabim. Sot pas publikimit të letrës dhe dosjes së Sigurimit Kakuja “e vogël” meriton gjithë respektin dhe dinjitetin që fatkeqësisht i është zbehur apo mohuar nën hijen false të Ismailit “të madh”!!
Sot pas zbulimit dhe publikimit të së vërtetës, nderi i Kakusë duhet të vihet në vend. Ajo besoj i ka ditur të gjitha këto, por nuk foli kurrë. U tregua deri në fund motër e dhimbsur, megjithëse kishte gjithë të drejtën, jo vetëm për letrën, të mos ishte e tillë. Ajo përleshej me çdo njeri që e kritikonte apo shkruante keq për Kadarenë, por me thënë të drejtën mua nuk më tha kurrë një fjalë për këtë, megjthëse nuk mbaj mend të kem shkruar ndonjë herë mirë për të.
.
Kadrie Kadare - në shtëpinë e fëmijërisë

Kadrie Kadare – në shtëpinë e fëmijërisë

Kakuja, ishte redaktorja reale e veprës së tij, por kurrë nuk i është përmendur ndonjëherë ky kontribut. Mbaj mend tek Albania, që redaktonte në dorëshkrim librat e tij që ja dërgonte nga Franca, sa herë gjente kohë të lirë që i krijohej në intervalet e redaktimeve të shkrimeve tona me një kujdes të paparë.
Dinim shumë për të por jo që të ishte ndjekur nga Sigurimi i Shtetit dhe denonocuar tek diktatori nga i vëllai, gjëra që me siguri i kanë shkaktuar shumë vuajtje dhe sigurisht ka qenë në rrezik të madh. Personalisht e vlerësoj si redaktoren më të mirë më të cilën kam punuar dhe si një nga gratë më të ditura që kam njohur, por raporti zyrtar i saj me komunizmin dhe kjo histori e ndyrë e letrës së të vëllait ma ka shtuar edhe më shumë respektin për të.
Siç po del e vërteta, pas publikimit të letrës dhe dosjes së saj të Sigurimit, i bie që ne i kemi rënë më qafë Kakusë, duke e trajtuar si motra e Kadaresë. Sot ajo moralisht qëndron shume me lart se ai dhe siç e thashë edhe në krye të shkrimit, Kakuja, motra e tij, është e vetmja gjë antikomuniste që mund të themi se gjendet tek Kadare! Nëse do të respektonim sado pak vlerat njerërzore qysh sot prezantimi ndryshon kryekëput: Kadareja është vëllai i Kakusë, jo ajo motra e tij!
Nuk e di se si ndjehet Kakuja pas publikimit të letrës së Kadaresë kundër saj, por mendoj që edhe pas kësaj ajo si motër vazhdon ta ndihmojë e t’i bëj nder atij. Publikimi i tyre e ul edhe më shumë figurën e fryrë të Kadaresë në batakun, ku siç po e marrin vesh të gjithë e ka zhytur veten, ndërsa çon në vendin e merituar figurën e Kakusë. Në kushtet kur ai ka ofruar për kurban tek kasapi Enver Hoxha të motrën, vetëm për të siguruar një rrugë jashtë vendit, nuk ka spiun të Sigurimit e komunist që e mbron dot më. E vetmja gjë që më step sot disi të shkruaj për Kadarenë dhe pisllëqet e tij në komunizëm, tani është fakti që: ai është vëllai i Kakusë!!

Marrë nga http://gazetaminerva.com/vellai-i-kakuse/

 

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook