back to top
13.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Veç legjendës së murimit, një legjendë tjetër, lag me lot e gjak muret e Rozafës – nga Ndoc Selimi

Gazeta

Kalaja e Rozafatit
Kalaja e Rozafatit

Veç legjendës së murimit, nje tjetër legjendë 

lag me lot e gjak muret e Rozafës

nga Ndoc Selimi

Ishte viti 1966.
Shpesh ne konviktorët e shkollës pedagogjike në ditë të diela e festa gjendeshim pothuajse kot, pa asnjë qindarkë në xhepa e pa një program ditor se ku mund ta kalonim kohën. Dilnim, po ku?! I vetmi vend që na jepte disi qetësi e gëzim ishta Kalaja e Rozafës, por edhe aty në kohë pak më të vona filluan të vendosnin ushtarë roje, ndërsa ne si moshatarë të ushtarëve dhe në një kompromis me ta na lejonin që të hynim. Një mbramje dimri pashë shumë njerëz e sidomos gra e vajza që merrnin rrugën e “Kalldramit të Nizamëve” dhe kalonin anës së kalasë. Edhe unë me shokun tim Hakiun vazhduam të njejtën rrugë, por njerezit nuk na njifnin dhe shpesh kthenin kokën mbrapa me pa se kush ishim nè, e me në fund u bindën se nuk ishim sigurimca, derisa u ndodhem përballë një varri të rrethuar me hekura e të jepte idenë e një kafazi. Gruaja, që m’u duk si e besimit musliman, kishte lidhë një shirit beze në hekurat e varrit që ishte një Mauzoleu e diçka lutej me duart e shtrira përpara.
Prita sa mbaroi, dhe me guximin e të riut e pyeta se ça ishte ku varr, a tyrbe. Pasi më pa se nuk isha ndonji provokues, ajo me një zë nane filloi të më shpjegojë në fillim mirësitë dhe bekimin që sjell ky varr e pastaj humbi në histori apo legjendë, që kurre nuk e kisha dëgjuar. Ajo shpjegonte sikur kishte qenë prezente në ata vite të largëta të legjendës. Një histori tepër e dhimbshme, të cilën më vonë e ndesha edhe te nji botim i regjizorit të famshëm Lec Shllaku i quajtun “Shtegtimi i Monumenteve” me titull “Legjenda e Vajzës së huej” dhe m’u duk sikur u ktheva në kohë te ai Mauzole ku prehej vajza e huaj dhe te ajo nanë aq e mirë me shaminë e bardhë lidhur qafës që me tregonte gati me lot historinë e vajzës së dashuruar.
Po mundohem ta paraqes sa më shkurt atë histori të përshkrume nga Lec Shllaku dhe nana e mirë, që, pak a shumë asht e njejta legjendë.
.
Mauzoleu kushtuar Vajzes se Huej
Mauzoleu kushtuar Vajzes se Huej
…Ishte një motër e Pashait të Kalasë, një perri e vërtetë dhe shumë e bukur (se kur nuk mbahet mend), e cila banonte sëbashku me vëllanë, tashma Pasha, në sarajin e Shkodrës. Ajo jetonte nën kujdesin e kurimin e grave të stërvitura për këtë punë në një shtëpi moderne të kohës e tepër luksuoze.
Një ditë vjen në Kala një serdar jeniçer që thuhej ishte nga Janina e do të fillonte punë në administratën e Kalasë së Shkodrës. Ai kishte një gradë të lartë, por ma shumë pamjen e një mashkulli të rrallë… Sapo u pa me motrën e Pashait, midis tyre lindi ajo shkëndija misterioze e dashurisë, e cila i lidhi aq shumë e aq ngushtë, sa pa marrë parasysh asnji flijim, mund të shkonin drejt lumturisë, ashtu si dhe drejt vdekjes.
Ata takoheshin çdo natë mbramje ose mjes herët fshehurazi. Por si gjitha dashuritë e maskuara, nuk e kane fatin t’i fshihen syve të botës… edhe ajo nuk kaloi shumë pa u marrë vesh dhe një ditë ia thonë edhe të vëllait të saj, Pashait. Si Pasha dhe vëlla i djallëzuar që ishte përpiloi planin dhe mundësinë e shkëputjes së çiftit sapo dashuruar. Ai nxori një urdhër për të transferuar princin e ri sa më larg të ishte e mundur. Vende të largëta e të rrezikshme në këtë kohë kishte me shumicë perandoria osmane e një nga këto ishin fushëbetejat e lindjes së Turqisë, ku me siguri ushtaraku i ri nuk do të kthehej më kurrë në Shkodër e aq më shumë nuk do mund ta takonte të dashuren e vet, po edhe mund të vritej!
Ditën e largimit të tij, Pashai bëri të paditurin dhe e la motrën të fliste me oficerin e ri në largim e sipër, ku vajza dhe princi i bukur iu betuen njani-tjetrit për besnikëri deri në vdekje dhe për nji pritje të pafund. Ishte një ditë si gjithë të tjerat, por nji ditë e tmerrshme për të dashurit, si asnjë tjetër. Ai iku i përcjellë nga devria (rojet ushtarake) për në Stamboll e pastaj do t’i drejtohej vendit të revoltave në Azinë e largët, ndërsa vajza e bukur priste mbi bedena të kalasë me shikim nga mali i Taraboshit me muaj e vite ditën e kthimit të princit. Ajo nuk pranoi as të shihte mashkull tjetër me sy, megjithë propozimet e të vëllait. Shpresa e humbur për kthim ishte ma e madhe se realiteti i vërtetë i kthimit e kështu mbas një periudhe të gjatë pritjeje dhe mospranimi të asnjë princi tjetër, vëllai djallëzor vendosi të bëjë një tjetër lojë; ai organizoi një tjetër patrulle sikur vinte nga Stambolli.
U hap lajmi se po kthehej djaloshi i bukur dhe të gjithë dolën për ta pritë e ma shumë zemra e zhuritur e vajzës. Kalorësit po vinin dhe vajza mbi bedena të kalasë priste me ankth atë çast kur djali të kthente kokën lart e të shihte vajzën tashma e kthyeme në pritje. Treshja e kalorsëve ndaloi pikërisht në distancë të afërm me vendndejen e vajzës dhe ajo gjithë emocion kishte ngul shikimin mbi kalorësit dhe pa pyet për ndrojtje thirri me të madhe: “O ju kalorës që vini prej larg, ç’lajm na sillni në sarajin tonë?” “Dekën e serdar beut – thirri i pari i patrullës. – serdar beu u vra në betejë e ne sollëm fermanin për zëvendësimin e tij.” Vajza me fytyrë kthyer nga qielli ulëriti sa frymë pati: “Me prit në qiell se po vi me tyyyyy!” dhe hodhi hapin në zbraztësirën dymbëdhjetë pash të kullës duke u hedhë poshtë në shpat deri te kambët e kështjellës, e vdekur. Thonë se nuk pati asnje pikë gjaku e asnji gërvishtje në trup. Varrimi u ba madhështor, por edhe varri u ba ku kishte rënë. U thirrën mjeshtrat ma të mirë të mermerit duke ba një varr model në gjithë perandorinë osmane.
Akti i kësaj vajze të panjoftun u kthye në mit, në kult, mister e në post të bekuar. Aty gjenin derman mijëra gra e vajza të sëmura e në vështirsi të gjetjes së fatit. Ai varr pelegrinazhi ruante mijra tip leckash të njëmijë ngjyrave të ndryshme, sa të jipnin përshtypjen e luleve. Në hekurat si portë të Mauzoleut ishin lidhur mijra fjongo si mijra lutje e dëshira të brezave që vazhduan të kujtojnë dashurinë e humbur të vajzës pa emër, por edhe të krijojnë besimin në dashurinë e vërtetë pa frikë e pa censurë të kohëve që do të vinte.
.
Lec Shllaku - Shtegtimi i Monumenteve
Lec Shllaku – Shtegtimi i Monumenteve
Mbas 1967, ky vend kulti nuk asht ma. Ai do të shkatërrohej e do të shembej si mijra kisha, xhami, vende kulti e lutje në Shqipëri.
Dora gjakatare e komunizmit shkatërroi me vare Maozoleun dhe e vrau edhe njëherë vajzën e panjoftun. Mermeri me epitafin e shkruem në gjuhën turke u zhduk bashkë me kockat rrëpirës së gurëve të Rozafës. Ky vend kulti sëbashku me Kishën e Zojës dhe qumështin që rrjedh nga muret e kalasë përbanin trekëndshin mbrojtës të mrekullive të Rozafës.
Shembja e këtij varri bashkë me kishën e Zojës ishte krimi i tmershëm që regjimi i kuq i bani Shkodrës dhe shkodranëve. (ps. i ndjeri Lec thotë në një shënim se historinë dhe tekstin e plotë të mbishkrimit të varrit e ka pasë poeti e etnografi i ndjerë Teufik Gjyli, por…? (1903-1969)
Pushofsh në paqe vajzë e re që nuk mbrrite të shofësh frutet e një dashurie të pafajshme. Fat e mirësi miliona të tjerave që kurrë mos paçin fatin e kësaj drite që ndrit sot mbi qiell të Rozafës!
.
-Pjesë të marrura nga “Shtegtimi i Monumenteve”, Lec Shllaku, fq. 64, 2004.
-Nga tregimi i një nane të panjoftun shkodrane, 1966

Marrë në faqen e Fb të Ndoc Selimit, 2019.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.