back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Vatra përkujtoi Revoltën e Spaçit dhe Qafë-Barit – kronike nga Dalip Greca

Gazeta

Bisede online per Revoltat e Spaçit dhe Qaf-Barit
Bisede online per Revoltat e Spaçit dhe Qaf-Barit

Vatra përkujtoi Revoltën e Spaçit dhe Qafë-Barit

kronike nga Dalip Greca

Revoltat i sollën në Kujtesë ata që kaluan në ferrin e diktaturës:
Pëllumb Lamaj, Lek Mirakaj, Dine Dine, dhe bijtë e të dënuarëve politikë:
Ervin Dine, Mark Mrnaçaj, Agustin Mirakaj, dhe ish i dënuari në burgjet e Serbisë
Shaqir Salihu… Përshëndeti kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha. Moderator-Ervin Dine.
-Kërkesë: Maji të shpallet muaji i Martirëve antikomunistë…
Vatra do të përgatisë një Rezolutë të dokumentuar për krimet e komunizmit
për në Kongresin Amerikan dhe do të përkrahw lëvizjen:
Një Nuremberg i ri për Krimet e Komunizmit.
Gazeta "Dielli" (1909 -2019)
Gazeta “Dielli” (1909 -2019)
Në pamundësi për të shkuar në Washington pranë Monumentit
kushtuar viktimave të komunizmit, për të bërë homazhe si çdo vit,
Federata Pan Shqiptare e Amerikës “Vatra”,
në kushtet e Pandemisë së Koronavirusit,
organizoi një përkujtesë të veçantë virtuale,
kushtuar Revoltave antikomuniste të Spaçit dhe të Qafë Barit.
.
Veprimtarinë e ka moderuar nënkryetari i Vatrës, i lindur në kampet e internimit, me baba të burgosur, që kur ai ishte foshnjë 1 vjeç, Ervin Dine.
Nënkryetari Dine pasi u ka uruar mirëseardhjen të gjithë pjesmarrësve në këtë veprimtari virtuale, tregoi se idenë për këtë lloj organizimi e kishte imponuar situatw e kufizimit të lëvizjes, e diktuar nga Pandemia. Ideja, tha ai, na lindi tek bisedonim më Merita B. McCormack.
Është detyrë e Vatrës, tha Dine, që dy revoltat që tronditën sistemin komunist, ajo e Spaçit dhe Qafë Barit, t’i përkujtojë dhe të evokojë qëndresën antikomunistëve të dënuarëve politik shqiptar. Kujtesa është e domosdoshme jo vetëm për brezin tonë por edhe për brezat e ardhshëm. Siç po e shohim, politika nuk është e interesuar për ta ruajtë kujtesën dhe për të dënuar krimet e diktaturës. Është fat për ne, që sonte kemi ata që e përjetuan ferrin e Spaçit dhe të Qafë Barit. Pëllumb Lamaj, Lek Mirakaj dhe babai im, Dine Dine, do të dëshmojnë dhe do të sjellin në kujtesë ato ngjarje, përfundoi fjalën hyrëse Ervin Dine, i cili fillimisht ka ftuar kryetarin e Vatrës z. Elmi Berisha, që të përshëndes pjesmarrësit.
Kryetari Berisha i ka uruar të gjithë pjesmarrësit dhe ka përshëndetur seicilin. Ai tha se: Dua t’ju falenderoj nga zemra Ju Ervin dhe të gjithë organizatorët e pjesëmarrësit; ju të rinjtë e Vatrës jeni gjenerata e re, gjenerata e shpresës, pa harruar themeluesit dhe paradhësit tanë vatranë. Ju jeni shpresa e nesërme dhe energjia e Vatrës. Vatra nderohet me këtë përkujtesë virtuale kushtuar dy ngjarjeve madhore, dy revoltave që tronditën diktaturën shqiptare, Revolta e Spaçit dhe ajo e Qafë Barit. Nuk e kam të lehtë me gjetë fjalët për të treguar vuajtjet e atyre që përjetuan ferrin e diktaturës, një pjesë prej të cilëve i kemi sot në këtë bashkëkonferencë virtuale.
Duke iu drejtuar atyre që kaluan në burgjet e diktaturës dhe kampet e internimit, kryetari Berisha tha: Ju jeni kujtesa e kombit, me vuajtjet dhe qëndresën tuaj, ju keni rritur krenarinë Kombëtare. Ju na keni ruajtë identitetin tonë, krenarinë Kombëtare, historinë tonë që kanë dashtë t’na e fshehin. Ju brezi i vuajtur në diktaturën komunsite mbeteni inspirim i demokracisë shqiptare. Faleminderit për këtë veprimtari nderuese e përkujtuese. Unë dua që të shpreh mirënjohjen për të gjithë heronjtë e qëndrestarët e burgjeve dhe kampeve të internimit të diktaturës. Mirënjohje për organizatorët! I përjetshëm Kujtimi i martirëve antikomunistë!
Dr. Pashko Camaj, nënkryetar i Vatrës ka përshëndetur veprimtarinë. Ai tha se: Dua t’ju falenderoj për këtë përkujtesë virtuale. Falenderoj Ervinin për këtë organizim emocional. Sot po e mësoj që babai i Ervinit, z. Dine ka vuajtur në ferrin e burgjeve të komunizmit. Dua ta dëgjoj sonte atë dhe bashkëvuajtësit e tij për të të ndriçuar të vërtetën e qëndresës së antikomunistëve shqiptarë. Nuk duhen harruar vuajtjet. Kjo formë përkujtimi është një mrekulli. Kryetari i ri, z. Berisha, në Kuvendin e 19 Janarit në Detroit shpalosi platformën e shekullit XXI, mendoj se edhe organizimi i kësaj veprimtarie, bën pjesë në këtë platformë. Të mos e lëmë pluhurin e harresës të mbulojë kujtesën kombëtare. Respekt e nderim për të gjithë ata që vuajtën në burgjet e komunizmit!
 
Dine dhe Ervin Dine - Moderator i takimit
Dine dhe Ervin Dine – Moderator i takimit

***

Z. Pëllumb Lamaj, një nga dënuarit politik, që e përjetoi prej moshës 19 vjeçare ferrin e burgjeve të tmerrshëm, falenderoi Vatrën për organizimin e kësaj përkujtese. Ai tha: Ju falendenderoj Ju vatranët që po organizoni këtë kujtesë për Revoltën e Spaçit dhe Qafë Barit. Ju meritoni vlerësim jo vetëm nga komuniteti shqiptaro-amerikan, por nga i gjithë opinion shqiptar. Ka shumë rëndësi që kjo kujtesë vjen nga VATRA, një organizatë Kombëtare që i është gjendur Kombit edhe kur ai ka qenë në buzë të greminës… Unë kam bashkëpunuar dhe vazhdoj të bashkëpunoj me Vatrën, edhe pse nuk jam anëtar i saj.
Lamaj e përshkroi Revoltën e Spaçit, që nisi me 21 Maj 1973, jo si një revoltë të thjeshtë, por si kryengritjen e parë antikomuniste në perandorinë komuniste të të gjithë vendeve të Lindjes, ndërsa të burgosurit që ngritën krye nga puna e rëndë, kushtet ekstreme, nga torturat fizike dhe psikologjike, Lamaj i përshkroi si heronj, që me kurajo iu kundërvunë policisë së regjimit, hoqën flamurin me yllin bolshevik, dhe ngritën flamurin pa yll, për tri ditë u bënë zotër të burgut. Burgu u rrethua me forca të shumta policore, të burgosurit u lanë pa ushqim e ujë, mbi ta u hodhën si bisha forcat speciale të sigurisë. Revolta e 21 Majit 1973 u shtyp me egërsi nga autoritetet, duke përdorur trupa dhe mjete ushtarake. Nxitësit, organizatorët dhe pjesëmarrësit më aktivë u ndëshkuan me rritje të dënimit, ndërsa katër prej tyre u dënuan me pushkatim. Katër martirët e revoltës së Spaçit ishin: Hajri Pashaj, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja, ndërkohë, rreth 110 të burgosur u ridënuan me 25 vjet. 
Lamaj foli edhe për ekzekutimin e Xhelal Koprencka dhe dënimin me vdekje të dy gazetarëve Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani.
Xhelal Koprenca, tha ai, ishte nacionalist, mbante emrin e gjyshit, që kishte firmosë aktin e Pavarësisë së Shqipërisë, dhe nën/ministër i parë i Luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit. Komunistët nuk e donin historinë reale, por krijonin historinë e fallsifikuar.
Kanë kaluar 3 dekada dhe politika shqiptare hesht. Martirët e revoltës nuk kanë një varr ku ne bashkëvuajtësit dhe familjarët e tyre të vendosin një tufë lule.
Politika shqiptare i ka mbuluar me harresë revoltat antikomuniste. Bijtë e atyre që persekutuan janë sot në Parlament, qeveri, në biznes, kudo…Ne duhet të luftojmë, tha Pëllumb Lamaj, ne nuk duhet të lejojmë që padronët e Shqiëprisë të vjedhin historinë dhe vuajtjet tona.
Lamaj i propozoi Vatrës që të hartojë një rezolutë të dokumentuar për krimet e komunizmit dhe t’i bashkohet Lëvizjes antikomuniste në Evropë për organizimin e Nurembergu për krimet e komunizmit. Vatra, tha ai, do të ishte mirë që të kërkojë zyrtarisht që Muaji maj të emërtohet si Muaji i Kujtesës së martirëve antikomunistë… Lamaj e ka mbyllë fjalën e tij: I paharruar kujtimi i martirëve antikomunistë!
 
***
Lek Mirakaj, që e ka nisë kalvarin e vuajtjeve në kampet e diktaturës dhe që provoi ferrin e burgjeve, falenderoj kryetarin Berisha për respektin dhe mesazhin që përcolli në hyrje ët kësaj Konference përkujtimore virtuale. Ai tha se ndjehej mirë që së bashku me bashkvuajtësit me Pëllumb Lamaj, që ishte më i riu në burg, krahasuar me atë vetë dhe Dine Dinen, dëshmojnë sonte në këtë veprimtari-homazh për martirët antikomunistë dhe si Kujtesë për Revoltën e Spaçit dhe Qafë Barit… Politika dhe qeveritë në këto 30 vjet nuk i kanë vlerësuar këto revolta. Pëllumb Lamaj, tha Mirakaj, është ndër ata luftëtarë antikomunistë, që nuk ka heshtur në këto tri dekada të pas shembjes së diktaturës. Ka kritikuar ashpër, publikisht, ka kontribuar me organizimin e veprimtarive të kujtesës, ka bërë me shpenzimet e veta edhe dokumentar, por që propaganda shurdhuese e shtetarëve i ka mbuluar me harresë.
Duke vlerësuar veprimtarinë kushtuar Revoltës së Spaçit dhe Qafë Barit, Mirakaj tha se këto dy revolta janë ngjarje të rëndësishme historike. Në 100 vjet histori të shqiptarëve, dy revoltat nuk mund të mbeten jashtë historisë kombëtare.
Të mos harrojmë kohën kur ato ndodhën, e para dy dekada para shembjes së diktaturës. Parullat që u hodhën, dëshmuan orientimin perëndimor të organizatorëve: Poshtë diktatura!… e Duam Shqipërinë si gjithë Europa! Parulla që u dëgjuan në sheshet e demonstrimit të studentëve në kohëshembjen e diktaturës…
Ne sonte këtu dëshmojmë për revoltat, por edhe për vuajtjet e brezit tonë, fëmijëve tanë. Unë së bashku me Dinen kemi bërë nga 45 vjet internim e burg, Pëllumbi 12 vjet burg e vuajtje, e pushkatime në familje. Në kujtesën tonë janë vuajtje të tmerrshme,ne kaluam në ferrin e Tepelenës, ku vdiqën 300 fëmijë…Ne kaluam në porto Palermo, diktatori na mbylli në kështjellën e Ali Pashës… Po si mund të harrohen këto…? Pasardhësit dhe bijtë e atyre që na mohuan lirinë, kanë 30 vjet që kujtojnë e nderojnë Kongresin e Përmetit të 24 Majit, ku u sanksionuan krimi e dhuna, festojnë me banderola, brohorasin Parti-Enver, po si ka mundësi që nuk reflektojnë? Mendoni, a mund ndodhë në Gjermani sot, të kujtohen e festohen ngjrjet e nazizmit dhe të shfaqet Hitleri?!
Po, si nuk na i shfaqën asnjëherë në ekrane pamjet e revoltës së Spaçit dhe të Qafë-Barit? Jam i bindur se janë të filmuara. Nuk linin ngjarje ata pa filmuar se u duhej edhe për dëshmi…
Pa u njohur këto dy protesta nuk ka dekomunistizim real të Shqipërisë, ka thënë Mirakaj.
 
Duke u drejtuar nga më të rinjët pjesmarrës në këtë përkujtesë, Lek Mirakaj tha: Mark Merrnaçaj, është djal i një miku tim bashkëvuajtës, i Nikollë Mërnaçaj. Jemi arrestuar për një ditë. Kemi qenë lidhë me një prangë, duar më duar, na kanë çuar me një makinë në burg… Burrë zotni, trim… Dy herë e burgosën. A mund t’i harrojmë. Harresa do të ishte krim për brezat e rinj.Vatra mund të hartojë një antologji me kujtimet, propozoi ai.
 
Burgu i Spaçit
Burgu i Spaçit

***

I burgosuri politik, shkrimtari Dine Dine, ka qenë fëmijë, kur nisi kalvarin në kampet e internimit. Edhe ai mbanë mbi shpinë 45 vite burg e internim. Kur e ftuan të fliste tha: E kam shumë të vështirë të flas në publik, veçanërisht të flas për vet. Është zakoni im që të mos flas gjatë për veten. Kështu më ndodhi edhe kur promovova librin tim në Tiranë. Më kërkuan të flas, edhe pse ishin të lodhur nga diskutantët e shumtë që kishin folë gjatë për librin tim. Thjesht i falenderova. Ata më duartrokitën shumë. Në fakt kisha folë përmes librit.
Sonte, po kujtojmë Revoltën e Spaçit dhe Qafë Barit. S’mund të hesht sepse heshtja përsërit të shkuarën që harrohet. E kanë thënë këtë njerëz të mëdhenj, por dhe shkrimtarë të njohur si, Leon Tolstoi, Fyodor Dostojevski, Alexander Solzhenitsyn etj. Ma ka thënë këtë edhe profesorja amerikane Lori Amy. Prandaj Vatra bën mirë që i kujton e bën homazhe për martirët antikomunist. Të dyja revoltat, veçanërisht ajo e Spaçit, është një moment kulmor në rezistencën e antikomunizmit shqiptar. Spaçi e tronditi sistemin, madje edhe botën komuniste. Mund të shkruash libra të tërë për këtë e të tjera ngjarje. Ju kërkoni kujtesë nga politika dhe shteti? Kot e keni! Edhe aq sa bëjnë, ata thjeshtë bëjnë për ”Show”! Unë them se nuk u intereson kujtesa. U duhet vetëm si fasadë, jo kujtesë. Kam qenë i pranishëm në veprimtari të shumta. Më kujtohet promovimi i Memorialit të kampit të Tepelenës, ku unë kam qenë fëmijë i internuar. Gjithë ajo zhurmë, reklamë… kur shkuam atje pamë një memorial të zakonshëm, vendosur në një bazament mjeran…
Dua të falenderoj Pëllumb Lamajn që ka qenë një nga zërat e pakët që kërkon kujtesë. Ne duhet të kujtojmë edhe duke shkruar çfarë kemi përjetuar. E mbajta 25 vjet nëpër duar librin tim. I bënë një promovim madhështor. Por a e dini sa kopje printuan? Jo më shumë se 50-100. Kur u thashë se kam kërkesa për librin se është mbaruan. Çuan sa për sy faqe 2-3 kopje dhe aq. Nuk ju interson kujtesa jonë!
Ne këtë konferencë virtuale duhet të kujtojmë edhe bashkëvuajtësit… Ndjehem mirë që shoh Mark Merrnaçaj këtu sepse ia kam njohur babën Nikollë në Zejmen të Lezhës. Kemi kaluar pak kohë bashkë atje. Zotni burrë! Ne duhet të ngremë zërin dhe të mos lejojmë që të na kalojnë në harresë vuajtjet. Ta shfrytëzojmë Vatrën, institucionin më të rëndësishëm kombëtar. Noli dhe Konica edhe grindeshin mes vetes, por kur ishte fjala për Kombin, ata bëheshin bashkë. Mos e bëni Vatrën instrument të ndonjë partie politike, po mbajeni të pavarur dhe ngrijeni zërin dhe denonconi padrejtësitë!
 
***
Në konferencë ishte i pranishëm edhe ish gazetari i Zërit të Amerikës, z. Shaqir Salihu, i cili kaloi nëpër burgjet e Serbisë. Pas përshëndetjes ai tha: Unë falenderoj zonjën Merita B MCormack, që më ftoi në këtë konferencë. Vuajtjet në diktaturën komuniste në kufijtë e shtetit amë kanë qenë tepër të rënda… Respekt për vuajtjet tuaja! Mësova shumë nga ky bashkëbisedim.
 
***
Mark Mernaçaj, që lindi dhe u rrit në kampet e internimit, që përjetoi kalvarin e babait të tij në dy burgosje të gjata të babit të tij, Nikollë, që nuk arriti të përjetojw shembjen e diktaturës, vdiq menjëherë pas daljes nga burgu i dytë, tha se ndjehej i nderuar që ndodhej mes bashkëvuajtësve të babait të tij. Ai falenderoi organizatorët dhe kryetarin e Vatrës për praninë dhe përshëndetjen e tij të ngrohtë.
Unë mendoj se kujtesa do ta mundë harresën që përpiqet të imponojë shteti dhe politika shqiptare ndaj krimeve të diktaturës komuniste. Kam mendimin se dy revoltat, janë të vetmet në Europën Lindore, dhe të pangjajshme me asnjë tjetër. Gati në të gjithë Europën Lindore është gjetur rruga drejt demokracisë, ndërsa Shqipëria akoma është në mjegull. Fajin ua vënë sistemeve, por harrojnë njerëzit, harrojnë diktatorët, individin fajtor, kjo shpërndanë përgjegjësinë. Komunistët e nisën që gjatë luftës krimin dhe vrasjen e kundërshtarëve nacionalistë. Besoj se ju kujtohet që në gjyqin e parë të intelektualëve që u gjykuan nga gjykatës dhe prokurorë që kishin zbritë nga mali dhe i kryqwzuan intelektualët nacionaistë në sallën-Gjyq të Teatrit Kombëtar. Përse i pushkatuan ata? Ishin dhe vatranë ndër të pushkatuarit. I pushkatuan sepse donin të zhduknin kujtesën. Kështu edhe me revoltat antikomuniste. Nuk duan t’ua dëgjojnë emrin!
 
***
Agustin Mirakaj, anëtar Kryesisë së Vatrës, vjen nga një familje që e ka luftuar komunizmin me armë në mal, dhe ka përjetuar burgime, pushkatime e internime. Duke u bërë pjesë e video-konferencës ai kërkoi jo vetëm kujtesë, vlerësim e nderim për martirët antikomunist, por edhe dënim të krimeve të komunizmit. Ai propozoi hartimin e një peticioni, ku të denoncohen krimet e komunizmit dhe të provohet se komunistët shqiptarë kanë qenë terroristë. Ata na vranë, na zhdukën familjet tona. Na kanë marrë fëmijërinë. Nuk na lanë të shkollohemi. Na kanë terrorizuar. Ta çojmë peticionin në Kongresin amerikan dhe të bëhen botërisht të njohura krimet e komunizmit.
Dje diktatura bënte bunker sot bijtë bëjnë Kulla. Popullin e bëjnë që të vuaj…
 
***
Në mbyllje Pëllumb Lamaj tha: Tash Vatra ka kapacitete, ka djem e vajza të reja, të shkolluar në universitete të Amerikës e Europës; ata janë të aftë që të hartojnë një Rezolutë për ta dërguar në Kongresin e Amerikan. Duhet të lëvizimi siç po bën Europa. Duhet një Nuremberg i ri për të dënuar krimet e komunizmit. Do të ishte mirë që kryetari i Vatrës të na udhëheqë për të konkretizuar këtë nismë. Mos prisni që krimineli të dënojë vetëveten.
 
***
Editori i Diellit Dalip Greca, tha se kjo ishte një veprimtari emocionuese dhe me shumë vlerë. Ai tregoi se ishte njohur me revoltat në fillimet e demokracisë, ku kishte intervistuar pjesmarrës të revoltave, si vëllezërit Çoku. Ai tregoi se cilët ishin motivet që e bashkonin me kauzën e të burgosurve politik. Më pas ai informoi për pasqyrimin që u ka bërë revoltave gazeta Dielli si zë i Vatrës. Ka qenë kënaqësi bashkëpunimi i Vatrës me Pëllumb Lamaj, ku janë organizuar veprimtari pë revoltata, është shfaqur dokumentari i z. Lamaj etj.
 
***
Ndërsa kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha, që e mbylli veprimtarinë tha: Personalisht ndjehem mirë që isha pjesë e kësaj veprimtarie me shumë emocione e vlera njohëse. Nuk e kam ndjerë fare kohën që kaluam bashkë. Jam gati të qëndroj deri në mëngjes. Ne të Kosovës nuk kemi qenë të informuar rreth burgjeve dhe kampeve të diktaturës. Shqiptarët e Kosovës kanë vuajt e përjetuar dhunën e pushtusit, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë, kanë përjetuar vuajtjete e vetëvetes, të diktaturës komuniste. Spaçi, Qafë Bari, Goli Otoku, fatkeqësisht kanë marrë jetë shqiptarësh, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Ju falenderoj për Kujtesën.
Vatra do të veprojë në Washington për ta çuar atje zërin tuaj, dëshmitarë të ferrit të diktaturës komuniste dhe zërin e të gjithë të burgosurve politik shqiptar.
Vitet ’90 për shqiptarët, veçanërisht këtu në SHBA, kanë meritën e finalizimit të përpjekjeve të shqiptarëve për liri e demokraci, për çlirimin e Kosovës, e rrëzimine diktaturës nv Shqipëri. E përjetoj dhimbjen tuaj që është dhe dhimbja ime…
Veprimtaria ishte e organizuar mjaft mirë dhe meriton fjalët më të mira nënkryetari Ervin Dine.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.