Vangjel Koça – I vdekuri pa varr…! Dr. Samim V. Visoka (1944)

Vangjel Koça (1900-1943)

Vangjel Koça (1900-1943)

I vdekuri pa varr…! Dr. Samim V. Visoka (1944)

Në 50-vjetorin e vdekjes së Vangjel Koçës Dr. Lazër Radi1)

Në gushtin e viti 1943, anija e linjës “Città di Catagna” që bànte rrugën Durrës-Bari u silurua prej nji nëndetseje engleze dhe u mbyt. As njeri… as nga ekuipazhi dhe as nga pasagjerët, s’mundi me shpëtue i gjallë. Me kët anije udhëtonte për n’Itali edhe personaliteti Vangjel Koça, njeri i madh i kulturës dhe i gazetarisë shqiptare.
Vangjel Koça së bashku me Branko Merxhanin qysh në rini, atje në shpatet e gurta të Gjinokastrës, nisën rrugën e edukimit të rinisë shqiptare me filozofi e sociologji bashkëkohore. Por, vepra e tyre ma konkrete do të mbetet doktrina filozofike e “Neoshqiptarizmës” e zhvillueme aq me pasion, qoftë në fletët e “Demokracisë” së Gjinokastrës, po shumë herë ma e fuqishme ma vonë, te revista e papërsëritshme dhe me aq reputacion:“Përpjekja Shqiptare” në Tiranë.
Me rastin e përvjetorit të humbjes së intelektualit të shquem Vangjel Koça, shoku ma i ngushtë i tij, Dr. Vasfi Samim Visoka shkroi nji artikull përkujtimor shumë të bukur, të cilin unë me dëshirë ia propozoj lexuesit të sotëm…
Dr. Lazër Radi

Dr. Samim Visoka (1905-1981)

Dr. Samim Visoka (1905-1981)

I vdekuri pa varr…! Dr. Samim V. Visoka (1944)

Sot dëshirojmë të kujtojmë fikjen e mallëngjyeshme të një ylli të shkëlqyer nga qielli kulturor i intelektual i Shqipërisë. Vitin e kaluar, në këto ditë, Antari i Institutit për Studime dhe Arte, Vangjel Koça u zhduk përgjithmonë në mes të valëve të fundëshme t’Adriatikut dhe u tret në humnerën e errët të thellësive të detit.
Vdekja e tij ka qënë nji befasi dhe e pamëshirshme: ujrat e tërbuara, atë viktimë të shkretë e kapën në një kabinë të ngushtë të një anije dhe e mbërthyen në një mënyrë të pashpëtueshme. Po, nji vdekje e tmerrshme… Nji fat tragjik…
Zhdukja e tij nga bota e jonë ka qënë tepër e mallëngjyeshme: sepse kufoma e tij nuk u puth dot prej të dashurvet, arkivoli i tij nuk u ligjërua dhe mbi varrin e tij të freskët nuk u hodh dot – prej asnjë shoku – nji grusht dhe i njomë.
Nji i vdekur pa varr… Nji tragjedi e përvajshme, por, për fat të keq nji e vërtetë e hidhur dhe nji fakt i pikllueshëm…
Të gjitha fjalët që thuren kujtimeve të të vdekurve të çmuar, shkrimet e melodirat që derdhen rreth emrit të tyre të vyer – përpara çdo gjëje – na kujtojnë fotografitë e tyre të zverdhëta, që varen në muret lakuriqe të varreve tona. Vellot e zeza, kordhelet e errëta që i rrethojnë kornizat e tyre, na afrojnë tiparet, hijen e tyre edhe për nji çast, na duket  sikur ata vet zgjatojin nëpër këto dritare të amshimit duart e tyre të hajthme dhe fillojnë të ledhatojnë lulet e bardha e të ftohta të vendosura ndër vazot përpara pikturave të tyre. Ndër këto çaste, në zbraztësi, fillon të buzqeshi me mirënjohje nji hije-fytyrë dhe ua thanë lotët brengave tona, të pikuara aty prej zemrave të përvëluara.
Ndër këto çaste, ndër dhomat tona, e ndjejmë veten të thelluar në qetësinë e tempujve dhe dëshërojmë me gjithë sinqeritetin tonë të pastër të gjunjëzohemi menjiherë në nji kënd të vetmuar, për të thithur kujtimet e tyre të vyshkura. Edhe kjo është padyshim pohimi më i bukur që ne mund t’i dhurojmë të vdekurve tanë.
Vangjel Koça vall a na shikon prej largësive të thella, si ato hije fytyre të pastërta e fisnike? A i ndigjon këto kushtime të thjeshta e të sinqerta…? Po… S’ka asnji dyshim! Ay u fik pa e shëruar plagën e zemrës, pa e shfryer dufin e shpirtit për këtë Komb e shoqëri të adhuruar.

Citta di Catania: Anija e siluruar e vdekjes

Citta di Catania: Anija e siluruar e vdekjes

***
Çdo mëmëdhe ka plotësisht të drejtë të kërkojë llogari e nji frut pozitiv nga bijtë e tij. Por, kjo e drejtë i përket më fort mëmëdheut shqiptar, sepse, ay  – siç thotë Naim Frashëri – djemtë e tij i ka rritur me lotë e thërrime.
Kështu të gjithë intelektualët kanë nji detyrë të rëndë kundrejt këtyre tokave të bekuara, të cilën mund ta plotësojnë vetëm me besnikëri e vetmohim. Ja pra, merita më e madhe e Vangjel Koçës qëndron këtu. Ai nuk ishte nji intelektual pasiv, asocial, pa vleftë e pa frut…! Qenia e tij nuk ishte një letër e bardhë: pa ndonjë gërmë a rresht, pa ndonjë vijë e ngjyrë. Ai përgjegjësinë nuk e ndjente kur ishte kundrejt pushtetit shtetëror, sundimit të ligjëve, ose përpara fytyrave të vranta të eprorvet, por, përkundrazi përgjegjësinë e ndjente më tepër kundrejt ndërgjegjës, shpirtit e zemrës së tij. Kjo antikritikë e antikontroll ishte fuqia më e madhe e tij në krijim e prodhim.
Jeta landore, fati i verbër ato nuk e kanë lejuar të plotësojë nji studim sistematik dhe nji kulturë të rregullshme. Por ay nuk u zmraps. Hipi në barkën e dëshirës së tij modeste, hapi velat e vullnetit drejt horizonteve të panjohura të kulturës shoqërore, estetike e filozofike… Me mundimin e djersën e vet dijti fare mirë të largohet në thellësirat, për tu kthyer përsëri në botën e tij të përvuajtur e varfanjake që ishte bota shpirtërore e mendore e Shqipërisë.
Ay, me gjithë kuptimin e fjalës ishte nji autodidakt. Kishte arrijtur të kuptojë magjinë e durimit. Hapte pusin me gjilpërë…! Ay, kur i mbylli sytë, në botën kulturore arbërore nuk la asnjë vepër letrare, asnjë tubzë vjershash, asnjë kompozicion melodirash dhe asnjë trupore të bukur mermeri. Por, megjithë këtë u bë i famshëm dhe popullor si ka qënë ngahera.
Vangjel Koça, me disa shokë të vyer, ka dijtur të shkaktojë nji lëvizje mendore e shpirtërore ne detin e qetë të Shqipërisë. Ka dijtur të ngjallë nji tronditje në thellësirat e qënies së Kombit, që nuk dukesh, nuk kapësh por që çmohesh shumë, prej të gjithë bashkëatdhetarëve që kishin nji dhëmbje zemre për këto toka të shkreta. Ja pra këtu qëndron lavdia e Vangjo Nirvanës.
Në të përkohshmet e fletoret “Drita”, “Demokracia”, “Illyria”, “Minerva”, “Përpjekja shqiptare”, “Shkëndia” etj. etj. Punoi vjete me rradhë, si nji puntor pa emër, si nji ushtar i panjohur. Por, në të gjitha këto fusha i ra nji melodie të vetme, në nji hark të vetëm. Mëkëmbja e përgjithëshme, lartësimi rrënjësor dhe marshimi i nxitur drejt kulturës perëndimore ka qënë sinteza jetike e tij. Ja ç’thoshte:
“Dhe merita e jonë do të jetë sa më e madhe që nuk do të humbasim toruan nga zhurma e skëterrshme e kohës sonë, dhe do të dalim fitues për të mirën e kombit tonë. Vetëm kjo luftë e jonë fitimtare do disa armë. Eurithmi shpirtërore, trimëri shpirtërore, theori, vetmohim, solidaritetet, sinqeritet, çmuarje e çastit historik, pamje të çveshur të problemeve tona të mëdha, ideal energjik, vullnet heroik për të krijuar histori. Këto duhet të jenë edhe karakteristikat e nacionalizmës sonë”.

Neoshqiptarizma

Neoshqiptarizma

Këto ishin synimet e përhershme pasionet, dëshirat, idilet, gëzimet, brengat e lotët e Vangjel Koçës…! Ay ishte i dashuruar thellësisht me idealin e luftës së tij, dhe prandaj – brënda nji kohe të shkurtër – u njojtë në të katër anët e botës kulturore arbërore. Fitoi nji popullaritet pa qenë ministër, kryetar , deputet – pezzo grosso. U njojt pa qën i pasur, pa patur pallate, pa djegur e pa therur e veçanërisht pa ardhur në Tiranën e Kuqe, që cilësohej prej shokut të tij të vlefshëm Branko Merxhani, si qytet pa ideal dhe i vdekur. Këtë famë dhe këtë popullaritet Vangjeli e fitoi vetëm e vetëm me penën, zemrën e trurin e tij. Kjo ishte “gloria” më e madhe e këtij intelektuali të rrallë të Labërisë.
Kontributi i tij më i çmueshëm, pa dyshim, ka qënë kritika. Me nji instikt të çuditshëm ay vet e kishte zgjedhur rrugën e tij më të përshtatshme. Ishte nji kritik konstruktiv e pozitiv. Nji kritik fisnik, bashkpuntor e këshillonjës: një shok i sinqertë i kulturës. Nuk u rrëmbye kurr nga mëria; ahmarrja, thash e themet ose çështjet personale. Në mbrendësinë e tij ndizesh gjithnjë nji flakë e pastër. Goethe thot: “Shpirti i ynë është  plot nostalgji për diçka më të lart e më të ndritur!”. Edhe Vangjel Koça këtë e mbante parasysh si nji doktrinë e dogmë në veprimet e tia. Ai nuk pranoi kurr të bëhet nji polic letrar apo nji kuestor shtypi! Jo! Kurrsesi! Ay me fisnikërinë shpirtërore dhe me pjekurinë kulturore e ndjente fare mirë misionin e tij të rëndë e delikat. Veçanërisht këtë mision, në botën kulturore kombëtare që ende për fat të keq na paraqitet si nji kopësht i thatë, për mos me thënë nji shkretëtirë e zbrazët…! Ay i njihte, i ndjente të gjitha vështirësitë e pengimet landore e shpirtërore, të gjitha vuejtjet e mbrendshme të pendëtarëve të pafat të Shqipërisë që dergjen në vetminë e tyre të piklluar, pa pasur asnjë rreze shprese ngushllimi. Ay e dinte fare mirë se është duke jetuar mes të nji grupi intelektualësh të përvuajtur, që ishin paracaktuar prej nji fati të verbër të mbarojnë si martirë në këtë periudhë të parë të rilindjes kulturore të kombit. Prandaj, kurr nuk u pa të gjuaj në pikat më të dobëta puntorët e pendës me nji shtizë helmonjëse, por, përkundrazi, ay gjithmonë u përpoq që t’u vijë në ndihmë si një këshilltar i mirë, si nji bashkëpuntor i dobishëm, duke dhuruar bujarisht e vazhdimisht melhemin qetësonjës e shëronjës.
Nji veçori kryesore në kritikën e tij ka qënë edhe kriteri i gjërë. Ay  kuptonte rëndësinë e të gjitha degavet kulturore: variacionin e dritave të jetës, të shpirtit e të mendjes. Veçanërisht rrymat e ndryshme estetike e letrare. Nuk dëshëronte të monopolizojë dhe as ta monotonizojë botën e shtypit arbror. Përpiqej të kuptonte çdo shkrimtar, ashtu siç është, pa e shtrënguar atë të hynte në kanalin e vet të rradhitej nën prizmën e tij. Ay e dinte se nji kopësht nuk mund të krijohej vetëm prej disa tingujve dhe kështu për shprehjet hyjnore të shpirtit adhuronte ndryshueshmërinë pjellore: variacionin. Me fjalë të tjera ay e kuptonte fare mirë mendimin e Durkheimit, i cili thotë:
“Sa më i kultivuar të jetë nji vend aq më tepër ndryshime vërehen në mes të opinioneve, karaktereve e temperamenteve”.
Me humbjen e Vangjel Koçës, Atdheu i ynë më parë se nji mentar e shkrimtar, ka humbur nji kritik të vlefshëm, të pjekur e fisnik. Siç duket, vendi i tij për nji kohë të gjatë do të mbetet i zbrazët. Kështu, sot kur shfletojmë faqet e shtypit kombëtar, ku penda e tij vepronte pa pushim, kemi ndjenjën përmallonjëse sikur t’ishim ndër dhomat e muzguara prej të cilave sapo ka dalur nji arkivol. Megjithqë kaloi nji vit, ende ndër ato fletë vjen nji erë e freskët e nji varri të njomë. Ky është nji dokument i gjallë për fuqinë e tij intelektuale e kulturore.

Demokratia e Gjirokastres

Demokratia e Gjirokastres

***
Ja pra i shkreti Vangjel Koça kështu u dergj dhe u përplas në humnerët e jetës së tij fatale, sa që nji ditë u zhduk përgjithmonë, në mos të valave të Adriatikut dhe në gjirin e tij të panjohur e të errët. Nji fat i çuditshëm duke shkuar për të bërë nji të mirë e përqafoi vdekja. Ishte nji kryetar i mirë familjeje, si nji prind donte të shëronte çdo plagë të vatrës së tij. Pikrisht në nji detyrë të këtillë njerzore ra viktimë e mëshirës.
Fatkeqësia e tij më e madhe është mbetja pa varr!
Ay tani nuk ka asnjë pëllëmbë toke n’Atdheun e tij të dashur. Fati as kaq gjë nuk i dhuroi. Sa gjë e dhimbëshme, dramatike, gjithë jetën ta dashurojsh, ta adhurojsh nji idil të shenjtë dhe më në fund të mos kesh fatin e bukur të japish shpirt i lumtur në kraharorin e tij.
Me gjithë këtë tragjedi pikllonjëse, Vangjel Koça jeton në mes nesh. Kur endemi nëpër rugët e Tiranës, na duket shpesh sikur  atë do ta takojmë aty në ndonjë skaj të qytetit, në ndonjë librari ose në ndonjë shtypshkronjë. Kjo rrjedh sepse ay na del përpara me gjithë gëzimin e vullnetin e tij tipik në çdo rast gjallërie të fletorizmit shqiptar. Në të gjitha fletoret e shtypit tonë përballohemi me djersën  e tij të dlirë, me frutet e tia të këndëshme dhe, më në fund, me lotët e ngrohtë të Vangjo Nirvanës.
Atëherë këto faqe të bardha përpara syve tonë fillojnë ngadalë ngadalë të mëkëmben, të ngrihen si gur varresh, nuk janë si ata që njohim në botën e jashtme landore, nuk shkrihen, nuk myken dhe nuk thyhen nga furitë e stinve e të viteve, po përkundrazi, me kalimin e kohës, me shpejtësimin e rrymës së kulturës kombëtare, forcohen, shkëlqejnë dhe ngjallen, pikrisht si shkëndiat që dalin nga rrahja e çelikut në mes farkës dhe çekiçit. Këtu qëndron ndryshimi i amshueshëm në mes botës shpirtërore dhe asaj landore.
Kjo enigmë e përjetëshme na rrëmben mbrenda çastit dhe na çon në horizonte të largëta, aty në hapsirat e Adriatikut, në mes të valave të detit, ku nëpërmjet shkumbave të bardha këndojnë edhe njiherë skalisjet e gurëve të varrit të të ndjerit Vangjel Koça:
Intelektuali i pa farë,/ I vdekuri, pa varr.
“Bashkimi i Kombit”, e djelë 13 gusht 1944

Vangjel Koça në Instituti i Studimeve Shqiptare

Vangjel Koça në Instituti i Studimeve Shqiptare

Skeda Vangjel Koça (Wikipedia)

Vangjel Koça alias Vangjo Nirvana  lind në Gjirokastër më 1900. Mbasi kreu arsimin e mesëm në gjimnazin e njohur “Zosimea” të Janinës, u diplomua për jurisprudencë në Itali. Që në moshë të re u mor me gazetari, fillimisht në gazetën “Drita” e më pas “Demokratia” të Gjirokastrës. Në këtë të fundit mbajti disa vjet radhazi rubrikën “Lëvizje mendore”. Si bashkëthemelues i lëvizjes ideologjike të neoshqiptarizmës, drejtoi fletoren “Neo-shqiptarizma”, gazetë vërtet jetëshkurtër, por me jehonë deri në ditët tona.
Revista “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit, ka në themel të saj edhe mendimin sociofilozofik të Vangjel Koçës. Në shërbim të lëvizjes mendore shqiptare përktheu “Dialogjet” e Lukianit, “Manualin” e Epiktetit dhe “Bisedë për metodën e Dekartit”. Mbetet një nga intelektualët më të shquar të viteve 1930. Vdiq aksidentalisht në gusht 1943.
(Wikipedia)

1) Nuk e përcaktojmë se ku është botuar ky shkrim i Dr. Lazër Radit, në gushtin te vitit 1993)

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook