back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Valixhe e njillojtë… e shumë prej nesh…* nga Ilir Seci

Gazeta

Anderr emigranti... Agim Sulaj
Anderr emigranti… Agim Sulaj

Valixhe e njillojtë… e shumë prej nesh…*

nga Ilir Seci

Plot pesëmbdhjetë vjet má parë, në nji datë si kjo sot, na si familje e palosëm jetën tonë ndër valixhe dhè morëm avionin drejt Amerikës…
Krejt çka na e gjykuem të vlefshme, u ngjesh ndër ato valixhe, dy prej tyne mbushun me librat e zgjedhun, prej të cileve s’mund u ndava pa i pru me veti në New York…
Ah, ai momenti kur njeri vendos me u largu jashtë vendit… Jeta jote guzhmohet si nji lamsh i ngatërruem emocionesh – pse je duke braktisë krejt çka di e çka ke mësue deri at moment – për me u futë në nji fazë të re e të panjoftun të jetës tande! E jeta që të pret, lyp prej teje me u përshtatë… përshtatje që ka të bajnë me të papritura… e shqisat tua mprehën si lapse në mprehesen e jetës së re që të sfidon përpara…
Prej atij momenti e për shumë kohë mbrapa, ka me t’u dashtë me e fshi prej fjalorit – fjalën “rutinë” – ajo s’ka me qenë ma në fjalorin tand… Fjalori yt jetësor ka me shtue faqe tjera, ka me zbulue tjera hapsina leksiku… Ka me qenë nji udhëtim që s’ka me ja lanë kurrkund vendin adrenalinës, nji karusel emocionesh të paprovueme ma parë: Tokë e re, vende të reja, zakone të reja, sfida të reja, njerëz të rinj…!!
Ndjesia má normale në botë asht me iu trembë së panjoftunës, sepse e panjoftuna e tremb njerin po njiherit asht edhe ndjesi e habitshme vorbulle që të përthith pamëshirshëm… Asht nji përmbysje e madhe – se krejt ajo çka ke mendue tanë jetën tande, si “Shpia Jeme” – tash s’asht má… Kjo ngjet pse njeri me dhimbë e kupton se çdo gja mundet me u zavendësue – se vjen nji ditë kur papritun ndihesh “si në shpi tande” edhe në qytetin e ri ku ke ngulë furkzën… dhe e kupton se “Shpia jeme” tash janë në fakt personat që udhëtojnë me ty… e shpia asht njaty ku asht zemra…!
Emigrimi gjithnji e ka mbrenda humbjen!
Asht e ngulfatun njaty! Le të thonë kush çka të dojë! Edhe në rastet kur njerëzit në emigrim kanë qenë të privilegjuem, me letra o me punë të mira – edhe kur mujnë me mendue e me lëvizë lirisht – prapëseprapë humbjen njaty e kanë… Emigrantët, janë njerëz që shkojnë me mendjen kah e ardhmja… Por, udhëtimi i tyne në mënyrë të pashmangshme paguen nji taksë të randë, e paguhet nga e shkuemja e tyne… Sepse kushdo që merr në sy emigrimin má parë se me qenë krahë pune, janë njerëz!
Dhe sa herë ata të lëvizin… kanë me lanë mbas shpine nji pjesë të tyne. Në vendin tjetër – mundimi sizifian – për me gjetë at çka kanë humbë, ka me rezultue në diçka ma shumë se nostalgjia, e ba me qenë tejet me fat… diçka má pak se mërgimi …

Emigranti - Dy skulptura përballë detit në Marsejë - Bruno Catalano
Emigranti – Dy skulptura përballë detit në Marsejë – Bruno Catalano

Po humbja asht mbrenda…
Ajo vjen me gjjthfarë trajtash… Dikush vdes e s’mundesh me i shkue ne vorrim, dikush feston përvjetorin ditëlindjes, e ty të mbetet me u knaqë me fotot që postojnë në rrjete sociale… Humbja shfaqet edhe si ajo dasma e njeriut të afërm që për kushedi sa nuk e kishe lanë pa marrë pjesë, po që ti s’mund shkove…! Humbja shfaqet edhe në trajtë “Tags-i” në Facebook, kur sheh nipat e mbesat si rriten ndër foto e shkruen – “Uh, sa asht rritë!” – Tana këto piketa në udhën e jetës, i kalon pa i kundrue si duhet, pse jeta jote asht diku tjetër tashma …
Kjo lloj humbje asht e njillojtë, në daç të jeshë largue i detyruem nga vorfnia apo lufta, në daç të këtë qenë zgjedhja jote e vullnetshme…
Edhe nëse ke pasë fat me u rregullue mirë – prap humbja njaty asht – pse vërtet mund ta kesh mbrritë at çka ke dashtë e andrrue, po nuk e ke arritë aty ku ke dashtë e ke andrrue!! Kjo asht njajo taksa që paguen emigranti, ai brezi i parë që emigron, ai që mbet në kapërcyell të dy botëve, të asaj nga vjen dhe asaj çka gjen…

***
…Ky s’asht aspak rrëfim dënese… edhe pse lotët më tradhtojnë gjithsesi… Se si zvarriten e gjajnë udhët në shqisa nuk e di… Po sa herë e kujtoj kët gja… má mjegullojnë dritën e syve…
(Piktura shoqëruese asht një kryevepër e mjeshtrit Agim Sulaj)
*Titulli redaksional radiandradi.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.