Vajza Shqiptare – nga Anton Mazrreku

"Vajza Shqiptare" Jan F. P. Portielje

“Vajza Shqiptare” Jan F. P. Portielje

Anton Mazrreku, për ata që e kanë dashtë sportin e Futbollit në Shqipninë e diktaturës, e dinë se ka qenë Njishi i komentatorëve sportivë, me zanin e tij karakteristik, me njoftjen e thellë të sportistave, po mbi të gjitha me kulturën e gjanë dhe pasionin eshumngjyrtë të komentimit… Të ndigjoje komentet e tij të ndeshjeve në radio, të shfaqej fusha e futbollit dhe ti e “shihje gjallë”, çka ty të mbrrinte veç në veshë…
Anton Mazrrekun e kësaj here po e paraqesim ndryshe, si tregimtar, gjà që pakkush e din, as edhe unë… Ngjarja asht aq njerzore po edhe aq dramatike, e shkrueme ambël e me densitet… sa habitesh si asht e mundun…! Pra, komentatori që na e bante të gjallë fushën e futbollit përmes komentimit, na e ban të gjallë nji ngjarje të pashëmbullt sentimentale… shkrue ambëlsisht magjishëm…
Them se mbeten me fat të gjithë ata që kanë ndigjue nji komentator si Anton Mazrreku që e kanë të gjallë përmes sportit, e tash përmes këtij tregimi të pashoq…
jozef radi, 22 janar 2019
.
Anton Mazreku (1908-1969)

Anton Mazreku (1908-1969)

Vajza Shqiptare

nga Anton Mazrreku

I ka shoqet fort të rralla Marija. Asht e re, e bukur, e urtë. Në zemrën e saj të njomë nuk mund të lulëzoj veçse një dashuni e pastër, që u ka hije vashave shqiptare.
I përgjigjet Filipi. Edhe ai âsht i ri, i bukur, i urtë. Zemra e tij i kushton mâ të zgjedhunin e mâ të dlirtin vend dashunisë së Marijes.
Shpirti i dy të rinjve nuk ka asnji faj që mund ta ndalojë martesën e shejtë. Por një faj e paskan Marija me Filipin. Marija qenka e pasun, Filipi i vorfën. E prindët e vajzës, Marijen dashkan me e ruejtë për ndonji pasanik të math.
Dashunia leu po bashkë me të nuk leu edhe fati i bardhë…
 
***
Filipi nuk banon mâ në një qytet me Marijen. Asnjë marrrëdhânie mâ midis djalit e vajzës. Ditët e bukura ishin zhdukë shpejt në hapsinën e kohës. Lulja e dashunis ishte vyshkë pa i çilë mirë fletët e veta.
Marija ka vû kunorë me Kolën, që âsht plak, po âsht pasanik i madh. Marija asht vajzë e urtë, e mirë, e bindun. Nderon prindët, nderon burrin, nderon zakonet. Punon tânë ditën nëpër shtëpi, rrit fëmijët, ia mban nderin të shoqit.
Dashunisë së parë nuk i duket kërkund gjurmë. Vajza shqiptare di me dashtë, po di edhe me iu shtrue fatit që ja cakton tjetërkush. Ndër të tâna shoqet âsht mâ e âmbla, mâ besnikja, mâ e forta. Po… edhe mâ e forta!
.
Anton Mazreku gjatë nji kometimi sportiv

Anton Mazreku gjatë nji kometimi sportiv

***

Kola âsht tregtar i math. Udhëton shumë. Nji ditë i takon rasti me u njoftë me Filipin. Udhëtojnë të dy në të njajtin automobil. Kola nuk e di që Marija e ka dashtë dikur Filipin dhe Filipi nuk e di se Marija âsht grueja e Kolës.
Sjellja fisnike e mendimet e nalta të Filipit tërhjekin simpatinë e tregtarit, që e fton mikun e ri për drekë. Filipi, që do të qindrojë vetëm pak dit në qytetin e dashunis së parë, i përgjigjet plot gëzim grishjes së Kolës.
Kola e porosit gruen që të pregatitë një drekë të mirë, pse ka thirrë një mik, të cilin e ka njoftë gjatë udhëtimit. Se kush âsht miku, nuk âsht nevoja me e dijtë grat tona.
Të nesërmen në drekë, Kola vjen bashkë me Filipin. I paraqet Marijen, të shihen. Fati u premtoj të shihen edhe një herë.
Të shihen.
Atë natë dy pika lot rrjedhin mbi mollzat e faqeve të Marijes. Janë lot që vajtojnë dashninë e parë e i japin forcë të re për me qenë gjithnji vajzë shqiptare, nânë e mirë e grue besnike…
.
Marrë nga gazeta Drita, 25 dhjetor 1938
 
 
 

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook